Don Zhuani joshës i femrave dhe Kazanova i joshur nga femrat, janë të dy figura mitike të shndërruar në legjenda. Si thekson Franko Kuomo në veprën “Elogio del libertino”, dhe pse janë dy sedutorët prootipë, duhet t’i njohim dallimet mes tyre, për të shmang keqinterpretimet. Kazanova i joshur, nuk është Don Zhuan joshës. Kazanova i dashuron femrat marrëzisht, i dashuron të gjitha gratë me të cilat krijon marrëdhënje, madje do të donte të martohej me të gjitha dhe t’i mbante përherë, sikur të mos e braktisnin njera pas tjetrës. Krejt ndryshe ndodh me Don Zhuanin, ai i përdor femrat pa i dashuruar, i përbuz dhe i braktis të gjitha, ndonëse asnjera nuk donte ta braktiste. Kështu Don Zhuani u shndërrua në mit, andaj për aventurat e tij kanë shkruar shumë, duke thurur plot legjenda. Don Zhuani e sfidoi Zotin, i shkeli normat morale dhe ligjet hyjnore, andaj ishte i destinuar të ndëshkohej rëndë për aventurat, si përfaqësues tipik i apollogjisë të libertinizmit si e prezanton mjeshtërisht Molieri (Jean-Baptiste Poquelin). Kazanona është figurë historike, që i ka dokumentuar qëndrimet dhe aventu-rat e tij në 26 vepra biografike. Don Zhuanit i interesonte të arkivonte numërin e marrëdhënieve me gratë (në Spanjë kishte 1003 dashnore), ndërsa për Kazanovën nuk kishte rëndësi numëri i dashnoreve, por sa orgazma kryente me një femër në një natë. Karahas aventurave dashurore dhe mashtrimeve, për Kazanovën mjaftuan disa qendrime patetike, që gjykata e Inkuizicionit ta mbylli në qelitë e errëta të burgut të Plumbit të Venecias.
Giacomo Girolamo Casanova (Xhiakomo Jeronim Kazanova), u lind në Venezia më 2 prill 1725 dhe vdiq më 4 qershor 1798, në kështjellën Dux të Bohemisë, aktualisht qyteti Duchov në Çeki. Fëmijërinë e kaloi në Calle della Commedia (Rrugica e Komedisë), lagje ngjitur me Calle degli Albanesi, madje në shkollën elementare kishte plotë shokë moshatarë albanezë.
Kazanova është i njohur botërisht si aventurier, shkrimtar, poet, përkthyes, shkencëtar, filozof, ekonomist, financier, jurist, alkimist, inxhinjer, matematicien, mashtrues, hileqar, kumarxhi, joshës femrash, qejfli i çthurur, masson, ezoterist dhe agjenti sekret i Republikës së Venecias. Sot duket një kuriozitet, por Kazanova është shpikësi i lojrave të “fatit”. Në vitin 1762, në takimin me ministrin francez të financave, Kazanova i prezantuar si ekspert i financave publike, i sugjeroi se mënyra më e mirë për të rritur të ardhurat në arkën e shtetit, duhet organizimi nga shteti i lojrave të fatit – bixhozit, që Ai e quajti lotto – llotaria, madje rregullat e llotarisë që ka përcaktuar Kazanova, zbatohen të pandryshuara dhe në ditët e sotme.
Xhiakomo (Gjokë) Jeronim Kazanova
Veper e Alessandro Longo (1774)
Kazanova u bë i famshëm në Europë me veprën “Histoire de ma vie – Historia e jetës time”, e shkruar në frëngjisht, që asi kohe ishte gjuha e elitës europiane. Kjo vepër autobiografike nuk është roman pornografik, por rrëfime me çiltërsi të aventurave magjepëse sentimentale, të udhëtimeve dhe takimeve me personalitetet e kohës dhe ne veçanti për takimet e shumta galante me femrat. Gjatë udhëtimeve nëpër Itali dhe në shumë shtete
Europiane, Kazanova ka takuar shumë personalitete të kohës si Jean Jacques Rousseau, Voltaire, Madame de Pompadour, Wolfgang Amadeus Mozart, Lorenzo da Ponte, Benjamin Franklin, Papën Benedikti XIV, Antoin François Prevost, Alessandro Kaliostro, Papën Klemente XIII, Katerinën II të Rusisë, Frederikun II të Prusisë, Pietro Metastasio, kontin Saint Germain, patricin Matteo Bragadin, senatorët Marko Barbaro, Marko Dandolo etj, etj. Gjatë kohës që punonte bibliotekar në kështjellën Dux në Bohemi, asistoi në premierën e operas Don Zhuani në Pragë (1787), si miku i Mozartit dhe i libretistit Lorenzo Da Ponte, madje Kazanova kishte dhënë kontribut me këshilla me shumë vlera për hartimin e libretit të operas.
