Policia ka arrestuar të dielën të dyshuarin në lidhje me vrasjen makabre të dy turistëve çekë Michal Svato dhe Anna Kosinova. Sokol Fran Mjacaj u arrestua pasi 350 forca policie dhe FNSH-je rrethuan një zonë në fshatin Grudë në Dukagjin, aty ku fshihej 20-vjeçari i armatosur.
Sokol Mjacaj është një person me të kaluar kriminale dhe i dalë nga burgu me një dënim minimal dhe pse kishte marrë pjesë në vrasjen e një 11-vjeçari për t’i grabitur një varëse floriri, njofton Top Channel. Më 12 shtator të vitit 2010, Sokol Mjacaj dhe dy shokët e tij, Besnik Kodra dhe Edmond Kodra, e mbysin me sende të forta dhe më pas e hedhin në lumë në fshatin Pjollë të Dukagjinit 11-vjeçarin, Agim Lera.
Krimi i shëmtuar u mundua të kamuflohej si një vdekje aksidentale e 11-vjeçarit, por policia arriti të zbulojë se personat në fjalë e kishin vrarë 11-vjeçarin për t’i marrë një varëse floriri që fëmija e mbante në dorë.
Pas arrestimit, gjykata dënon për këtë ngjarje Besnik Kodrën me burgim të përjetshëm, Edmond Kodrën me 11 vite burg dhe Sokol Mjacajn me 10 vite burg. Sokol Mjacaj apeloi dënimin dhe nga 10 vite burg, gjykata ia ul në katrë vite. Një vit më parë, Sokol Mjacaj doli nga burgu duke iu rikthyer sërish botës së krimit me një ngjarje të shëmtuar, duke vrarë dy tursitë të pafajshëm.
Gjithashtu, dyshimet janë se personi mund të ketë qenë dhe pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan helikopterin e policisë një vit më parë në Pult të Dukagjinit, gjatë operacionit antikanabis. Madje, ka dyshime se autorët ose autori është pjesë e personave që ruajnë parcela kanabisi në zonat e thella të Dukagjinit.
Policia zhvilloi një operacion të gjërë për kapjen e autorit, i cili u mbajt i rrethuar për disa orë në zonën e fshatit Grudë e Re, rreth 5 kilometër në dalje të qytetit të Shkodrës. Policia bëri të ditur se autori paraqiste rrezikshmëri të lartë dhe, për këtë arsye, i bëri thirrje banorëve të zonës të mos i ofrojnë strehim dhe të kontribojnë në kapjen e tij.
Sipas policisë, autorësia e vrasjeve është vertetuar shkencërisht nga provat e zbuluara në vendin e ngjarjes, përfshirë gjurmët daktiloskopike të gjetura në brendësi të mjetit ku u vranë turistët.
Ekspertët e policisë, prokurorisë dhe mjeksisë ligjore kishin analizuar provat e zbuluara në vendin e ngjarjes, në hyrje të fshatit Prekal, rreth 19 kilometër larg qytetit të Shkodrës. Mes objekteve të analizuara janë arma atomatike që kreu vrasjen dhe që u gjet në brendësi të makinës, gëzhojat, shenjat e gishtrinjve si dhe njollat e gjakut. Deri tani, policia ka konfirmuar faktin se, dy turistët çekë u vranë brenda makinës së tyre nga përsoni i tretë, i cili po udhëtonte bashkë me ta. 27 vjeçari Michael Svatos është goditur me dy plumba pas kokës dhe disa të tjerë në trup, ndërsa shoqja e tij ka një plagë pas kokës, shkaktuar nga goditja e një plumbi.
Vrasja e dy të rinjve, turistë nga Çekia, në zonën malore të Shkodrës ka ngjallur reagimin e mjaft qytetarëve në qytetin verior, të cilët zhvilluan një procesion në rrugën kryesore të qytetit duke mbajtur në duar qirinj të ndezur, portretet e të rinjve të vrarë si dhe flamurin e Republikës Çeke. Duke shprehur dhëmbjen për jetët e humbura, qytetarët e Shkdorës u shprehën se akti kriminal nuk ka asgjë të përbashkët me mikpritjen shqiptare dhe, në veçanti, të zonës malore ku banorët vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm traditën e mikpritjes dhe respektit për mikun.
Komentet