Tekniku Armando Cungu: fitorja me serbët është plotësisht e mundshme, por ajo nuk do të vijë nëse ekipi do të ngarkohet emocionalisht
Ndeshja e 8 tetorit ndaj Serbisë ka angazhuar skuadrën tonë kombëtare, e cila ka një shans të madh në këto kualifikuese për të shkuar drejtpërdrejt në kampionatin Europian “Francë-2016”. Që të realizohet ky objektiv duhet më së pari që skuadra të fitojë ndaj Serbisë, por ndoshta lind nevoja dhe për një fitore tjetër me Armeninë. Natyrisht, vëmendja më e madhe përqendrohet tek ndeshja me serbët, për vetë karakteristikat që ajo paraqet, por, që të thuhet hapur dhe pa dorashka, edhe për anën emocionale të këtij takimi, diktuar nga përplasjet historike midis dy vendeve dhe natyrisht ngjarjet e Beogradit të vitit të kaluar. Duke bërë një analizë të gjendjes në prag të kësaj sfide, tekniku Armando Cungu, beson se fitorja me serbët është plotësisht e mundshme, por ajo nuk do të vijë nëse ekipi do të ngarkohet emocionalisht dhe do të bëhet pjesë e “eksitimit” që ka kapur turmën e fansave. Ai këshillon të ndiqen detyrat dhe strategjitë e De Biazit, për të punuar të qetë në fushë dhe për të menduar vetëm për lojën. Sipas Cungut, kjo është një nga ato përballje ku ekipi më i kthjellët ia del të marrë rezultatin e duhur. Situata e krijuar në këtë pragndeshje nuk është e mirë dhe Cungu i mëshon faktit se ka eufori të tepruar dhe shpalosje ndjenjash që nuk i shkojnë për shtat ekipit, ndërsa cilëson skuadrën serbe si mjaft të rrezikshme, me lojtarë shumë cilësorë që luajnë në klubet e mëdha të botës. Gjithsesi, Cungu mendon se kjo ndeshje duhet të flasë për shqiptarët dhe për Kombëtaren Kuqezi, duke qenë më afër me “Euro-2016”.
Të enjten luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kombëtares tonë në këto eliminatore. Ndeshja ka ngarkesë të madhe emocionale për gjëra që dihen dhe kjo mund të sjellë dhe pasoja. Në një këndvështrim teknik, sipas jush, sa janë shanset e ekipit tonë për fitore në këto dy ndeshje (sidomos me serbët) dhe sa ndikon në lojë e rezultat atmosfera e krijuar në prag të këtij takimi?
Unë mendoj se Kombëtarja i ka mundësitë reale për t’i përballuar me sukses këto dy ndeshje, pra dy rivalët e saj të fundit në grup. Unë gjykoj se ne kemi një ekip cilësor dhe trajneri De Biazi ka bërë një punë shumë të mirë. Një trajtim i hollësishëm nënkupton gjendjen e grupit, repartet e tij dhe natyrisht përgatitjen fizike e morale të lojtarëve. Unë besoj më të mirën, pasi ekipi është pjekur. Në mesfushë ka konkurrencë, pra ka alternativa, gjë që jep siguri, kurse sulmi ka pasur pak probleme këto kohë. Megjithatë, e tërësishmja mund të përshkruhet me fjalë të mira. Sa i përket situatës së pragndeshjes, unë mendoj se duhet që të ndahen gjërat. Ekipi duhet të përpiqet t’i shmanget “eksitimit” që vjen nga turma dhe padurimi i madh për fitore. Skuadra ka nevojë të largojë euforinë, apo zjarrminë e krijuar. Kjo gjendje elektrizuese nuk e ndihmon Kombëtaren, nuk i shërben lojës së saj dhe e rrezikon objektivin, apo misionin tonë. Prandaj grupi duhet të ndahet nga atmosfera e krijuar, të shohë vetëm punën e tij dhe të ndjekë trajnerin.
Është dhe çështja teknike e grupit. Ju e dini, detajet tek secili element kanë rëndësi në një sfidë të tillë. Mos harrojmë, Cana është ftuar dhe do të jetë i gatshëm, por askush nga ne se di nëse është në gjendje maksimale për lojë. Mungon, gjithashtu, Mavraj, i cili është pikë e rëndësishme e grupit. Sa ndikojnë këto elementë në ecurinë e grupit?