Jeta e Kazanovës është dinamike dhe tepër aktive, me udhëtime e takime të shumta, ku ka shprehur aftësitë
e tij intelektuale për çdo aspekt; ishte talent i lindur për të tërhequr vemendjen e atyre që takonte dhe diskutonte,
duke i magjepsur bashkëbiseduesit me kulturën dhe gojtarinë, por i shquar dhe për aftësitë për të shmangur e për t’i shpëtuar andrallave dhe sherreve që krijonte. Kazanova ishte filozofi në veprim, që ka interpretuar mjeshtërisht Orazio në “Carpe diem – shfrytëzoje ditën” dhe “Squere Deum – ndiqe Zotin”, madje askush më mirë se Ai nuk i ka zbatuar këto parime, që nuk kanë vlera fetare, por shprehin besimin, që çdo njeri prej nesh ka në vetvete me atë “natyrën hyjnore”, që të udhëheq gjithmonë në rrugën më të mirë.
Në veprën “Histoire de ma vie” Kazanova shkruan: Lexuesi do të shikoi në këto kujtime, se në jetën time nuk kam pas asnjë qëllim të përcaktuar, i vetmi qëllim për mua ishte të takohem me sa më shumë personalitet dhe të bashkëbisedoj me ata, ishte pikërisht ky kriter që më çonte andej nga frynte era. Njeriu është i lirë, vetëm kur beson se është i lirë. Gabimet e mia dëshmojnë se arti i udhëtimeve në buzë të humnerave dhe pa rënë poshtë, bazohej në kurajon time për te ecur para në jetë dhe se forca pa besimin në vetvete është e pa vlefëshme. Është e pamundur të renditen të gjitha udhëtimet dhe takimet e Kazanovës me personalitetet e kohës, madje çdo njeri prej këtyre udhëtimeve dhe takimeve eshtë një libër historie me vehte.
Ne vitin 1742, pasi përfundoi studimet në drejtësi në Padova, shkoi në Korfuz, që ishte në zotërim të Venecias dhe në vazhdim vizitoi Kostantinopolin. Në Korfuz takoi zonjën Foskarini, me të cilën kaloi një natë të paharruar mesdhetare në Butrintin magjik, si thotë Kazanova: “Dashuria më shërben në jetë, vetëm sepse më lejon të vdes përsëri”. Në intimitetin dhe përkëdheljet dashurore i tha zonjës Foskarini: “Merre shpirtin tim dhe me jep shpirtin tënd”, pra si kuptohet nuk është gjuha e joshësit, por të joshurit nga zjarri dashuror femëror.
Pas këtij udhëtimi, Kazanova zbarkoi në Napoli, shkoi në Romë, në Firence dhe u kthye në Venecia, por me që kishte shpenzuar shumë dhe i mbetur pa burime financiare, u detyrua të punoi si violinist në orkestrën e teatrit Shen Samuele të Venecias. Vështirësitë ekonomike nuk e penguan të vazhdoi aventurat. Po atë vit e arrestuan dhe e burgosën në Fortesën Shen Andrea, ku qëndroi nga marsi deri në fund të korrikut. Ky ndëshkim më shumë ishte paralajmërim si shpreheshin inkuizitorët, një vendim i nevojshëm për korigjimin e karakterit të tij, me veprime që binin ndesh me moralin e kishës. Pasi e liruan nga burgu, gjatë viteve 1743 – 1749, jeta e Kazanovës ishte mbushur me udhëtime nëpër Itali dhe nëpër Europë. Fillimisht shkoi ne Kalabri me shërbim pranë ipeshkëvit Martirano, por kur pa varfërinë e kalabrezëve, i tmmerruar u largua. Në vitin 1744 hyri në shërbim të kardinalit Akuaviva, ambasadori i Spanjës në Selinë e Shenjtë, por shpejt e dëbuan, pasi zbuluan se në dhomën e tij në ndërtesën e ambasadës kishte fshehur një vajzë romane. Shkoi në Ankona ku kaloi një aventurë dashurore me Terezën, aktore e prezantuar si djal i kastruar, sepse asi kohe ishin të ndaluar aktoret femra në Teatrin Shtetëror të Kishës.
Ne vitin 1746 u takua dhe u miqësua me patricin Matteo Bragadin dhe me senatorët Marko Barbaro dhe Marko Dandolo. Lidhjet miqësor me Bragadin tërhoqën vemendjen e inkuizitorëve dhe për të shmangur ndërhyrjen e tyre, Bragadin e këshilloi Kazanovën të largohej nga Venecia, deri sa të qetësohej situata. Shkoi ne Paris, ku krijoi kontakte me fisnikërinë pariziane. Gjatë ditëve të qëndrimit në Lion, Kazanova – kavalieri i Seingalt, aderoi me Massonerinë franceze, në llozhën “Miqtë e zgjedhur”. Këtë vendim nuk e bazoi për nënshtrim ideologjik, por si pragmatist e shfrytëzoi për të pasur mbështetjen e massonëve dhe për përfitime shoqërore. Në fakt, shumë personazhe të shquar që takoi në udhëtimet e tij ishin massonë si Mozarti, Benjamin Franklin, Frederiku II i Prusisë, Kaliostro etj.
