Ai hyri me rrëmbim dhe nuk ndjeu se milli i shpatës gërvishi derën e dhomës. Me atë uniformë sa ushtarake aq edhe princërore, Skënderbeu dukej të paktën dhjetë vjet më i ri. Kjo ishte veshja ceremoniale që e mbante vetëm atëherë kur priste delegacione nga Venediku, Napoli ose mysafirë të nivelit të lartë. Jeleku i kuq i qëndisur me fije ari dhe me gajtanë të zezë e temina të bardha spikaste nën pelerinën e mbërthyer me një tokëz të derdhur në formën e stemës së tij dhe e gjithë veshja plotësohej me një palë çizme me lëkurë të butë. Në këto ceremoni ai mbante edhe përkrenaren sipër të cilës dukej koka e brirët e dhisë. Ca e quanin dhi, disa e quanin dre. Edhe Skënderbeu vetë nuk ishte i sigurte se ç ‘ishte, por dy brirët ishin mjaft të lartë sa Skënderbeu shpesh duhej të ulte kokën, se s’ishte e mundur që brirët të mos përpiqeshin në kamare e porta.
Kur hyri Skënderbeu gjithë këshilli ushtarak u ngrit në këmbë. Me ato rroba të karfosura, ai detyrohej të rrinte drejt e të bënte lëvizje të pakta. Princat shqiptarë në pritje të delegacionit të Sulltanit qenë pak nervoz. Uniformat dhe armët e tyre feksin e xixëllonin për merak. Nuk kujdeseshin fort për flokët, për duart e thonjtë dhe as nuk dinin të hidhnin erëra të mira si burrat e orientit, se ata thoshin: “Burri ka të mirë erën e tij prej burri”.
Kur delegacioni i të priturve hyri në sallë, nuk mund të thoshe se turqit qenë të përçmuar. Disa ishin vërtet të pashëm, me sy vezakë, me lëkurën e lëmuar e me vetullat hark. Papritur salla u duk si një lloj parade bukurie midis tyre dhe shqiptarëve. Ata kishin sqimë e shqiptarët krenari, ata shfaqnin salltanet e oborrit ndërsa shqiptarët manifestonin tipare natyrore të një bariu a bujku, ata me buzëqeshje protokollare, shqiptarët të vrenjtur.
Kryetari i tyre vuri dorën në zemër, në buzë e në ballë pastaj kryqëzoi të dy duart në gjoks dhe u fal para Skënderbeut.
-Sulltan Mehmeti i madh, mëkëmbësi i Allahut në tokë, mëshirëplotë e zemërmadh, më trimi, më i pasuri më i zgjuari nga të gjithë ata që kanë qenë mbi tokë, që janë tani e që do të vijnë paskëtaj, dielli i perandorisë sonë, më i drejti, më largpamësi…
“Kur do të mbarojë me këto epitete?” – tha Skënderbeu me mend.
I dërguari i sulltanit, pasi numëroi edhe disa cilësi të tjera, më së fundi tha:
-… I dërgon përshëndetje kryetrimit Gjergj Kastrioti, të mbiquajtur me respekt Iskenderbej, princit të Krujës, zotit të Matit e të Dibrës dhe i lutet të këmbejnë armët, shpatat e tyre të çmuara, si një shenjë respekti reciprok”.
Skënderbeu sakaq u mrol. Princat shqiptarë, që s’dinin turqisht pritën derisa shkruesi, Mark Gjeta, e përktheu kërkesën shqip.
U ndje një murmurimë e përgjithshme. Princat shqiptarë ishin kundra këtij propozimi të sulltanit. Shpata e kryetrimit kishte fituar statusin e vet dhe ishte bërë pjesë e legjendave, aq më tepër që turqit ishin të prirur ndaj besëtytnive dhe besonin në magjitë dhe në qeniet e mbinatyrshme. Nga Anadolli madje shpërndaheshin fjalë se Skënderbeu nuk ishte aq trim por shpata e tij qe e magjepsur dhe bënte çudira. Disa thoshin se qe e kaltër si qielli, disa betoheshin se ishte e zezë dhe bruztë dhe të tjerë betoheshin se ishte e kuqe gjak, që lëshonte xixa e flakë.
Edhe për madhësinë e saj fliteshin gjëra nga më fantastiket. Disa thoshin se ishte e gjatë sa një tra, disa lepitkën e saj e dinin të hollë si brisk rroje e disa thoshin se brenda saj kishte një rezervë nga buronte helm gjarpri.
Vringëllima e shpatës i kishte shtënë lemerinë ushtrisë turke dhe këtë e përforconin edhe ata oficerë që kishin jetuar me Skënderbeun dhe e kishin parë se si ai, me një të rënë, kishte ndarë më dysh një dem.
Propozimi i Sulltanit ishte dinak ndonëse paraqitej në suaza diplomatike. Duke shtënë në dorë shpatën ai do hapte fjalë se fuqia e saj kaloi Skënderbeu tek ai. Nga ana psikologjike, princërit mendonin se dërgimi i shpatës ishte i favorshëm për moralin e trupave të Sulltanit që nuk do kishin më frikë prej saj.
Skënderbeu pasi e dëgjoi kundërshtimin e tyre, duke shikuar herë princërit shqiptarë e herë delegacionin turk, shqiptoi:
Mirë. Pranoj!
