Policia turke e ka zënë të premten Dritan Rexhepin – me origjinë nga Shqipëria – të kërkuar për kontrabandim të drogës, kanë thënë autoritetet në Turqi.
Sipas Turqisë, ky individ ka qenë në listën e Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).
“Dritan Rexhepi, lider i kartelit të drogës ‘Kompanio Bello’, që eksporton drogë prej Amerikës Jugore në Evropë, është arrestuar”, ka thënë ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, në rrjetin social X – të njohur më parë si Twitter.
Ai ka thënë se shteti i Turqisë është i përkushtuar për ta pastruar vendin prej grupeve kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe prej “trafikantëve helmues”.
Mediat turke kanë raportuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi përmes aeroportit të Stambollit me një pasaportë kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Sipas tyre, ai është zënë edhe falë shkëmbimit të informacioneve me Policinë italiane.
Rexhepi është raportuar se u ka ikur burgjeve në Shqipëri, Itali, Belgjikë dhe së fundi Ekuador.
Ai është i dënuar në mungesë për vrasje, trafikim drogë dhe plaçkitje të armatosur.
Rrjeti Kompanio Bello konsiderohet lojtar i madh në kontrabandim të drogës prej Amerikës Jugore për në Evropë.rel