Artan Lame bëri dje në mbrëmje në emisionin “Opinion” një përshkrim të plotë të luftës italo- greke 1940-41.
“Sipas statistikave ushtarake në këtë luftë u mobilizuan rreth 6000 deri 8000 ushtarakë shqiptarë, të të gjitha armëve, 6 batalione këmbësorie, 4 bateri artilerie, 2 legjione të milicisë, si edhe reparte të tjera mbështetëse.
Midis tyre rezultojnë rreth 140-160 ushtarë dhe oficerë shqiptarë të vrarë, kryesisht në fazën e parë të konfliktit në tokën greke. Si ushtarakë të rënë në detyrë atyre ju takon një vendprehje.
Historia dhe politika dënon dhe duhet të dënojë, ata që ndërmarrin aventura të çmendura si ajo e Luftës italo-greke, por nga ana tjetër është në nderin e kombeve të nderojnë të vrarët e këtyre luftërave, të cilët kanë dhënë jetën duke ju bindur shtetit, flamurit dhe betimit të bërë”, tha Lame.
Ai shtoi se është pro ndërtimit të varrezës së ushtarakëve grekë të vrarë në Shqipëri, ndërsa theksoi se duhet dhe një vendprehje për të rënët shqiptarë.
“Unë jam shprehur vazhdimisht pro ndërtimit të varrezës së ushtarakëve grekë të vrarë në Shqipëri, si një shenjë elementare dinjiteti e shtetit shqiptar. Por nga ana tjetër, edhe ne shqiptarët, nëse duam që të tregojmë dinjitet dhe respekt për të rënët tanë, duhet që një ditë të kërkojmë që edhe këta të rënë tanët të kenë një vendprehje”.
Nga ana tjetër, Lame vlerësoi faktin që këto zhvarrime po kryheshin nga një komision kompetent e jo si ato të Kosinës në Përmet, ku siç tha, tek eshtrat gjetura ka patur dhe kopsa të veshjeve ushtarake osmane.
“Shpresoj dhe besoj që Komisioni aktual i përbashkët që po kryen zhvarrimet në zonën e Këlcyrës, të lajë me sa të jetë e mundur turpin e zhvarrimeve të Kosinës, ku të gjithë, shqiptarë, priftërinj e grekë, u sulën të mbledhin ç’kocka ju dilnin përpara dhe t’i shisnin për grekë të vrarë në luftë”, tha Lame.
“Çështja e monumentit për çamët, nuk mund të trajtohet si çështje reciprociteti, pra meqenëse ne po lejojmë një varrezë ushtarake greke në Shqipëri edhe grekët duhet të lejojnë varrezën apo përkujtimoren për çamët e vrarë.
Janë dy ngjarje të palidhura me njëra-tjetrën, të distancuara në kohë nga njëra-tjetra dhe flitet për kategori të ndryshme të rënësh. E drejta e çamëve për të patur një varrezë të të vdekurve të tyre, nuk ka nevojë për reciprocitet që të trajtohet”, tha Lame në “Opinion”.
Komentet