Vërtet mbresëlënës festimi i Pashkëve prej arbëreshëve në Itali. Evokim dinjitoz i identitetit arbëror. Ndërkohë nga arvanitasit, më të shumtë dhe që i kanë dhënë shumë Greqisë, deri pavarësinë, heshtje. U përçudnohet geni arbëror me “os/is”-a pas emrave të të parëve legjendarë, u ndalohet gjuha e Skënderbeut etj duke rrezikuar asimilimin pakthim. I rezistuan romakut, turkut e sllavit por ndruhen nga Greqia e BE dhe “helenët” modernë! E ndërsa arbëreshët sillen më shqiptarë se vetë shqiptarët, urojmë që arvanitasi të mos preket nga sindroma e Stokholmit e të sillet më grek se greku!
Llogjet greke pretendojnë se arvanitasit e kanë për turp dhe refuzojnë të identifikohen me shqiptarët “turq” që i kanë dhënë vetes nam të keq vetes sidomos pas viteve 90 me emigracionin masiv. Një tezë përcarse e djallëzore sepse edhe para viteve 90 arvanitasit nuk festonin haptazi identitetin e tyre sikurse emigrim problematik masiv pati edhe në Itali por arbëreshët mbetën arbërorë.
Nëse për nam të keq, turpe kombëtare dhe distancim prej tyre, ai grek mbetet unik nga genocidi i Zervës, përndjekja shekullore e gjuhës, besimit dhe shkollimit shqip, internimet në Turqi, mbajtja e gjëndjes së luftës (ndërkohë që edhe nazistët pushtuan Shqipërinë përmes Greqisë), presioni ndaj emigrantëve etj.
Në fund të fundit prej arvanitasve nuk pritet të deklarohen shqiptarë (term modern) por arvanitas sikurse të parët e tyre – Skënderbeu, Bocari, Bubulina etj dhe sivëllezërit në Itali. Me flamurin e Krujës heroike të përbashkët edhe me shqiptarët e Shqipërisë. Ndryshe, shpërfillja apo mohimi i identitetit arvanitas është mohim i lavdisë së të parëve dhe zvogëlim para kombit grek.
Ata nuk kanë nevojë të bëhen grekë për t’u ndjerë mirë dhe krenarë. Arvanitasit i del dhe i tepron historia e tij. Vendi i tij dhe shqiptarit në Greqi pohohet prej vetë intelektualëve realistë grekë si psh. njeriu i letrave Nikos Dimou cituar prej NYT në 2009 teksa pohon se “Ishte faji i një gjermani (i referohej Johann Winckelmann, historian arti në shekullin e 18 vizioni i të cilit rreth Greqisë antike “të banuar nga njerëz të pashëm, shtatlartë, bjondë dhe të mënçur që përfaqësonin përsosmërinë” iu imponua vendit për të ngjizuar identitetin modern grek. “Ndërsa ne flisnim shqip dhe e quanim veten romanë, Winckelmann, Gooethe, Victor Hygo, Delacroix, na thanë “Jo, ju jeni helenë, trashëgimtarë direktë të Platonit dhe Sokratit” dhe kështu u bë”.
Greqia nuk është Itali por ata që bënë revolucion kundër një perandorie, nuk duhet të ndruhen të pohojnë identitetin e tyre në kohën e medias globale dhe Greqisë në BE pavarësisht se ende djallëzisht feja identifikon kombin jo vetëm për të asimiluar ortodoksin arbëror apo shqiptar por dhe shkëputur lidhjet me trungun amë ku dominon besimi mysliman.
Kudo ku jemi, ne jemi të gjithë arbëreshë, pavarësisht fesë. Shqiptarët ndërruan fenë për mbijetesë ndryshe hakmarrja e sulltanëve ndaj rënies së Arbërisë që guxoi e vetme do të ishte ekstreme duke vënë kombin në udhëkryq ekzistencial (ndryshe nga kombet e tjera të cilëve sulltani u la gjuhën, fenë etj).
