Është një ditë e veçantë në Bibliotekën e Universtietit tonë përurimi i një libri, për larminë e freskinë që sjell dhe njohuritë që shkëmben, ndërkohë “Arshi Imeri…” jo thjeshtë për faktin, se po bëjmë një përurim libri, organizuar nga një bashkërendim i vyer i punëve midis Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Bibliotekës Shkencore me Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Tërbaçi” dhe Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Labëria”, dega Vlorë, por se heroi i librit që kemi në dorë, Arshi Imer Tërbaçi nga Beqirajt e lagjes Lekaj, prurë me vërtetësi, dashuri dhe mjeshtëri artistike nga intelektuali Ali Barjamaj është një fjalë kyçe në historinë e viteve të stuhishme të LANÇ për një fshat me histori dhe kulturë, siç është Tërbaçi ynë, një model lokal si si mund të shkruhen monografitë duke i zgjeruar hapësirat gjeografike dhe njerëzore deri ndoshta në rang vendi .
Fati i një libri monografik varet dy njerëz: nga autori me botën, synimet, vizionin dhe mesazhet që përcjell nëpërmjet tekstit, sikurse dhe nga personazhi që përzgjedh autori për strukturën dhe ndërton me shkronjat e lidhura në fjalë, fjali, paragrafë e kre, krejt tekstin me koherencë e kohezion.
Arshi Imeri ishte një çelës i artë i unitetit tonë tradicional, i këtij visari moral, që e ka shquar Tërbaçin tonë në rrjedhat e kohës, krahasuar me fqinjët dhe fshatrat e tjerë të Lumit të Vlorës e Labërisë. Prindërit tanë, por edhe shumë nga mosha jonë e kanë njohur dhe vlerësuar Imer Beqirin, si një nga burrat e mirë, trim e të mënçur, me sedër dhe të dëgjuar. Ai ishte një burrë i rrallë, i kalitur nga jeta, i hapur, bujar e shumë dashamirës, por edhe një burrë elegant, që ecte bukur e fill i drejtë. Ka pasur dhe ndër ne, ndoshta mund të ketë ende ndonjë tek-tuk, nga ata që janë marrë me “gabimin” e tij të ndritshëm, do ta quaja unë, por faleminderit autorit Ali Barjmaj që, nëpërmjet kësaj monografie me rreth 280 faqe, na jep në pëllëmbë të dorës, dhe të qartë si drita e diellit për ne dhe këdo portretin e xha Arshiut, vendlindjen e tij, origjinën e gjenezën atdhetare, fëmijërinë dhe rininë, situatën ekonomiko-politiko-shoqërore gjatë regjimit të Zogut, përfshirjen në lëvizjen e madhe dhe LANÇ, me piketat e dukshme në qarkun e Vlorës si Luftën e Gjormit, epopenë e Drashovicës, Ofensivën e nazistëve gjermanë të Dimrit, 28 nëntor 1943-25 shkurt 1944, të ashtuquajturin “incident” të shkurtit 1944, më tej pengun e jetës së xha Arshiut, kthimin në Tërbaç, shpërnguljen në Selenicë dhe emrin e lartë që la me njerëzit buzë Vjosës xha Arshiu për vete, për të parët e tij, për familjen dhe për ne.
Arshi Imeri ishte një njeri me vlera e me vizion, fisnik i vërtetë e me shikim tutje, model i tërbaçiotit të lartë e burrë i besës, një atdhetar me ideale të pastra, përbashkuese, jo përveçuese.
Veterani Arshi Imeri e ka shkrur vetë historinë me thjeshtësi, besnikëri e urtësi. Ne, të tjerët e kemi detyrë të nderojmë atë dhe burrat e lartë të Tërbaçit. Mësuesi veteran Ali Barjamaj, na ka dhuruar jo një monument, por një ansambël monumental me shkronja shpirti, ashtu siç di ai të gdhendë portretet e rrallë njerëzorë. Libri ka shumë informacion real, të ngjeshur me ngjarje, të ndodhur realisht, të pastër gjuhësisht e të pasur letrarisht, që na vjen me një stil të rrjedhshëm, fjali të lidhura thjeshtë e bukur, falë njohjes së plotë, qartësisë së gjykimit në kohë e në hapësirë për njerëzit, kulturës së gjerë dhe mesazheve që kërkon të përcjellë autori tek lexuesi.
