“Zoti i vërtetë e Atdheu le të na mbajnë:
Me Zot e me Atdhe t’lumnojmë!”
Eh, sikur t’i kishin sot disa “tradhëtarë”
si At Anton Harapi
Javën që kaloi, Arqipeshkvia e Shkodër-Pult njoftoi publikun dhe median kombëtare se i ka hapur rrugën “rishqyrtimit të mundësisë së fillimit të një procesi të ri për të pohuar se martirizimi i At Anton Harapit, Meshtar Franaçeskan në Urdhërin e e Fretërve Minorë, ishte si shkak i urrejtjes ndaj fesë”. Kjo bëhet e mundur, sipas njoftimit të Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, falë një, “dokumentacioni të nevojshëm që na lejon tani të fillojmë punën paraprake për hapjen e një kauze të re Lumturimi”, për At Anton Harapin, thuhet në atë njoftim. Bëhet thirrje gjithashtu, në emër të gjithë ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë, që të fillojë mbledhja e dëshmive gojore, dëshmive të shkruara dhe dokumenteve në lidhje me jetën, ngjarjet historike dhe për vdekjen e At Anton Harapit.
Në lidhje me këtë kërkesë Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH-së) njofton në portalin e vet se ka vënë “në dispozicion të mbi 5 studiuesve, dokumente për At’Anton Harapin si: Dosja Hetimore-Gjyqësore me nr. 1086-A, por dhe dokumente nga Fondi operativ Dosje formularë 322… studimi i të cilave ka vlerë historike”, sipas AIDSSH-së. AIDSSH njofton në faqën e portalit të saj se një prej dokumenteve të dosjes hetimore gjyqësore nr. 1086-A për At Anton Harapin, përmban procesverablin e seancës së marrjes në pyetje të Françeskanit të njohur.
Ja vlen të sjellim me këtë rast, pjesë të dokumentacionit të botuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me akuzat kundër At Anton Harapit, ku ndër të tjera thuhet: “Ai akuzohet mbi raportet e tij me pushtuesin italian, roli i tij si anëtar i regjencës gjatë kalimit të pushtuesve nazistë në vend, si dhe të ashtuquajturës propagandë të përdorur në shkrimet e botuara në revistën “Hylli i Dritës”, të cilat sipas gjykimit politik të komunistëve mbanin qëndrim pozitiv ndaj politikës fashiste”. Në dokumente të posedon AIDSSH njoftohet se aty gjendet edhe fjalimi që Patër Anton Harapi ka mbajtur në gjyqin e tij, për të cilin regjimi komunist e dënoi atë me vdekje. thuhet në deklaratën me shkrim të AIDSSH. Sipas dokumentacionit në fjalë, ishte 19 shkurti i vitit 1946, kur Gjykata speciale në Tiranë e ka shpallur At Anton Harapin, “kriminel lufte” dhe “armik i popullit”, “sabotator i pushtetit”. Si përfundim, Harapi është dënuar me pushkatim dhe është ekzekutuar të nesërmen. Sot ende nuk dihet vendi ku prehen eshtrat e tij, thekson AIDSSH, ndërsa citon akuzën kundër Françeskanit shqiptar:
Kështu pra, bazuar në këtë dokumentacion dhe të tjera, po hapet rruga për fillimin e procesit të lumnimit të At Anton Harapit, një nismë kjo e kryesuar nga Kryedioqeza Metropolitane e Shkodër-Pultit, në marrëveshje me të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, pasi At Anton Harapi nuk është përfshir në lumnimin e grupit prej 38 martirëve të parë shqiptarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, shpallur të lumë nga Kisha Katolike Universale, vite më parë. Komunistët shqiptarë e pushkatuan At Anton Harapin së bashku me Lef Nosin dhe me Maliq bej Bushatin, në vitin 1946, në afërsi të Tiranës.
“Zotënij të ndritshëm! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni këto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta eshtën, shembllesë ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtënë e me besën e burrave, me besën shqiptare të lidhemi për t’ia mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji Atdhe të lumtun, për ta bam Shqipninë e re të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun. T’i diftojmë, po botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët. Zoti i vërtetë e Atdheu le të na mbajnë: Me Zot e me Atdhe t’lumnojmë!” (Nga fjala e At Anton Harapit, mbajtur në Shkodër me 1936, para arkivolëve me trupat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, kur nga Shkodra po pëcilleshin për në Gjirokastër e Leskovik).
Át Anton Harapi, meshtar i Urdhrit të Fretërve Minorë, teolog, filozof, sociolog dhe prozator i mirënjohur, por mbi të gjitha, atdhetar i flaktë shqiptar dhe martir i Kishës Katolike Shqiptare. Ishte data 23 dhjetor, 2023 kur Kryeipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, nënshkroi vendimin e ipeshkvijëve shqiptarë për të mbledhur të gjitha dëshmitë dhe dokumentacionin e nevojshëm, që ka të bëjë me jetën, veprën dhe martirizimin e françeskanit të madh, me qëllim për të autorizuar fillimin e procesit për lumnimin e At Anton Harapit.