PENG NDERIMI
ALOIS (LUIGJ) GURAKUQIT
“Shqiptar i vlefshëm dhe ndêra e djelmnisë shkodrane” At Gj. Fishta.
LUIGJ GURAKUQI (Foto Marubi)
(1879 –1925 )
I kandshëm asht e plot shije
Ai i lehtë zhumhur, që gurra
Jep tue gurgullue npër hije
E nëpër rranjë e curra,
Kah e argjendtë luleve ulet
E puth përmallshëm lulet,
Që si n’ pasqyrë – rrinë n’amë t’ saj tu’ u kqyrë.
Asht edhe i butë e i kandshëm
Ai i ambli fllad ere,
Që kah i qetë e erandshëm
Fryn nëpër ag pranvere;
Me landë shkon tue zhabllue
Ose me gji t’ ritue
Prej vesës s’ qiellës – së ndonjë drandofilles.
Ma e ambël, por, asht fjala
E një miqësie t’ vërtetë,
Që, kur t’ na marrë vala
E pellgut t’ zi t’ kësaj jetë,
Tue na ngushtue ndër gjire,
E ndiejmë, e që fatmire
Zemrat na i kallë – me një shpnesë të gjallë.
Po, o Gurakuq, për mue
E nalta fjala jote,
Që me Vargnim m’ ke çue,
Kur zemra një herë m’ ankonte,
Për mue kje ajo peng bese
E kje për mue yll shprese,
Që shpirtin m’ shndriti – zemrën ma flladiti.
Oh! Po: Ajo fjalë ngushllimi
N’ zemer ashtu m’ ka ardhë
Si vesa prej agimi,
Që bie n’ një lil të bardhë;
E atëbotë, si kah pranvera
Mbijnë vjollca e lule t’tjera,
Ashtu mendimet – patën n’ mue burimet.
Po, atëbotë për Atme e Fe,
Për punë të hijshme e t’ mara
Zemra ma fort m’u nxe;
E, ma fort se përpara,
Me shpirt unë Zanës iu trova,
Edhe atë burrë këndova,
Që n’ flakë t’ barotit
– mbeti për tokë t’Kastriotit.
Pra, i drejtë në kjoftë se moti
Krejt zanin s’ ma qet n’ harresë
Fjalës sate, (e cila m’ploti
Zemrën me t’ ambël shpresë,
Se nji kohë, dikur, ma e bardhë
Shqipnisë ka për t’i ardhë),
Unë me evari – për nder, po, do t’ia dij.
Prandaj, për peng miqësie
Kam nda me t’i kushtue
Këto ushtrime poezie,
Që ti, (due me shpresue),
N’ kurrsend s’ ke për t’i ba,
Sadoqë s’ duhen gja:
Pse n’to pa nda – mue mik ti ke me m’ pa.
1909.
Shenim nga Fritz Radovani:
Kjo poezi e At Gjergj Fishtës asht marrë nga Vepra Letrare 1, Lirika, Mrizi i Zanave, Përgatitë nga Dr. Ndue Zef Toma, Tiranë 2001.
***
Në tre vargjet e fundit At Gjergj Fishta sheh kjartë kohen e ardhëshme, pra, ate të sotmen:
“N’ kurrsend s’ ke për t’i ba,
Sadoqë s’ duhen gja…”
Po, besimin tek Miku e ka: “Pse n’to pa nda – mue mik ti ke me m’ pa.”
2 MARS 1925 – 2016 .
“Shqiptar i vlefshëm dhe ndêra e djelmnisë shkodrane.”
Kështu e ka percaktue i madhi At Gjergj Fishta Luigj Gurakuqin.
Në këte përvjetor të vrasjes së pabesë nga Ahmet Zogu, kur këta tre vargje të fundit janë ma të dukshem se kurrë, kjoftë në kujtesen historike, kjoftë në “Monumentin e Vlonës 1912”, kjoftë në “oxhakun e shembun të shtëpisë shkodrane muze”, kjoftë në “vlerat e verteta të Demokracisë”, kjoftë në “ndêren e djelmnisë shkodrane”;
Ka edhe nga “Ata”, që do të ndalohen per disa çaste tek vargu i mbylljes: “Pse n’to pa nda – mue mik ti ke me m’ pa.”.
…Nder Shekuj o Luigj Gurakuqi!
Melbourne, 8 Mars 2024.