Po më duket sikur Kalorësi rebel i lirisë, Petro Marko i Dhërmiut na paska skalitur profilin e Arshi Imerit me vargjet: “Ditën që linda unë,/ planeti ish në furtunë./ Ditën që rrojta unë,/ planeti ish në furtunë/. Ditën që vdiqa unë/, planetin e lashë në furtunë”…
Ky libër është një gurrë e pasur frymëzimi, të paktën për letrarët shqiptarë, që besoj, se po të bjerë në dorë të ndonjë shkrimtari të shquar bën një roman historik apo një dramë, që mund të jetë gjurmëlënës në Letërsinë shqipe.
Librit ia rrit më shumë vlerat historiko-atdhetare redaktimi nga albanologu i njohur profesor Bardhosh Gaçe, këshillimi me djemtë e heroit të monografisë: intelektualët Luan Beqiraj dhe Fatos Beqiraj. Do të më falni ta lokalizoj pak fjalën time, porse e quaj vendlindjen pjesë të së tërës, jo vetëm si gjeografi, por edhe si kulturë e psikologji. Kujtoj, që në një kuvend me tërbaçiotë, aty para 8 vjetësh, (saktësisht më 20.12.2015, në Kuvendin IV të shoqatës Kulturore – Atdhetare “Tërbaçi”), në thelb, jam shprehur si më poshtë:
“Të gjithë kemi vend në Tërbaç dhe Tërbaçi është gjëja më e shtrenjtë për ne. Na ka dhënë shumë. Të paktën t’i falim dashuri. Jo mllefe, jo urrejte e karshillëqe. Përndryshe, na qërtojnë të parët. Vrëhet Laze Malua, pikëllohet Xhebro Gjika, helmohet keq Hysni Kapua, tronditet në shpirt Arshi Imeri e heq në zemër Arif Haskua! Për hir të Tërbaçit që na ka prurë deri këtu, për jetën dhe dinjitetin tonë vlen shumë ta mbajmë standardin etiko-moral dhe nivelin e jetës së gjallë atdhetare – kulturore të shoqërisë sonë e stafetës së brezave, duke ruajtur thesarin e madh e të veçantë – unitetin me shoshoq, sepse patëm dhe të kemi lajtmotiv: “Rrënja është Tërbaçi”. Arshi Imeri e kishte të qartë këtë si kjo dritë diellit, sepse ishte kapitali i çmuar, ruajtur e trashëguar nga të parët.
Për ne, bijtë e bijat e Shqiponjës në gjoks të Tranajoit e karshi Çikës, atje sipër, në Tërbaç, secili e di vendin e vet dhe e gjen natyrshëm atë. Të gjithë jemi bijtë e bijat e tij. Duhet ta ketë unitetin unazë flori jo në gisht, po në zemër, në tru, në shpirt, që dhe xha Arshiu të prehet më i qetë.
Sa qartë e në mënyrë lakonike e thoshte Xhebro Gjika, atë që të parët ia kishin prurë si stafetë morale tipike tërbaçiote: “Çoku ngjante më të rrallë/ gabonte ndonjë njeri;/ e keshëm zakon të vendit/ s’ e jepnim në qeveri./ Besa – bes’ e burr ‘ i burrit/ ia bënim gjyqin aty…”.
Më falni që u zgjata pak dhe dola nga korniza e diskutimit shabllon, por gjykoj se duhet t’ia themi njëri-tjetrit në sy ç’kemi, që të jemi një trup shoqëror e vëllazëror i shëndetshëm.
Më vijnë ndër mend këto fjalë të antropologut kanadez Pierre Falardeau [Falardo] (28.12.1946-25.09.2009) ndërkohë regjisor, skenarist e shkrimtar i njohur që ka lënë këto gjurmë pas: “Më kanë mësuar: Që përshëndetja është edukatë dhe është gjithashtu edukatë ta kthesh përshëndetjen. Më kanë mësuar: Që në jetë mund të harrohen shumë gjëra përveç të mirës që të kanë bërë. Më kanë mësuar: Të eci me kokën lart pasi askush nuk është aq i rëndësishëm që të më ul shikimin”. Dhe sentenca e tij: “Në qoftë se ti shtrihesh, ata do të shkelin me këmbë përsipër. Nëse ti qëndron në këmbë dhe reziston, ata do të urrejnë, por do të thërrasin “zotëri”.
Filozofi Emanuel Kanti ka një sentencë aq lakonike: “Mosmirënjohja është kuitesenca e poshtërsisë”. Ndërsa dimë që Mirënjohja është virtyt i lartë njerëzor. Ne, tërbaçiotët e kemi në gjak e në frymë mirënjohjen.
Mirënjohje Arshi Imeri për ç’na le!
Mirënjohje Ali Barjamaj për ç’na dhe!
Vlorë, e martë, 07.01.2023
*Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë