Asambleja Parlamentare e NATO-s të hënën votoi njëzëri për të shpallur krimet e Rusisë kundër Ukrainës gjenocid, duke shënuar “një fitore diplomatike për Kievin me pasoja më të gjera politike”, tha Yehor Cherniev, kreu i delegacionit të Ukrainës në asamblenë e mbledhur në Luksemburg. “Kjo është fitorja jonë diplomatike. Të gjitha kërkesat tona kryesore në lidhje me tekstin përfundimtar të deklaratës janë marrë parasysh.”
Deklarata përfshin mbështetjen për një gjykatë ndërkombëtare për krimet ruse të luftës, një zotim për të ndihmuar Ukrainën të arrijë fitoren, një angazhim për të rikthyer integritetin territorial të Ukrainës, zbatimin e sanksioneve të mëtejshme dhe një program ndihme të ngjashëm me Planin Marshall për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
Përmes një video-fjalimi në mbrëmje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti deklaratën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. “Një njohje e qartë e krimeve të Rusisë kundër vendit tonë si gjenocid”, tha ai. “Kjo është baza e duhur edhe për organizatat e tjera ndërkombëtare.”
OKB, Zaporizhzhia në prag të një ‘aksidenti bërthamor’
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike e karakterizoi situatën në centralin bërthamor në Zaporizhzhia si “jashtëzakonisht të rëndë” pasi centrali më i madh i energjisë atomike në Evropë përjetoi një ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe u detyrua të aktivizonte gjeneratorët e tij të emergjencës, që funksionojnë me naftë.
Kjo ishte hera e shtatë që centrali bërthamor mbeti pa energji elektrike që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, tha kreu i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore, Rafael Grossi. “Situata e sigurisë bërthamore në termocentral është jashtëzakonisht e brishtë”, tha ai në një postim në Twitter. Më vonë rifilloi furnizimi me energji elektrike, por zoti Grossi bëri thirrje për ndalimin e bombardimeve rreth centralit bërthamore, të pushtuar nga Rusia.
“Ne duhet të biem dakord për të mbrojtur centralin bërthamor tani. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, tha ai në postimin e tij të fundit në Twitter.
Anëtarë të personelit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike janë dislokuar në centralin bërthamor, i cili është pushtuar nga trupat ruse. Gjashtë reaktorët e centralit bërthamor, i cili është i përforcuar me një mburojë që mund të përballojë goditjet nga një predhë ose raketë të hedhur ma dashje, janë mbyllur. Por një ndërprerje në furnizimin me energji elektrike mund të çaktivizojë sistemet e ftohjes që janë thelbësore për sigurinë e reaktorëve edhe kur ata janë jashtë funskionit. Gjeneratorët me naftë, të cilët zyrtarët thonë se mund ta mbajnë në funksion centralin bërthamor për 10 ditë, mund të kenë probleme.
Energoatom, kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, njoftoi se energjia ishte rikthyer në centralin bërthamor, por paralajmëroi se objekti është “në prag të një aksidenti bërthamor”. Agjencia ukrainase pretendoi se bombardimet ruse dëmtuan linjën e fundit të tensionit të lartë, e cila përdoret për furnizimin me energji elektrike të centralit në Ukrainën jugore, të pushtuar nga Rusia, që ndodhet rreth 500 kilometra nga Kievi.
Nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur pretendimi i palës ukrainase.
Lufta, veçanërisht goditjet me artileri, rreth centralit bërthamor ka nxitur frikën për një fatkeqësi, të ngjashme me atë që ndodhi në Çernobil, në Ukrainën veriore, në vitin 1986. Më pas, një reaktor shpërtheu dhe shkaktoi rrjedhje ardiaktive vdekjeprurës, duke ndotur një zonë të madhe në katastrofën më të rëndë bërthamore në botë.