Ç’ është poezia?
Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje.
Octavio Paz
Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poesis” që do të thotë “bëj”, “krijoj”, “thur”. Ajo ndryshon prej prozës prej organizimit ritmik të lëndës gjuhësorë. Gjuhëtari A. Xhuvani poezinë e krahason me muzikën:“Poezia,- thoshte ai,- është një harmoni poetike që tregon një ngritje, një naltësim të veçantë të shpirtit, sikurse muzika.” “Poezia është e dashuruar me çastin dhe kërkon ta rijetojë atë në vargjet e saja duke e ndarë kësisoj nga koha në vazhdim e duke e kthyer në një të tashme të fiksuar. Poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje”, -thotë O. Paz ,- por edhe për ta konsideruar atë moment, si “e tashme e fiksuar. Në kohën që shkruaja, – vijon ai, – nuk e vrisja mendjen se po bëj gjë.. Unë kërkoja hyrjen për në të tashmen: doja t’i përkisja kohës sime dhe shekullit tim. Pak më vonë, ky obsesion u bë një ide ngulmuese: Unë doja të isha poet modern, kërkimi im për modernen kishte filluar.”
Poeti grek, T. Patrikios thotë: “Poezia është një kombinim i zemrës me mendjen.” Shekspiri ka një thënie tjetër, për të gjithë ne që shkruajmë: “Ne jemi materiale me të cilat ndërtohen ëndrrat.”
Poezia krijon tempo-ritme të veçanta si dhe intonacione të caktuara. Në dallim me prozën, ku ligjërimi është i lirë për të shpjeguar gjithçka, gjer në imtësitë më të thella, intonacioni i një poezie ndjek rregulla të caktuara, duke e periodizuar sintaksën poetike.
Në një studim shkencor në fushën e mjekësisë ku trajtohet ndarja e proceseve të punës në koren e trurit, autori i këtij studimi e konsideron poezinë si një instinkt dhe e vendos atë krahas instinkteve të tjera, në një kënd të kores së trurit.
Ja çfarë quan ai instinkte dhe çfarë vendi zënë ato në koren e trurit:
-Instinkti gjenetik,-Filogjenitura,
-Nostalgjia -Instinkti i vetëmbrojtjes
-I violencës, barbarisë dhe shkatërrimit
-Instinkti i pronës -Instinkti i kohës
-Instinkti i ambicies, i boshllëkut dhe xhelozisë
-Instinkti i reflektimit dhe i dyshimit
-Instinkti i kujtesës, i fakteve, i kureshtjes dhe afeksionit
-Instinkti i dashurisë për të largëtën (kozmopoliten)
-Instinkti i kujtesës dhe i fjalëve
-Sensi i gjuhës-Talenti në pikturë dhe në muzikë
-Talenti në matematikë dhe talenti i gjithanshëm
-Alegoria-Ideologjia-Keqdashja-Vëzhgimi.
-Organi i poezisë -Sensi i moralit
-Organi i imitimit -Organi i imagjinatës
-Ndjenja fetare-Karakteri,
-Perversitetet, -Indipendenca.
Në këtë ndarje, poezia konsiderohet “organ” ndërsa, talenteve e tjera, i muzikës dhe i pikturës, quhen “talente”.
Më këtë duam të themi se poezia është diçka më e qenësishme dhe instiktive. Ajo ekziston te çdo njeri, si minerali në brendësi të tokës. Mjafton një emocion, një mbresë, një gëzim ose hidhërim i veçantë për të lindur dëshira të shprehemi me një koncentrat fjalësh të zgjedhura.
