Fjala është për librin, “Diktati i ADM-ve në luftën e ftohtë e pas saj”, me autor ish-Gjeneralin Asllan Bushati. botuar kohët e fundit.
Libri i ish-ushtarakut të lartë në Ushtrinë Shqiptare, Gjeneralit Asllan Bushati mbulon një subjekt për të cilin shumë pak njerëz janë të informuar, ndërsa ka më pak prej të tjerëve që dëshirojnë të dinë e të mësojnë më shumë për Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve) dhe për rreezikun që paraqet ekzistenca e tyre për mabrë njerëzimin.
Por ama, është një subjekt i rëndësishëm dhe i paevitueshëm, që nuk mund të anashkalohet — edhe nëse do të donim ta injoronim një gjë të tillë, si individë dhe si shoqëri. Sepse armët bërthamore, kimike apo biologjike — duam a s’duam — janë të pranishme edhe në botën e sotëme (30-e sa vite) pas luftës së ftohtë, ndoshta dhe të më të përhapura se kurrë më parë, përfshir edhe periudhën e luftës së ftohtë, prej pothuaj gjysëm shekulli.
Armët bërthamore, biologjike e kimike “të dëmtimit në masë”, siç i cilëson atoautori — unë do preferoja t’i quaja ato Armë të Shkatërrimit në Masë, sepse të tilla janë. Mbi të gjitha, ato përbejnë një subjekt të frikëshëm e kërcënues për njerëzimin dhe për mbijetimin e këtij planeti. Si i tillë, është një çeshtje me rëndësi, që na imponohet të gjithëve kudo që jetojmë – është e doemosdoshme që si qytetarë të cilitdo vend qoftë, të lexojmë e të mësojmë më shumë për këto armë të shkatërrimit në masë e që për njerëzimin janë një rrezik real, i pranishëm dhe i përgjithmonshëm, për derisa ato nuk zhduken nga faqja e dheut, me marrveshje ndërkombëtare, për eliminimin e tyre njëherë e mirë. Një mundësi reale kjo, por aq e parealizueshme sot, siç ka qenë edhe gjatë dekadave të kaluara të luftës së ftohtë dhe më vonë. Prandaj, për autorin Bushati eliminimi i këtyre armëve vdekje-prurëse në masë, është një nevojë themeltare për njerëzimin, siç është edhe, “Njohja e përgjithëshme dhe e thelluar e ADM-ve”, që sipas tij, “do të na shtynte të mendojmë si njerëz të civilizuar të këtij globi, për një të ardhme më të mirë, më jetëgjatë, më të kulturuar, për vete dhe për breznitë e ardhshme.”
Kjo është e rëndësishme, shkruan Asllan Bushati, se mediat kombëtare dhe ndërkombëtare nga frika për të mos përhapur panik në popullsi nuk kanë njoftuar siç duhet të dhënat në lidhje me rreziqet e mundshme që vijnë nga armët e shkatërrimit në masë (ADM), qoftë në kohë lufte, por edhe nga aksidentet ose nga terrorizmi ndërkombëtar, në kohë paqeje.
Autori e shpreh shqetësimin e tij në lidhje me përdorimin e këtyre armëve, e sdiomos të armëve kimike, duke pohuar se megjithë marrveshjet ndërkombëtare dhe opinionit publik kundër përdorimit të tyre, këto armë janë përdorur, sipas tij, në disa vende të botës, përfshir ish-Jugosllavinë, ku fillimisht janë përdorur nga ushtria ish-jugosllave kundër shqiptarëve të Kosovës në vitet 1981, 1990 dhe 1991 dhe më vonë edhe kundër objekteve civile të kroatëve e boshnjakëve. Gjenerali Bushati shpreh shqetësimin e tij në librin, “Armët e Dëmtimit në Masë (ADM-ve)”, se Serbia si pasardhëse e ish-Jugosllavisë ka prodhuar gjatë viteve armë të tilla të shkatërrimit në masë, përfshir armët kimike, Autori shkruan se Serbia përben një rrezik të madh për Shqipërinë dhe për Kosoën në këtë fushë, pasi, sipas tij, Serbia posedon,”në thellësitë territorit të saj, ajo ka trupa operative-strategjike dhe një sasi të madhe raketash “Skud”, të cilat janë rrezik potencial kundër Kosovës dhe Shqipërisë.”
Në të vërtetë, shkruan Z. Bushati, ishte pikërisht Kosova si poligon e hapësirë dhe shqiptarët, si banorë të saj –ata që Serbia i shënjestroi në fillim të 1990-ave me sulme armësh kimike dhe të tjera. “…shihni pamjet telelvizive, ata (serbët) e kanë përdorur gazin helmues edhe në oborret e spitaleve”, citon autori aktivistin e të drejtave të njeriut në atë kohë, të shquarin Prof. Dr Zekeria Cana. Z. Bushati thekson se, megjithse lufta ka pushuar në ish-Jugosllavi, “fryma anti-shqiptare atje është shumëfishuar”, ndërkohë që “arsenali kimiko-ushtarak (serb), jo vetëm nuk është zvogëluar, por është shumuar e sofistikuar me ndihmën e Rusisë”, shkruan Bushati. Autori paralajmëron se kjo situatë e krijuar, “përben me të vërtetë një rrezik real për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por si komb. Ai i bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës, se megjithë ombrellën e NATO-s, dy shtetet shqiptare duhet të vlerësojnë gjëndjen aktuale dhe të ndërmarrin masat e nevojshme tekniko-ushtarake për të përballuar gjëndjen në hapësirat shqiptare Shqipëri-Kosovë, por përfshir edhe trojet shqiptare në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut.
