Edukata e bën njeriun dhe njeriu e bën kombin/Jules Simons
Në datën 16 Janar 1993 kam folur në Kuvendin e Shqipërisë, me cilësinë e deputetit.
Këtë fjalim konceptual,- që lidhet me një çështje madhore,- atë të Arsimit,- që modelon dhe konstrukton Vetëdijen Kombëtare dhe të Ardhmen e shqiptarëve në të gjithë kuptimet e mundshme historike.
Teksti i mëposhtëm është një dëshmi substanciale urbi et orbi të shqetësimit tim qytetar për Arsimin Kombëtar.
Në vitin 1993 shkatërrimi dhe djegia e shkollave në Shqipëri e arriti kulmin.
Për mua kjo ishte diçka makabre dhe jashtë çdo lloj logjikeje.
Regjimi Berishian në vend që ta ndaloje këtë situatë absurde, përkundrazi e stimulon.
Unë nuk mund të rrija i heshtur dhe të bëja indiferentin.
Dhe ja fjala ime si më poshtë:
“Të flasësh për arsimin kombëtar është një gjë absolutisht serioze.
Periudha postdiktatoriale është tepër komplekse, e paqëndrueshme, në zhvillim po edhe për fat të keq, me prirje eksesesh.
Djegia e shkollave, shkatërrimi i tyre – rast pa precedencë në tërë Europën, është me e keqe e blasfemuese, se sa dhunimi i tempujve antike, që për Eskilin ishte sakrilegji i tmerrshëm, që shlyhej deri në tri breza.
Sa histori absurde e megjithatë e vërtetë – më saktë një e vërtetë tronditëse dhe asnjëherë e justifikuar nga askush!
Teoria makabre e “KOHES XERO’* mos ishte edhe për shkollat?
Busti i një mësuesi – njeri nga më te thjeshtët e njëkohësisht Mësuesi i Popullit, -Ndrec Ndue Gjoka u rrezua e zoti Ministër i Arsimit,- zoti Ylli Vejsiu,- nuk beri të paktën një deklaratë publike,- për te shfaqësuar ndërgjegjen, për të treguar, se në të gjitha kohërat humanizmi, si koncept, është me superior, se sa çdo politike partiake.
Në fakt, me ketë akt të pashembullt vandal, u përdhunua rëndë ndërgjegjja e te gjithëve.
Për një kohë të gjatë simbolika inkuicioniste e këtij akti nuk do te harrohet lehtë, pavarësisht, nga komentet dhe semantikat partiake, politike te ndryshme e të papërputhura.
Megjithatë, tema e arsimit kombëtare është më e rëndësishme dhe universale, me një ngulm të thukët e përgjegjësi qytetare të dorës së parë e duhet të diskutojmë e të arsyetojmë në mënyre karteziane e vizionare, për ketë kryeteme, në fund të fundit, ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e kombit.
Disa mendime, që po rreshtoj më poshtë nisen nga logjika e zhvillimit dhe jo e statukuosë, nga koncepti i rindërtimit e rikonceptimit dhe jo nga mohimi total, duke marrë në konsideratë ndryshimet epokale, që ka sjellur demokracia në kapërcimin e diktaturës.
1. Nuk dua të paragjykoj, as të vë në dyshim përpjekjet e dikasterit të arsimit në këtë periudhë të vështirë – shumë të komplikuar të tranzicionit.
Ajo, që më intereson, jo thjesht nga ana vetjake, është, se shoh, se stafit te ministrisë i mungon në tërësi një mënyre e përshtatshme optika konceptuale e së Tashmes dhe e Perspektivës së Arsimit Kombëtar, që nuk mund të kufizohet kurrsesi thjesht, si veprimtari dikasteriale.
Po kjo ka rëndësi themelore, pothuaj të pazëvendësueshme.
Do te ishte e padrejtë, qe nëpunësit e dikasterit të kishin monopolin e gjithckaje, që ka të bëjë me arsimin, por ata janë subjekt juridik, që kanë detyra specifike në ketë rrafsh.
Dinamizmi e aftësia profesionale e këtij subjekti bëhet anticipues, kurse mefshtësia dhe ulja e nivelit profesional bën të kundërtën.
Arsimi është padyshim një Institucion Kombëtar, jo thjesht Institucion Shtetëror, pra, nuk ngërthehet e kufizohet nga limitet e shtetit.
Të mos harrojmë, se shkollat shqiptare kanë ekzistuar edhe kur nuk ka qenë shteti shqiptar.
Nga ana tjetër, roli kombëtar i arsimit është vendimtar për ndërtimin mendor e shpirtëror të kombit, në atë modus operandi, sa mund te thuhet, që arsimi e përben, ose edhe e shpërben kombin, se cilësitë e shkollës formësojnë, edukojnë të ardhmen e cilësive fundamentale të kombit.