Po, ka dëmtime që kanë efektin e tyre. Në repartin mbrojtës ka boshllëk, megjithëse Ajeti është përpjekur shumë në sfidat e fundit. Ai ende nuk është konsoliduar plotësisht me grupin, sepse në këto raste nevojitet eksperiencë dhe një sforco e madhe. Sa i takon Canës, urojmë që të jetë në fushë, sepse ai ka eksperiencë, ka siguri dhe me personalitetin e tij e ndihmon grupin.
Nuk duhet të harrojmë kundërshtarin, se fundja kjo është ndeshje futbolli. Serbët kanë ekip me emra cilësorë dhe kjo nuk është pak. Sipas jush, a janë ata në gjendje të bëjnë diferencë me ne?
Pavarësisht emrave të spikatur që kanë në gjirin e tyre dhe të cilët luajnë me disa prej klubeve më të mëdha të botës, serbët nuk kanë një ekip të konsoliduar, pasi nuk formojnë dot grup. Pra ata janë skuadër që kanë kualitete, por nuk janë grup, gjë që duhet shfrytëzuar nga ana jonë. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm, nuk duhet të stresohemi, por të bëjmë lojën tonë kolektive dhe me objektiv të qartë.
Megjithatë, si tek ne ashtu dhe tek ata ambienti jashtë duket se po e mund atë brenda, domethënë emocioni po mund sportin. A mendoni se edhe ndeshja mund të ndikohet nga këto qëndrime?
Njerëzit që janë jashtë sportit u fryjnë nacionalizmave, por futbollistët duhet të jenë ndryshe dhe duhet ta tregojnë me vepra në fushë se janë ndryshe. Nëse lojtarët tanë nuk e konceptojnë si lojë, atëherë dëmtohen dhe situata shkon në favor të serbëve, të cilët nuk kanë asgjë për të humbur. Lojtarët nuk duhet të dëgjojnë politikanët dhe në tërësi nuk duhen dëgjuar njerëz që merren me një politikë të tillë. Ne si publik duhet të tregojmë vlera, qytetari. Të mos sillemi si popull i prapambetur, përkundrazi, të reagojmë si njerëz europianë e me vlera të mira, pra të civilizuar. Ne duhet t’i tregojmë Europës se jemi ndryshe nga ajo që kemi parë në Beograd dhe me sjelljen e tyre atje. Ku ka injorancë nuk ka zhvillim. Në këtë ndeshje ne duhet të tregojmë vlera qytetarie, sepse kështu ndihmojmë skuadrën tonë.
Nuk duhet anashkaluar një element i rëndësishëm në këtë përplasje. Është trajneri De Biazi. Natyrisht, lojën e bën skuadra dhe në varësi të cilësive të saj vjen rezultati, por De Biazi në këto eliminatore ka marrë vlerësime për punën. Sa do të ndikojë ai në këtë sfidë?
Kam respekt të madh për trajnerin De Biazi. E kam mbështetur dhe kam folur fjalë të mira për të në një moment kur diskutohej shkarkimi i tij dhe kur të tjerët i ishin vënë kundër. E kam mbështetur sepse kam parë tek ai një teknik të zoti, që ka bërë një punë të shkëlqyer. Unë e kam ndjekur në disa seanca stërvitore dhe të them të drejtën më ka lënë mbresa, pra është shumë i aftë dhe besoj se ai do ta përgatisë si duhet këtë takim. Megjithatë, i mëshoj faktit se në këtë ndeshje do të ndikojë shumë ana psikologjike.
Pse?
Ana psikologjike është kryesore, sepse kjo ndeshje do të jetë emocionale. Nga aq sa jemi informuar flitet për një situatë elektrizuese, ku kërkohet medoemos fitorja dhe lojtarët vetë janë të karikuar. Në këndvështrimin tim grupi duhet që t’i përgjigjet De Biazit, kërkesave të tij dhe këshillave të tij. Unë vetë në aspektin taktik nuk kam dyshim që De Biazi është njësh dhe e ka treguar këtë edhe në ndeshjet e shkuara, por këtu është problemi tek lojtarët, të cilët duhet të jenë të qetë, të pandikuar nga ambienti dhe të respektojnë detyrat e tyre taktike.
Mbetet të bëhen llogaritë. Natyrisht, fitorja në të dy ndeshjet i mbyll hesapet pa bërë llogaritë e të tjerëve, por të gjithë ne e dimë se ndeshja mes Portugalisë dhe Danimarkës është e rëndësishme. Pra ka disa opsione, të cilët paraqesin interes….
