Ideja për të shkruar një libër të tillë ka lindur vite më parë, gjatë takimeve me lexuesit e shkollave të mesme, të cilët kërkonin të dinin diçka më shumë nga ajo që u thuhej në orët ë letërsisë rreth artit të të shkruarit. Në ato takime të thjeshta dhe të përzemërta, shpesh na bëhej e njëjta pyetje: “Si lind ideja për të shkruar?”
* Tek secili prej nesh, ideja për të shkruar lidhet me një çast të veçantë , me një mbresë , një emocion… Në vitin e dytë të shkollës së mesme, për fatin tim të mirë, unë kam pasur mësues letërsie shkrimtarin e njohur Petro Marko. Më pëlqente letërsia dhe lexoja shumë, edhe pse gjer më atëherë s’ më kishte rastisur të njihja ndonjë shkrimtar. Petroja na erdhi në shkollë, si mësues letërsie, të cilit, pas daljes nga burgu, partia i jepte dorën…
Petroja nuk shquhej për ndonjë metodikë në dhënien e lëndës së letërsisë, por, kultura e gjerë jetësore dhe mënyra e veçantë e rrëfimit , zgjoi tek unë diçka që flinte brenda meje.
Në të vërtetë, kur më kanë pyetur si lind ideja për të shkruar, kam kujtuar atë çast…kur kam hedhur në letër vargjet e mia të para. Isha 12 vjeç. Im atë u kthye në shtëpi me një radio “ORION”. Të çuditur dhe të entuziazmuar e vumë në prizë, dhe ajo lëshoi tingujt e parë muzikorë. Kur të gjithë kishin rënë për të fjetur unë, tejet i ngazëllyer, mendoja: “Ja, u bëmë dhe ne me radio” Në atë çast më lindën vetvetiu disa vargje të cilat i hodha në një fletore.
Sot kujtdo mund t’i duket e çuditshme… Si mund të quhet shpikje e madhe një radio…? Mirëpo, ja që një radio u bë për mua shkak për të vargëzuar.
DËSHIRA PËR TË TREGUAR…
Dëshira për të treguar është e lashtë sa vetë njerëzimi.
Është në natyrën njerëzore që ndijimet dhe emocionet të shkarkohen në një formë të veçantë, duke ua treguar të tjerëve. Po t’i pyesësh shkrimtarët përse shkruajnë, nuk do të marrësh të njëjtën përgjigje, por, për sa i përket dëshirës për të treguar, të gjithë janë në një mendje se hedhja në letër e përshtypjeve dhe ndjesive është e vetmja mënyrë e çlirimit prej tyre.
Përse shkruajmë? “Secili për një arsye të tij.-thotë Sartri,- Për ndonjërin arti është një mënyrë ikjeje, për një tjetër një mënyrë përvetësimi.” “Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, thotë Borges, -unë shkruaj për të bërë të durueshëm kalimin e kohës”
Shkrimtari Vath Koreshi, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje u shpreh: ” E shkruara është si kolla.” Përgjigja më interesante që unë kam dëgjuar është “ Sepse…” Sipas arsyetimit tim, shkrimi është një mënyrë shkarkimi i mbresave dhe emocioneve, i ngjarjeve dhe personazheve realë dhe imagjinarë. Ashtu si reja e mbushu me shi që kërkon të shkarkohet diku, edhe shkrimtari që zotëron aftësinë e të treguarit, zbraz poshtë në tokë, here pas here, me vetëtima dhe bubullima , gjithë ngarkesat emocionale.
Dëshira për të shkruar lind si një hobi, më pas shndërrohet në ves, në një moshë më të pjekur, ajo i në nënshtrohet disa qëllimeve të tjera, më të larta. Të shprehurit ka lidhje me ndjenjën e qytetarisë së gjithsecilit. Të jesh qytetar i lirë dhe i pajisur nga natyra me një talent të veçantë, jo vetëm për sa i përket mënyrës së shprehjes, por edhe mesazheve që dëshiron t’u përcjellësh bashkëkohësve të tu.