Emancipimi i kombit është e duhet të jetë, para se gjithasht, emancipim intelektual i mirëfilltë.
Për ketë arsye, Pjetër Bogdani i paharruar shkruante 300 e ca vjet më parë se “populus non intelligens vapulabit”, domethënë se “populli nuk: a pësojë nëse është i ditur”.
Kjo formulë është e plotëfuqishme dhe jetike për të gjitha kohërat.
Qëllimi kryesor i vërejtjes time është, se përmbajtja e Arsimit Kombëtar nuk janë politikat partiake, të çdo ngjyre qofshin dhe substanca e tij janë gjuha shqipe, kulturat, dijet pozitive, racionaliteti logjik, arritjet më të fundit të qytetërimit botëror, universi teknologjik i shoqerisë njerezore, etj. që në thelb, janë entitete të ndryshme dhe jo të barabarta me politikat partiake.
Këtu është dhe përparësia konceptuale e padiskutueshme e arsimit me shumë fusha të tjera të jetës e si rrjedhoje deduktive ndryshimet ne arsim nuk mund të jenë identike me reformat ekonomike dhe politike, bile çdo barazim vulgar e mekanik, i pakujdesshëm, haxhiqamilshe, vetëm do të dëmtonte seriozisht.
Le te marrim letërsinë. Në të gjitha kohërat hierarkia e vlerave të saj është e ndryshme nga hierarkia politike. Hierarkia e mirëfilltë artistike e estetike ngrihet mbi hierarkitë politike, që në etapa të ndryshme ndikojnë, klasifikojnë etj.
Po hierarkia politike ndryshon lehte, hierarkia artistike është afatgjate. Duam s’duam ne Kadareja e Agolli janë talente të shquar të këtij gjysmë shekulli të diktaturës e nuk rrezohen dot, ashtu si( nuk mund të rrëzonte dot vetë diktatura vlerat e Fishtës, Konicës, Koliqit etj., në hierarkinë artistike të kombit. Kjo Logjike, jashtë politikës, nuk duhet harruar.
Demokracia, në ketë aspekt, e kapërcen shkëlqyeshëm totalitarizmin e politikës e krijon rendin e drejtë, tabelën e vërtete të Mendelejevit të vlerave kombëtare.
2. Programi përmbajtjesor i arsimit shqiptar, tani dhe ne pikëpamje strategjike është kombi, si tërësi, si unitet, pavarësisht, nga kufijtë shtetërore.
Për shkollën shqipe nuk ka shumë rëndësi, se kombi është i copëtuar artificialisht dhe arbitrarisht, për të kombi në vizion është i bashkuar prej kohësh – fitorja mbi tragjedinë në këtë kuptim pothuaj është arritur, duke u bere paraprijëse. Nëse arsimi e parakupton këtë fitore, (që bëhet nga lënda e saj kulturore e lavdishme) me te madhen fitore te kombit tone, ahere ne, mund te themi, se shkolla shqipe i fitoi betejat më përpara, se diplomatët e politikanët.
Kjo, kërkon domosdoshmërish, qe shkolla sot të ketë një program vetëm për shqiptarët e shtetit të Shqipërisë.
Ky program unik arsimor të jetë edhe ne atë shkallë profesionale, teknologjike, që çdo shqiptar, kudo, që të jetë në botë, të mund të diplomohet, në bazë të kritereve në dheun amë e me të drejta të njëjta.
Kjo do të thotë, që programi arsimor i shqiptareve në Kosovë, në Maqedoni e ne Mal të Zi, etj., po edhe ne diaspore, (ku mund të hapen shkolla shqipe) të jete i njëjtë me programin arsimor të shqiptarëve të Shqipërisë.
Uniciteti i shkollës, si program buron nga uniciteti i kombit, po për fat të keq ende nuk kemi arritur ta realizojmë një gjë të tillë, e cila konceptualisht do te ishte kapërcimi i Rubikonit për Arsimin Kombëtar.
3. Te besh tabu punën e mbyllur të Ministrisë, sidomos nga partiakët është më se qesharake.
Administrativizimi bëhet butaforik dhe i pafuqishëm, sepse arsimi është një sistem i madh dhe në këtë sistem administratizivzmi është një përbërës shtetëror, më tepër i formës, se sa i përmbajtjes.
Pra, arsimin nuk e bëjnë dot nëpunësit ministrore, teknogratët, po tërë specialistët, dijetarët, shkrimtarët, mësuesit, nxënësit dhe prindërit, psikologët e sidomos titullarët vizionare, të aftë, të përkushtuar, kombëtare etj.
