“Varfëria është forma më e keqe e dhunës.” Mahatma Gandhi
Diktatura staliniste shqiptare, krahas superstrukturës dhe hallkave të tjera të saj kishte edhe një kontigjent besnikësh që i paguante me 1000 lekë të vjetra e në atë kohë ishin një “pasuri e madhe”, të cilët në zhargonin popullor njiheshin si “një mijë lekëshat”.
Partia i paguante si shpërblim të vigjilencës së tyre, ndërsa përdorej si dogmë thënia e Julius Fuçik, gazetarit komunist çek të varur nga nazistët: “Njerëz ju kam dashur të gjithëve, jini vigjilentë!”.
1000 lekëshat përgjonin nëpër rradhat e gjata të dyqaneve të qumështit, djathit e kosit, kur gjithçka jepej me tollon; në rradhët e dyqaneve të frutave dhe zarzavateve, kur mollët shiteshin vetëm për familjet e dëshmorëve; 1000 lekëshat gjuanin nëpër pallatet e banimit kur ndokujt i shkiste goja për ndonjë pakënaqësi;
kur diktatura e dënonte armikun e partise e mallkonte “të zëntë sytë buka e partisë”, “të zëntë grykën djersa e klasës punëtore”.
Nuk dihen statistikat sa e sa shqiptarë janë futur nëpër biruca sepse u ka shpëtuar goja dhe nuk kanë mundur ta kontrollojnë veten, vetëm se kanë mbledhur buzët për mishin që shitej në Shqipëri i mbyllur 30 vjet nëpër frigoriferët e Argjentinës apo se kanë thënë “ëndërr të pimë një kafe të vërtetë” apo “plasëm duke pirë kafe elbi”!
Mileti jetonin në ankth se mos kushedi në bisedat e përditshme, pa dashur, u kishte fluturuar apo shkarë nga goja ndonjë fjali nga ato që i kishin për zemër 1000 lekëshat, ndihmësit e armës së policisë sekrete të regjimit stalinist që njihej me emrin famëkeq të Sigurimit të Shtetit.
Jetohej me ankthin e varfërisë dhe terrorit psikologjik edhe në sajë të 1000 lekëshave, që ishin arma në krah të regjimit.
***
Retrospektiva e mëposhtëme i dedikohet kohës së Sigurimit dhe të 1000 lekëshave të cilën e ka rikthyer Edi Rama, por në një mënyrë moderne, novatore.
Aq më tepër, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.
Janë dy kryetarë shtetesh që duan të mbajnë me çdo kusht pushtetin: Vuçiq, aleat i Putinit, që posa ka vjedhur zgjedhjet, dhe Edi Rama, aleat i Vuçiqit me aksiomën e njohur se pas dy barazimeve kur A=B dhe B=C atëherë B=C. Edi Rama pasi i ka manipuluar zgjedhjet e mëparëshme, përgatitet të manipulojë ato të 2025. Të dy përbëjnë rrezik për paqen afatgjatë të Europës Juglindore njohur me emrin arkaik Ballkan.
Dhe këtu qendron ngërçi këlthitës, kur një vend anëtar i NATO-s si Shqipëria nuk përmbush asnjë tipar për të qenë shtet demokratik i së drejtës.
Edi Rama ushtron një regjimi absolut, ku çdo gjë kontrollohet prej tij, duke ngritur një sistem perfekt të korruptuar shterrshëm, përmes klientelizmit, nepotizimit, favoritizmit, rekrutizmit, komprometimit, rrjetit familjar, me ish gra, ish bashkëshortë, dashnore, konkubina, stil tipik mafioz, me zyrtarë të lartë të shtetit të lidhur me mafien, si dhe një administratë gjigande e cila identifikohet edhe me superstrukturën. Kjo administratë prej 200 mijë shqiptarësh, është një kontigjent i sigurt votuesish, të cilëve Edi Rama ua ka blerë votën në shkëmbim të vendeve të punës, pra në mënyrë antiligjore, duke eleminuar konkurencën e lirë dhe meritokracinë duke mbivlerësuar militantizmin, e nënvleftësuar aftëstë individuale, profesionalizmin, integritetin.
Të punësuarit në administratë e shohin Edi Ramën si Mesiun dhe i betohen natë e ditë se do t’i japin votën, trupin e shpirtin pasi ata e shohin kontrastin e thellë që ekziston mes administratës dhe njerëzve normalë, të cilët përballen me papunësinë, varfërinë, pensionet minimale as për të mbajtur frymën gjallë dhe shpopullimin.
Nuk ka thënë kot Mahatma Gandhi se varfëria është forma më e keqe e dhunës. Fukarallëk maskarallëk thonë shqiptarët.