Përpjekja për ta paraqitur mendimin grafikisht ka qenë nxitja e parë për zhvillimin e mendimit gjuhësor. Dokumentet më të vjetra gjenden në Mesopotami. Një nga popujt më të vjetër që lëvruan shkrimin, me anë të kunjave të vendosura në tokë, janë sumerët. Kjo mrekulli ka ndodhur shtatë mijë vjet me parë. Më vonë shkrimin e praktikuan asiro-babilonasit, një degëzim i gjuhës së tyre, sanskritishtja mbeti përmendore e gjuhëve të vdekura.
Babilonia , një qytet me një sipërfaqe 66 km katrorë, rrethuar me 250 kështjella, qytet me 100 porta të hekurta dhe me ura të ngritura sipër harqeve me pemë dhe lule , për rreth tetëqind vjet (2000-1250) arriti një lulëzim të mahnitshëm.
Ja një nga krijimet më të lashta lirike të kohës së sumerëve… Një adhurues i perëndeshës Ishtar krijon vargje të tilla, të cilat edhe sot të duken sikur janë shkruar nga një autor bashkëkohor.
Kur ajo dëgjon britma
dridhet si pema nga goditjet,
lëkundet siç lëkunden drurët nga goditjet
Çfarë është ajo që e drithëron zemrën tonë?
Ajo që do të dojë të banojë me mua,
do ta ushqej më etjen për të pirë dhe për të thithur pluhurin?
Unë qaj mbi burrat e bashkuar me gratë e tyre,
Unë qaj mbi gratë e bashkuara me burrat e tyre,
e mbi të vdekurit e vegjël para kohe.
Ti rojë e portës, hape atë,
dhe trajtoje mikun sipas ligjit të lashtë.
Dokumentet e tjera më të vjetra letrare i gjejmë në Kinën e lashtë, 2850 vjet para Krishtit. Në hieroglifet e tyre gjenden 9000 shenja dhe 60 çelësa. India e lashtë është vatra tjetër e poezisë së vedave.
Më vonë dolën në dritë dy kryeveprat botërore ILIADA dhe ODISEA, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të mahnitin lexuesin botërorë më forcën e përshkrimeve të personazheve, peizazheve, dialogëve dhe situatave. Në këto dy vepra gjenden embrionet e para të të gjitha gjinive të artit të të shkruarit, të poezisë, prozës, dramës , tragjedisë, romanit etj….
Gjurmë të prozës, të poezisë dhe të mendimit filozofik gjen edhe te Libri i Shenjtë.
Në Bibël thuhet :”Në fillim ishte fjala”. Ishte fjala ajo që solli zhvillimin. Ishte ai kombinim gjuhësor fjalësh, ato mijëra e mijëra figura poetike të fjalëve të përdorura prej njeriut në kohë të ndryshme që përsosën botën, që nga antikiteti i largët e gjer më sot.
Metrika ka qenë një teknikë e lashtë e cila shënon zanafillën e çdo kulture, kur nuk kishte farë dallim midis poezisë,fesë, historisë, muzikës dhe magjisë. Edhe përdorimi i vargut të lirë në këtë kohë e ka zanafillën.
Vargjet e lira njihen qysh me psalmet hebraike.
Vetëm Zoti e ndërton shtëpinë,
ata lodhen më kot për të ndërtuar:
Vetëm Zoti e mban qytetin, roja kot së koti rri zgjuar.
(Psalmë.127)
Tregimi në rima dhe ritme bëhet për t’u mbajtur mend mirë ajo çka thuhet, pasi, sapo të largohesh nga simetria e vargjeve nuk mbetet asnjë mundësi për veshin që të gjykojë për strukturën metrike…
Në kohën e grekëve të vjetër shkruhej në papiruse të cilat lexoheshin duke i mbështjellë mbi dy shkopinj anësorë.
Në Hadithet e tija, Muhameti inkurajonte dhe nxiste që njerëzimi të ndiqte rrugën e kulturës, të diturisë dhe të artit. “Sa më i dijshëm të jesh, aq më afër Perëndisë je”. “Dëshmor i vërtetë është ai që vdes në rrugën e diturisë”. Arabishtja e asaj kohe ishte një gjuhë shumë e pasur me sinonime. Kështu, vetëm për fjalën “shpatë” do të gjeje rreth 500 sinonime, për fjalën “deve” do të gjeje rreth 1000 sinonime, ndërsa për emërtimin “Zot” kishte 99 sinonime.