Pikërisht, mosgjetja e një raporti të drejtë në këtë pike bën që ministria të bëjë shpesh edhe lëvizje me veten në kohën kur ajo kërkohet të jetë vatër e mendimit të gjallë të akademikëve, mendimtarëve, pedagogëve e përgjithësisht intelektualeve të shquar të kombit këndej dhe andej kufijve, kudo.
4. Dimensioni Integral Kombëtar i Arsimit, nuk do të thotë, që të mos ketë dhe Dimensionin po Integral Internacional.
Sidomos kjo në epokën, kur projektohet Europa e Bashkuar e ku ne, shqiptarët jemi një subjekt i gjallë faktik, origjinal, i kësaj Europe, shumë afër të realizuar si realitet.
Dimensioni internacional buron, veç të tjerave, nga karakteri universal shkencave (ato, janë mbinacionale). që janë në themel të çdo lloj shkolle serioze e te vërtet. Dimensioni internacional buron edhe nga fakti i komunikimit të ndërsjelle të kulturave, qe formojnë komunitetin botëror.
Dimensioni internacional, gjithashtu, buron edhe nga fakti, se diversitetet etnike në fund të fundit nuk e fshehin dhe mohojnë natyrën njerëzore, statusin e saj universal, për të tërë njerëzit, racat dhe kombet në mënyrë të barabartë.
Në këtë kuptim Arsimin Hygoi e ka quajtur “Dritë të popujve”.
Pikëpamja e mësipërme ndikon në zhvillimin tonë emancipues dhe shtron para shkollës sonë edhe çështjen e ekuivalencave të diplomave, me ato të vendeve të tjera të zhvilluara etj.
Ekuivalenca është detyrimisht cilësi e lartë, njohja de jure e formimit bashkëkohor e të barabartë profesional të kuadrove të shkollës sonë me ato të Europës. SHBA-se e vendeve të tjera.
Me trishtim konstatojmë se jemi mbrapa në këtë fushë!
Me besim të synojmë të arrijmë edhe në këtë kuotë qytetëruese më në fund.
***
Në vitin 2018 nisën protestat e studentëve, që padyshim kanë ndikuar shumë në të gjithë mjedisin politikë shqiptarë.
Unë mbajta dhe mbaj një qëndrim përkrahës deri në fund për protestat dhe kërkesat e drejta të studentëve,- duke botuar disa shkrime për këtë subjekt në gazetën “Dita”.
Duke riparë tekstin e para 26 vjetëve ku unë koncentroja shqetësimin tim për Arsimin Kombëtar bëj në mënyrë krahasimtar sot, një paralele të situatave adekuate të ndryshimit me një progresion negativ të strukturës dhe rezultateve të Arsimit Kombëtar.
Së pari dua të ve në dukje se një popull i vogël siç janë shqiptarët, aq më tepër shpesh herë të vonuar në histori, për shumë arsye që nuk është vendi për të shpjeguar këtu, në gjendjen e tranzicionit absurd dhe të tejzgjatur të kaosit dhe të bëmave absurde, të jashtëarsyeshme, të zhbërjes së shtetit, të diletantizmit administrativ, e vetmja strukturë,- që mund të mbante gjallë kujtesën dhe vetëdijen kombëtare ose për të krijuar idenë e një identiteti apo të një personaliteti identitar të shqiptarëve- është vetëm struktura e Arsimit Kombëtar.
Nuk kemi asnjë instrument tjetër të ngjashëm.
Asgje te ngjashme si institucion paralel.
Në mënyrë absolute përveç Arsimit Kombëtar ne nuk mund të kemi institucione të fuqishme,- që mund të përfaqësojnë ndërgjegjen dhe procesin identifikues dhe të dallueshëm të shqiptarëve në botë.
Këtë e kupton çdokush.
Së dyti ne në vitin 2019 trashëgojmë një strukturë të copëzuar të Arsimit Kombëtar, në një gjendje tejet problematike.
Kaq pa mend dhe kaq të pandërgjegjshëm ishin dhe janë politikanët dhe ligjvënësit mediokër shqiptarë, sa me Ligjin e Arsimit të Lartë konsankruan,- apo betonuan një situatë kontradiktore ,-duke bërë ndarjen e strukturës publike të arsimit të lartë me strukturën private, haptazi në favor të strukturës private, duke minuar djallëzisht dhe padrejtësisht strukturën publike, kaq të domosdoshme dhe jetike në një vend të varfër, për të drejtën kushtetuese të shqiptarëve për arsimin e lartë, madje, për kushtet tona duhet patjetër një Arsim i Larte falas!
Pse ndodhi kjo katrahurë e gjëmshme, këtë e dinë shumë mirë oligarkët dhe politikanët me prirje antikombëtare të Shqipërisë.
