“Shpikja e parë ligjore e SPAK: Pas 3 viteve hetim, vazhdojmë prapë të kemi një person në hetim ose disa persona në hetim, tashmë dhe me masa sigurie!!!”
“E dyta, ligji nuk parashikon marrjen e masave të sigurisë për persona nën hetim!”
Av. Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, ka reaguar pas vendimit të GJKKO për t’i hequr lirinë, liderit të opozitës Sali Berisha. Në një prononcim për SYRI TV, Manjani i pyetur në ishte i pritshëm vendimi i sotëm, tha:
“Sigurisht që po, nuk e bënë kot, nuke bënë gjithë këtë teatër. E gjitha kjo është pjesë e asaj që e kemi thënë dhe stërthënë jo vetëm unë, por shumica e komentuesve publikë, edhe ata që e shajnë Berishën, këtë kanë thënë që është një lojë… një gjykim i merituar në kuptimin politik të fjalës, pra, Berisha meriton një gjykim politik, kështu që ai ka filluar gjykimin politik.”
“Sigurisht që kjo është një çështje, fund e krye, pjesë e një axhende politike, nuk ka lidhje me drejtësinë.
Megjithatë, unë mund t’ju bëj shkurtimisht një përmbledhje të standardeve të dhunuara, juridike, flas gjithmonë juridike apo ligjore, sepse duhet t’i bëjmë këto, pavarësisht se e dimë që është politike. Por, mirë është të kuptojmë se ku është shkelur ligji.
Së pari, duhet të kuptojmë një gjë që pas tri viteve hetime, përsëri SPAK vazhdon hetimet. Në këtë kuptim, ligjërisht është një gjë e paqartë. Pas tri viteve punë hetimore, SPAK duhet të kishte, cilido prokuror, aq më tepër prokurori i SPAK, që supozohet se është ajka e shërbimit të prokurorisë, duhet të dilte në një konkluzion: Ose personi merret i pandehur dhe çohet në gjykim me prova dhe fakte, ose çështja mbyllet. Rrugë të tretë nuk ka. Domethënë, kjo është një rrugë e tretë që e ka shpikur SPAK-u.
Ideja që pas tri vitesh hetime, po bëj hetim prapë, por tashmë po marr masa sigurie, është një shpikje juridike, është një racionalizim juridik nga ato që në kohën e shokut Enver mund të merrje gradën “Mjeshtër i kategorisë VII”. Mund ta merrte kategorinë cilido prokuror po të ishte në kohën e Enver Hoxhës. Në këtë kuptim, kjo është shpikja e parë ligjore. ”
E dyta: në të gjitha kuptimet e ligjit të shkruar, përfshirë edhe vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, edhe këtu jam gati të bëj debat me cilindo koleg, avokat ose jo avokat, ligji nuk parashikon marrjen e masave të sigurisë për persona nën hetim! Ligji parashikon marrjen e masave të sigurisë – veçanërisht arresti lidhet gjithmonë me persona që kanë një akuzë në kurriz. Një akuzë që bazohet në prova.
Që t’jua shpjegoj: për të ngritur prokurori, akuzë, duhet të thotë që është bindur, ka prova bindëse të mjaftueshme për ta akuzuar dikë për një vepër penale. Në çastin që flasim, asnjë nga personat e kësaj çështjeje nuk ka një akuzë. Vazhdojnë të jenë persona nën hetim, megjithëse ka tri vjet që hetohen.
Duke e pasur personin ende jo të pandehur, atëherë si të shkon mendja të marrësh masë sigurie?! Sepse ligji thotë, kur ti merr vendimin e arrestit, ka një kriter bazik që e ndaj personin nën hetim nga i pandehuri dhe kjo është “prova”.
Në qoftë se prokurori ka prova, duhet t’i marrë të pandehur dhe pastaj mund të kërkojë masën e sigurisë. Prokurori nuk e ka bërë këtë gjë. Prokurori vazhdon t’i ketë në statusin e personit nën hetim. Për pasojë, e thënë thjesht, Gjykata e Posaçme siç në fakt gjithë trupa gjyqësore e Shqipërisë së sotme e pasreformuar, bën të njejtën gafë juridike me pasojë shumë të rëndë për liritë dhe të drejtat themelore të individit tashmë në kuptimin kushtetues të fjalës, marrin masa sigurie për persona nën hetim. Kjo është e paligjshme!”