Voal – Në çerek shekulli tranzicion, skuadra e futbollit e Shqipërisë ka ndryshuar shumë trajnerë dhe De Biazi është i pari që po e çon Kombëtaren tonë drejt realizimit të një ëndërre.
Dhe nëse kjo ëndërr nuk do të bëhej realitet, që lusim Zotin të bëhet, jo sepse gaboi De Biazi, por sepse lojtarët e Kombëtares nuk i kanë respektuar këshillat e Mister-it të tyre në çastet kritike të kohës shtesë.
Të humbasësh ndeshjen në kohën shtesë dy herë rresht kur trajneri i kërkon Kombëtares të kalojë e gjitha në mbrojtje dhe ajo kalon në sulm me kokën e saj, është përgjegjësi e madhe e Kombëtares ndaj gjithë shqiptarëve.
Por përse Kombëtarja nuk iu bind dy herë De Biazit?
Gjatë muajit shtator, kur ishte bërë grumbullimi për ndeshjet eleminatore për Kampionatitn Europian, opinioni shqiptar e pa dhe dëgjoi me veshët e vet kur FSHF-ja iu kundërvu De Biazit, me anë të zëdhënëses së Armando Dukës duke dalë me pretendimin se “Trajnerin e bëri të famshëm Kombëtarja”, kur në fakt, Kombëtarja jonë ka qenë e famshme për humbjet dhe disfatat, të cilat i shkojnë në xhep FSHF-së dhe shefit të saj të përjetshëm.
Nga këto blablabla të zëdhënëses u pa qartë një armiqësi e FSHF-së kundër De Biazit, e shpallur publikisht, që mund të ketë ndikuar edhe tek pjestarë të ekipit të Kombëtares që nuk i kanë dëgjuar dy herë rresht këshillat e trajnerit të tyre, çka është obliguese.
Po ashtu, nuk dihet ende nëse FSHF ia ka rinovuar kontratën De Biazit, çka nuk e kishte bërë as pas ndeshjeve të Shqipërisë me Danimarkën e Portugalinë.
Ky qendrim i shëmtuar dhe i hapur i FSHF-së ndaj De Biazit, kur Kombëtarja jonë ishte grumbulluar, e ka dëmtuar imazhin e De Biazit në sytë e lojtarëve të Kombëtares, dhe kjo u pa qartë kur në dy ndeshjet e fundit, me Portugalinë dhe Serbinë, lojtarët nuk repektuan skemën që ofroi ai për të kaluar të gjithë në mbrojtje, dhe përfundimisht i hëngrën golat në kohën shtesë, duke lënë kështu të zhgënjyer mbarë shqiptarët dhe duke e venë në rrezik shkuarjen e Kombëtares në Francë 2016.
Por jo për faj të De Biazit që ka punuar shkëlqyshëm me Kombëtaren dhe ka shprehur një angazhim të madh për fitoren e kuqezinjve.
Por për faj të atyre që e kanë lënë këtë çerek shekulli gjithmonë Kombëtaren tonë në statusin e humbësit.
Tani janë hedhur hije të forta dyshimi se ndeshja Shqipëri-Serbi është shitur me një shifër prej miliona Eurosh.
Dhe natyrisht ndeshjen nuk e ka shitur De Biazi.
Ndërsa De Biazi ka punuar me gjithë forcat, me gjithë zemër dhe i përkushtuar për ngritjen e Kombëtares tonë, dikush tjetër i ka gatuar humbjet e Kombëtares.
De Biazi ka bërë maksimalen. Edhe shtetësia shqiptare këtë tregon. Se i do shqiptarët.
Tifozët Kuq e Zi me me humor e njohin trajnerin e Kombëtares tonë, përveç emrit Gianni De Biazi, edhe si Gani Abazi.
Aty matet pulsi si ka punuar e punon De Biazi me Kombëtaren tonë, me vlerësimin e TKZ, tifozëve Kuq e Zinjve dhe jo të FSHF.
Disa orë larg ndeshjes, ne na mbetet të urojmë një fitore të shkëlqyer sot, që ëndërra e gjithë shqiptarëve të bëhet realitet e Kombëtarja ta fitojë ndeshjen me Armeninë, duke u kualifikuar për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në Kampionatin Europian, Francë 2016.
Komentet