[ piktura: Herbert James Draper (1863-1920) – Lanceloti dhe Ginevra, ~1890 ]
…nëse t’i sillnim ndërmend përrallat, imagjinatat novelistike të së kaluarës, s’do ta kontestonte kush se, bie fjala Dulçineja mund t’ketë vuajtur pa hile për Don Kishotin e vet, e saktë se nuk ekzistonte, ishte një e dashur “imagjinare” por ec e dije, ndoshta dhe krijesat e imagjinatës vuajnë, pakashumë njësoj siç vuajnë dhe princeshat e përrallave (përndryshe as këto të fundit s’do vuanin, apo jo – meqë dhe përrallat ujdisen me ndihmën e imagjinatës, sikur dhe zhanret e letraristikës… jo patjetër romanet duhet t’jenë ndodhi realistike, e dinte dhe Servantesi, e dinte dhe Jakov Xoxa teksa merrej me “Lumin e Vdekur” etj etj)…
…shkurt, njësoj si dhe Elena e përrallave arturiane që vuante për Lancelotin, Elena e ngratë pati dashuruar siç vetëm princeshat e kështjellave dinë të dashurojnë, madje pati dhënë shpirt nga “dashuria”, aq fatkeqe, përrallë aq e dhimbshme, s’ka njeri që nuk i këputet zemra, vdiq e shkoi pa iu “kthyer” kurrë dashuria, gjithçka që kishte në zemër ia pati falur Lancelotit, derisa zemra i qe bërë shkrumb, djegur e përvëluar, sepse zemrat e klasicizmit s’dinin ndryshe, o dashuronin përjetësisht o fare, zemrat dikur s’kishin as “hile” as falsitet hipokritik, ishin zemrash 100% të sinqerta, as Lanceloti s’e pati shpërfillur, por dhe ai vetë mund ta ketë humbur zemrën duke rendur pas Ginevrës, dmth. s’është se na kishte “faj” për pafatësinë e Elenës, t’i thoshte “po” duke qenë e vërteta krejt ndryshe, ashtu do ishte mëkat tepër i madh…
(ja, mos i merrni fjalët e mia të gatshme, e vërteta shihet dhe në pikturën e artistit Draper, Lanceloti fare i “hutuar” pas Ginevrës, ishte e supozuar që ai t’na ishte kalorës i hutuar rreth trimërisë, rreth problemeve të mbretërisë, rreth politikave të mbretit Artur, e jo të hutohej pas bukurosheve të huaja : )
…shkurt, dikur pati qenë ndryshe, ishte se ç’na ishte, tani secilën herë e më tepër duke u ndërlikuar gjërat, tashmë Erosi tërë ditën duket i trullosur, ia hedhin secilën herë e më shpesh, pothuaj secilën herë shigjetat i shkojnë huq, sorollatet me atë naivitetin engjëllor, e përqeshin, e përbuzin, e përtallin, madje shpesh dhe e lidhin, ia palosin flatrat, shigjetat përtokë, harkun diku pas shkurreve – thjesht s’mund të shtyhet me 1001 falsitete internetike, me 1001 butona të iPhone, me 1001 çudira të Fb, tani madje dhe çupërlinat thuase e kanë “koduar” secilin truk, thuase i shpikin vetë nga 1001 vegëza të “zemër-inteligjencës” : )