Në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
Arrestimi i Ymerit ka lidhje me rastin e deputetit Bekim Haxhiu, Kamishit.
Sipas policisë së Kosovës Ymeri është shoqëruar në Gjykatë. “Policia e ka shoqëruar atë deri në gjykatë, pasi ka pasë urdhëresë të tillë”ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse për rajonin e Prishtinës.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryetari i saj Visar Ymeri është arrestuar sot rreth orës 09:00.
Kjo sipas VV-së vjen si rezultat i dështimit të Qeverisë në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, dhe përmes drejtësisë që e ka kapur, ka riaktualizuar raste të para shumë viteve, vetëm sa për të shtypur kundërshtarët politikë.
Ajo thotë se në mungesë të çdo legjitimiteti, pushteti po synon të qeveris duke montuar raste dhe duke burgosur opozitën.
“I ndeshur me pakënaqësinë më të madhe qytetare që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë, ky pushtet, në vend që të reflektojë e t’i kthehet popullit, po e shndërron veten në regjim policor totalitar, që shtyp pakënaqësinë”, thuhet në postimin e VV-së.
Më tutje thuhet: “Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj dhe ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha rasteve gjyqësore politike dhe të montuara, kundër aktivistëve të saj”.
Koha Ditore raporton se lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri është shoqëruar nga policia për seancën gjyqësore me rastin e përleshjes me Bekim Haxhiun, i njohur si Kamishi.
Komentet