Qysh në lashtësi, krahas talenteve të mëdha, lindën edhe mësuesit e letërsisë që kërkonin shprehjet e bukura. Aristoteli kritikonte stilin e keq letrar, dhe këshillonte mos përdorimin e fjalëve të përgjithshme dhe përdorimin e figurave letrare.
“Nuk duhen përdorur fjalët pa vend”, për shembull, përdorimi i epitetit qumësht “i bardhë” është i pavend,-thoshte Aristoteli,- pasi qumështi kuptohet që është i bardhë. Zgjedhjes me kujdes të metaforave Aristoteli u jepte rëndësi të veçantë, ndërsa Anaksimeni thoshte: “Duhet të flasim bukur!” Për t’u arritur kjo gjë, krijuesi duhet t’i përshtatej një stili të veçantë. Së pari, sendet duhet të përshkruheshin në mënyrë të përpiktë.
Sipas Aristotelit, jo vetëm gjuha duhet përdorur me vend, por edhe lakonizmi i saj. Në fëmijërinë e letërsisë botërore estetët kujdeseshin për stilin, gjuhën, formën, lakonizmin, shprehjen e qartë si dhe përdorimin e një gjuhe letrare, te kuptueshme për të gjithë.
Lidhur më këtë, dua t’ju kujtoj se jo larg, por disa vite më parë, pas ndryshimeve demokratike, pati shqetësime se po dhunohej shqipja letrare e krijuar me aq mundime, madje shkrimi po kthehej në dialektin verior.
Gjuha, si mjet komunikimi, përfshin një masë të madhe lexuesish, kështu që, edhe ideja e lirisë së shkrimit, dialektor ose letrar, lidhet me masën e lexuesit të cilit i drejtohemi, probleme të cilat në vende të tjera janë mbyllur qysh në shek. e pestë para erës së re, në nismat e para të letërsisë antike greke.
Në vitin 1448 u shpik shtypshkronja e parë “Gutenberg”. Edhe para shpikjes së saj njerëzimi ka pasur mënyrat veta të shkrimeve, fillimisht me kunja në tokë e më vonë, në pergamenë (lëkurë delesh). Më djegien e bibliotekës së Aleksandrisë, shumë nga këto libra u dogjën. Ky ka qenë dëmi më i madh që i është shkaktuar kulturës botërore.
Në fillim ishte fjala. Bota hapej para saj…
Njeriu nisi të nxjerrë tinguj pa kuptim
Duheshin emëruar të gjitha,një nga një, pa ngurrim,
brigjet,lumenjtë ,detet, retë, ajri…burimet, zjarret, stanet, malet,rrufetë, oqeanet .Sa punë e vështirë qenkej ajo…
Në fillim ishte fjala. Tingull i pakuptimtë.
Si më radio jepnim dhe merrnim mesazhe me kozmosin.
Askush nuk përgjigjej. Në fillim ishte fjala, fjala që përsosi botën.
Fjala që përsosi zhvillimin dhe qytetërimin botëror. Fjala e materializuar në libra, në miliona libra që përsosin dijet, teknikën dhe artin. f
Shpikjet më të reja, si televizori apo edhe interneti, duket sikur ia kanë zbehur rëndësinë librit, por ky është vetëm një iluzion. Borges, duke kujtuar shprehjen e Bernard Shout, thotë: “Libri është kujtesa e njerëzimit”. Një libër është “diçka më shumë së imagjinata.”
“Çfarë është e shkuara jonë, në mos një sërë ëndrrash?” , -pyet Borges.- “Ç’ndryshim ka në mes të kujtuarit të ëndrrave dhe të kujtuarit të së shkuarës?” dhe vet përgjigjet: “Ky është funksioni që kryen libri.”
Shqisa e shkrimtarit është ndryshe. Ajo kap më shpejt murmurimën e pikave të shiut mbi llamarinën e çatisë. Shkrimtari është zbulues. Ai ngjan më fisin e profetëve.
Dramturgu grek, Sofokliu, syrin e imagjinatës e quante “Syri i zogut”.
