Hyri në rrugën e artit modern me një guxim të madh, me koncepte të qarta për jetën dhe artin. Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi, si një përfaqësuese të denjë të pikturës bashkëkohore shqiptare.
Vite më parë kur ajo hidhte themelet e këtij moderniteti në pikturën e saj. Gjithçka i ishte mohuar, suksesi, madje dhe ekspozimi për vite me radhë. E mes tyre që e mënjanuan kishte nga ata kolegë që koha dhe arti i la pas. Askush nuk mundi ta zbehë dhe ta zmbraps fuqinë dhe aftësinë e saj krijuese, mbështetur fort në rrënjët e përgjakura të trungut të saj të jetës.
Lumturi Blloshmi është një personalitet i veçantë i pikturës shqiptare. Një nga piktoret e suksesshme, gjithmonë në kërkim të formave të reja artistike. Artistja, e sfidoi kohën dhe vështirësitë që rezervoi jeta përpara saj. Duke sjellë gjithë begraundin piktorik, ndjesor dhe intelektual. Alternativat shkojnë me idetë. Ajo krijoi vazhdimësinë pa ndërprerje, pasi i vetmi profesion i saj ishte arti. Ndër vite, piktorja do të përshkruante fazat historike të ndryshimeve në limitet e kohëve të saja krijuese.
Në pikturat e hershme me tematika dhe impresione të ndryshme, të shprehura me origjinalitet dhe mjeshtëri, spikatin peizazhet e bukura dhe veçoritë e qyteteve, të Durrësit, Tiranës, Kalaja e Gjirokastrës, Ardenica e Gorrica e Beratit. Shtëpia e poetit Lasgush Poradeci, e sjellë në art si askush tjetër. Shëtitje në Dardhën me dëborë etj.
Ajo krijoi në të gjitha situatat, sado të vështira ishin ato, duke i’u kundërvënë realitetit të hidhur me të gjitha forcat krijuese dhe emocionale. Në vitet 1975- 1985, Lumes i’u ndalua të ekspozonte. Edhe më pas tablotë e saj ktheheshin mbrapsht shpeshherë. Ajo vazhdonte të punonte më fort pa u dekurajuar. Këtë forcë e merte nga nëna e saj fisnike, të cilën nuk e pa duke lotuar as në momentet më të vështira të jetës. Këtë forcë e merrte nga Dragushi, vëllai i saj i vetëm, një artist i heshtur prej goditjeve të sistemit diktatorial. Kushëriri i saj Vilsoni, poeti i cili nuk u përkul përpara xhelatëve të komunizmit. Forca e saj shpirtërore qëndron në genin Blloshmi, të gjyshit dhe Atit të saj të pushkatuar pa gjyq nga komunizmi i egër që në fillimet e tij. Diktarura, nuk i duronte dot intelektualët, të talentuarit dhe mendjendriturit. Lumja, nuk tërhiqej, as kur survejohej dhe provokohej nga provokatorë dhe spiunë të shumtë, as kur punonte si punëtore e thjeshtë. Ajo, kishte pranë miqtë, dashamirësit, fisin, pedagogët e saj të paharruar, që ndihmuan në jetën dhe karrierën e saj artistike.
Lumja ishte një grua e lindur për t’u bërë artiste. Krijime të tilla si,”Piramida e përgjakur” “Hapësirë urbane”, tematikat e larmishme, që nga ajo e mistershmja si “Kleopatra moderne”, “Itaka” e “Komo”.
Kompozimi i tablove me reflektime e përsiatje si, “Ambiguitet”, “Obsesion”. Filozofia e hershme “Peshku i madh e ha të voglin”dhe pesëmbëdhjetë foto të performancës “Kamasutra” me bretkosa të skuqura, që piktorja i fotografoi para se të shtrojë koktein me to, dhe deri tek tablotë me lulet e saj mahnitëse.
Shpesh e prekte realitetin me ashpërsi, kërkonte të konsolidonte të vërtetën perms artit. Ngjyrat e përdorura prej saj, treguan se piktorja nuk pati preferencë të veçantë për asnjë prej tyre. Ajo i adhuronte të gjitha ngjyrat duke i hedhur mbi tablo, tonalitetet me perfeksionin e mjeshtres së rrallë. Lumturi Blloshmi, krijoi jo vetëm se kish brenda saj hyjnoren e artit, por edhe se në brendësi, subjekti i saj artistik ishte i drejtuar nga pavetëdija tek realiteti i vërtetë njerëzor. Ajo shfaqej përpara publikut si një artiste e madhe inteligjente dhe e guximshme. E ngacmonte ideja e mendimeve superiore, po, nuk ishte e varur prej tyre. Vepronte së pari aty ku emocionet qenë më të forta. Aty ku situatat precipitonin më thellë dhe trondisnin shpirtin e saj.
