Moskë
Ivan Safronov, këshilltari i kreut të Agjencisë Federale të Hapësirës së Rusisë, (Roscosmos) Dmitry Rogozin, është arrestuar me akuzën për “tradhti ndaj atdheut”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Shërbimi i Sigurisë Federale (FSB) të Rusisë thuhet se ish-gazetari Safronov është arrestuar me akuzën se u ka përcjellë njësive të shërbimit të inteligjencës së NATO-s, sekrete shtetërore në fushën ushtarake-teknike.
Rogozin në një deklaratë për agjencinë ruse të lajmeve TASS tha se Safronov nuk ka pasur qasje në informacionet e fshehta lidhur me institucionin gjatë periudhës së detyrës të tij në Roscosmos.
Gjatë viteve 2010-2019, Safronov ka punuar në gazetën Kommersant ku ai ka përgatitur lajme për gazetën lidhur me çështje ushtarake-teknike dhe industrinë e mbrojtjes.
Autoritetet ruse, vitin e kaluar ngritën padi ndaj Safronov-it me arsyetimin se “ka zbuluar sekret shtetëror” për shkak të lajmit të tij për dorëzimin e avionëve rus Su-35 për Egjiptin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një deklaratë lidhur me çështjen mbrojti idenë e tij se Safronov nuk është arrestuar për shkak të aktiviteteve të tij të gazetarisë.
Komentet