Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë! Përpara disa ditësh pata rastin të paraqes përpara jush komentet dhe vërejtjet e mia për projektligjin që keni marrë në shqyrtim për Akademinë e Shkencave, si edhe për të paraqitur perspektivën time për rithemelimin e saj nëpërmjet një reformimi të thellë.
Më kërkuat që gjithçka ta paraqes me shkrim, çka edhe kam bërë, por po ju drejtohem edhe publikisht duke përmbledhur gjithçka kam thënë me një thirrje: Mos u nxitoni të votoni një projektligj si ai dhe ta dërgoni atë në Kuvend për votim, sepse ai që keni në dorë jo vetëm nuk e reformon Akademinë e shkencave të Shqipërisë, por edhe përbën një alibi të rëndë për të mbajtur në gjendje kalbëzimi një institucion monist, dogmatik dhe pa asnjë funksion shoqëror.
Mbi të gjitha, duke e votuar atë ligj me nxitim ju përligjni një Akademi Shkencash, e cila si institucion ka nevojë për një veting të veprimtarisë shkencore të akademikëve, të pastërtisë së figurës së tyre, si edhe për një hetim me duar të pastra të veprimtarisë së drejtuesve të asaj Akademie në planin ligjor, financiar dhe administrativ. Hetim me duar të pastra për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë! Pastaj të merret në shqyrtim projektligji i paraqitur, i cili është produkt i trafiqeve të interesave dhe në kundërshtim me të mirën publike.
Ju nuk më lejuat të shprehem përpara jush për shkeljet ligjore, financiare dhe administrative në Akademinë e Shkencave. Kompetenca dhe përgjegjësia juaj. Por, në çastin kur problemet do të shpërthejnë shumë shpejt, ju do të jeni përballë opinionit publik shqiptar, prandaj më mirë ballëlartë sesa kokulur.
Sapo Presidenti i Republikës i konsideroi zyrtarisht zgjedhjet e fundit në Akademinë e Shkencave si të parregullta ligjërisht dhe i ktheu ato mbrapsht, duke refuzuar të emërojë kryetarin e zgjedhur! Nuk ka asnjë dyshim, sikur e ka parashtruar dhe argumentuar zyrtarisht edhe kryetarja e komisionit tuaj, zonja Fatjona Dhimitri, se ato zgjedhje u bënë në kundërshtim me ligjin.
Nuk ka nevojë të jesh “baba i jurisprudencës shqiptare”, por mjafton student i vitit të dytë Drejtësi, për ta pasur fare të qartë këtë. Por, zgjedhjet me shkelje të rënda ligjore nuk janë veçse maja e ajsbergut në veprimtarinë e asaj Akademie, ku shpërdorimi i parasë publike bie në kundërshtim me ligjet e shtetit shqiptar. U drejtohem fillimisht dhe veçanërisht deputetëve të shumicës qeveritare, për t’u rikujtuar se strategjia e qeverisë së tyre shprehur nga ana e Kryeministrit ka qenë “rithemelim i Akademisë së Shkencave”. I gjithë opinioni publik, si edhe juve vetë, e keni fare të qartë se aty jo që nuk ka rithemelim, por as edhe njëfarë reformimi.
Po t’i hiqen atij projektligji nenet që konsiderohen si shkelje të ligjeve në fuqi, prej tij nuk mbetet më asgjë. Madje, unë kam guximin t’ju deklaroj që ligja në fuqi aktualisht është edhe më e mirë në kalbësinë e vet sesa projektligji që e fundos përfundimisht shkencën shqiptare! Mos u bëni varrmihësit e dijes shqiptare në emër të bindjeve politike! Jua tha edhe zëvendësministri i Arsimit i pranishëm në seancën dëgjimore, z. Redi Shtino. Nuk ka kuptim të votohet një ligj për Akademinë e Shkencave përpara hyrjes në fuqi të një ligji kuadër për kërkimin shkencor në përgjithësi. Dhe ka të drejtë.
Jua tha edhe ish-ministrja e Arsimit, zonja Lindita Nikolla, të gjitha pretendimet sikur Akademia e Shkencave ka respektuar diversitetin e mendimeve, janë rrena, ajo dëshmoi se ndaj mendimit alternativ në atë Akademi ka një censurë zyrtare, ushtruar kryesisht nga ish-sekretari i saj shkencor dhe sot nënkryetar i saj, Vasil Tole. Faktet për këtë janë të administruara shkresërisht dhe ju i keni në dispozicion. Vetë ministrja aktuale e Arsimit, qytetarja Besa Shahini, ka deklaruar publikisht që Ministria e Arsimit u mënjanua nga grupi i deputetëve me në krye qytetaren Eglantina Gjermeni, në çastin kur kishte arritur në krye të procesit të hartimit të atij ligji.
Dhe ka pasur të drejtë. A nuk jua kanë thënë të gjithë rektorët që dëgjuat se ai projektligj shkel me këmbë autonominë universitare dhe të drejtat e kërkuesit shkencor? Jua thanë dhe me shumë të drejtë! Nuk ju ka paralajmëruar me shkresë zyrtare qeveria, firmosur nga zëvendëskryeministri, z. Erion Braçe, se ai projektligj në shumë e shumë pika bie në kundërshtim flagrant me kuadrin ligjor në fuqi? Dhe ka të drejtë.
Mos u nxitoni të redaktoni gjoja si shqyrtim nen për nen atë projektligj, me nxitim në këtë vapë korriku me diell, por edhe me furtuna të forta. Mos mundohet deputetja, qytetarja Milva Ikonomi, t’u mbyllë gojën specialistëve dhe teknicienëve, sikurse bëri me zëvendësministrin, z. Redi Shtino, në seancën ku unë isha i pranishëm dhe filmuar integralisht.
