28 nëntor 1964. Dritëro Agolli, gjithë natën kishte qenë dezhurn i gazetës “Zëri i Popullit”. Në orët e para të mëngjesit u shtri për të fjetur, por nuk e zinte gjumi. Befas trokiti dera. Dikush e njoftoi të shkonte me urgjencë në redaksi, për të marrë pjesë në një mbledhje të rëndësishme. Ç’dreq mbledhje do të jetë kjo, tha me vete Dritëroi, duke u veshur, kur ata e dinë që jam pushim. Natën kishte rënë shi me rrëmbim, shoqëruar me gjëmim të thellë. Për një çast Dritëroi kujtoi thënien e të moshuarve, sipas të cilëve, kur gjëmon deti, pritet dimër i madh. Qe dita e parë e muajit dhjetor të vitit 1964. Shiu qe ndërprerë në orët e para të mëngjesit dhe tashmë binte lloh bore. Dajti dhe kodrat përreth kryeqytetit qenë zbardhur. Duke ecur në rrugë, as vetë nuk e kuptonte pse kishte aq dëshirë të shihte gjethet e pemëve që shkëputeshin përfundimisht nga degëzat. Gjethet e zverdhura binin pak e nga pak, duke formuar një qilim të praruar. Ato patën krijuar një shtresë në tokë, ndërsa të mbeturat në degë, vazhdonin t’i jepnin mjedisit plot bukuri e freski.
Duke ecur, i dilte përpara djali i tij, Arjani, që e kishte mbajtur për vite në krahë, e kishte puthur e përkëdhelur thuajse përditë. Bashkëshortja, Nina Novikova, gjithashtu. Për shkak të prishjes me Bashkimin Sovjetik, mësuesja e rusishtes së gjimnazit “Çajupi”, bashkë me të birin, Arjanin, u larguan përgjithmonë nga Shqipëria. Dritëroi i përcolli me dhimbje në aeroport, duke përjetuar njëkohësisht dramën e tij të madhe. Në atë rrugë, mendonte Dritëroi, kishin kaluar plotë njerëz të tjerë, në vite. Në të ardhmen do të kalonin po ashtu, njerëz që do të mbartnin në vetvete, si dhe ai, mallin, hallet dhe brengat e tyre. Njerëzit jetojnë këtë jetë të çuditshme, që ngjason me përrallat, apo që shfaqet si në ëndrra, me ankthin e të panjohurës, e cila të përgjon në çdo hap dhe të zë pusi aty ku nuk e pret.
Redaksinë e gazetës e kishte pushtuar një farë trishtimi, të cilin e ushqente dhe koha e zymtë, bora e shiu, që atë ditë prodhonin hibridin me emrin llohë. I shoqëruar me erë, shiu e lloha shpërndanin në rrugë e trotuare, gjethet e fundit të mbetura në pemë. Ato binin në rrugë apo mbi kokat e kalimtarëve, me një farë mospërfilljeje tallëse. Gazetarët e shihnin një pamje të tillë nga dritaret e sallës ku qenë mbledhur.
-Çështë kjo mbledhje? – pyeti Dritëroi njërin prej gazetarëve. Në vend të përgjigjes, ai mblodhi supet. Mbase nuk e dinte. Mbase nuk duhej të fliste. Ku i dihet. Ishte koha e mpirjes së trurit të shoqërisë shqiptare, koha e krisjes së madhe, e kërcimit nga Bashkimi Sovjetik në Kinë, koha e kinezërirave. Deri atëherë, që vërejtur një farë lirie, shihej liberalizëm në jetë e krijimtari. Tani puna ndryshonte. Hrushovi kishte tradhtuar marksizëm-leninizmin. Në qiell qe ngritur Mao Ce Duni, një hero i ri. Enver Hoxha shpresonte të renditej ndër më të shquarit. Ishte koha e delirit dhe e frikës. Koha e miqësive të mëdha dhe e tmerrit, po në këto përmasa. Nuk mund të toleroheshin as gabimet më të vogla. Ato mund të ktheheshin në faje të mëdha, si me magji. Një pakujdesi mund të shitej për veprim të qëllimtë. Ishte kohë tranzicioni, kohë fshese. Hiqeshin mbeturina dhe rrugët sërish ishin plot me të tilla. Ndryshonte vetëm ngjyra e tyre. Njerëzit ndiheshin të rrënuar, se në diktaturë njeriu zhvlerësohet. Vlerë merr vetëm pushteti. Këto ishte duke menduar Dritëroi, deri në çastin, kur në sallë hynë të deleguarit.