Sigurisht, por ne duhet të shkojmë në këto takime me parimin “ti duhet të fitosh ndeshjen tënde”. Ne kuadër të këtyre ndeshjeve ne duhet të kemi shpinën e ngrohtë, pra, e thënë troç, nuk duhet të pësojmë gol. Danimarka ka një shans, kurse ne kemi dy shanse. Unë mendoj se me atë Danimarkë që kemi parë deri tani nuk besoj se e thyen Portugalinë. Personalisht mendoj se edhe me një barazim, pra me një pikë, ne jemi ende në lojë.
Me një pikë….?
Po, unë mendoj se po. Mos harrojmë se kemi përballë një ekip me shumë kualitet. Lojtarët e tyre janë cilësorë e luajnë në klube të mëdha. Mos harrojmë ku jemi dhe sa forcë kemi. Duhen marrë parasysh edhe ngarkesat emocionale, prandaj edhe barazimi është pozitiv, është rezultat i mirë. Mos harrojmë realitetin e futbollit tonë dhe kualitetet e tyre. Ne kemi bërë përparime, por nuk duhet të harrojmë ende dobësinë që paraqet futbolli shqiptar. Nuk është pak ecuria e deritanishme e skuadrës, sukseset e saj dhe jo rastësisht De Biazi konsiderohet me të drejtë si tepër i suksesshëm. Ky është rezultati më i madh që ka marrë Kombëtarja ndonjëherë. Dhe rezultati ka ardhur nëpërmjet lojës së mirë dhe unë mendoj se me një përqendrim më të madh sot do të kishim më shumë pikë dhe do ta meritonim, se portugezët na mundën në minutën e fundit.
Megjithatë, ndeshjet e fundit në grup kanë qenë vazhdimisht makthi ynë. Humbja me portugezët na la shije të hidhur. A mund ta konsiderojmë të kaluar këtë dobësi të skuadrës?
Kemi një eksperiencë të hidhur me ndeshjet e fundit, sepse nuk i menaxhojmë si duhet. Por ne duhet të kemi besim tek De Biazi, sepse ai i flet grupit gjërat e duhura dhe di ta motivojë e ta mbajë në konturet e profesionalizmit, pa hyrë në aventura. Kombëtarja nuk mund të quhet më inferiore dhe futbolli ynë nuk duhet ta shohë veten inferior. Unë pashë ndeshjen e Skënderbeut në Europa League, me Lokomotivën. Kundërshtari nuk ishte kushedi çfarë, por fitoi. Skënderbeu i shkëlqyer, por humbi. Pra ne duhet të heqim ndjenjën e inferioritetit. Fundja, në fushë janë 11:11. Pra duhet që të kemi besim në vetvete, pa fluturuar, por me këmbë në tokë.
Dua një rezultat. Sa del ndeshja me Serbinë?
Nuk shquhem për parashikime e as nuk më pëlqen ta them në këtë formë. Megjithatë, nëse skuadra nuk bie preh e euforisë ajo mund ta fitojë këtë ndeshje 1-0. Por opsion i mirë, për mua, është dhe barazimi.
Diçka për Laçin tënd, luani me një skuadër modeste kundër ekipeve më cilësore. Por, mirë apo keq, jeni imponuar në kampionat si “kockë e fortë”. Me pak fjalë Cungun e kanë frikë rivalët…
Faleminderit për vlerësimin, por, edhe pse ne tentuam në merkato të afronim një lojtar që bën diferencë nuk ia dolëm. Kemi probleme që vijnë nga prishja e ekuilibrave. Rivalët janë para nesh. Skënderbeu, Tirana, Partizani, Kukësi, por do shtoja dhe Flamurtarin, janë ekipe më të kompletuara në grup. Megjithatë, po punojmë të jemi cilësorë në garë. Sa u takon teknikëve rivalë, dihet, ka një pengesë për të rinjtë, ose më saktë xhelozi ndaj trajnerëve të rinj, por ky ambient është i tillë dhe ne duhet të bëjmë përpara. Secili duhet të tregojë vlerat e tij.
Intervistoi: Adriatik BALLA
– See more at: http://www.sot.com.al/intervista-sport/armando-cungu-kjo-situat%C3%AB-elektrizuese-nuk-e-ndihmon-komb%C3%ABtaren-ekipi-i-mund-serb%C3%ABt#sthash.PIgpiwRQ.dpuf
Komentet