Në kuadër të një operacioni nga Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, policia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës për mbi 8 orë kanë kryer bastisje në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe më pas e kanë arrestuar atë, raporton Anadolu Agency (AA).
Bastisja e shtëpisë së Krasniqit, si dhe më pas arrestimi i tij ndodhi pasi siç tha avokati i tij, Valon Hasani, “aktakuza ndaj tij është konfirmuar” nga ana e Gjyaktës Speciale.
“Sot Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit i cili është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuara është bërë arrestimi i zotëri Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan se është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet që shumë shpejtë të caktohet seanca para Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.
Sipas avokatit të Krasniqit, urdhërarresti dhe bastisja nuk janë paralajmëruar më herët.
“Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, por janë në kuadrin e veprave të cilat bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.
Përpos në Prishtinë, pjesëtarë të EULEX-it kanë bastisur edhe shtëpinë e familjes Krasniqi e cila ndodhet në vendlindjen e tij në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë ditës njoftoi se “aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë”, pa specifikuar lokacione.
“Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së, e cila shton se më shumë informacione do të jepen më vonë.
Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas luftës ai ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe më pas ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht, ai është kryetar i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate dhe nuk mbanë ndonjë detyrë shtetërore.
Komentet