Prokuroria e Posaçme i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve deputetit në Parlamentin e Kosovës, Milaim Zeka. Deputeti Zeka dyshohet për vepër penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal dhe shmangie nga tatimi.
Lajmin për Zërin e Amerikës e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.
“M.Z është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shmangia nga tatimi. M.Z dyshohet se me këto veprime është i përfshirë në grupin e organizuar kriminal në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani”, tha zëdhënësi Lutfiu.
Më herët gjatë ditës, policia e Kosovës tha se ka intervistuar deputetin e Parlamentit të Kosovës nga radhët e Nismës, Milaim Zeka.
Në një deklaratë të policisë thuhet se “Policia ka intervistuar personin me inicialet M.Z. lidhur me veprën penale që ndërlidhet me mashtrim dhe shmangie nga tatimi”, duke nënvizuar se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkërendim me prokurorinë përgjegjëse.
Ndalimi dhe marrja në pyetje e deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka pasoi publikimin e disa raporteve hulumtuese në gazetën në internet “Insajderi”, e cila shkroi për siç thuhet, përfshirjen e deputetit Zeka në një skemë mashtrimi të mbi 900 qytetarëve të Kosovës me viza pune në Gjermani. Sipas hulumtimit të gazetës, qytetarët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune.
Komentet