Shpesh është reklamuar me të madhe, se: “poezisë i ka ardhur fundi”, se poezia është diçka anakronike, se të rinjtë që shkruajnë poezi janë de mode, sentimentalë dhe romantikë, jashtëkohorë…Madje ka rrethe shoqërore të cilët i qesëndisin poetët. Kjo ndodh pasi shumica syresh nuk kanë idenë çdo të thotë poezi. Ata poezinë e barazojnë me bejtet e rëndomta popullore apo me shkarravina sentimentaliste të disa individëve të patalentuar. Kjo ka bërë që ata të mos dinë të vërtetën rreth thelbit të asaj që quhet “poezi”. Poezia, siç thamë më lart, është organ i ndijimit. Ajo ka lindur së bashku më njeriun dhe do të vdesë së bashku me njeriun. Borges, thoshte: “Një revistë lexohet për t’u harruar, gjithashtu edhe një disk dëgjohet për t’u harruar, është diçka mekanike, jetëshkurtër. Ndërsa një libër lexohet për t’u kujtuar” (kupto këtu edhe një libër me poezi S.M.)
Koncepti “poezi” është shumë i gjerë. Poezia, me një* vështrim, rrok pafundësinë e oqeaneve, kozmosin, ndjesitë e panjohura që ndodhin në thellësitë e shpirtit njerëzor.
Në ndryshim nga proza, poezia është një ligjërim emocional. Ajo bazohet mbi disa rregulla fikse, të cilat modifikohen dhe përshtaten kohë pas kohe. Poezia tradicionale u përshtatet rimave dhe ritmeve të brendshme rreth një linje. Ndërsa poezia e lirë është një meditim i lirë, që i përshtatet vetëm ritmit të saj të brendshëm. Poezia klasike i jepte një rëndësi të veçantë, ritmit, rimës, aksentit, pauzës… Kjo lloj poezie ka për bazë melodikën e veçantë, një melodi me metër të caktuar, masa e së cilës jepet qysh në vargun e parë. Në fund të këtyre vjershave tradicionale ka asonanca ose rima, të cilat ngjajnë me një jehonë ritmike.
Ritmi kthehet në kohë në intervale të rregullta dhe me akcente të rregullta. Në poezi ka dy akcente, tonike dhe ritmike.
Poezia klasike ka forma të caktuara vargjesh. Poezia me dy vargje quhet “distik”, trevargshi është quajtur “tercinë”. Edhe trevargshi është përdorur në poezi, qoftë në formën e marrë nga populli, qoftë në formën e tercinës danteske, qoftë në formën e “hajkut “tradicional japonez.
Në formën popullore e gjejmë tek L.Poradeci e ndonjë tjetër.
Ja një shembull nga Poradeci:
£ mora shoqezën përkrah ,
e matmë rrugën ca nga ca,
sikur na ndillte larg diçka.
Ky lloj vargu kohët e fundit ka mundur të gjejë përdorim te disa poetë, si influencë e hajkut tradicional japonez. Më i apasionuari në lëvrimin e këtij vargu është poeti Milanov Kallupi.
Përdorim të gjerë në poezi ka pasur dhe ka poezia strofike (me katër, pesë, shtatë dhe tetë vargje) me rimë të alternuar (të kryqëzuar) apo të puthur, pranë e pranë.
Strofa është një bashkim vargjesh me rima të alternuara (ABBA, ABAB), dhe shumë rrallë sipas rimës së puthur (AA BB).Në këto poezi gjatësia e vargut nis nga katër rrokje gjer në gjashtëmbëdhjetë, por vargjet më të përdorshme janë pesërrokëshi, tetërrokëshi dhe dhjetërrokëshi.
Ritmi në poezi
Se nga vjen ky ritëm-gjëmim bazë, nuk dihet.
Për mua kjo është një përsëritje që ndodh tek unë,
i një tingulli, i një zhurme ,i një lëkundjeje ose,
përgjithësisht, përsëritjes së çdo dukurie që unë
hetoj prej tingullit.
V.Majakovski
Fjala ritëm rrjedh nga “rithmos” që, në greqisht, do të thotë “lëvizje e njëtrajtshme”. Me emrin “Re-reja” pellazgët emërtuan perëndinë ë shirave.(Rein-rin—rrjedh) Është një fjalë që të sjell përfytyrimin e rrjedhjes së shirave ose rrjedhjen e lumenjve, valëzimin e njëtrajtshëm të valëve. Ritmi tregon një lëvizje të organizuar dhe të përsëri tashme. Aristoteli, në shkrimin “Probleme muzikore”, ritmin e lidh me natyrën. Ritmin ai e quan “lëvizje e rregulluar”, e cila ka masat e veta të caktuara.
