Policia e Kosovës tha se arrestoi një pjesëtar të komunitetit serb në veriun e vendir nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj policisë dhe pronës së qytetarëve në zonë, duke nxitur reagimin e zemëruar të përfaqësuesve politikë serbë dhe të Beogradit.
Policia tha se i arrestuari i lindur në vitin 1987, dyshohet për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy pjesëtarëve të saj.
Në njoftimin e policisë thuhet se kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Ai është i dyshuar edhe për djegien e disa makinave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat kishin targa të Republikës së Kosovës. Gjatë tri ditëve të fundit të paktën 8 makina me targa të Kosovës, pronë e pjesëtarëve të komunitetit serb, janë djegur në veriun e vendit.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal”.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi, e cilësoi arrestimin “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi reagime nëse nuk lirohet i arrestuari.
“Për ta sqaruar, kjo nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në një deklaratë të kësaj liste.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti “po krijon një krizë të re”.
“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë të mundshme, përmes forcave të tij, të shkaktojë tensione në veri të Kosovës, për të nxitur reagimin e serbëve, të cilët më pas do t’i akuzonte për përshkallëzimin potencial të situatës në terren, vetëm për të shmangur detyrimet nga Ohri sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një reagim të kësaj zyre e cila nuk ka komentuar djegien e makinave në veri.
Ky është rasti i parë i arrestimit në lidhje me djegien e makinave, që nuk ishin të rralla edhe gjatë vitit të kaluar mes tensioneve në veriun e Kosovës lidhur me përdorimin e targave të makinave.
Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës nuk u pajtuan me vendimin e qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia të ri regjistrohen dhe të marrin targa me shenjën RKS.
Me 23 nëntor shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se u arrit pajtimi që “Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me ri regjistrimin e makinave”.
Bashkimi Evropian tha se sipas pajtimit të arritur ne Bruksel, se Kosova duhet të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe “të mbajë status quo-në derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja me shkurtesën KM”.
Djegiet e fundit u dënuan edhe nga diplomatët perëndimorë në Prishtinë të cilët bënë thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.
Kosova dhe Serbia pritet të takohen gjatë muajit prill në Bruksel në nivel kryenegociatorësh e më pas edhe të udhëheqësve politik për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Më 18 mars në Ohër, udhëheqësit e të dyja vendeve u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.