Feja për shqiptarin nuk është vlerë superiore identifikimi, bile rëndom është njësuar me pushtuesin. Kombi po. Jo thjesht inercisë së paganizmit pellazgjik por faktit se shqiptari, qoftë ateist, myslyman, bektashi, ortodoks apo katolik etj, e respekton fenë si aset personal e që mbetet e tillë (ndonëse sot politika luan me besimin për elektorat duke dëmtuar me dashje apo jo kohezionin social).
Shqiptari mysliman nuk është turk (pushtuesi nuk flet gjuhën e të pushtuarit apo pranon flamurin e tij!), ortodoksi nuk është grek ndaj dhe lidhja arvanitas-shqiptar është organike sepse bazohet në etni.
Shqipëria, si trungu amë, ka detyrimin historik të vëmëndjes ndaj bashkëkombasve të saj sikundër bëjnë vëndet e tjera në rajon. Arvanitasit nuk duan pensione apo pasaporta por respekt, apel vëllazëror që kultivon identitetin arbëresh si pararendës i identitetit shqiptar dhe ura komunikimi – takime nivelesh të ndryshme, konferenca shkencore për vijimësinë arbërore, shkëmbime përvojash në arsim dhe kulturë, evenimente pan-arbërore për shqiptarët në rajon, konsullata, dhoma tregtie, zyra kulturore, turizëm etnik etj.
Ndërsa grekët shurdhërojnë mbarë botën për të drejta “qiqrrash në hell” për minoritetin e ardhur në jug (të privilegjuar në mbretëri, komunizëm e demokraci), gama e interesit tonë kombëtar në Greqi duhet të përfshijë si emigrantët rishtas, Çamërinë e përgjakur ashtu dhe rizgjimin e shpirtit të arvanitasit legjendar që mbetet gur unik në mozaikun kombëtar.
Ka 26 vjet që politika shqiptare shpërfill interesin kombëtar duke i shërbyer direkt apo indirekt interesit serbo-grek në rajon. Ndërsa sot tek ne turpo-politikanët merren me sabotimin e një parku lojrash për fëmijët e qytetarit të thjeshtë apo të tjera “kauza” donkishoteske nga dekriminalizimi apo de-komunistizimi (ndërkohë që gjërat nuk janë bardhë e zi sepse trashëgimia ideologjike dhe ajo kombëtare janë të ndryshme) etj, fqinjët tanë vazhdojnë me “defteret” e mesjetës. Serbët planifikojnë popullimin e Kosovës me serbë, sugjestionojnë BE tek barazojë viktimën me agresorin në Kosovë, sllavo-maqedonasit injorojnë Marrëveshjen e Ohrit, grekët flasin për Vorioepir, lobi grek takon politikën tonë (presidenti si kreu i sigurisë kombëtare hesht), paguajnë pensione “vorioepiriote”, vijojnë konvertimin me “karrota” të shqiptarit emigrant etj.
Ndërkohë që PDIU apelon prej mazhorancës hapësirë për të dëshmuar vullnetin për qeverisje, bën mirë të mos humbë më kohë për t’i bërë jehonë publike çështjes çame me vepra konkrete. Të bëjnë një turne sëbashku me deputetë të tjerë dhe median nga Greqia – grekë e serbë e kanë bërë udhë këtë gjë. Të vizitojnë viset e shqiptarëve, arvanitasve dhe çamëve në Greqi, të vënë një kurorë në tokën e përgjakuar çame, të takojnë banorët dhe të hedhin ura komunikimi me ta. Të dalin më pas në Serbinë e jugut , Maqedoni, Turqi e të takojnë me miliona shqiptarë të hedhur nga pazaret e historisë atje. Nuk kanë nevojë për viza. Askush nuk i pengon, qoftë Asfalia apo mbeturinat e UDB, se lajmi do të bënte bujë.
Ndërsa arvanitasi duhet t’i thotë arbëreshit tej detit se shpirti i Moresë është gjallë, ne këtej të bëjmë krenarë kudo bashkombasit tanë. Patriotizmi nuk ka brirë.
Komentet