Studiuesi Gjergj Zhej, te libri “Hyrje në shkencën e letërsisë”, për ritmikën shprehet: “Ritmi është diçka e lidhur me vetë natyrën”.Çdo gjë rreth nesh ka një ritëm të dhënë që shpreh lëvizje, ku pjesët e saj kanë-lidhje të caktuar midis tyre. Ndjenjën e ritmit njeriu e ka hetuar së pari në vetë trupin e tij: zemra e njeriut rreh me një ritëm të caktuar, që mund të shprehet muzikalisht me kohën muzikore tre të katërtat. Nga natyra, ritmi kaloi në art, si një pasqyrim i veçantë dhe i figurshëm i natyrës.”
Modeli i një poezie lind së bashku më ritmin e vet. Kjo do të thotë që ritmi buron prej brendisë së vet tekstit. Poetët e sotëm kryesisht kanë mbajtur ritmin si bazë, duke braktisur vargëzimin klasik. Qysh në kohën e vet, Asdreni thoshte se poezia ka marrë tjetër udhë, se poezia e kohës i këputi vargonjtë që e mbanin të shtrënguar në një formë , por, përsëri rregulli i poetikës lypset t’i përshtatet sa më mirë traditës së saj. Poeti sovjetik Vladimir Majakovski, i cili ka përdorur me sukses ritmin, qysh në fillimet e shekullit të kaluar, këtë dukuri e shpjegon në këtë mënyrë: “Se nga vjen ky ritëm -gjëmim bazë-, nuk dihet. Për mua kjo është një përsëritje që ndodh tek unë i një tingulli, i një zhurme, i një lëkundjeje ose, përgjithësisht, përsëritjes së çdo dukurie që unë hetoj prej tingullit. Ritëm poetik quhet muzikaliteti i brendshëm i vargjeve të një poezie, që është një lëvizje e organizuar e elementëve të saja përbërëse. Shembulli më klasik i përdorimit të ritmit në letërsinë shqipe është Fan Noli, i cili i edukuar me sensin muzikal ka përdorur në poezi disa lloje ritmesh:
Fryn e shfryn veriu,
ngrin, mërdhin i ziu
dhe mangallit i afrohet
që të ngrohet.
Krishtin brenda e gjykojnë
dhe pas ligjës e dënojnë,
e goditin dhe e shtyjnë,
e pështyjnë.
S’del askush që ta shpëtojë,
Roma do ta kryqëzonjë,
triumfon legalitëti dhe laneti.
“Shën Pjetri mbi mangall” Noli
Shembull tjetër nga letërsia botërore sjellim poetin francez Zhak Prevert:
Kjo dashuri
Kaq e rrëmbyer
kaq e brishtë,
kaq e butë,
kaq e pashpresë.
Kjo dashuri,
e mire si koha
kur koha është e mirë,
e keqe si koha,
kur koha është e keqe.
Kjo dashuri kaq e vërtetë.
kjo dashuri kaq e bukur,
kaq e sinqertë, kaq e lumtur,
kaq e lehtë, që dridhet nga frika,
si një fëmijë natën .
Dhe kaq e sigurt ne vetvete
Kjo dashuri e përgjuar,
se e përgjonin
e plagosur,e varrosur
e mohuar, e harruar,
se e plagosnim, e varrosnim,
e mohonim, e harronim
e gjallë si dëshira
mizore si kujtesa
marroqe si pendimet,
e ëmbël si kujtimi,
e ftohtë si mermeri (Kjo dashuri)
Vargu i lirë
Thyerjet e vargut u shtojnë poezive shumë pak forcë
Vargu i lirë nuk duhet konsideruar si një shkëputje nga tradita e poezisë, përkundrazi, ai është një “interpretim i shpenguar i vlerave ritmike dhe instrumentuese të vargut” (Gj.Zhej) Vargu i lirë është një përdorim i ri i metrikës dhe ritmikës tradicionale, pasi ai nuk nënkupton braktisje të ritmeve dhe rimave, por një përdorim të ri, të çliruar brenda sistemeve të metrikës tradicionale.
