Sapo u përplas me tokën dhe kuptoi se shpëtuan, Nduja (Noa) zbriti i pari nga arka dhe puna e parë që bëri ishte të gatuante ashure. E, si do të thuash? Mori gjithfarë drithrash, frutash e erëzash i futi në kazan dhe me një durim prej profeti nisi ti përziejë dalë ngadalë deri sa çdo përbërës u bind se pavarësisht shumicë, apo pakicë, kishte po të njëjtën rëndësi brenda në kazan…
Me njohurinë time rreth ashures ( demokracisë) mendoj se përbërësit e Ndues duhet të ishin si më poshtë:
Mjaltë gështenjash, lulesh, agrumesh, rigoni e padyshim mjaltë i farave të zeza. Grurë, qiqra, oriz, fasule, rrush i kuq, i verdhë, i zi, fiq, kumbulla, kajsi, lajthi, stika pishe, fistik, bajame, arra, karafil, trëndafil, lëkurë limoni, kanellë, susam, shegë…si dhe aroma e lugës së drurit që i përzien të gjitha këto.
Me ate që pashë, gjate panairit të legalizimeve të Partisë Socialiste – edhe pse pas mijëra vitesh -kishte mungesë të theksuar të përbërësve në kazan. Pra ashurja që u servir, nuk dallonte aspak nga ashurja që shitet në gota plastike e që ti shtin të ligët që kur e sheh. Grurë i zier, sheqer i karamelizuar, dy-tre kokra rrushi të plasur nga marrazi, thërrmija arrash sa për be dhe kanellë e përzier me pluhur tullash për të mbuluar brendinë!
Sinqerisht për të ardhur keq, gjithashtu edhe mëkat, kur ua “mbush” barkun qindra e mijëra besimtarëve të rilindur duke i thënë se kjo është ashurja (demokracia) e vërtetë!
Gjithsesi, Ashure si në hebraisht, edhe në arabisht do të thotë 10 (dhjetë). Në shumë tregime teologjike, kjo ditë lidhet pothuajse me të gjithë profetët, që nga Adami e deri në kohën e profetit Muhamed.
Ndërsa nevruz do të thotë, ditë e re! Ndryshe dita e parë e pranverës…

Komentet