Në vitin 1749, gjatë qëndrimit dhe aventurave të shumta në Paris filloi lidhjet dashurore me Henriette. Në fakt ky emër ishte pseudonimi i Adelaide De Guiedan, fisnikia e Ax-en-Province, të cilën Kazanova nuk e dekonspiron publikisht në veprën me kujtime. Në Paris shkruajti dhe botoi veprën “Zoroastro” (1750). Gjatë kësaj kohe kreu udhëtime të shumta nëpër Europë si në Berlin, Drezden, Pragë, Vienna, Shen Peterburg etj. Në pranverën e vitit 1755 shkoi në Milano, ku takoi mikun Antonio Stefano Balletti, i biri i aktores Silvia, që e kish shoqëruar në vizitat në Paris. Në fillim të muajit korrik 1755 u rikthye në Venecia.
Arrestimi dhe mbyllja në burgun e “Plumbit” – Venecia.
Në Venecia rifilloi aventurat e zakonëshme dhe në agimin e 26 korrikut 1755 e arrestuan dhe e mbyllën në burgun famëkeq “Plumbi” në pallatin Dukal të Venecias. Në këtë periudhë të arrestuarve, nuk iu komunikohej akuza dhe as kohëzgjatja e burgosjes, andaj Kazanovës nuk i thanë motivet përse e akuzonin, madje nuk kishte të drejtë të kërkonte mbrojtje me avokat, nuk lejohej të merrte pjesë në proçesin ku gjykatësi shpallte sentencën. Vendimin e gjyqit ia komunikonte më pas drejtori i burgut. Nga verifikimi i më vonshëm i dokumetave në arkivin e Gjykatës të Inkuizicionit, rezulton se Kazanova ishte akuzuar si libertin (joshës femrash), blasfemues, okultist, mistiçist, ezoterist, mashtures, hileqar, ngatërrestar, masson, përdorues librash të ndaluara. Të gjithë studiuesit janë të mendimit se këto ishin akuza denigruese të montuara sipas spiunimeve të një Zanussi, i cili e kishte kallzuar për veprime antikishtare. Në fakt, Kazanova kishte cënuar interesat e patricëve të Serenissima dhe të kishës. Gjykata e Inkuizicionit shprehte pushtetin arbitrar të oligarkisë të Republikës së Venecias, madje ushtronte funksionet e gjykatës speciale dhe qendrore. Si kuptohet, inkuizitorët kishin aktivizuar spiunë që e ndiqnin ngado dhe informonin për impikimin e Kazanovës në ngjarje të konsideruara shoqërisht skandaloze. Përfundimisht, akuza ishte marrëdhënie me gra të martuara, përbuzje e fesë katolike, mashtrim i patricëve, blasfemues, masson me sjellje me rrezikëshmëri shoqërore, cënimi i kredibilietit dhe kërcënim i stabilitetit të regjimit aristrokratk të Serenissimës. Ngjarja që bëri më shumë bujë, ishte rasti i marrëdhënieve me murgeshën M. M, që shërbente në Manastirin Shen Maria e Engjëjve në Murano, e cila ishte e lidhur me patricët, por ishte dhe dashnorja e ambasadorit të Francës murgut De Bernis. (Kazanova nuk e tregon emrin e murgeshës, por si për rastet e tjera shkruan vetëm inicialet). Në veprën “Historia e jetës time”, mardhëniet me murgeshën M, M i përshkruan me art dhe stil letrar lakonik, plot emocione e me realizëm të admirueshëm. Kazanova bënte jetë të çthurur, por sjelljet e tij nuk ndryshonin nga aventurat e pinjollëve të aristokracisë, ato mbroheshin dhe oligarkia në pushtet, por oligarkia veneciane nuk mund të toleronte një individ tjetër jo i sërës së tyre, të ishte i lirë e të gëzonte marrëdhëniet me femrat, andaj urdhëruan arrestimin dhe burgosjen.
Masa e dënimit ishte 5 vjet i mbyllur në burgun e “Plumbit”, por në fakt ai qëndroi vetëm 15 muaj, nga 25
korriku 1755 deri më 1 nëntor 1756, ditën kur u arratis, si e ka përshkruar në veprën e famëshme të shkruar në frëngjisht: “Histoire de ma fuite des prisons de la Rèpublique de Venise qu’on appelle les Plombs – Historia e arratisjes time nga burgu i Republikës së Venecias, i quajturi Plumbi”, shkruar në kështjellën Dux në Bohemi në vitin 1787 dhe botuar në Lipsia në vitin 1788, me emrin Jacques Casanova, Chevalier de Seingalt.
Qelia e Kazanovës, me derën dhe dritaren nga koridori ku qendronin rojet.