Pavarësisht nga ndonjë krijim i mëparshëm, krijimtaria e mirëfilltë e vargjeve të lira nis me Migjenin e madh, i cili hyri dhe mbeti në letërsinë shqipe si një “uragan i ndërprerë”. Migjeni mishëron thënien e njohur romake “Ars lunga vita brevis”.
Vitet gjashtëdhjetë e pasuruan këtë poezi me një figuracion të pasur artistik. Ndër poetët më të spikatur ishin, Kadare, Agolli dhe Arapi, pa harruar, Siliqin, Vyshkën, Petritin, Reshpen, Zeqon, Spahiun, Meçen, Halitin, Gjakovën, Istrefin, etj.
Në Kosovë, në anën tjetër të Shqipërisë, kjo poezi kishte një traditë më të pasur dhe më të tejkaluar si formë, e cila u kultivua dhe pasurua me poetë të tillë, si : Esat Mekuli ,Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rahman Dedaj, Beqir Mysliu, Eqerem Basha, Sabri, Hamiti, Agim Vinca etj. pa harruar edhe poetin tonë mërgimtar, Martin Camaj.
Për ilustrim të vargjeve të lira sjellim një poezi të Ali Podrimjes, “Parisi,Vendlindja”, kushtuar djalit të tij, Lumit, i cili i iku herët nga kjo botë, nga një sëmundje e pashërueshme:
Do të hyjmë në Paris.
Gurin tonë atje do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta,Genti.
Nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.
Në Paris do të hyjmë,
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve,
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine,
vallet këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do të marrim,
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur të humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit, në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë.
Ma jep besën lum Lumi
se nuk do të harrojmë vendlindjen.
Siç vihet re, nuk mund të konceptohet një poezi me vargje të lira, por pa ritëm. Mund të ketë variacione ritmike, por, sidoqoftë, vargjet rrjedhin përmes një ritmi të dhenë, si në rastet muzikore kur akordi jepet në fillim. Poezia me varg të lirë ka në bazë ritmin e brendshëm me theksa dhe rima të organizuara. Quhet ritëm i brendshëm, pasi është i padukshëm, është një organizim i brendshëm, i cili rrjedh përmes një figuracioni të pasur artistik.
Organizimin e veçantë ritmik te poezitë me varg të lirë, kritiku Gjergj Zhej e quan “konstante metrike”. “Kjo ,-thotë ai,- krijon një atmosferë të veçantë ritmike, si në poezinë e Migjenit “Vuejtja”
Ka do ditë
që po shoh fare mirë
se si nga vuajtja sytë po më madhohen.
Nëpër ballë dhe fytyrë rrudhat po më shtohen
e si buzëqeshja më asht e hidhur…
…dhe po ndiej
se si mëngjeset e mia
nuk janë më mëngjeset e një pune të hovshme.
Shpesh herë poetët tanë kanë përdorur vargun e lirë të alternuar, me strofa të lira. Poezia nis me varg të rimuar, por kemi strofa të lira.. .si në rastin e poezisë:
“Një grusht dhe mbi varr”( F.Arapi ) apo “Peizazh nga ballkoni”( D.Agolli ).Vargjet e lira përditë e më tepër po zënë vend qendror në poezinë e të rinjve letrarë. Ka raste kur vargjet e tyre tingëllojnë si prozë, pikërisht për shkak të mungesës së ritmeve të brendshme dhe mosnjohjes ose neglizhencës që i bëhet këtij elementi kaq të nevojshëm. Të rinjtë letrarë duhet të kenë parasysh se, një poezi dallohet nga një ese prozaike nga ligjërimi emocional ritmik. Shprehja poetike është një shfaqje tjetër e poezisë. Këto poezi dallohen për variacionet e shumta ritmike dhe imazheve origjinale. Poetët që kanë përdorur më sukses shprehjen poetike imazhiniste janë: I. Kadare, F.Reshpja, S.Bejko. e ndonjë tjetër
Prelud
O ajër i ftohtë i mbrëmjes, mbështillmë,
erdhi ora të vdes përsëri
Kur të mbyllen sytë e mi nuk do të ketë më det
Varkat e lotëve.
Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.
Por unë do të kthehem përsëri,
Në çdo stinë që unë dua,
Se unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajër i mbrëmjes, mbështillmë,
Erdhi ora të vdes përsëri.
“Prelud”. F.Reshpja
Dreri
O drer i lartë me ata brirë gjer në yje,
ndjekur nga qentë ikën, ikën, ikën,
sa herë kokën shkund, rrëzon prej qiejsh
copëra dëbore e kristalesh pikë-pikë.
Porsi parmendë me brirët e tu lërojnë
Veç lartësitë e ngecin në to prore.
Fije viskoze yjsh e brymë kometash
Ethe agimesh borealë e horoskopë.
Por qentë s’duan t’ia dinë, ata veç lehin, rreken të të rrëzojnë
e ti prap ikën, nën yje mospërfillëse.
Më shumë se qentë kjo mospërfillje qiejsh ty të pik.
( I.Kadare)
Çdo mbrëmje
Unë dal çdo mbrëmje në bregun me ullinj
Të dëgjoj vajtimin e zi të mëllenjave.
Pas shirave të vetmuar, larg,shumë larg,
rri e mbështjellë me mjegull drite.
Isha mësuar me zërin tënd
Si zogjtë me erën dhe me qiellin.
Tani qielli im ka mbetur i shkretë
pa një re të përndritur kujtimi.
Lëviz një degë shiu të të shoh ku je.
Po ti më je larg dy galaktika.
S.M.
Në vitet ’60-’80-të në letërsinë tonë u kultivua një poezi retorikë e tipit “optimizëm me çdo kusht“, duke i mbushur mendjen vetes se ne jetonim në më të mirën botë të mundshme.
Poetët e brezit tim ranë në përkëdheljen e optimizmit të financuar nga shteti, një optimizëm i veshur me thjeshtësi , duke synuar të bëhet poezi e masës. Nga kjo frymë, le ta quajmë kështu, nuk shpëtuan dot as poetët më të mirë.
Pati poetë që e liruan vargun nga normat klasike, prekën tema të rëndësishme, i dhanë poezisë frymë patriotike, vazhdim i një tradite të pasur letrare, duke iu kundërvënë standarteve të vjetra përshkruese.
Poezinë e këtyre viteve do ta klasifikonim:
Poezi e patosit kolektiv,
Poezi -kronikë e kohës,
poezi-ditar lirik
Figurat letrare
Të shkruash për njeriun në përgjithësi do të
thotë të shkruash për njeriun që gjendet në
brendësi të secilit prej nesh.
Meqë ky libër nuk ka për qëllim të ketë një karakter shkencor të përdorimit të figurave letrare, trajtuar seriozisht dhe në mënyrë të lodhshme në librin: ” Hyrje ne shkencën e letërsisë”, do të përqendrohem vetëm mbi fuqinë e metaforës, si një pikë lidhëse mes figurave të tjera letrare, edhe pse metafora është bërë zotëruese në poezinë bashkëkohore. Figurat letrare janë të shumta dhe plot variacione, ato shpeshherë i kapërcejnë kufijtë e fqinjësisë midis tyre. Poetët asnjëherë nuk ua kanë vënë veshin figurave letrare , pasi ato lindin gjatë procesit të krijimit. Le t’ia lëmë lëndës së shkencës se letërsisë të zbulojë : krahasimet, metonimitë, epitetet, personifikimet, sinekdotat, paralelizmat dhe figura të tjera letrare, të cilave krijuesit nuk ua kanë dëgjuar as emrat, si: anakreza, asteizmi, lilota, oksimoroni etj .etj.
Përdorimi i figurave lidhet me stilin e vetë autorit. I. Kadareja në poezi, por edhe në prozë, përdor krahasimin dhe paralelizmin figurativ. D. Agolli ndriçon detaje të jetës, pa kaluar në vegime mistike, si në rastin e poezisë së F. Reshpes. M. Zeqo e ndërton poezinë tërësisht mbi metafora, duke krijuar mbresa të befasishme. Metafora është figurë mbizotëruese edhe në poezinë e M. Camajt, R. Dedës, A. Paplekës, V. Zhitit, M. Buçpapajt, G. Hajdarit, M. Ahmetit, etj.