Në këtë rast prirjet antikombëtare janë dhe prirje antikulturore, pra në thelb antiarsimore.
Në 2019 dua të shpall para të gjithëve se akoma Arsimi Kombëtar është në një gjendje të rrezikuar dhe të brishtë.
Cila është perspektiva plot dilema dhe pasiguri konceptuale e Arsimit Kombëtar?
Nëse Arsimi Kombëtar nuk e luan rolin e tij të patjetërsueshëm, të jeni të sigurt- se kujtesa identifikuese dhe kombëtare e shqiptarëve do të zbehet,- dituria e tyre do të minimalizohet dhe shqiptarët do të shënohen- si një nga popujt më të paditur dhe më të pakulturuar.
Çështja e Arsimit Kombëtar është çështja më e rëndësishme ekzistenciale e shqiptarëve.
Nuk ka çështje me te rendesishme tjetër,- të ngjashme ose të përafërt.
Të gjitha qeveritë shqiptare deri më sot, të majta dhe të djathta as nuk kanë arritur të kuptojnë diçka në sipërfaqje të kësaj çështjeje.
Madje janë të paafta për ta kuptuar këtë gjë.
Arsimi Kombëtar Shqiptar është formalizuar dhe dobësuar në mënyrë të frikshme.
Ka humbur cilësia e lartë e mësimdhënies dhe e mënyra e ndershme inteligjente e fitimit të diturive.
Profesoriati,- qoftë i universiteteve publike,– qoftë i universiteteve private- është mbushur me personalitete të rremë, me tituj të rremë shkencorë, pra një profesoriat i padenjë për të ardhmen e studentëve.
Së treti kultura e Arsimit Shqiptar është komercializuar, pra është futur formula e shit-blerjes e pagimit të tarifave ,-duke kthyer pikërisht atë që nuk është treg, d.m.th Arsimin Kombëtar në një Treg të Neveritshëm,- që ka komprementuar të Ardhmen e Shqipërisë.
Së katërti,- Arsimi Kombëtar shqiptar ka humbur atë,- që është më e rëndësishme,- Kulturën dhe Diturinë Politeknike.
Benjamin Franklin ka thënë se pasuria e një kombi nuk varet nga paratë por varet në mënyrë jetike nga Dituria Politeknike.
Ne e kishim këtë Dituri Politeknike,- por në vend që ta zhvillonim më tej e shkatërruam.
Së pesti,- çdo strukturë e Arsimit Kombëtar parakupton dhe mbështetet mbi kërkesat kombëtare të Punësimit.
D.m.th që kuadrot që mbarojnë në Arsimin e Lartë duhet të jenë në funksion të Punësimit të tyre në të gjitha degët e ekonomisë dhe të jetës.
Kjo ka të bëje me të drejtën kushtetuese dhe natyrore që është e Drejta e Punës.
Dy të Drejta Natyrore ka në botë: e Drejta për të Jetuar dhe e Drejta për Punë.
Të gjithë të drejtat e tjera, duke përfshirë edhe ato politike janë të Drejta Konvencionale.
Në Shqipëri absurditeti qëndron në mospërputhjen absolute midis arsimimit të lartë të studentëve ,-me mungesën e plotë të vendeve të punës,- mbas mbarimit të studimeve adeguate.
Ky është thelbi i thelbeve,- që përcakton konceptin epistomologjik të së Ardhmes së zymtë të Historisë Shqiptare.
Në këtë mënyrë hiqet perdja për të parë kokën e Meduzës.
Në këtë mënyrë mund të kuptojmë më qartë dhe më në vetëdije se çfarë është në të vërtetë protesta e fuqishme konceptuale dhe ekzistenciale e studentëve.
Pa hequr Ligjin paradoksal të Arsimit të Lartë, pa ngritur cilësinë dhe pa hedhur tej formulat e kthimit të universiteteve në një treg shit-blerjeje të diplomave ne nuk do të krijojmë dot njerëz të ditur dhe qytetarë të denjë.
Pra do të deformojmë karakterin dhe imazhin e vetë popullit dhe të shkatërrojmë vetveten.
Për t’i thënë këto të vërteta kaq tronditëse nuk ka nevojë për asnjë stil të sofistikuar, nuk ka nevojë për sinqeritet dhe qartësi.
Apeli im për situatën e rrezikuar dhe të paqartë të arsimit kombëtar, ka formën e një Manifesti që iu drejtohet të gjithëve, që nuk përjashton asnjë
Pa Arsim Kombëtar,- të denjë dhe cilësor nuk ka,,- se nuk mund të ketë të Ardhme të Shqipërisë.
Komentet