Këtë situatë thellësisht të degraduar do të duhej ta denonconte së pari elita shqiptare e cila, nga ana e saj provoi trauma të rënda. Një pjesë e mirë u largua nga vendi, një pjesë mbeti aty pa pranuar të përdoret nga politika, por e nëpërkëmbur dhe pjesa e politizuar, artistët, shkrimtarët dhe poetët e partisë, pra shtresa e privilegjuar për arsye politike.
Pra, elita në Shqipëri ose u kthye në skllave partiake, sidomos ajo me background nga superstruktura e diktaturës, ose u zvetënua, u poshtrua, u injorua, u dëbua nga Atdheu me qëllimin ogurzi për ta lënë Shqipërinë pa shtet të së drejtës.
Të njëjtën metodologji ogurzezë Edi Rama e ka shtrirë edhe në diasporë, ku privilegjet dhe paraja ndahet tek rrjetet e tij. Nuk ka asnjë kontroll, sepse Edi Rama vetëm emëron, pra është armiku numër një i legjitimitetit, i “checks and balances”, ndarjes së pushteteve, paraja shpërndahet në mënyrë klandestine por me dokumenta shtetërorë. Askund nuk ka transparencë, asnjë nuk tregon se si e qysh u financuan aktivitete nga shteti pronar i të cilit është Edi Rama.
Ndërkohë që Edi Rama po përdor të gjitha mjetet për të zhdukur nga faqja e dheut fjalën e lirë dhe përçuesit e saj dhe kjo e bën të jetë armiku për jetë i shtetit të së drejtës, armik i shqiptarëve, armik i Shqipërisë dhe armik i Euro-Atlantizmit.
***
Tani të kthehem tek titulli dhe tek elita shqiptare e poshtruar nga i gjithë tranzicioni dhe veçanërisht nga Edi Rama. Tranzicioni mikloi superstrukturën komuniste me skeletë në sirtarë, ndërsa Edi Rama përdori komprometimin e individit përmes favoritivizmit duke krijuar rrjetin e rekrutëve.
Edhe lista e orëve të fundit ku 15 personalitete shqiptare do te përfitojnë një pension të dinjitetshëm prej një milionë lekësh të vjetra është një lloj rekrutimi favoritist, një lloj poshtrimi që i bën elitës shqiptare për t’ia mbyllur gojën.
Janë emra të nderuar të gjithë që më në fund nga një pension prej 150-150$, sikur të gjithë shqiptarët me 45 vite punë, tash e mbas do të paguhen me 1 milion lekë.
Nuk them kurrsesi se këta emra nuk e meritojnë një pension 1 milionësh, e theksoj, megjithëse pjesa tjetër e popullsisë, me mbi katër dekada vite pune, merr një pension që të vrasë veten, porse ky pension që iu jepet këtyre personaliteteve, ngjan pjesë e fushatës së 2025, fushatës së blerjeve duke dënuar publikisht për mosbindje Artistin e shquar Osman Mula, të cilin Edi Rama e përdor si shembull ndëshkimi për ata që nuk i binden.
Me 1 milon lekë për secilin Edi Rama paguan heshtjen e elitës.
Ndryshe nga 1000 lekëshat e Enverit që vigjëlonin se mos dilte ndonjë metaforë antiparti nëpër pallatet e banimit apo rradhët e qendrat e punës, elita e Edi Ramës duhet të mbylli sytë dhe ta bëjë gjumin rehat, pa marrë parasysh se Shqipëria dhe kultura shqiptare po zhbëhen.
I thashë një mikes time, artiste e mirënjohur, shumë e respektuar me një kontribut të shquar, e cila para disa kohe mori pensionin e veçantë: Përse e falenderon Edi Ramën, ti ke krijuar artin tënd dhe emrin tënd të nderuar.
Krejt ndryshe nga Edi Rama që do të mbahet mend vetëm si një nëntëdhjetë e nëntsh, një profiter prej anëtarit të byrosë politike Spiro Kolekës tek artisti dhe anëtari i kqppsh Kristaq Rama; nga Fatos Nano tek Ilir Meta e Gramoz Ruçi, për të rrënuar Shqipërinë dhe shqiptarët.
Unë do t’ju uroja këtyre personaliteteve ta gëzojnë pensionin e të mos e pranojnë si bamirësi të Edi Ramës 1 milionëshin e vlerës mujore që ka. Të mos futen në klishenën shpërblim për shërbimin ndaj zgjatjes së tatapjetës së Shqipërisë, të ndihen përgjegjës dhe të mos heshtin.
Le të kenë kurajo e të deklarojnë se si është fundosur kultura shqiptare.
Nuk kemi filma, nuk kemi drama, nuk kemi komedi, nuk kemi teatër, nuk kemi aktorë të rinj të shquar, nuk kemi basketboll dhe volejboll te formatit botëror sikur kemi patur, nuk kemi sportistë, djem e vajza që thyejnë rekorde.
