Akademiku Artan Fuga, nëpërmjet një mesazhi në Facebook, ka uruar besimtarët katolikë.
Gjithashtu Fuga në mesazhin e tij shprehet se duhet shkuar pandalim, pa tutje drejt fitores që mund humbjen, ku i forti mendjemadh sipas tij nuk e di sa i dobët dhe i mjerë është.
“Nuk tallem aspak kur i uroj të gjithë atyre që mëtojnë fitore: shkoni me vendosmëri edhe drejt humbjes që është fitore”, thotë më tej Fuga.
MESAZHI I PLOTË:
Si një ish katolik, në kuptimin që stërgjyshi im në shekullin e 18 ishte Gjon Kola, prej Mirëdite, pastaj brezat i kthyen në Islam për historitë që dihen, uroj festën e Pashkëve të gjithë miqve katolikë brenda dhe jashtë vendit, katolikëve të kthyer në myslimanë, myslimanëve që ndihen të krishterë, ateistëve të kthyer në besimtarë dhe besimtarëve të kthyer në ateistë, të gjithëve pra sido që ta kenë marrëdhënien me Atë që ne grimcat e vogla të universit, ne vdektarët mendjemëdhenj që kujtojmë se zotërojmë Universin nuk e dimë aspak se çfarë dhe si e kemi brenda nesh:
Urime për Ringjalljen!
Me këtë rast dua të shpjegohem para humbësve, dhe fituesve, që një fitore mund të jetë një humbje e madhe, dhe se një humbje e madhe mund të jetë një fitore e madhe!
Prandaj edhe shpjegohem se përse sa herë humbas ndjej një fitore të madhe brenda meje, kërkoj fitoren edhe në humbje, sikurse në humbje kërkoj fitoren.
Prandaj do të vazhdoj i lumtur si në humbje kur është fitore, dhe i mërzitur për fitoret e gjithkujt që janë humbje!
Prandaj duhet shkuar me pandalim, pa tutje drejt fitores që mund humbjen, ku i forti mendjemadh nuk e di sa i dobët dhe i mjerë është, dhe se nuk tallem aspak kur i uroj të gjithë atyre që mëtojnë fitore: shkoni me vendosmëri edhe drejt humbjes që është fitore!
Luftoni të humbni, kur fitorja qendron te humbja!
Kur më shohin me habi, more ç’thotë ky? Përse tallet? Ndjej dhimbje brenda meje, dhe Gjon Kola më sheh që Andej, duke më thënë: Unë e di kuptimin! Vazhdo nipçe!
Lëre Pilatin t’i lajë duart! Kujton se e heq gjakun mbetur në shekuj në thonjë e gishta!