Pak ditë më parë, në media u publikua një video e cila tregonte se si një studente e cila nuk kishte aspak njohuri për gjuhën angleze, pajiset me certifikatë nga një qendër kursesh, kundrejt një pagese në euro.
E përfshirë në këtë skandal rezulton edhe sekretarja e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, e cila është arrestuar sot nga efektivët e Policisë.
“Majlinda Tafaj, 40 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion sekretare pranë Fakultetit të Shkencave Sociale Tiranë” u arrestua thuhet në njoftimin zyrtar i cili sqaron se ndalimi i kësaj shtetaseje është bërë pasi në datë 10.05.2016 në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan janë transmetuar pamje filmike (audio-video) të rregjistruar në ambjentet e qendrës ”International Studies Insitute” në Tiranë ku një shtetase që nuk ka fare njohuri në gjuhën Angleze, nëpërmjet ndihmës së asistenteve dhe pedagogëve kundrejtë pagesës, realizon testin dhe në fund siguron çertifikatën e njohjes së gjuhës Angleze që përdoret si kriter pranimi në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet për arsimin e lartë.
Rezulton, se personat e përfshirë në veprime të jashtëligjshme, korruptive janë shtetasit:
– L.M” me detyrë administrator i qendrës “Esol Examinations BULATS” – Majlinda Tafaj me detyrë sekretare mësimore në Fakultetin e Shkencave Sociale Tiranë.
Sot, Tafaj është kapur në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas në përpjekje për t’u larguar jashtë vendit.
Por pasi ëhstë marrë në pyetje, ajo ka vetëdeklaruar se ka bashkëpunuar me shtetasin L.M. i cili është shpallur në kërkim, dhe ka marrë prej tij vlera monetare (Euro) si shpërblim, përfitim personal për studentë që i ka rekomanduar dhe janë pajisur me çertifikatë të “Esol Examinations BULATS”.
Po punohet për identifikimin e bashkëpuntorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet praoceduriale janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv në sektorin privat” parashikuar nga nenit 248-25 dhe 164/b të Kodit Penal.
Komentet