(Senad Guraziu – Ars Poetica, Mars 2024 – art klasik, dhe art digjital, koment)
Ngjitur: majtas, origjinali, pikturë e vjetër, disashekullore, pikturë e periudhës artistike të “Barokut”, vepër e artistit holandez të “Gouden Eeuw” (Epoka e Artë Holandeze), Johannes Vermeer (1632-1675) – “Vajzë me vathin prej perle”, ~1665 – dhe djathtas art digjital, me ndihmën e IA dhe të Photoshop, nga Julian van Dieken – “Vajzë me vathët ndriçues”, 2023.
***
Me aq sa kam vërejtur vetë (personalisht, s’është se jam patjetër ndonjë ekspert por si një “vëzhgues” neutral, arti për mua është dashuri, si një “outsider” i artistikave : ) bie fjala siç mund të vërehet në Art Station (ku kryesisht gravitojnë artistë të digjitalizmit), por dhe anembanë qarqeve artistike dhe platformave të ndryshme, jo vetëm artistët e tradicionalizmit por dhe vetë artistët digjitalë janë tepër të ndjeshëm ndaj ardhjes së Inteligjencës Artificiale (IA).
Ata e theksojnë se IA është duke i çoroditur proceset e “natyrshme” të tradizionalizmit artistik, se IA është duke e nxitur një ndryshim paradigmatik, duke shtruar “pikëpyetje” të vështira rreth veprimtarisë së artistëve tradicional, rreth të drejtës autoriale-artistike, rreth vlerave komerciale, rreth autenticitetit ideatik, rreth konditave të tregtisë me veprat e artit, dhe rreth shumçkaje tjetër.
Si shembull, punimi i artistit holandez Julian van Dieken (që jeton e punon në Berlin), “Vajzë me vathët ndriçues” do ishte “piktura” e parë si art digjital të ekspozohej në një muzeum, vepër e krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (IA) dhe me ndihmën e Photoshop (si vegël). Kjo pati ndodhur vitin e kaluar, në Mars 2023. Sipas artistit van Dieken ky ekspozim pati qenë madje diç si “veprim historik, në fushën e artit”… meqë dmth. për herë të parë një muzeum tradicional e njeh një imazh si punim artistik me ndihmën e IA.
Sidoqoftë, muzeu Mauritshuis (në Hagë të Holandës) qe përballur me kritika për ekspozimin apo për shfaqjen e imazhit të punuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (IA), e që ishte punim i frymëzuar nga “vajza e famshme me vathin-perlë” e Johannes Vermeer. Punimi i Julian van Dieken ishte njëri nga 5 imazhet e zgjedhur (nga gjithsej 3.480 punimeve të paraqitura për konkursin “My Girl with a Pearl”, ku adhuruesit e pikturës së famshme të Vermeer qenë ftuar t’i dërgonin versionet e tyre).
Thuhet se qenë nxitur polemika rreth veprimit të muzeumit Mauritshuis, dhe debati rreth “vlefshmërisë” së imazheve të krijuara me mjetet e Inteligjencës Artificiale do ishte i pashmangshëm.