Përkthyesi gati sa s’bërtiti. Fytyra e pashait turk e shprehu gëzimin me një përkulje të lehtë të kokës. Ai përpoqi duart dhe u kthye pak mënjanë. Një oficer, prapa të cilit vinin dy ushtarë, si roje nderi, solli mbi një jastëk mëndafshi të kuq shpatën e sulltanit.
Pashai e mori, e puthi në tri vende dhe ia dha Skënderbeut.
Ishte me të vërtetë një jatagan shumë i bukur, i punuar me merak në Damask nga mjeshtër. Tek doreza prej fildishi qenë seritur xhevahir e diamante sa t’i humbnin lëmimin e fildishit, po jo aq të ngritur sa të vrisnin pëllëmbën. Skënderbeu e nxori nga milli, e ktheu në të dy krahët dhe me gisht provoi tehun.
-E bukur, po e lehtë! – tha duke ia dhënë adjutantit që rrinte pas.
Pastaj u ngrit në këmbë dhe shkopsiti tokëzën me shqiponjë. Shpata e tij ishte tri herë më e madhe dhe dhjetë herë më e rëndë. E hoqi millin nga brezi i gjerë, e puthi lehtë duke vënë buzët mbi metalin e ndritshëm dhe ia zgjati pashait.
Dërgata turke përshëndeti me respekt të pranishmit dhe u tërhoq. Jashtë kështjellës prisnin gjashtë kuaj dhe një kaloshinë.
Sa iku dërgata, u ndezën diskutimet, duke filluar me vërejtjen se këtë herë Skënderbeu nuk ishte treguar i matur. Natyrisht, të gjithë ia njihnin të drejtën se shpata qe e tij dhe ai mund të bënte ç’të donte me të, por prapëseprapë s’kishte vepruar mirë.
Lekë Zaharia, foli shpejt pa u përmbajtur:
-Shpata juaj u kishte futur tmerrin turqve, ajo ishte bërë legjendare. Tani me këtë veprim ju e rrëzuat legjendën vetë dhe sulltani do të spekullojë, do të thotë “Shpatën e magjishme ia mora. Skënderbeu s’ka më fuqi”.
Arianiti, pa pritur radhën, tha:
-Më mirë t’i kishit dhënë kalin se shpatën. Kali, sado të rrojë, e ka një fund, kurse shpata s’ka mort kurrë.
-Kjo legjendë i shërbente çështjes sonë, prandaj s’duhet t’ia dorëzonit, sikur t’ju jepte edhe një thesar. Shpata e sulltanit është e bukur, por ajo s’besoj se do t’ju hyjë në punë, – tha Lekë Dukagini.
-Mjeshtrit tanë mund të bëjnë një shpatë tjetër, – tha Moisi Golemi, duke menduar për zgjidhje praktike – dhe ne mund të themi se sulltanit nuk i dërguam shpatën e vërtetë.
-I dëgjova fjalët tuaja dhe kam respekt për ju, – tha Skënderbeu. Pastaj pyeti: – Përse të mos ia jepja shtatën? Sulltani beson se ajo është e magjepsur nga ato që ka dëgjuar prej oborrtarëve dhe oficerëve të tij.
-Le të besojnë, ne kjo na intereson për luftën tonë. – tha Lekë Dukagjini.
-Ai beson se shpata bën mrekullira. Mesa duket edhe mes jush ka nga ata që e besojnë këtë, – tha Gjergji duke vënë buzën në gaz.
Princërve shqiptare nuk u erdhi mirë nga kjo vërejtje.
-Mos u mjeroni, zotër e princa! I dërgova shpatën, por jo krahun. Fuqia jonë nuk qëndron tek shpatat dhe tek parzmoret e forta. Po të besojmë se shpata bënte vërtet mrekullira, atëherë duhet të besojmë se farkëtarët duhet të ishin zotër të botës, apo jo? Po të qe shpata vërtetë e magjishme, pse do të ma jepte farkëtari mua e s’do ta mbante për vete? Nuk e bëjnë armët luftën! Turqit kanë shpata të mira me çelik damasku, ata e njohin mjeshtërinë e farkës më mirë se popuj të tjerë, ata kanë kokëdashi, shkallë, topa të rëndë e pajisje për të sulmuar kështjellat. Pse s’kanë mundur të marrin Krujën dhe kështjella të tjera? Po ju pyes ju dhe po përgjigjem vetë. Ne e dimë përse luftojmë, ne mbrojmë tokat tona, fëmijët, gratë, pleqtë dhe varret e të parëve tanë, ne mbrojmë lirinë dhe veten tonë, kurse ata vetëm lakmojnë. Po lakmia ka një cak, dhe i trembet vdekjes. Dashuria për liri s’ka kufi, ajo s’e njeh vdekjen! Nuk janë armët që kanë magji, as urimi i orëve dhe i zanave, por është qëllimi ynë i lartë. Le ta mësojë këtë edhe sulltani, dhe po të dijë të nxjerrë mësime, do të jetë shumë mirë.
Sulltan Mehmeti e mori shpatën, e shikoi me adhurim, dhe e vërejti me kujdes. Ajo nuk qe e bukur, as e stolisur, qe vetëm e madhe dhe e rëndë.
Ai i dërgoi fjalë Skënderbeut ”E pashë shpatën tuaj. Është fare e zakonshme.”
Skënderbeu iu përgjigj me fjalët lapidar: “Shpata s’është veçse hekur. Ajo bëhet armë, kur e merr në dorë një luftëtar. Dhe bëhet e pathyeshme për atë që mbron lirinë e atdheut të tij.”
a eshte kjo pjese nje legjend apo nj tregim?