Nudot femërore të piktores Lumturi Blloshmi, të realizuara në fillimet e viteve`90, marrin nuanca të mermerta, nuk është e vështirë të dallosh se modeli perfekt është ajo vetë.
Artistja, ndryshonte shpesh, megjithatë ishte vetvetja. Mendimi i saj brenda subkoshiencës, ku ndikimet e forta ishin së brendshmi.
Në fëmijëri, asaj i pëlqente shumë të këndonte e kërcente pa fund, ëndërronte se një ditë do të bëhej një artiste e madhe si Maria Kraja apo Maria Kalas. Befas u sëmur rëndë, pa shpresa për jetën. Me përkujdesin e madh nga mjekët dhe të afërmit, vajza do kthehej në jetë, po kishte humbur dëgjimin. Lumja ishte sfidante! Kur mësoi se nuk mund të këndonte i shkrepi në kokë të bëhej pianiste, pa e kuptuar se nuk mundej.
Ishte një nga ëndrrat e saj më të bukura. Pavarësisht vuajtjeve, dëshëronte të bëhej artiste e madhe.
Mbaroi, me rezultate të shkëlqyera Liceun dhe Institutin e Lartë të Arteve. Punoi si punëtore offseti në stabilimentin“Mihal Duri”.Më vonë në Ndërmarjen e Mjeteve Mësimore dhe shtëpinë botuese “8 Nëntori”, si piktore në ilustrimin e librave për fëmijë. Pas viteve `90, punoi në Galerinë e Arteve, dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, deri sa doli në pension. Ambicia e saj e vazhdueshme nuk e lë atë të dehet nga sukseset. Energjike dhe impulsive ajo e ndjente se nuk do t’i shternin forcat deri në fund.
Pjesëmarrja e saj në rreth 70 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si konkursi kombëtar “Onufri” në Tiranë, në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt, në Bienalen e Ankarasë në Turqi. Në konkursin ndërkombëtar të Budapestit, Hungari, ekspozitat në Poloni, Francë, Egjipt, Itali, Greqi, Holandë, Amerikë e etj., etj.. Tregojnë se eksperienca e saj e artit e kish kaluar kufirin e suksesit. Lumturi Blloshmi, ishte fituese e disa çmimeve të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Artistja nuk i pranonte kufijtë e realitetit. Ajo udhëhiqej nga kufijtë e mendimit. Mendimi i mendimit të saj shkonte përtej krijimit. Piktura e saj është mundimi i rikthimit përmes vështrimit. Këtë e reflektonin sytë e saj të blertë me një shikim të pastër dhe të qartë, ku pasqyrohej imagjinata, fantazia, mendimi dhe bota e saj e madhe. Pasionet dëshirat, dhimbjet, humbjet, dhe dashuritë e saj. Mbi të gjitha mendimet e mëshiruara në artin e saj të madh. Pikturën. Dashuria e saj të përjetshme.
Arti është sa i lashtë aq edhe modern. Modernizmi tek ajo zuri fill në mendimet e saj të pakompleksuara. “Përpara telajos jam unë vetëm dhe mendimi im, në ato momente nuk mendoj askënd.” –thosh ajo. “Për publikun interesohem se çfarë mendon ai, vetëm kur i paraqitem në ekspozita, madje krejt lakuriq. Megjithatë nuk trembem. Impulset që më jep herë pas here jeta ime, zbërthehen dhe zbrazen në telajo.” I vetmi pasion i saj mbeti arti, për të cilin sakrifikoi edhe krijimin familjes.
Është vështirë të flasësh për Lumen, rebelen e admiruar, provokuesen që injoroi çdo barrierë. Është ajo “vajza e përjetshme piktore”. Me natyrën e saj komplekse si artiste, të dlirë si njeri. Artistja që trazoi shpitin e vizitorëve. Performoi me portretet e politikanëve, e nuk e vrau mendjen aspak për kompromise dhe nuk kursen asnjërin me satirën dhe ironitë e saj. Lumja, na befasoi kur pikturoi imazhin e vet nudo me dekoratën në seks. Ironia, sarkazma, humori nuk mungojnë në pikturën avangardë të Lumturi Blloshmit. Sapo projektonte një ekspozitë ia dilte në fund më së miri, duke ndërthurur modernitetin, filozofinë dhe nuk harronte të provokonte publikun.
Duke qenë në kontakt me botën e artit, isha mikja e saj prej shumë vitesh. Më kish lindur ideja e një dokumentari. Jeta dhe vepra e saj tejet e veçantë dhe interesante më inkurajonte. Po mikja ime si personazh, ishte tepër e vështirë për të improvizuar skenat e një dokumentari. Ajo i njihte mirë aftësitë e saja krijuese. Gjatë bisedave të sinqerta kam vjedhur ato me impresionueset. E vështirë që ajo të pëlqente se çfarë thonë të tjerët për të. Vazhdimisht kërkonte të pamundurën, të paarritshmen, e kapte dhe arrinte atë me çdo kusht, pavarësisht fatit që i rezervoi jeta. Lumen e kanë dashur dhe ndihmuar për promovimin e vlerave, kolegët, miqtë, mediat dhe studiuesit e artit.
Sfida më e madhe e saj qe arti konceptual. Të cilin e vlerësonte si një formë tepër të ndërlikuar. Ky art ka filozofi, erudicion, ka instinkt, i cili vepronte me së shumti tek piktorja. Lumja ishte e guximshme të eksperimentojë dhe të fitojë, truri i saj qe laboratori ku ngjizeshin idetë. Aty përplaseshin përfytyrimet. Por deri në përfundimin e punës nuk i dihej se çfarë ajo rrugës do të ndryshonte…
Artistes i shkrepi mendimi dhe vendosi të realizojë kafkën me boce cigaresh, për të qënë koherente me jetën dhe me artin. Kafka e njeriut është një objekt dhe subjekt interesant për artistët e të gjitha mjeshtërive prej shumë kohëve. Kafka të sjell në mendje shkrimtarin e madh ekzistencialist, Franc Kafka.“Procesi”dhe “Metamorfoza” e tij. Ashtu si tek Kafka, ambienti është një simbolikë. Edhe tek artistja Lumturi Blloshmi ekzistonte një metamorfozë e tillë, ku njeriu një mëngjes mund të gdhihet – kafkë e helmuar nga nikotina. Rebelimi i Lumes ashtu si edhe i Kafkës, nuk kish hierarki. Ajo është revolta që prodhoi absurdi, ku njerëzit tronditen nga transformimi i gjithçkaje në një shoqëri konsumi global. Metamorfoza e artistit duhet parë në rrethanat në të cilat ai vepron.
Lumturi Blloshmi, një artiste e madhe pa komplekse, me një kulturë të gjërë filozofike dhe humane. Sa herë fliste e shqetësohej për projektin e ideuar, mahnitesha nga fantazia e saj unike. Figurat me lëkurat e portokalleve, me të cilat krijoi projektet fantastike “Zarabanda 1 dhe 2” dhe “Pompeiadën” e famshme të cilën nuk arriti ta realizonte, ndaj rebelohej shpesh. Rebelimi i saj kalonte caqet kufizuese, nga pamundësitë e ndryshme dhe ato financiare. Rebelim i cili niste nga e pamundura dhe mos kuptimi nga të tjerët, i gjenialitetin të saj të krijimit. E revoltonte pa masë mungesa e një studioje, që të gjithë miqtë e kolegët dhe artistët e brezit të saj e kanë. Studioja e saj e krijimit ishte tërë kohën dhoma e saj e ndenjes. Kjo e dëmtoi rëndë shëndetin e mushkrive të saj. Rebelohej nga kërkimi i realizuesve perfektë të projekteve. Jeta e kish mësuar të gjente optimizmin dhe shpresën e mundshme për t’i dhënë jetë artit në emër të jetës, e cila u shua me pengun, çdo të bëhej me veprat e saj?
Ne miqtë e Lumes, dhe adhuruesit e artit të saj, mendojmë se shteti ynë, duhet të bëjë atë që nuk e bëri prej shumë dekadave për artisten e madhe universale: Fondacionin “Lumturi Blloshmi”. I cili, do jetë një qëndër arti me vlera të larta për të gjithë vendin dhe veçanërisht për brezat e artit pamor.
Ekspozita e artistes së madhe të artit figurativ, Lumturi Blloshmi, me një vepër kafkiane e nisur jo thjesht nga performanca e cila është unike, por nga përmbajtja e saj universale është një vepër ekzistencialiste. Ashtu si vetë jeta e saj. Pavarësisht titullit që ajo i vendos veprës “Homazh për Damien Hirst”, i cili gëzon shëndet të plotë në jetën e tij luksoze e familjare. Artistja jonë ishte në dilemë: çdo të bëhej me “Kafkën” e saj mbuluar me boce cigaresh, për të cilën ka shpenzuar jo pak, dhe është munduar shumë. Ajo u flak prej Galerisë Kombetare. Megjithëse, kjo performancë kish’ zënë vendin e dytë në botë, në Konkursin Ndërkombëtar të organizuar nga Gazeta e njohur Britanike, “The Independent.”
Blloshmi ka fatin kafkian. Fama që ka sot si artiste e madhe, do të lartësohet pafundësisht nesër. E ndodhur tashmë në botën e shpirtrave, vepra e saj u beftë dritë në lartësintë e Panteonit Shqiptar!
Komentet