Filozofi Artan Fuga, publicisti dhe kritiku Mark Marku, janë bërë bashkë në një letër të hapur, jo drejtuar krerëve të shtetit, por opinionit publik, që të reagojë ndaj çështjes së Teatrit Kombëtar. “Drama e Teatrit Kombëtar, akti i fundit i së cilës po luhet në këto ditë vere, po na shfaq me tërë dramaticitetin e vet degradimin e tejskajshëm të demokracisë shqiptare, të qeverisjes dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.
Ky është shqetësimi ynë dhe për këtë u drejtohemi jo vetëm atyre që ndajnë me ne këtë shqetësim, por edhe qytetarëve të paanshëm dhe të painteresuar në çështjen politike që e përfytyrojnë dramën që po ndodh thjesht si shembjen e një godine ‘të vjetër’ dhe ndërtimin e një godine ‘të re’”, shprehen ata, duke u përpjekur të ndërgjegjësojnë këtë fashë njerëzish asnjanës për shkeljet ligjore që po bëhen në emër të së resë, duke shkelur mbi kujtesën kombëtare.
ARTAN FUGA, MARK MARKU
Me një ndjenjë dhe mendim shumë të përgjegjshëm si qytetarë të këtij vendi, por edhe si intelektualë, universitarë, kërkues shkencorë dhe të angazhuar në trajtimin në media të problemeve që kalon vendi, i drejtohemi opinionit publik me shqetësim të veçantë, duke marrë shkas veçanërisht nga projektligji i posaçëm që po kërkohet të kalohet në Kuvend në mënyrë arbitrare dhe me dhunën e votave të dirigjuara me disiplinë kazerme. Ky projektligj që vjen me arrogancë për votim në Kuvend shkatërron ndërtesën e Teatrit Kombëtar, pavarësisht vlerave të saj historike me shumë përmasa, i jep goditje përfundimtare qendrës historike të qytetit të Tiranës, si edhe tjetërson për interesa mirfilltazi private pasurinë tonë publike si qytetarë.
Jo më kot ky reagim nuk i drejtohet drejtpërdrejt as Kryeministrit Edi Rama, as ministres Mirela Kumbaro, as kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por në radhë të parë bashkësisë të qytetarëve të kryeqytetit, opinionit publik të vendit si edhe bashkësisë të artistëve, intelektualëve, gazetarëve dhe të gjithë punëtorëve të mendjes dhe të shpirtit të vendit.
Ata kanë vendosur ta shembin Teatrin Kombëtar dhe kanë futur në procedurë të përshpejtuar një ligj absurd që i jep leje nominale kompanisë private të përzgjedhur nga ata vetë të fusë buldozerët në institucionin kryesor teatror të vendit dhe ta shndërrojnë atë në shesh ndërtimi për kulla.
Ne nuk bëjmë më pjesë te ata njerëz që ende besojnë si deri tani që pushtetarët të tërhiqen prej reagimit që mijëra qytetarë dhe autoritete të rëndësishme të jetës kulturore apo publike të vendit kanë shfaqur lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar apo prej debatit përplot argumente dhe ide që ka gjeneruar ky reagim i madh kolektiv dhe me shumë gjasa, Parlamenti nisur nga forca e kartonëve të urdhëruar, do ta miratojë atë ligj dhe shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të shohin në vend të teatrit tym dhe rrënoja. Po, po, tym dhe rrënoja.
Shqiptarët duhet t’i fiksojnë mirë dhe gjatë këto pamje sepse ato janë pasoja të drejtpërdrejta të papërgjegjshmërisë, pangopshmërisë dhe arrogancës së një pushteti që ka dalë prej kohësh nga binarët e kontrollit qytetar, ligjshmërisë dhe kujdesit për vlerat e trashëgimisë kulturore që na kanë ndërtuar si komb.
Kjo letër u drejtohet jo vetëm atyre që u dhimbset Teatri Kombëtar me godinën e tij, por kujtdo tjetër që mendon sadopak për fatet e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Sepse duke marrë vendimin për shembjen e Teatrit, deputetët do të firmosin njëherësh rrënimin e vetë Kuvendit të Shqipërisë, sepse për herë të parë në historinë e tij ky Kuvend do të kalonte një ligj të adresuar për një subjekt privat. Për herë të parë ky Kuvend do të miratonte një ligj që shkel të drejtën e konkurrencës.
Është mëse e dukshme se drama e Teatrit Kombëtar, akti i fundit i së cilës po luhet në këto ditë vere, po na shfaq me tërë dramaticitetin e vet degradimin e tejskajshëm të demokracisë shqiptare, të qeverisjes dhe të shtetit ligjor në Shqipëri. Ky është shqetësimi ynë dhe për këtë u drejtohemi jo vetëm atyre që ndajnë me ne këtë shqetësim, por edhe qytetarëve të paanshëm dhe të painteresuar në çështjen politike që e përfytyrojnë dramën që po ndodh thjesht si shembjen e një godine “të vjetër” dhe ndërtimin e një godine “të re”.