Izolimin dhe trajtimin në qelinë e burgut, mundimet në kapërcimin e vështirësive dhe të papriturave gjatë arratisjes, Kazanova i ka përshkruar me hollësi jetësore, me art dhe stil letrar në veprën “Historia e arratisjes time nga burgu i Republikës së Venecias, i quajturi Plumbi”, që përbëjnë pjesën më të famëshme jo vetëm të autobiografisë së tij, por edhe të letërsisë italiane. Republika e Venecies kishte dy burgje në ndërtesën e Pallatit të Dozhëve, njeri nën çati, i quajturi Burgu i “Plumbit”, ku u burgos Kazanova dhe tjetri në bodrumet nën tokë të pallatit, i quajturi burgu i “Pusit”, ku ishin burgosur të dënuarit me vdekje, të cilët ishin në gjendje të mjerushme, sepse qelitë ndodheshin nën nivelin e detit dhe sa herë ndodhte marea, mbusheshin me ujë. Burgu nën çatinë e Pallatit Dukal quhej burgu i “Plumbit”, sepse çatia ishte e mbuluar me pllaka të gjëra plumbi. Kati i burgut ku e mbyllën Kazanovën kishte gjashtë qeli, nga tre në rradhë, në të dy anët e një koridori. Qelitë ishin të ngushta me tavan të ulët, të ndara njera nga tjetra me trarë të trashë druri, të mbërthyera me gozhdë dhe pllaka hekuri. Qelia kishte vetëm një dritare me dopio kangjella hekuri, që shihte nga koridori dhe një derë të ulët të forcuar me pllaka dhe me dy lloze hekuri, që hapeshin nga roja. Qelia ndriçohej dobët vetëm nga drita e koridorit. Gjatë muajve të verës, të burgosurit i përvëlonte i nxehti, që përçonin pllakat e plumbit, ndërsa në muajt e dimrit, i mundonte i ftohti me lagështirë, sidomos gjatë dimrit të vitit 1755 që bëri shumë ftohët. Si të mos mjaftonin këto kushte të rënda, në qeli kishte pleshta, morra dhe minjë. Kazanovën e mbyllën në një qeli në errësirë torturuese, nuk i lejoheshin librat, as qirinjtë për ndriçim, ishte e ndaluar të takonte e të bisedonte me të burgosurit e tjerë, nuk lejoheshin vizitor.
Që në ditët e para të burgimit, Kazanova përpunonte në mëndje planin për t’u arratisur, ideonte mënyra të ndryshme, por e kuptonte se ishin të parealizueshme. Më 15 gusht, në festën e Shen Maries, kur po i dorëzonte ushqimin e drekës, një tas me supë barishtesh me copa të vogla mishi dhe një gotë vene, nga nxitimi guardiani përmbysi në dysheme kanistrën me lugët dhe Kazanova e ndihmoi t’i mblidhte dhe një nga lugët e fshehu në xhepin e pantallonave. Nga ajo natë, me bishtin e lugës filloi të gërryej dyshemenë, në qoshen ku ndodhej kova, që përdorte për urinimin dhe defekimin. Sipas llogaritjeve, Kazanova mendonte se vrima që po hapte në dysheme ishte mbi dhomën e inkuizitorëve. Kishte parashikuar të arratisej më 27 gusht, në festën e Shen Agostino, ditë kur inkuizitorët nuk vinin në punë, por një ditë më parë u zbulua nga roja dhe drejtori i burgut urdhëroi ta mbyllin në një qeli më të sigurtë, me roje stratiotët albanezë. Dështimi i përpjekjes për t’u arratisur e demoralizoi Kazanovën, por në fakt, kalimi në ruajtje nga rojet albaneze shënoi shpresën e shpëtimit dhe organizimin e arratisjes.
Veshja e shqiptarëve në Venecia në shekullin XVII
(Biblioteca Nazionale Marciana: 154 d.204).
Miqësia e Kazanovës me rojet albaneze në burgun e “Plumbit”.
Kazanovën e mbyllën në qelinë e ruajtur nga stratiotët albanezë. Sipas rregullores të burgut, kapiteni i trupave speciale të rojeve të Pallatit Dukal, zbatonte sentencat e shpallura nga gjykatat për ndëshkimin dhe burgosjen, madje dhe sentencat e dënimeve me vdekje. Në zbatim të këtyre detyrave, kapiteni i trupave speciale stratioti albanez Johannes Manesi Junior (Gjon Manësi i Riu), i komunikoi vendimin për izolimin në qelitë e sigurisë së lartë dhe në vazhdim zhvilloi një bisedë të gjatë me Kazanovën. Kur degjoi emrin Johannes Manesi, për një çast Kazanova u step, por shpejt dhe me mirësjellje aristokratike e pyeti:
– I nderuar kapiten Johannes, me lejoni ju lutem t’iu bëj një pyetje?
– Ҫfarë dëshiron të dini? – iu përgjigj në mënyrë afirmuese kapiteni.
– Në kishën e Shen Gjergjit këtu në Venecia, është muralja e bukur e kapitenit Johannes Manesi i Kunavisë,
është rastësi ky emër i njejtë me tuajin, apo keni lidhje gjaku? – e pyeti me kureshtje të madhe Kazanova.