Autori Asllan Bushati — ish-ushtaraku i lartë në Ushtrinë Shqiptare — ka zgjedhur kohën e duhur që të shkruante dhe të botojë librin doracak, “Diktati i ADM-ve në luftën e ftohtë e pas saj” mbi rrezikun e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike ndaj njeërzimit. Sepse një numër gjithnjë e më i madh eskpertësh të armëve bërthamore dhe të çeshtjeve strategjike ndërkombëtare – amerikanë dhe ndërkombëtarë – sidomos përball agresionit rus në Ukrainë dhe kërcnimeve të Kremlinit për të përdorur armët bërthamore në Evropë si përfundim i atij konflikti
— kanë paralajmëruar se ndoshta kurrë më parë nuk ka ekzistuar rreziku më i madh se sot, për përdorimin e armëve bërthamore të shkatërrimit në masë. Siç ve në dukje edhe autori Bushati, Lufta e Ftohtë mund të ketë marrë fund, por regjime — si Serbia dhe të tjera – janë duke rritur arsenalet e tyre të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike, duke rrezikuar paqën dhe sigurinë rajonale e botërore, shprehet autori.
Shumë prej nesh nuk jemi të mirë informuar për këtë rrezik që vjen nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike e me të cilin përballet njerëzimi, jo vetëm nga regjime diktatoriale por edhe nga grupe terroriste, anë e mbanë botës, që mund t’i blejnë ato armë nga shtete diktatoriale, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën.
Subjekti i armëve bërthamore, kimike dhe biologjike është një subjekt për të cilin unë – si shumë të tjerë — nuk jam edhe aq i mirë-informuar, duke menduar, gabimisht, se nuk do të kemi kurrë nevojë të merremi me to. Por, duke lexuar librin e Z. Bushati mësova shumë gjëra. Ashtu kam besimin se edhe lexuesit e tjerë të këtij libri do të mësojnë shumë mbi këtë subjekt, ose të pakën ky libër do të tërheq sado pak vëmendjen e tyre, qoftë edhe për një kohë të caktuar, sa për të reflektuar ndaj këtyre armëve të shkatërrimit në masë dhe për rrezikun e madh që ato përbejnë për njerzimin dhe se ato vazhdojnë të mbeten një kërcënim i madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi ku ne jetojmë si komunitet larg trojeve tona të origjinës, por edhe për bashkëvëllëzrit tanë në trojet e veta në Ballkanin Perëndimor — Shqipërinë dhe Kosovës. Në këtë kuptim, autori Asllan Bushati, bën një shërbim të madh për lexuesin dhe për shoqërinë duke na bërë që të reflektojmë mbi rrezikshmërinë e mundësisë së një kombinimi të mundëshëm të teknogjisë moderne dhe armëve bërthamore me fanatizmin politik, fetar ose çfardo lloji tjetër. Natyrisht, se ashtu si edhe për botën tjetër, as për shqiptarët, subjekti i armëve të shkatërrimit në masë nuk është një subjekt i këndëshëm as i pëlqyeshëm, për të cilin është kollaj të bisedohet, të diskutohet ose të shkruhet. Por, megjithëkëtë, gjëja më e rëndësishme dhe më urgjente për botën sot, sipas autorit të librit, “Diktati i ADM-ve në Luftën e Ftohtë e pas saj”, është menaxhimi i sukskeshëm i përhapjes së armëve bërthamore dhe kimike si dhe pakësimi i këtyre armëve të rrezikshme për botën mbarë – sidomos, atyre armëve kimike e bërthamore, që janë nën kotrollin e vendeve armike të demokracive të botës perëndimore. Unë nuk e ndjekë këtë subjekt në median shqiptare, por nuk jam në dijeni të ndonjë literature në gjuhën shqipe mbi armët bërthamore, biologjike dhe kimike. Kjo e bënë librin e Asllan Bushatit një botim të rrallë por të nevojshëm në fushën e rrezikshmërisë këtyre armëve për njerëzimin. Prandaj libri i Z. Asllan Bushati duhet të konsiderohet si një kontribut i çmueshëm për stimulimin, në mos të një debati serioz mbi një subjekt tepër serioz, atëherë, uroj që sa do pak ky libër të stimulojë një dialog publik mbi këtë subjekt tepër të rëndësishëm, megjithse dy shtetet shqiptare nuk posedojnë armë të tilla – janë vendet fqinje siç është Serbia që posedojnë armë kimike dhe e cila ka treguar në të kaluarën se ajo është më se e gatëshme t’i përdori ato kundër fqinjve – siç sugjeron edhe autori Asllan Bushati në librin që promovohet sot në Vatër.
Frank Shkreli
Autori i librit, Z. Asllan Bushati