Drejtori i Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit në Shqipëri, Ervin Muço, u vu në “arrest shtëpiak”, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin që regjistron hyrje-daljet e qytetarëve në pikat kufitare.
Prokuroria e Tiranës tha se ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak dhe të pezullimit të ushtrimit të detyrës, pasi po e heton për “hyrje të paautorizuar” në sistemin e njohur si TIMS.
Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar.
“Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, kur persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër joprezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jokorrekte dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Prokuroria e Tiranës.
Gjithashtu, hetimet e deritashme tregojnë se drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit është këshilltar i jashtëm i drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës – gjë të cilën Ligji për Policinë e Shtetit nuk e lejon.
Sipas Prokurorisë, Muço nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikuese për pozicionin e drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit.
Urdhri për arrestin shtëpiak vjen në kohën kur është ngritur një komision hetimor parlamentar për ndërhyrjet e dyshuara në të dhënat e sistemit TIMS. Komisioni është ngritur pas kërkesës së opozitës shqiptare.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti demokrat Ervin Salianji, tha se vënia në arrest shtëpiak e Muços “është rezultat i punës së këtij komisioni, si dhe i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës për këtë çështje”.Radio Evropa e Lirë