Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti, në bashkëpunim me ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando dhe me mbështetje të komandantit të KFOR-it Michele Risi, kanë arritur marrëveshje për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Marrëveshja është thënë të jetë rezultat i diskutimeve për disa muaj mes Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.
Lidhur me këtë çështje, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë përmes një komunikate se marrëveshja përfshin zhvillimin e një rruge ndërkombëtare në kufijtë e Zonës së Veçantë të Mbrojtur dhe një rruge brenda kësaj Zone.
Sipas BE-së, “kjo marrëveshje synon të nxisë marrëdhëniet mes komuniteteve përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe rritjes së zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit”.
Marrëveshjen e ka komentuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka konsideruar se bllokada e deritashme për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, ka qenë e paqëndrueshme.
Në gusht të këtij vitit, autoritetet në Kosovë janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.
Pezullimin e punimeve e patën kërkuar edhe autoritetet në Serbi.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.
Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.
Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitetet të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.
Komentet