Kemi vetëm shpopullim dhe show të kalbësirës së zhveshur vulgarisht lakuriq. Një elitë të vetëkënaqur memece në krah të liderit errësirë dhe një elitë me integritet që nuk pranon të konformohet dhe mbijeton e përndjekur nga metodat nga më të ultat të një kryeministri që kontrollon çdo shtyllë të shtetit nga kryeministria me wc-të deri tek podkastet.
Osman Mula një Artist i shquar dhe një Qytetar i përgjegjshëm
Lista e 15 emrave, duke përjashtuar Artistin e shquar Osman Mula, shpreh esencën e pushtetit të Edi Ramës dhe fushatës së 2025. Karrota si lëmoshë për të bindurit, memecët, të verbërit, shurdhanët dhe kamzhiku për të pabindurit.
I pabinduri është Artisti i shquar Osman Mula, që simbolizon gjithë elitën e pabindur. Osman Mula nuk e ka ndarë Artistin nga Qytetari i përgjegjshëm, nuk ka bërë kompromise, nuk është konformuar me politikën duke qenë demokrat me vepër dhe me ndërgjegje.
Emri i Osman Mulës identifikohet me kulturën elitare shqiptare dhe Artistin e paqetë ndaj asaj që sheh, ndërsa kryeministri Edi Rama hakmerret ndaj Artistit duke shfrytëzuar atë kolltuk që natyrisht e ka shumë më të përkohshëm se sa ia imagjinon fantazia.
Joshja dhe tundimi përmes favoritizmit një vit përpara zgjedhjeve të 2025 tregon se Edi Ramës po i lëkundet si tërmet kolltuku dhe pushteti.
Ndërsa Osman Mula është Artist i madh, me një kontribut të përhershëm në panteonin e kulturës shqiptare, por gjithmonë rebel, pa pranga partish dhe një njeri i lirë.
Kujtoj fjalën që mbajti Artisti Osman Mula në kryesinë e PD tash së fundi e cila u censurua plotësisht, vetëm se ai mbante qendrim kritik.
Pra demokracia, për Artistin Osman Mula, nuk e pranon verbërinë militantiste.
Sistemi demokratik është një sistem që garanton liritë dhe të drejtat për çdo shqiptar, jo vetëm për vathën e dhenve të Edi Ramës.
I gjithë tranzicioni ka dëshmuar se partitë nuk i duan Artistët e vërtetë, por regjimi absolutist i Edi Ramës e ka ngritur në institucion shit-blerjen dhe ndëshkimin ndaj atyre që nuk e pranojnë këtë damkë, kundër të cilëve Edi Rama përdor të gjitha mjetet antidemokratike përmes shpërdorimit të pushtetit.
Atdheu ynë i përbashkët Shqipëria ndodhet në këtë stad degradimi, me një shtet absolutist që drejtohet nga një njeri i çmendur për pushtet, që e ka zhdukur opozitën dhe përdor të gjitha mjetet për t’ia mbyllur gojën elitës, një pjesë e së cilës i është shitur dhe vënë në shërbimin e tij.
Kur vura në dukje në titull 1000 lekëshat e Enverit dhe 1 milion lekëshat e Edi Ramës, titullit i parapriva me emrin e Artistit rebel. Emri i Osman Mulës e bën të dali nga shinat e logjikës e ta rrëzojë vetë trenin që e drejton një kryeministër që shpërdor pushtetin për të ndëshkuar një Artist të formatit i cili vetëm me një mbrëmje saksofoni i nxjerr shqiptarët nga letargjia ku kanë rënë si pasojë e varfërisë, vuajtjeve të përditëshme kur mungon puna dhe hallet s’të lënë të ngresh kokën lart.
Me vigjilentët e 1 mijë lekëshit gjahtarë të popullit dhe me heshtanë e heshtakë të superstrukturës komuniste Shqipëria do të vazhdojë të zhbëhet, por lavdi Zotit ka dhe do të ketë gjithmonë Osman Mula që me Artin dhe përkushtimin qytetar do të jetë gjithmonë në krye, edhe për të na mahnitur me magjinë e artistit dhe për t’i marrë si shembull qytetarie.
Listës më të fundit të emrave të 15 personaliteteve që Edi Rama u dha pensionin 1 milionsh u bëj thirrje që të solidarizohen me Artistin Osman Mula, jo duke hequr dorë nga 1 milionshi, atë ta gëzojnë se e meritojnë, por duke protestuar për padrejtësinë që i është bërë një Personaliteti që meritonte të ishte në krye të listës.
Ne do të jemi dëshmitarë dhe do të shohim drejtimin që do të marrin, nga fryn era e pushtetit absolutist të Edi Ramës apo duke marrë përgjegjshmërinë që iu takon, për të ndaluar tatëpjetën e vendit.
Sepse një personalitet që të jetë i tillë e ka ndaluar të heshtë, të ndaluar e ka edhe që të blegërijë në grigjën-shtet të Edi Ramës.