Forcat e Sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit mbrëmë kanë vënë në pranga vëllain dhe nipin e ish-shefit të Kundërzbulimit të SHISH-it, Isa Çopës, i cili u gjet i djegur brenda makinës së tij “Opel Korsa” më 24 tetor të vitit 2011.
Mësohet se Halit Çopa dhe djali 20-vjeçar i këtij të fundit u arrestuan në banesën e tyre. 50-vjeçari akuzohet për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, ndërsa i biri për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, pasi i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 500 gr drogë.
Rreth orës 22:00, policia ka shkuar për kontroll në banesën e familjes Çopa, në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar si dhe për të ndaluar djalin e kësaj familjeje. Menjëherë ka reaguar kryefamiljari, Halit Çopa, i cili u ka thënë policëve nëse kishin mandat kontrolli dhe përse po e shqetësonin në orët e natës. Pas kundërshtimit, blutë i kanë vënë prangat 50-vjeçarit dhe e kanë çuar në komisariat bashkë me të birin.
Ndërkaq, pjesëtarë të familjes Çopa deklaruan se policia ka dhunuar e rrahur djalin në sy të tyre. Nga ana tjetër, blutë janë treguar të rezervuar në dhënien e informacionit në lidhje me arrestimin e vëllait dhe nipit të Isa Çopës, vrasja e të cilit ka mbetur në kufijtë e misterit. Ndonëse kanë kaluar 5 vjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Currilave në Durrës, ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve të krimit. Aktualisht dosja “Çopa” është në arkivën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. /GSH/
Ekspertët gjermanë: Zv/drejtori i SHISH-it, Çopa është vrarë – Shekulli Online
Flamur Vezaj
-Isa Çopa, babai i një djali, ish-efektivi i policisë, prej 11 vitesh agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror pranë zyrës së kundër¬spiunazhi dhe në fund zv/drej¬tor i SHISH në Durrës, është vrarë. Ky është konkluzioni i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore dhe labora¬torëve shkencore të shtetit gjer¬man, të cilët kanë sjellë raportin për shkakun e vdekjes së ish-drejtorit Çopa më 24 tetor 2011 në Durrës. Sipas ekspertëve, Çopës fillimisht i është prerë gjuha, më pas është goditur në kokë me sende të forta dhe në gërhamat e fundit të jetës është vendosur në makinë të cilës i kanë vënë flakën.
Raporti
Vdekja e mistershme e zv/drejtorit të SHISH-it në Durrës, njëherazi shefi i kundërzbulimit për të huajt në këtë qytet, tashmë ka marrë një përgjigje nga ekspertët e gjermanë përpos atyre shqiptarë. Sipas ra¬portit disa faqesh të përpiluar në gjuhën gjermane dhe që është përk¬thyer pranë Ministrisë së Drejtësisë e që tashmë ndodhet në duart e prokurorëve Sokol Nishani dhe En¬kelejda Xhengo, zv/drejtori i SHISH-it është vrarë dhe jo vetëvrarë. “Nga kryerja e analizave laboratorike në shtetin gjerman, është arritur në konkluzion se Isa Çopa është dhunu¬ar fillimisht, është goditur disa herë në kokë me sende të forta, çka i kanë shkaktuar thyerje të kafkës dhe dëmtime të trurit. Më pas men¬dohet se në gjendje asfiksie është vendosur në sediljen e pasme të makinës së tij të llojit “Opel Cor¬sa”. Makina nga brenda dhe jashtë është spërkatur me benzinë dhe më pas i është vënë flaka. Viktima edhe pse i goditur në kokë dhe me dëm-time të mëdha në kafkë, ka vazhdu¬ar të marrë frymë edhe në kohën që makina po digjej.
Hetimi
Sipas burimeve pranë institucionit të akuzës, për gjurmimin e çështjes përveç efektivëve të policisë së Durrësit janë angazhuar edhe kolegë të viktimës Çopa, të cilët nën drejtimin e dy prokurorëve të çështjes, janë përqendruar në dy pista hetimore: Atë për shkak të punës si zv/drejtor i SHISH-it dhe shefi i kundërzbulimit dhe dyshimeve për ndonjë lidhje jashtë martese. “Kemi kryer një sërë veprimesh hetimore dhe kemi arritur në fazën e vendimmarrjes. Shumë shpejt do të bëhet një analizë e përgjithshme e kësaj dosjeje dhe më pas do të vendoset për drejtimin që do të marrë çështja”, – thuhet nga burimet e akuzës në Durrës. Sipas hetimeve të kryera, trupi i pajetë i oficerit të kundërzbulimit në drejtorinë e SHISH-it në Durrës, u gjet mesnatën e 24 tetorit 2011, në rrugën pranë ish-repartit ushtarak të Currilave. Hetuesit zbuluan se makina e oficerit, tip “Opel Corsa”, është spërkatur me benzinë dhe i është vënë flaka. Për pasojë, viktima ishte shkrumbuar tërësisht.
