Sipas “inteligjencës artificiale” edhe gratë e lashtësisë ishin të bukura, elegante dhe “super cool” (për kohën e tyre). Sidomos femrat fisnike, gratë e pasura dhe që kishin rang të lartë shoqëror, patjetër se ishin “akullsisht… cool”. Sa i përket bukurisë kuptohet asgjë s’ka ndryshuar, mirëpo dhe atëherë kishin “stil”, edhe atëherë u referoheshin koncepteve të ndryshme stilistike. Kujdeseshin për pamjen, në çdo kohë figura e tyre sikur e rrezatonte elegancën dhe fisnikërinë.
Bazuar në imazhet e “inteligjencës artificiale” femrat fisnike të Romës së lashtë padyshim do kenë qenë elegante si vetë Elisabeta e Bavarisë. Në histori Elisabeta pothuaj “konsiderohet” diç si perandoreshë e rinisë dhe e bukurisë së përjetshme. Për disa dekada qe konsideruar mbretëresha më e bukur e Evropës, sepse Elisabeta vërtet ishte e bukur.
Mirëpo s’ishte vetëm bukuria, ajo dhe kujdesej jashtëzakonisht shumë për “ekstravagancën”, për ruajtjen e freskisë dhe të shkëlqimit.
Elisabetës thjesht i pëlqenin jashtë mase veshjet e rregullimet, teleisjet e zbukurimet. I pëlqente të dukej “cool”, e kishte obsesion ruajtjen e figurës rinore dhe të bukurisë. Njëherë patëm spekuluar (ishte diç si spekulim i guximshëm i yni) se padyshim tualetet e gjata dhe monotone të mëngjesit nuk i pëlqenin Elisabetës. Përkundër shërbëtoreve të panumërta që i kishte, e ngrata padyshim do jetë mërzitur – patëm shkruar.
Guximi i spekulimit tonë bazohej në faktin se tualetet e saj mund t’kenë zgjatur tërë paraditen, e ndonjëherë inkluzivisht gjithë mesditën : )
Kur është fjala për 2000-3000 vite mbrapa në lashtësi, ka plot detaje që u shmangen dhe vetë historianëve, thjesht kanë ngelur pa mbulesë, të paqarta, kronistët e lashtësisë s’i kanë përmendur. Bie fjala, dihet se brushat efektive për pastrimin e dhëmbëve vonë qenë shpikur, s’kishin atëbotë as brusha elektrike, as fluorinë dhe dmth. s’i kishin as pastat e së sotmes.
Pandehma se bardhësia e dhëmbëve të bukurosheve romake ishte e “njëjta” bardhësi sikur dhe sot, do ishte diç si fiksionalitet i kulluar. Askush s’e ka idenë, ndoshta jo bardhësia… po pikërisht “verdhësia” e dhëmbëve ishte në modë : )
Sidoqoftë, gjërat që nuk i dimë s’kemi si t’i dimë, s’i dinin as vetë historianët e perandorisë, andaj dhe kronikat e historisë në këtë drejtim kanë ngelur të cekëta. Mirëpo askush s’mund ta kontestojë elegancën e bukurosheve romake. I rregullonin flokët bukur, kishin lloj-lloj lulesh e trëndafilash, lulishtet plot, i ekstraktonin lloj-lloj parfumesh, përdornin stoli të shtrenjta, rroba të shtrenjta, visheshin sipas trendeve të modës së atëhershme.
Psh. me “stolat” e bardha (siç i shohim në imazhet ngjitur), herë të kuqe, herë të gjelbërta e herë ndryshe, ndonjëherë po ashtu mbështjellur me “palla-pelerinat”.
Stola ishte veshje tradicionale e grave romake, ishte pakashumë veshje ekuivalente me një “toga” që vishej nga burrat. Për fat të keq s’ka mbijetuar asnjë ekzemplar fizik i ndonjë “stole” (tekefundit asnjë muzeum i botës s’ka pohuar ta kenë gjetur një ekzemplar origjinal). Stola ishte diç si pëlhurë e gjatë dhe pa mëngë (meqë e gjatë quhej dhe “vestis longa”), në kohën augustiane veshja e një stole ishte simbol që e përfaqësonte statusin martesor të një gruaje (matronae). Mirëpo vishej dhe nga priftëreshat vestaliane, nga shërbëtoret e virgjëra të perëndeshës Vesta.
Derisa stola matronale nuk kishte ngjyrë strikt të caktuar (mund t’ishte me ngjyra të ndryshme, skaji ose kufiri i pëlhurës “instita” mbase ishte ngjyrë vjollcë, ngjashëm me kufirin e purpurt që e kishte toga e shtrenjtë e burrave të elitës sociale), me sa duket stola që vishej nga virgjëreshat vestaliane duhej t’ishte strikt e bardhë.
Dëshmia e parë romake për stolat (vestis longa) na vjen që nga shek. III pes, mirëpo meqë forma e veshjes ishte e zakonshme për gjithë sferën mesdhetare (dmth. versioni romak s’ishte ndonjë version unik, por diç si alternacion i plot veshjeve të ngjashme) shkollarët thonë që si formë e veshjes duhet t’jetë shumë më e vjetër.
Në kohën republikane (të Romës) ishte thjesht pjesë e praktikës romake të veshjes së femrave, ndërsa në kohën augustiane qe shndërruar në diç si simbol kulturor, qe bërë pjesë e veshjes së grave të martuara (matronae). Thuhet se nga fillim-shek. II i erës sonë, stola do dilte tërësisht nga përdorimi, dmth. përdorimi i kësaj veshje pati zgjatur për nja 4-5 shekuj.
Ndërsa “palla” përdorej si pelerinë, si mantel elegant, si batanije që mbështillej rreth trupit, lidhur ose siguruar me karfica, vishej jashtë shtëpisë nga gratë e pasura romake (ishte diç si version luksoz i pallium-it). Derisa forma e një toge tradicionale ishte gjysmërrethore, “palla” kishte formë drejtkëndore. Ngjashëm si “stola” edhe për palla-mantelin thuhet se daton që nga shek. III pes., dhe njësoj edhe ky lloj i veshjes duhet t’jetë më i vjetër.