Artan Fuga dje në konferencën e PD-së
Akademiku Artan Fuga ka folur për nevojën e një revolucioni demokratik, në një kohë kur qytetari duhet të rilindë.Sipas drejtuesit të departamentit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, nuk është nevoja vetëm për një rrotacion politik dhe ndryshim të drejtuesve politikë, por vendosja e qytetarit në qendër të sistemit.
“Ky realitet për mua shtron nevojën e një revolucioni tipik demokratik. Nuk është çështja për një rrotacion politik, është një vendosje e qytetarit në qendër të programeve politike, në qendër të aksionit politik, në qendër të sistemit politik, në qendër të respektueshmërisë politike. Kjo nuk bëhet me prononcimet terminologjike, ku shteti i së drejtës po na zëvendësohet me termin e pluralizmit partiak, ku asnjanësia e institucioneve shtetërore po konsiderohet si politike, si bipartizanike, ku kryetari i pushtetit lokal konsiderohet si menaxher i qytetit, menaxher”, u shpreh Fuga.
Sipas akademikut, ka ndodhur një proces shumë i përshpejtuar centralizimi burokratik me reformë territoriale, të cilën e shkëputi më shumë pushtetin lokal nga vendimmarrja qytetare.
“Mjafton të shikojmë këshilltarët e bashkisë, statistikisht, se si i kemi tejkaluar. Me kalimin e kohës, ne e humbëm qytetarin si keqbërës, vjedhës të energjisë elektrike, të mos paguash taksa dhe ndërtimesh pa leje. Ndërkohë, politikat e korruptuara koncesionare kthyen në fuqi një model të tërthortë që nuk e njeh demokracinë ekonomike, s’ka lidhje fare. Sepse ekonomia jonë nuk e njeh këtë “marr-japin” popullor, nuk e njeh bursën e aksioneve, nuk i njeh kompanitë me kapital kolektiv, nuk e njeh ekonominë koolaborative. Ne jemi jashtë modernitetit si popull dhe këto nuk janë utopi, por realitete të cilat bota i njeh”, tha Fuga.
Studiuesi i komunikimit nuk la pa kritikuar edhe gjuhën e përdorur nga aktorët politikë, në një kohë që qytetarëve nuk u është dhënë akoma mundësia të marrin pjesë në ndonjë referendum lokal.
“Kuvendi ka një përplasje verbale grupesh, militantësh-partizanë, ligjja ka humbur verbin diplomatik. Populli është në ditë të hallit. Ende nuk kemi akoma një referendum lokal, apo në një rast të dytë s’kemi asnjë referendum kombëtar. Konkurset e hapura për një garë të barabartë midis qytetarëve janë një farsë komike. Pra, qytetari është zhvlerësuar në njëfarë mënyre”, theksoi akademiku.
Komentet