Shpërthimet e shumëfishta në kisha dhe hotele të dielën e pashkëve në Sri Lankë, shkaktuan 290 të vrarë dhe 500 të plagosur, duke shënuar një nga ngjarjet më të dhunshme në atë vend në dhjetë vitet e fundit.
Gjashtë shpërthimet e para, që filluan në mëngjesin e së dielës, ishin të bashkërenduara dhe shkaktuan numrin më të madh të viktimave, ndërsa dy shpërthime më të vogla ndodhën disa orë më vonë.
Në shënjestër ishin turistët dhe besimtarët që po merrnin pjesë në lutjet e Pashkëve në kishat e tre qyteteve.
Më vonë zyrtarët thanë se një mjet shpërthyes u çmontua në afërsi të aeroportit kryesor të Kolombos.
Shpërthimet tronditën ishullin që ishte në një paqe relative që nga përfundimi i luftës civile dhjetë vjet më parë.
Trembëdhjetë veta janë arrestuar në lidhje me sulmet, për të cilat ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë.
Kryeministri i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, pranoi para gazetarëve të dielën se qeveria kishte njohuri për sulme të mundshme. “Informatat ishin aty”, tha ai, por nuk ishte në gjendje të thotë, “përse nuk u morën masa të duhura parandaluese”.
Rreth 30 të huaj, përfshirë amerikanë, britanikë, indianë, turq, japonezë, kinezë dhe portugezë, janë në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve. Të shtrira në Oqeanin Indian, plazhet me rërë të bardhë të Sri Lankës, janë të njohura për turistët që vizitojnë Azinë Jugore.
Autoritetet shpallën shtetrrethimin gjatë natës së të dielës, ndërsa e hoqën atë të hënën. Sri Lanka bllokoi qasjen në rrjetet sociale përfshirë Facebook-un dhe WhatsApp-in, në një përpjekje për të penguar vërshimin e “dezinformatave dhe thashethemeve”. Shkollat janë mbyllur deri të martën dhe policia u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi.
Pas përhapjes së thashethemet për sulme të reja të mundshme, kryeministri Ranil Wickremesinghe u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të “fortë dhe të bashkuar”. Duke i dënuar “sulmet qyqare”, ai bëri thirrje që të shmangen raportimet e pavërtetuara dhe spekulimet. Qeveria po ndërmerr veprimet për të kontrolluar situatën”, shkroi ai.
Ministri i Mbrojtjes, Ruwan Wijewardene, akuzoi ekstremistët për sulmet.
Presidenti, Maithripala Sirisena, tha se ka urdhëruar një forcë të posaçme të policisë dhe ushtrisë që të hetojë se kush qëndron pas sulmeve.
Të krishterët përbëjnë 7.5 për qind të popullsisë së dominuar nga budistët të kombit 21 milionësh.
Sri Lanka kishte përjetuar gati një çerek shekulli të dhunës e sulmeve terroriste gjate luftës së përgjakshme civile të udhëhequr nga guerilët që e quanin veten ‘tigrat tamilë’, një grup që luftonte për pavarësinë e atij komuniteti. Por kryengritja mori fund në vitin 2009.
Që nga ajo kohë vendi përjetoi një formë të jo qëndrueshmërisë politike, incidente sporadike të dhunës fetare e etnike, por nuk pati ndonjë akt të tillë dhune si ai që dërmoi qetësinë e vendit të dielën.
Dhuna e së dielës u dënua gjerësisht nga udhëheqës në mbarë botën. Kryeministri indian Narendra Modi, tha se “nuk ka vend për barbarizëm të tillë në rajonin tonë”.
Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se udhëheqësi i Kombeve të Bashkuara është “i tronditur nga sulmet terroriste” në “një ditë të shenjtë për të krishterët në mbarë botën”.
Gjatë meshës tradicionale të Pashkëve në Romë, Papa Françesku dënoi sulmet duke ngushëlluar “viktimat e një dhune mizore”.
Gjatë një interviste ne një rrjet televiziv lokal, arqipeshkvi i Kolombos, Malcolm Ranjith, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë. Ai u bëri thirrje autoriteteve që të kryejnë një hetim të paanshëm dhe të dënojnë “pa mëshirë” përgjegjësit, sepse “vetëm kafshët mund të sillen asisoj”. za
Komentet