– Është katragjyshi im. Në traditën albaneze, emërat e pararendësve përsëriten në gjeneracionet pasardhëse, –
iu përgjigj kapiteni Gjon Manësi me një buzëqeshje të lehtë dhe me krenari.
– Ndjehem i nderuar, që m’u dha rasti të njoh një ndër pinjollët e trimave albanezë, që kanë mbrojtur Venecian,
në kohët më të vështira, – iu përgjigj Kazanova me gëzim dhe entusiazëm të dukshëm.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Kazanova nuk humbi rastin t’i bënte dhe ndonjë kërkesë, kështu përfitoi duke i kërkuar kapitenit t’i lejonin të lexonte libra, t’i jepnin një stol dhe mundësisht një kandil, pasi errësira në qeli ishte aq e dendur sa nuk shiheshin germat e librave. Kapiteni Gjon Manësi e kundroi me vemendje Kazanovën dhe pas një pauze, iu drejtua rojes së rradhës Simo Merkuri dhe e urdhëroi t’i sillte një stol, një kandil dhe disa qirinj, por nuk harroi t’a këshillonte Simon për vigjilencë të lartë ndaj Kazanovës. Takimi me kapitenin Gjon Manesi i krijoi një qetësi shpirtërore Kazanovës dhe në ditët në vazhdim u miqësua me rojet albaneze Simo Merkuri, Gjikë Martini, Gjikë Ҫipa, Andrea Petro Marko. Në orën e “ajrosjes” kur lejohej të dilte në koridor bisedonte me rojet dhe argëtohej me të folurën e tyre në dialektin venecian, por me theks tirolez. Admironte veshjen e tyre karakteristike me fustanella, me jelekët me gjerdana argjendi dhe me gunën e trashë. Për veshjen me fustanella, italianët i quanin albanezët “Camiciotti”.
Për raportet me rojet albaneze të burgut të Plumbit, Kazanova, në veprën me kujtime shkruan: “Guardianët ishin stratiotë albanezë, burra të pashëm, të sjellshëm, fjalë pak, trima dhe shumë nostagjikë për vendlindjen. Me mua silleshin miqësisht, por kishin një difekt, pinin shumë venë dhe kundërmonin erë hudhrash”.
Kështu, Kazanova i kalonte ditët në monotoninë e errësirës së qelisë, duke lexuar libra nën dritën e zbehtë të qirinjëve, me orën “ajrosjes” në koridor, që e kalonte me biseda dhe humor me rojet, me natën me gjumë të trazuar nga pleshtat dhe minjtë. Kazanova ishte tepër kurjoz të njihte jetën e rojeve, andaj i pyeste si kishin arrijt të inkuadroheshin në gardën speciale të Pallatit Dukal dhe në një nga këto biseda, Gjikë Martini i tregoi se dhjetë vjet më parë, të katër kishin shërbyer në Regjimentin Maqedono-Ilir të mbretit Karli III i Napolit dhe pas betejës së Velletri, kishin kërkuar lirimin. Me kërkesën insistuese të Bartolinit, ambasadorit të Venecias në Mbretërinë e Napolit, kishin pranuar të shërbenin Serenisimës. Një ditë i treguan se kompania e himarjotëve me komandant majorin Demetrio Mikeli, ku militonte Simo Merkuri, gjatë luftimeve në Velletri kishin kapur 600 robër të ushtrisë austriakë, me oficera dhe ushtarë sllavë. Duke dëgjuar këto ngjarje trimërie, Kazanova shprehte respekt dhe admirim për rojet albaneze, madje nuk ankohej ndaj tyre dhe kur tregoheshin të rreptë në zbatimin e rregullave të burgut. Edhe rojet ishin korrektë, shpesh i jepnin ndonjë racion buke më tepër, ndonjë galetë, ose një gotë vene më shumë, madje në muajt e ftohët të dimrit tepër mundues i dhuruan dhe një gunë. Muajt u burgut të Kazanovës rridhnin ngadalë e sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë e nxiste mendimi të arratisej, andaj përpunonte varjante nga më të ndryshmet, por gjithmonë i shihte të dështuara para sigurisë së madhe dhe shërbimit të rreptë të rojeve albanezë. Në orët e “ajrosjes”, njohu fratin Marino Baldi, i burgosur në qelinë fqinje, i dënuar se kish lënë shtatëzëna tre vajza të pamartuara. Kazanova u miqësua me fratin Baldi, madje me zë të ulët diskutuan planin për t’u arratisur dhe pranoi varjantin e tij për të hapur një vrimë kalimi në tavanin ku bashkoheshin dy qelitë, nga ku mund të dilnin dhe të ngjiteshin në çatinë e Pallatit Dukal. Në një nga orët e “ajrosjes”, Kazanova i dha lugën që e kish mbajtur fshehur në trup. Nga ajo ditë, frati Marino Baldi gjatë natës filloi të gërryej tavanin e qelisë dhe vrimën që hapej e mbulonte me ikona shënjëtorësh, që ia sillte prifiti i burgut, sipas kërkesave insistuese të fratit të burgosur. Nga ajo ditë të dy silleshin me korrektesë, nuk krijonin provokime, as dyshime ndër rojet, ishin shndërruar në dy djelmosha të urtë e të bindur. Atmosfera dhe rituali i rregullave të rrepta të burgut, vazhdonin me ritmet dhe proçedurat monotone të zakonëshme.
