Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje Boiken Abazi, është arrestuar nga policia e Kosovës rreth orës 13:30. Sipas kësaj partie, ai është arrestuar nga policë civilë në një lokal afër selisë së partisë.
“Edhe ky arrestim është bërë prej njerëzve pa uniformë, pa treguar fletarrest apo ndonjë urdhër zyrtar, edhe pse Boiken Abazi ka kërkuar të shohë ndonjë dokument prej policëve”, thuhet në deklaratë.
Abazi është nga Shqipëria dhe bashkë me disa të tjerë punojnë për Vetëvendosjen.
“Këto arrestime të cilat më shumë i ngjajnë kidnapimeve janë pjesë e një fushate të koordinuar të pushtetit për të mbjellë terror e frikë në popull, e sidomos tek mbështetësit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe për të ndalur aktivitetin e subjektit më të madh opozitar. Policia është kthyer tërësisht në mjet të regjimit. Policët po zbatojnë urdhra të padrejta, e sot nuk janë më shërbëtorë të ligjit, por shërbëtorë të forcës”, thuhet më tej në njoftim të VV-së./KosovaPress/
Komentet