Isa Çopës fillimisht i është prerë gjuha, më pas është goditur në kokë me sende të forta dhe kur ka qenë ende gjallë është vendosur në makinë, së cilës i kanë vënë flakën dhe e kanë djegur
Çopa është goditur jashtë makinës
Sipas ekspertëve të policisë dhe prokurorisë, Isa Çopa është goditur në kokë me sende të forta jashtë makinës dhe më pas është vendosur në sediljen e pasme të makinës së tij, të cilës i është vënë zjarri. “Nga këqyrja e makinës pas djegies, ekzaminimin patologjik të trupit të viktimës dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes, është konstatuar se pas kokës i ndjeri Çopa ka dëmtime të kafkës me një gjerësi të theksuar. Plagë kjo që shkaktohet vetëm pas goditjes me sende të forta, që mund të jetë shkop bejsbolli apo një dru apo hekur paksa i gjerë. Ndërkaq, dyshimi që i ndjeri mund të jetë goditur në një vend tjetër dhe jo në vendin ku u gjet i djegur, është krijuar pasi nuk mund të dëmtohet kafka në atë mënyrë nga e goditura pas koke me një distancë të afërt, siç mund të ketë qenë personi në sediljen e pasme”-thanë burimet e policisë. Sipas tyre, nuk ka mundësi që personi që mund të ketë qenë i ulur në sediljen e pasme të makinës së Çopës, të hapte krahun për të qëlluar aq fort në kokë të ndjerin nga një distancë kaq e afërt, pasi edhe hapësira në sediljen e pasme është e vogël për shkak të llojit të makinës “Opel Corsa” me tek derë.
Mesazhi i Çopës nuk u shkrua nga viktima
Hetuesit e policisë, gjithashtu, gjatë këqyrjes dhe krahasimit të mesazheve telefonike të shkruara nga i ndjeri Isa Çopa para vdekjes me mesazhin që i është dërguar djalit të tij, kanë konstatuar mos përputhje në mënyrën e zbatimit të gramatikës së drejtshkrimit. Sipas tyre, mesazhet që Çopa ka shkëmbyer me personat e familjes dhe shokët para vdekjes, janë të ndryshëm me atë të dërguar drejt djalit. Mesazhi i nisur në telefonin e djalit nuk ka asnjë gabim drejtshkrimor, çka në mesazhet e tjera që Çopa ka nisur para kësaj ngjarje konstatohen gabime dhe shkurtime të fjalive. Kjo ka bërë që prokuroria të ngrejë dyshime se mesazhi nuk është shkruar nga vetë ai po nga “vrasësi” që donte ta bënte të besueshme vetëvrasjen e zv/drejtorit të SHISH-it.
Familja: Të gjendet autori
Kohë më parë, gjatë prononcimeve në media të familjarëve të ish-drejtorit të SHISH-it, Isa Çopa, ata kanë kërkuar gjetjen dhe dënimin e autorëve të kësaj vrasje makabre. Ashtu si i vëllai edhe bashkëshortja, kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen para përgjegjësisë të vrasësve.
Roja pikasi makinën që po digjej
Sipas hetimeve të kryera, trupi i pajetë i oficerit të kundërzbulimit në drejtorinë e SHISH-it në Durrës, u gjet mesnatën e 24 tetorit 2011-të, në rrugën pranë ish-repartit ushtarak të Currilave. Hetuesit me ndihmën e një telefonate nga një roje objekti, zbuluan se makina e oficerit, tip “Opel Corsa”, është spërkatur me benzinë dhe i është vënë flaka teksa ndodhej brenda Isa Çopa.
Zhduket djali i shefit të SHISH-it
Që nga data 30 nëntor 2012, familja e Skënder Çelës, njëherazi zv/drejtor i antiterrorit pranë drejtorisë së SHISH-it në Tiranë, ka humbur kontaktin me djalin e tij 10-vjeçar. Ende edhe sot nuk dihet vendndodhja e djalit Julian Çela. Është i çuditshëm fakti i zhdukjes së djalit të shefit të antiterrorit në SHISH, pasi vetë familjarët shprehen se djali ka qenë i shkathët dhe nuk ka pasur probleme në familje.
Ish-shefi i Çopës, qëllohet me dy plumba
Eduard Daka, ish-drejtor i SHISH-it në Durrës dhe shefi i të ndjerit Isa Çopa, 12 muaj pas vrasjes së këtij të fundit, është qëlluar me dy plumba në kurriz, duke plagosur dhe sjellë pasoja për jetën. Ka qenë mbrëmja e 20 shtatorit 2012 kur në hyrje të pallatit të tij, është qëlluar me dy plumba pas kurrizit.
Komentet