Pasi ndanin ushqimin të burgosurve, rojet uleshin dhe drekonin së bashku në krye të koridorit ku ndodhej qelia e Kazanovës, nga ku kontrollonin të gjitha qelitë e atij kati. Uleshin këmbëkryq dhe shtronin para sejcili nga një pecetë të bardhë, të qëndisur me motive floreale shumëngjyrëshe, ku vendosnin kupat me ushqime, bukën, djathin, hudhrat dhe paguret me venë. Hanin në heshtje e pinin venë duke tokur paguret me njeri tjetrin.
Ditën e djelë të 25 tetorit 1755, në vigjilje të festës të Shen Mitrit, të katër rojet albaneze drekuan së bashku dhe pasi mbaruan së ngrëni, papritur Simo Merkuri filloi të këndoi. Këndoi një balladë. E filloi ngadalë dhe fuqishëm e papritur zëri i tij melodioz e vibrant, kumbushëm u ngjit dhe gjëmoi në koridorin e ngushtë, si të kërkonte rrugëdalje për t’u ngjitur në qiell, për t’i davaritur retë e asaj vjeshte të zymtë. Në çastin kulmor të melodisë, papritur tre rojet e tjera njëzëri e shoqëruan me një iso ooooiiiiieeeeeeeeeee akute të intonuar, që vazhdoi si një refren harmonioz vetëm me zanore. Kazanova, i pushtuar nga bukuria e këngës u ngrit e u mbështet në kangjellat e dritares, i mahnitur dhe i pushtuar nga emocioni që i krijoi melodia vazhdoi ta dëgjonte i përqëndruar. Kazanova ishte njohës i muzikës, ishte violinist virtuoz. Në zërin e ngrohtë por me timbër dhe vëllim intens të Simo Merkurit, njohu një tenor të lindur. Edhe pse nuk i kuptonte fjalët e tekstit, kur e dëgjonte
melodinë e këngës e kuptoi se shprehte dashuri dhe mall përvëlues, ndërsa me drithërimat e zërit të tij ndjehesh një dhimbje, që shtohej kur ndërhynte “prerësi”, i cili e ruante ekuilibrin e brendshëm të vijës melodike, por me një ton vajtues, dukej sikur po qante për dhimbjen e solistit dhe në atë çast i bashkoheshin dhe dy të tjerët e së bashku e zgjasnin melodinë me ison oooiiiieeeeeeeee si një refren pa fjalë, me një timbër kristalin të shtrirë, që duke u përplasur në paretet e drunjta të koridorit, kthehej në një jehonë të ëmbël, duke u bërë pjesë e kësaj ballade. Ishte një këngë polifonike, me një melodi më të bukur se eposi i Nibelungeve, që Kazanova e kishte dëgjuar disa herë kur ishte në Gjermani. Pasi e përfunduan këngën ra një heshtje e madhe dhe pas pak, Kazanova, i pasuar nga të burgosurit e tjerë filluan të duartrokisnin e të thërrisnin “bravo djema”.
Të dëgjoje të tilla këngë të kënduara nga rojet në atmosferën e zymtë të burgut, ishte ngjarje e rrallë dhe pa preçedenta. Kazanova ishte tepër kureshtar të njihte historinë e kësaj kënge albaneze. Sapo i hapën derën e qelisë për orën e “ajrosjes”, i pyeti rojet për historinë dhe tekstin e këngës së mrekullueshme. Rojet, me rradhë i treguan se kjo këngë i dedikohet dashurisë të dy të rinjëve, që përjetohej me pasion dhe mall dashuror, nga vajza në Pilurin e largët dhe djali që u detyrua të largohet nga vendlindja. Titulli i këngës është “Vajza e valeve”, vajza e lëndinave hiroshe, që vajton ikjen e detyruar të dashurit dhe monologu i djalit që iu nënshtrua fatit dhe që nuk mund të kthehej pranë të dashurës së tij. Në vazhdim ia përkthyen në dialektin venecian vargjet e këngës së tyre të preferuar:
Vajzë e valeve, zemra më s’të mban
Dhe mbi gur nd’anë të detit qan, e zeza qan
Pret atë që prêt dhe një dhimbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë, po ai nuk vjen.
Prandvera arrinë, një mëngjez të qet’
Vijn’ e shkojnë dallëndyshet, vajza u thërret
“Ju të bukur zogj, tek ju kam një shpres’
Ju që shkoni det’ e male dua t’u pyes
Një jetime jam, pa nën’ e baba
Një që kisha një që doja iku dhe më la
Mos e patë ju, rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër, vall’ a më kujton?
