Demokracia nën stress. Qoftë sepse të kushtëzuar nga rregullat e garave zgjedhore qoftë sepse mendojnë se është e vështirë t’u a bëjnë të kuptueshme zgjedhësve, drejtuesit demokratë shmangin shpjegimin opinioneve publike që fati I demokracisë është në një pjesë të vogël në duart e tyre. Varet në masë të madhe nga përvijimi i fuqive ndërkombëtare. Mund të ndodhë, siç ka qënë n’Evropë që nga fundi I luftës së Dytë botërore deri sot, që ky përvijim ndihmonte qëndrueshmërinë dhe mirëqënien e demokracisë. Por mund të ndodhë e kundërta, ose që të fitojnë kushte ndërkombëtare të tilla që të dobësojnë, e në disa raste të përmbysin, duke i hapur rrugën tiranive në forma të hapura apo të maskuara. Rritja e “armikut të brëndshëm” (forcat kundër-sistem) mund të ndihmohen nga ndryshimet në barazpeshat ndërkombëtare. Ndryshime që ushqejnë rrethe veskeqe: qeverimi , më të shumtën rrezikohet, pakënaqësia e zgjedhësve rritet dhe fuqitë kundër-sistem fitojnë hapësirë e ndikim.
Siç ka ndodhur në vitet Njëzet/Tridhjetë, ajo britanike duket është demokracia evropiane që gëzon shëndetin më të mirë, edhe se ka marrë grushta mjaft të fuqishëm. Braxiti, duke përgënjeshtruar premtimet e atij që e deshi, e ka detyruar të gëlltisë shumë fruta të helmuar. E ardhmja e saj është bërë problematike nga përhapja e qëndrimeve kundër-perëndimore (si ata që ushqejnë cancel kulturën, sulmin themeleve të qytetërimit evropian) që ndikojnë në sektorë të qëndrueshëm të brezave të rinj dhe te të bijtë e imigrantëve jashtë-evropianë. Për çastin nuk ka krahasim ndërmjet shëndetit të demokracisë britanike e asaj të demokracive të ndryshme evropiano-kontinentale. Siç vërtetojnë votimet e fundit, ajo britanike vazhdon të funksionojë shumë mirë: pothuajse asnjëri, nga ato anë, nuk ve në dyshim vlefshmërinë e institucioneve të tij. Është e mundëshme që, edhe nëse konjuktura ndërkombëtare do të shkonte më keq, Britania e Madhe, si në vitet Njëzet e Tridhjetë, do t’ishte në gjëndje t’i qëndronte motit të keq.
Për të parën herë që kur De Gaulle i ndërtoi (me miratimin e Kushtetutës më 1958 dhe referendumit mbi zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit më 1962), institucionet e Republikës së Pestë kanë dhënë përshtypjen se po lëkunden. Ndoshta nuk është kështu. Ndoshta kumari i Makronit (shpërndarja e Parlamentit), duke pasë ndaluar për çastin valën lepeniste, do të rezultojë, në pritmëri, lëvizja që ka shpëtuar një kohë Francën demokratike dhe institucionet ndërkombëtare. Tani është në aftësinë (e gjitha për t’u vërtetuar) e forcave politike parlamentare për të mbështetur, në muajt e vitet e ardhëshme qeveri disi të qëndrueshme, prej nga varet mundësia për të bllokuar krizën institucionale. Mbetet që formacionet kundër-sistem janë të fuqishme si asnjëherë. Partia lepeniste, e ndëshkuar nga turni i dytë, është absolutisht më e votuara nga francezët. Skajori i së majtës Melenchon ka një aftësi përfrikësuese të tillë me të cilën duhet të bëjnë llogaritë pjesa tjetër e së majtës dhe qëndrorët. Ndoshta Marine Le Pen do të thyhet përsëri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Ose ndoshta jo. Fati i saj, e së bashkuu me të ai i Francës (dhe i Evropës), do të ndikohen fuqimisht nga kushtet ndërkombëtare që do të zotërojnë n’atë çast.
Shumë, tepër shumë, do të varet nga zgjedhjet që do të bëjë Vendi që, nga lufta e Dytë botërore e mbrapa, ka qënë udhëheqës e mbrojtës i demokracive evropiane: Shtetet e Bashkuar. Një fitore eventuale e Donald Trumpit në Presidencialet e nëndorit do të përplasej si një ciklon mbi Evropën (e gjithë botën e tërë). Ndoshta duke mbajtur parasysh prirjet e tij autoritare, ai do të bënte të rrezikohej edhe vetë demokracia amerikane. Edhe se është një fakt që institucionet demokratike kanë n’atë Vend rrënjë më të qëndrueshme se n’Evropën kontinentale, ndoshta do të jenë në gjëndje t’i qëndrojnë edhe qezarizmit Trumpian. Por sigurisht Evropa do të ishte gjendur në kushte tejet të vështira. Imperializmi rus do të bëhej gjithënjë e më agresiv (do t’a hante Ukrainën e ndoshta jo vetëm atë) dhe kollonat e saj të pesta evropiane, “patriotët” – nga emri i grumbullimit evropian të hedhur nga Orbani – Marine le Pen në krye, do të shihnin të rritej fuqimisht hapësira e tyre e veprimit. Jo vetëm Franca por edhe Gjermania, Spanja e demokracitë e vogla do të pësonin pasojat.
Edhe Italia në të cilën janë përfaqësuar mirë “putinian-pacifistët” si në versionin e djathtë ashtu edhe në të majtin. Do të shkërmoqej ajo “bashkësi e sigurisë” që i ka sguruar qëndrueshmëri e paqë demokracive tona për gati tetëdhjetë vite. Zakonisht, argumenti standart përballë një skenari të tillë, është i vijueshmi: demokracive evropiane, për t’u mbrojtur, nuk i mbetet veçse të bashkojë forcat, të ndërtojë një Evropë që të mos i lërë vetëm Shteteve të Bashkuar detyrën t’a mbrojë, duke e kuptuar mbrojtjen: siguri por edhe mbrojtje të lirive të saj. Por ka një pyetje së cilës askush nuk di t’i përgjigjet: a mund të kenë fuqi t’a bëjnë këtë demokraci të dobëta e të ndara? Herë herë dobësia pjell paraliza ose shtyn të dobëtit (në rastin tonë, demokracitë e brishta evropiano-kontinentale) të kërkojnë , secili për hesap të tij, të bëjë për vete fuqitë autoritare që duken fitues e kërcnues. Do t’ishte pak a shumë sikur të përqafonin një kobër. Por herë herë, zotëron instikti i mbijetesës e të dobtit arrijnë të bëjnë front të përbashkët. Çmimi i lojës është i lartë: në pjatë është fati, përveç se i paqes, i demokracisë në Evropë.
“Corriere della Sera”, 10 korrik 2024 E përktheu Eugjen Merlika