Aristoteli metaforën e ka quajtur : “mbretëresha e tropeve” pasi ajo, duke u ndërtuar mbi bazën e asosacionit jep më tepër mundësi shprehjeje, të ngjashmërive të plazmuara në lloj- lloj formash.”Të flasësh me dialektin e metaforave që vetëm zogjtë e dinë”(M. Z.)
Në poezinë bashkëkohore gjithmonë e më pak përdoren metaforat foljore të tipit: “dielli lind”, “pylli këndon”, “era fishkëllen”…duke kaluar në abstraksione të tilla, si: “Jam flaka e flokut tënd të bukur” “Poeti amfib qiellor, hap derën e shtëpisë së shiut “
Një Homer i bardhë reje
rri mbi qytet,
me hark vetëtimash
këndon Iliadën e erës. (M.Zeqo)
Opusi poetik letrar i viteve të fundit, prej gjashtë vëllimesh voluminoze,
i poetit Moikom Zeqo, është një shëmbëlltyrë e pa përsëritshme
në letërsinë shqipe. Në poezitë e tij kemi një pafundësi metaforash ,
herë-herë tepër futuriste, si: … “gjaku i engjëjve të padukshëm ndez llambat befas” …
“shumëkëmbëshi i zodiakut” … “heraldika e instinkteve”, … “Princ i xixëllonjave… ..
. “pancir profecish”,… “parajsa është alibia e skllevërve… “.etj.
Poeti lushnjar Gëzim Hajdari tashmë që jeton prej shumë viteve në Itali, shkruan në këtë mënyrë:
* * *
£ humbshme je
si pluhuri i ditëve të shkuara
Në fund të kopshtit të vjetër
fshihet fëmijëria jote e trembur
dhe rrëkeza e zezë e flokëve të tu.
(“Ombra di kane”.)
E gjithë krijimtaria letrare e poetëve të rinj mbështetet mbi ngjashmërinë e fakteve, dukurive dhe figurave. Figurat letrare janë variacione metaforike për të shprehur marrëdhënie ngjasimi.
Loja e ngjashmërive është një nga lojërat më të këndshme të poetëve. Do t’i këshilloja letrarët e rinj që të zhyten më me guxim në këtë lojë…dhe do të vërejnë sesi sendet rreth tyre do të nisin të lëvizin, të marrin frymë, të murmurijnë, për t’u ngjitur gjer tek fjala poetike. Poeti i mirë është magjistar i fjalës. me anë të fjalëve ai krijon emocion, ngjyrë, muzikë, peizazh.
Shumë poetë, ndër të cilët më kryesori F.Arapi, e kanë përdorur me sukses metaforën duke përcaktuar marrëdhëniet e veta me botën natyrore.
Deti
Ashtu, darkë pas darke dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.
Unë prisja me orë të tëra
gjersa përnjëherësh,
tutje nëpër fushat e gjëra të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta
kuajsh të bardhë.
Nëpër hapësirat e pafundme suleshin
aradhë-aradhë. Turfullonin. Binin këmbët e thyera,
Rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera,
mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet dallgë-dallgë, fushën e diellit fshihnin…
Ja dhe metafora tjetër për detin, e poetit amerikan, R.Skuajers:
Nganjëherë
Na del para syve një det si një vresht e pafund
Ku gjethet e saj, si damarë që bien mbi njëra-tjetrën
zhvendosen pa harmoni, gjersa thyhen në horizont.
E kush nuk ka qëndruar, njëherë në jetë, qoftë dhe për një çast, përballë madhështisë së detit. Kush nuk ka dashur ta shpreh në vargje atë çast emocional. Krahasimi metaforik i dallgëve në brigje, si një tufë kuajsh jelebardhë që turfullojnë në muzg, është po kaq impresionist, sa dhe krahasimi tjetër, si një “vresht pa fund” ku lëvizin gjethet pa harmoni, gjersa thyhen në horizont.
Komentet