Shkoi shumë koh’, vetëm pa njeri.
……………………….
Djali kishte udhëtuar, pa kthim e përjetë
Thoshte i mjeri djalë; Vajzë e valëve
Mere këtë letrë e qajmë, tjetër vënd më pret
Ah moj, kjo dynja, një qëndrim nuk mban
Dashuria jonë shuhet, fati i zi na ndan
Mos u dëshpëro, ti je vajzë e re
Un’ martohem n’atë jetë, ti martohu atje
Vajzë e valëve, ti qofsh me shëndet
Mos kujto jetën e shkuar, por harroje shpejt.
………………………………
“ O i dashur djalë, shkove dhe më le
S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne
Ne u ndam’ këtu o djalë, qielli atje lart
Do të na bashkoj’, i dashur, pritëm se po vij
Lamtumirë o gur, mjaft’ më për kaq koh
Vuajtje edhe ti për mua, po shkoj, më s’të shoh
Haj dynja dynja nuk ke gjë të drejt
Lamtumirë o jetë e rreme, merrmë o valë e det.
Pasi i pëkthyen vargjet e këngës, Simo i tha Kazanovës: “Kjo është kënga e jonë, është këngë për ne të katër, që jemi larguar prej shumë vitesh e nuk e dimë fatin e vajzave që dashuruam, që i kemi lënë atje larg në mëshirë të fatit nën sundimin e barbarëve osmanë, është këngë shpirti, është këngë zemre, ështe këngë zjarri dashuror, është dhimbja e jonë”.
Kazanova i mallëngjyer nga historia e këngës dhe i entusiazmuar nga teksti plot pasion dhe me ndjenja delikate sentimentale dhe me dhimbje për dashurinë e privuar tha: “Kjo është një balladë e mrekullueshme dashurie, e një dashurie të dlirtë e të pastër, ka bukurinë dhe zjarrin rinorë, tregon dashuri e destinuar të thyhej
dhe tani e përjetuar në largësi, është malli përvëlimtar në pamundësinë që të dy të rinjtë të takohen e ta përjetojnë së bashku dashurinë. Drama e kësaj dashurie është ndarja e imponuar, ndryshe nga fundet tragjike të dashurive të Romeo e Xhuljeta, të Paolo Malatesta me Françeska da Rimini dhe të Tristanit me Isotën.
Arratisja e Kazanovës dhe e fratit Marino Baldi nga burgu i “Plumbit”.
Nga dita në ditë, frati Baldi e zgjeronte gradualisht vrimën në tavan dhe brenda një viti u hap aq sa lejonte të kalohej. Prisnin vetëm çastin e përshtatshëm. Si Kazanova në rrëfimet për arratisjen nga burgu dhe studiues të shumtë, që kanë analizuar rrethanat e arratisjes, e kanë trajtuar në mënyrë të vagët dhe pa hollësira këtë aventurë të guximëshme dhe plot rreziqe. Një gjë është e sigurtë, në kushtet e sigurisë së lartë të burgut të Plumbit dhe me devotshmërinë në shërbim të stratiotëve albanezë, ishte absolutisht e pa mundur, që arratisja të kryhej pa mbështetjen dhe ndihmën e rojeve albaneze. Në javën e fundit të tetorit të vitit 1756, Simo Merkuri i konfidoi Kazanovës se të katër rojet albaneze, me 1 nëntor do të largoheshin nga burgu i Plumbit, sepse do të shkonin me shërbim në Trevizo, ku i kishte kërkuar kapiteni Kiço Merkuri. Nga kjo ditë shërbimin e rojes do ta kryenin një grup gardianësh italianë të burgut të “Pusit”, roje që njiheshin për ashpërsinë në trajtimin e të burgosurve. Ky lajm e nxiti Kazanovën të përfitojnë nga rasti dhe gjatë orës të “ajrosjes” në koridorin e qelive, i transmetoi Fra Marino Baldi një mesazh të kriptuar, duke i recituar pjesë nga vepra “Orlando Furiozo” të Ludovik Ariosta, duke theksuar pikërisht vargun e parë, të strofës VII, të këngës IX, që thotë: “Nga fundi i tetorit, në ditën e parë të nëntorit”, pra i sugjeroi se arratisja do të kryhej natën e 31 tetorit.