Jan Pier Richard do të thoshte: “Arti është rikujtim i fëmijërisë”. Në veprën e vet ai sqaron se dëshira për të shkruar ka lidhje më mallin apo nostalgjinë, dhe se arti është një kundërvënie ose pakënaqësi ndaj botës që na rrethon, arti është një çlirim nga kujtimet.
Poeti spanjoll Lorka thoshte: “Poezia është atje ku ajri pothuaj kthehet ne mendim “. Poeti i njohur Andrea Voznjesenski, thoshte:” Çmimi kryesor jepet nga perëndia. Ai është talenti.”Filozofi Spenser thoshte : “Jeta pa art humbet gjysmën e hijeshisë së vet.”
—
*Po fillojmë kështu të ribotojmë pjesë-pjesë librin “Arti i të shkruarit” të poetit dhe shkrimtarit SULEJMAN MATO, i botuar më herët në Tiranë, një libër i domosdoshëm sidomos për krijuesit e rinj në fushën e letërsisë. Për vlerat dhe rëndësinë e librit shkrimtari Moikom Zeqo shkruan kështu në parathënien e tij:
Një Libër-guidë në shtegtimin mes sekreteve
të librave
Poeti dhe studiuesi i njohur Sulejman Mato, në librin e tij më të ri “Arti i të shkruarit” na hap një shteg meditimi. Ai kërkon të shpalosë disa horizonte të mbyllura të sekreteve të shumta dhe të pafundme të shkrimtarisë. Të shkruarit është një nga aktet më të mëdha dhe më të mrekullueshme të intelektit njerëzor; si një akt subjektiv, një veshje grafike dhe fonetike e mendimit.
Mendimi dhe shkrimi janë shprehje e njëri-tjetrit, por substanca e tyre është e ndryshme, padukshmëria e mendimit është dukshmëria e shkrimit.
Letërsia nuk është çfarëdo lloj shkrimi,ajo është një bashkësi e çuditshme me zhvillime të brendshme nga më të pabesueshmet dhe nga më subjektivet. Nëse pranojmë thënien që “stili është vet njeriu”, nuk duhet të harrojmë edhe thënien tjetër proverbiale: “sendet janë stili”.Kryeveprat e letërsisë botërore mbijetojnë edhe për shkak të interpretimeve të tyre.
Leximi në vetvete ngjall unitetin dhe të veçantat e librit dhe kështu përjetohet një realitet tjetër. Leximi është një proces jo vetëm mendor, jo vetëm racional, por edhe emocional, edhe psikologjik. Leximi i një libri është i ngjashëm me një vepër muzikore, një proces fizik i kufizuar që fillon dhe mbaron, por ekzistojnë dhe gjurmët e pakufizuara të këtij leximi të parë në kujtesë dhe në ndërgjegje. Detyra e një kritiku apo esteti është të bëjë disa shpjegime jo vetëm të të shkruarit, por sidomos të të kuptuarit. Nuk ka dhe nuk mund te këtë përputhje absolute midis këtyre poleve.
Ky libër është i domosdoshëm për studentët dhe përgjithësisht për njerëzit qe kanë interesa kulturore, ai mund të jepet dhe si një lëndë guidë në rrugëtimin mes sekreteve të dyfishta të librave. Shpesh janë shkrimtarët ata që kanë dhënë shpjegime dhe udhë rrëfime për librat e tyre, pasi, përgjithësisht, kritikët e letërsisë japin shpjegime që jo gjithmonë përputhen me ato të shkrimtarëve. E gjithë kjo që thashë më sipër lidhet me librin e mikut tim, Sulejman Mato, “Arti i të shkruarit”. Ky libër është shkruar në mënyrë të lirë , kjo e bën atë të këndshëm dhe interesant. Libri ka vështrime të shumëfishta, që alternohen me njëra-tjetrën dhe në substancën e tij nga shembuj tipologjikë të rëndësishëm, për argumentimin e ideve të shpjegimeve.
Tiranë,më 23 korrik 2002
Dr Moikom Zeqo Shkrimtar
Z Mato ke sqime finese e vlere faleminderit per punen jo te lehte te te shkruarit aq me teper atij filozofik.