Rasti i shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në vetvete është një rast i pashoq i asaj se si pushteti në Shqipëri degradon deri në atë pikë sa humb vetë arsyen e ekzistencës së tij. Ky degradim është shumëpërmasor dhe i rëndë. Mirela Kumbaro, në mënyrë të papërgjegjshme, bashkë me drejtuesit e Teatrit Kombëtar, e ka lënë godinën e këtij teatri pa asnjë shërbim duke çuar qëllimisht në degradimin e tij. Kush është përgjegjës për rrënimin e kësaj godine deri në atë pikë ku na thonë se është katandisur Teatri? Natyrisht e tillë është Ministria e Kulturës që drejton sot Mirela Kumbaro dhe për të qenë korrektë, ajo së bashku me ministrat paraardhës të saj. Sipas Mirela Kumbaros, meqenëse godina është në kushte jo të mira ajo duhet shembur! Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Edi Rama në mënyrën më paradoksale kërkojnë pikërisht shembjen e asaj godine që ndodhet në zonën historike të qytetit, e cila është drejtpërdrejt për shkak të detyrës nën mbrojtjen e tyre. Dhe kjo ndodh kur, mu përballë Teatrit, me shumë këmbëngulje zyrtarët e mësipërm mbrojtën me përkushtim një bunker të mjerë dhe të shëmtuar si “pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit”. “Teatri duhet shembur”. “Teatri duhet shembur se është i degraduar” – na thuhet, – por Piramida që është edhe më e degraduar, u dashka rikonstruktuar – propagandon burokracia e pashpirt. Pa asnjë koherencë sikurse do ta kishte dashur një politikë e mirëfilltë dhe e urtë publike, ajo shpall cinikisht projektin për shembjen e Teatrit dhe dhënien për ndërtim të territorit të tij të një subjekti privat.
Më pas, gjendja rëndohet me natyrën e projektligjit, me futjen në lojë të kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kryen njëherësh disa shkelje ligjore: bën kambizmin e interesave meskine për një institucion që është jashtë juridiksionit të vet, dhunon dhe fyen artistët që janë kundër tij, hyn në mënyrë të paligjshme në komisionin përkatës në Kuvend duke prishur mbledhjet e komisioneve parlamentare e kështu me radhë.
Gjithë kjo vazhdë shkeljesh ligjore e bën çështjen e Teatrit provë faktike të një degradimi njëherësh kulturor, kushtetues, politik. Edhe pse mjaft domethënëse, drama e Teatrit është vetëm një pjesë e arrogancës së shfaqur nga pushteti. Jo më larg se një vit më parë, të njëjtët që sot ngrenë zërin për Teatrin, ngrinin tonet të shqetësuar për rrezikun e kanabizimit të Shqipërisë. Edhe atëherë si sot, pushteti jo vetëm që e mohoi problemin, por edhe i akuzoi ata që shqetësoheshin për fenomenin e kanabizimit sikur këta i donin të keqen Shqipërisë. Sot shqiptarët po i shohin pasojat e kanabizimit të marrë në mbrojtje nga qeveria jo vetëm me rritjen e krimit dhe shkatërrimin e ekonomisë së vendit, por edhe me refuzimin nga ana e BE-së të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave.
Rasti i Teatrit Kombëtar është vetëm një nga shembujt e një liste të gjatë të përfshirjes të shtetit në akte për interesa korruptive biznesesh private, që kanë sjellë dëme të pallogaritshme të pasurisë publike në Shqipëri ku spikat me vrazhdësinë e tij rasti i buxhetit prej 400 milionë eurosh të shpenzuara për firmat private të check up-it, shumë me të cilën do të mund të ishin ndërtuar sot të paktën nja dhjetë spitale moderne rajonale.
Rasti i Teatrit Kombëtar është domethënës edhe për degradimin e hapësirës publike dhe mediatike shqiptare. Aty pamë se si manipulohen mediat, si intimidohen kundërshtarët dhe oponentët e politikave qeveritare, se si damkosen dhe linçohen publikisht ata që nuk mendojnë si pushtetarët e këtij vendi. Në dritë të diellit po shohim se si mediat janë gjithnjë e më të kërcënuara, gjithnjë e më të mbyllura ndaj fjalës së lirë. Shikoni se si mediat i kanë nxjerrë jashtë axhendës mediatike të gjitha ngjarjet e sotme me rëndësi të dorës së parë për vendin me pretekstin e Kampionatit Botëror. Shumë pak lajme këto ditë, shumë pak debat, sikur Kampionati Botëror është më i rëndësishëm për shqiptarët se buka e gojës, puna e përditshme, siguria dhe rendi, integrimi në BE.
Nuk është i rastit synimi për të prishur ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar. Se kush është dhe se çfarë nuk është historia e këtij vendi, këtë nuk e përcakton dot me shije personale as një Kryeministër e aq më pak vartësja e tij si ministre Kulture. Ka parë shumë ky vend fiasko nga ato ku vullneti i një pushtetari shpallej mesazh historik dhe gjithçka tjetër rrënohej me ekskavatorë, kazma dhe tritol. Nuk mund të prishet një monument historik dhe në shkëmbim të tij të paraqiten dhjetëra Turbina, Autokombajna, Autotraktorë. Historia nuk zëvendësohet me asgjë. Aq më pak të përdhoset historia e shkuar kur mbi të është ngritur shpirti kolektiv i kombit. Mirela Kumbaro duhet ta mësojë se gjithçka që vjen nga e kaluara si vlerë, është delikate. Prandaj, ajo kërkon konservim dhe ruajtje. Gjithçka tjetër me shembje, me rrënim dhe me zhdukje vlerash në emër të disa vlerave tjera sido që të paraqitet nuk ka emër tjetër përveçse vandalizëm.