Nuk mundet që projektligji për shkencën të redaktohet nen për nen nga deputetë që janë përfaqësues politikë, ndërkohë që specialistët e fushës kanë ngritur shqetësime e probleme serioze për atë tekst. Hiqni nenet që konsiderohen edhe nga qeveria si antiligjore dhe gjeni se çfarë mbetet nga ai ligj. Kush mund t’u japë përgjigje dy pyetjeve që nuk lidhen me nene të veçanta, por me frymën e përgjithshme të atij projektligji? Nga ndryshon ai ligj në thelb nga ligji në fuqi? Në çfarë e reformon Akademinë e Shkencave ai projektligj tërësisht i deformuar dhe i dështuar?
A keni ju sot një relacion shpjegues për këtë? Jo, nuk e keni. Ju nuk mundeni që me nxitim brenda këtyre tri ditëve vere me vapë dhe furtuna të çoni në Kuvend për votim sikur të ishte një ligj për gjykatë ushtarake, një projektligj që ka probleme të rënda konceptuale. Në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, që grupi iniciator i deputetëve e ka shkelur me të dyja këmbët, konkretisht nenin 82 të Kushtetutës, ju ende nuk keni një relacion të mirëfilltë financiar për projektligjin sikurse jua ka vendosur në vëmendje edhe z. Erion Braçe dhe me të drejtë!
Akademia e Shkencave, sikurse e keni parë vetë, është e paaftë ta bëjë atë relacion financiar dhe prandaj i bën karshillëk edhe qeverisë, duke anashkaluar vërejtjet e saj. Kritikat dhe vërejtjet për atë projektligj kanë qenë aq të shumta nga ana e ekspertëve të Bashkimit Europian, sikurse ua thanë në mbledhjen e seancës dëgjimore, Asnjë ligj për reformimin e Akademisë përpara vetingut të institucionit! nga ana e rektorëve, nga ana e qeverisë, si edhe nga ana ime si përfaqësues i mendimit alternativ brenda Asamblesë së Akademisë së Shkencave, saqë ai projektligj është bërë copë–copë, katandisur si mos më keq, si një xhaketë e kthyer mbrapsht qepur në vitet ’80 dhe rikuperuar në vitin 2019. Kthejuani atë projektligj atyre që ua sollën duke e grabitur të papjekur në sirtarët e Ministrisë së Arsimit!
Ata duhet ta ripunojnë propozimin e tyre pas një reflektimi shumë të thellë, sepse e kanë futur procesin në qorrsokak. Madje, ju takon për të ruajtur nderin tuaj ta riktheni atë në Ministrinë e Arsimit që ju dhe ne qytetarët paguajmë me taksat tona pikërisht për të na dhënë projektligje të mira, bazuar në ekspertiza profesionale dhe kompetente.
Sado të zotët që të jeni në politikë, ju nuk mund të merrni përsipër formulime që në mënyrë urdhëruese të zgjidhin probleme të sociologjisë së njohjes, të industrisë së krijimit, të epistemologjisë së shkencave, të logjikës së shkencave etj., sepse do të kishte qenë sa absurde edhe qesharake, dhe unë e di se midis jush ka që e dinë shumë mirë këtë pamundësi, sikurse ju të gjithë jeni të përgjegjshëm për këtë.
Do të kishte qenë një puç i politikës ndaj shkencës nëse ju brenda tri ditësh do të kishit çuar në Kuvend një projektligj, i cili është thjesht një alibi për të shmangur vetingun në Akademinë e Shkencave, të cilin dikush nga ju, me heshtjen tuaj, ma pengoi ta paraqisja para jush.
Ai projektligj, që dikush prapa skene kërkon dhe urdhëron ta çoni në Kuvend, nuk mund të mbrohet as nga ndonjë shprehje qesharake e ndonjë deputeti, që i futur në rol nga dikush tjetër që i pret sot palla, bën sikur nuk kupton as gjënë më bazike të një njeriu të kulturuar në shekullin tonë, ndarjen mes familjares dhe publikes!
Ai projektligj nuk mund të konfigurojë as edhe një Akademi Shkencash honorifike, sepse Shqipëria, madje as edhe një vend i botës, nuk ka luks dhe nuk është çmendur të paguajë miliarda për honore dhe ynere. Ai projektligj është bërë thjesht për të siguruar privilegje dhe paga të majme për një grusht njerëzish, që në mënyrë të paligjshme kanë uzurpuar një institucion publik. Ai projektligj nuk ju jep asnjë mundësi ta përmirësoni atë.
E para, sepse nuk është në kompetencën tuaj dhe e dyta, sepse ai në parim është kaotik, i shqepur, pa logjikë minimale sepse nuk përcakton se çfarë do të jetë kjo Akademi Shkencash: Institut kërkimi shkencor? Institucion koordinues i shkencës? Kupolë drejtuese e një grumbulli institutesh kërkimore? Polici truri dhe polici etike për kërkimin shkencor? Komitet shkencor për shkencën? Çfarë?
Apo institucion honorifik? Ka një rrugë të vetme, sipas mendimit tim, sikurse jua thashë: Ta ktheni si të papjekur dhe joadekuat këtë projektligj, në mënyrë që të mos bëheni palë me një Akademi Ahkencash që ka nevojë për reformim, rithemelim, por përpara nga të gjitha, për veting! Unë e thashë fjalën time. PËR VETING! Unë ende shpresoj se ju do të dini të merrni veprimin e pjekur dhe ta pranoni peshën e rëndë të kësaj fjale: veting! Me konsiderata, Artan Fuga
Komentet