Java e fundit e tetorit rrodhi ngadalë në monotoninë e zakonëshme, e shoqëruar me ankthin dhe padurimin e të dy ikanakëve. Në qetësinë e natës të 31 tetorit, i pari kaloi Kazanova, i cili me vështirësi doli nga vrima e tavanit dhe u shtri në hapsirën e ngushtë nën çati. Pas tij doli frati Marino Baldi. Të dy e shtynë me forcë pllakën e plumbit, duke e shkëputur buzën e poshtëme, aq sa lejonte të kalonte trupi i bëshëm i Kazanovës, i cili pasi u ngjit mbi çati e tërhoqi dhe fratin Marino. Ishte një natë e mjergullt dhe e ftohët. Filluan të ngjiten këmbadoras nëpër çatinë e lagur nga vesa. Para kaloi Kazanova dhe pas, i kapur fort në rrypin e mezit të tij, zvarritej frati Marino. Kur po arrinin në kulmin e çatisë, qesja me rrobat e fra Marino, i shpëtoj nga duart dhe u rrukullis e ra poshtë. Me mundim të madh arritën në kulmin e çatisë dhe duke kalaruar vazhduan për nga skaji jugor, ku ndodhej baxha e fundit, nga ku do të hynin në pallat, në pjesën ku ndodhej shkalla anësore, që shfrytëzohej vetëm nga pastruesit e pallatit. Kur arritën në fund të çatisë mbi baxhon e fundit filluan të bien këmbanat e Bazilikës Shen Marku. Ishte mesnatë. Tingujt e fortë të bronzit lajmëruan fillimin e 1 nëntorit, ditës të Shenjëtorëve, por dhe të ditës që do të shënonte lirinë e tyre. Kazanova zbriti ngadalë dhe me kujdes arrijti baxhon e fundit dhe konstatoi se dritaria ishte e forcuar me shufra hekuri. U mundua shumë deri sa i shkuli. E thirri fratin Baldi të zbriste dhe njeri pas tjetrit e me shumë mundime hynë brënda nën çati, në pjesën e tavanit që përkonte me koridorin e ngushtë të shkallës anësore të pallatit. Rreth një orë, të dy u sforcuan deri sa hoqën një dërrasë të tavanit, por errësira nuk i lejonte të shihnin sa ishte lartësia. Pasi hodhi thesin me rrobat e tij, Kazanova futi këmbët në hapsirën e tavanit dhe duke u kapur në buzën e traut, u lëshua në dysheme, me një kërcim. Kazanova kishte trup të lartë 1, 90 m, andaj e përballoi lehtë zbritjen e më pas ndihmoi fratin duke e mbajtur nga këmbët. Koridori i ngushtë kishte dy dyer, njera që hapej nga brenda pallatit dhe tjetra në krye të shkallëve, nga ku hynin pastruesit e mjediseve të Pallatit Dukal. Kjo derë ishte e mbyllur me një bravë, që venecianët e quajnë, brava gjermane, e cila nga jasht mbyllej dhe hapej me çelës, ndërsa nga brenda hapej duke tërhequr një zembrek. Dhe në këtë rast i ndihmoi fati, e hapën derën dhe në errësirë i zbritën shkallët e ngushta ngadalë e me kujdes. Kur arrijtën në katin përdhes u ndodhën para një të papriture tjetër. Dera ishte e mbyllur e duhej të hapej vetëm nga jasht. Të dy të dërrmuar nga lodhja dhe nga të ftohtit me lagështirë dhe të dëshpëruar e të tmerruar nga frika e dështimit të kësaj aventure, u ulën të mbeshtetur te dera. Prapa nuk mund të ktheheshin. Në këtë gjendje qëndruan dy orë, madje Kazanova gjatë kësaj kohe fjeti. Në qetësinë munduese të mbetjes në grackë, u dëgjuan këmbanat e Shen Markut, trokitën gjashtë herë. Ishte ora gjashtë e mëngjesit e një nëntorit. Mbi portën e daljes ishte një dritare e vogël, nga hynte një dritë e zbehtë. Kazanova hypi mbi shpatullat e fratit Marino Baldi dhe nxorri kokën në dritare e po vështronte nga sheshi Shen Markut, ku nga larg pa rojen albaneze Andrea Marko dhe në çast e thirri në emër. Andrea ndaloi e vështroi i çuditur dhe kur e njohu, i bëri shenjë me dorë të priste. Pas dhjetë minutash u kthye me turrën e çelsave dhe e hapi derën. Pasi e pershëndetën Andrean, pa humbur një sekondë, me hap të shpejtë kaluan portën e Kartës të Pallatit Dukal, nxituan në koridorin e kolonatave dhe zbritën shkallët e Gjigandit, por pa e kthyer kokën e përshkuan sheshin Shen Marku. Kur arrijtën në kalatën e gondolave, hypën në gondolën që ndodhej më pranë tyre. Kazanova i tha gondolierit të thërriste dhe një tjetër e të dy filluan të rremojnë nëpër Kanalin e Madh duke lundruar me shpejtësi drejt ishullit Mestre. Kazanova hodhi një vështrim pas, nga dukej silueta e bardhë e Pallatit Dukal, sheshi Shen Marku i boshatisur dhe Kanali i Madh pa varka e pa gondola. Kjo ishte dita më e bukur dhe më e lumtur, që e drejtoi Kazanovën drejt një jete të re, larg persekutimeve dhe përndjekjeve të inkuizitorëve të Republikës dhe fillimit të një jete e re në liri dhe plot me aventura të reja. Po atë ditë Kazanova shkoi në Bolzano dhe të nesërmen udhëtoi për në Paris.
Komentet