E zhytur në një materializëm ekstrem, politika kulturore i ka vënë shkelmin mirëmbajtjes dhe ruajtjes e vlerësimit të të gjitha vlerave kombëtare shpirtërore e mendore. Krijimtaria shqiptare e filmit, operës, baletit, teatrit është në pikë të hallit sepse institucionet përkatëse janë nën kontroll politik. Kinemaja shqiptare si film dhe si park sallash, pothuaj inekzistente. Gërmimet arkeologjike dhe ruajtja e vlerave të arkeologjisë në qytetet e mëdha të vendit po njohin një krizë të pashoqe. Kudo makutëria e betonizimit po shkatërron qendrat e qyteteve. Madje, vala e betonizimit ka prekur edhe qendra të rëndësishme të kulturës antike mesdhetare si Butrinti apo Durrësi. Kalatë dhe qendrat e tjera historike të antikitetit menaxhohen me metoda mediokre dhe minimaliste. Kërkimi shkencor dhe bota universitare vazhdojnë prej vitesh të vuajnë nga mungesa e kuadrit ligjor dhe normativ. Piktorët, skulptorët, këngëtarët, aktorët, balerinët, autorët e librave, kërkuesit shkencorë, gazetarët vuajnë mungesat e një statusi social dhe profesional dinjitoz, janë të denigruar ekonomikisht, financiarisht, materialisht. Gjendja e edukimit artistik dhe kulturor të brezave të rinj në shkollat shqiptare është e pashpresë.
Ne nuk mund të jemi një shoqëri pa kujtesë, pa shpirt, pa kulturë, pa art, pa formim shkencor. Jo vetëm që Europa e Bashkuar kështu na përbuz e refuzon, por ne rrezikojmë të shpërbëhemi.
Zoti Kryeministër, zonja ministre, zoti kryetar i bashkisë dëgjojeni edhe ju thirrjen tonë, që i adresohet publikut të gjerë qytetar. Dëgjojeni sot sepse nesër do të jetë shumë vonë. Trarët, gurët, pluhuri, gërmadha e ndërtesës të Teatrit do të jetë fundi i një epoke. Plaga, që ajo do të shkaktojë mbi shoqërinë shqiptare, do të jetë vulosja e mosbesimit qytetar te politika. Do të jetë nga ato thyerje që nuk do të harrohet në dekada e shekuj. Për atë do të ketë përgjegjës dhe përgjegjësi historike, që nuk ka burrë e grua që e mban dot.
Për sa na takon ne, nëse nesër gërmadha e ndërtesës të Teatrit do të jetë fakt, atëherë do të bëhej përfundimisht e qartë se politika është e pazonja të qeverisë vendin, aq më pak kulturën dhe trashëgiminë kulturore dhe industrinë e krijimit shpirtëror dhe intelektual. Kjo do të na vërtetonte përfundimisht se fatet e kombit dhe të kulturës së tij janë seriozisht të rrezikuara. Sipas nesh, atëherë intelektualëve, artistëve, shkencëtarëve, dhe këtë e themi me shumë përgjegjësi, nuk do t’u mbetej asgjë tjetër për të bërë veçse të ndërmerrnin sa më shpejt, në mënyrë urgjente, vendosmërisht, hapin e fundit vendimtar. Të linin mënjanë për pak kohë penat, instrumentet muzikorë, skenat, katedrat, dhe të mobilizoheshin në një lëvizje masive politike me shtrat të thellë kulturor dhe shkencor, për të ndikuar drejtpërdrejt vullnetet elektorale të qytetarëve shqiptarë, duke ju përgjigjur kështu kërkesës së ngutshme dhe këmbëngulëse të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që i ftojnë intelektualët, teknicienët dhe artistët e pavarur, në skenën politike, drejtpërdrejt si bartës të vullneteve politike, si intelektualë, artistë, universitarë, gazetarë, çka deri tani kanë dashur ta evitojnë, jo për parazitizëm politik, por vetëm për fisnikëri, duke respektuar ndarjen e fushave të veprimtarisë; dhe ky hap vendimtar vetëm për ta shëndoshur skenën politike shqiptare me prurje të fuqishme qytetare të pavarura, ashtu sikurse ka ndodhur dhe po ndodh në mjaft vende të tjera perëndimore.
Rasti i Teatrit Kombëtar është jo vetëm rrënimi i godinës së Teatrit por edhe rrënimi i shtetit, i ligjit, i demokracisë. Nëse i shmangemi reagimit për të sot, do të jetë vonë për gjithçka nesër.
Urojmë që thirrja jonë të dëgjohet!
Komentet