***
Mbledhja filloi, siç fillonin gjithmonë mbledhjet tradicionale të asaj periudhe. Me deduksionet e njohura emfatike dhe njëkohësisht me entuziazmin hipokrit që ekzistonte në radhët e të pranishmëve, të cilët parandjenin furtunën. Por midis konformistëve, në sallë kishte dhe njerëz që vinin dinjitetin në plan të parë. Një prej tyre ishte Dritëro Agolli. Gjithsesi, atmosfera e tensionit, e pritjes së diçkaje të keqe, notonte si një makth, në ajrin e rënduar të atij dimri. Ishte ftohtë dhe të pranishmit qenë veshur trashë. Një pjesë e tyre dridheshin nga të ftohtët, por edhe nga emocionet e frikës. Të tjerët shkëmbenin ndonjë buzëqeshje të shtirur. Dukej sikur askush nuk kishte dëshirë të bisedonte gjatë.
Sekretari i partisë, një burrë trupshkurtër me syze të errëta, rrinte i heshtur. Madje qe tepër i zymtë. Shfletonte disa letra që mbante përpara në tavolinë, i kthente njëra pas tjetrës, dhe në një çast ngriti kokën, hodhi vështrimin mbi gazetarët, dhe tha:
-Besoj, e dini përse jemi mbledhur. Ka ndodhur një ngjarje e pahijshme. Dhe kur? Ditën që shoku Enver Hoxha vizitoi ekspozitën, ditën e 20 vjetorit të çlirimit të atdheut. Një gabim i pafalshëm. Gafën e kapi vet shoku Enver. Natyrisht, edhe të tjerë shokë të Komitetit Qendror të Partisë. Udhheqja është e shqetësuar, sepse ka gazetarë që tallen me organin qendror të partisë.
-Çfarë ka ndodhur? – pyeti një gazetar, i cili nuk qe informuar, pasi erdhi me vonesë, ose ia deshi puna të pyeste, kushedi përse.
-Në numrin e 28 Nëntorit, 52 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 20 – vjetorit të çlirimit të atdheut, në faqen 4 dhe 5, është deformuar emri i gazetës “Zëri i Popullit”. Dezhurn ka qenë Dritëro Agolli, – tha sekretari, duke hedhur vështrimin mbi Dritëroin. – Për më tepër, gabimi është në faqet ku ka zënë vend reportazhi i tyre. Ju e dini që dezhurni duhet ta shohë gazetën me shumë kujdes, fjalë për fjalë, në të gjitha shkrimet që publikohen. Dhe mban përgjegjësi për gjithçka. Por duke qenë se nuk e kini mendjen te puna, por te rakia, ndodhin këto marrëzira. Në krye të faqes 4, në vend të “Zëri i Popullit”, është shkruar Zëri i Pupullit. Gabimi në faqen 5 është ca më i madh. Në vend të “Zëri i Popullit”, është shkruar Zëri i Pupullit.
-Gazetarë që neglizhojnë deri në këtë masë, nuk kanë vend në redaksi, – tha një prej anëtarëve të redaksisë. – Ne duhet ta analizojmë çdo gjë me sy kritikë, si të qëllimshme. Sepse dihet që Dritëroi ka shfaqur ca pakënaqësi për prishjen me sovjetikët.
Dritëroi brofi në këmbë.
-Prit, – i tha Todi Lubonja, kryeradektor i gazetës, – nuk ta kemi dhënë fjalën.
-Dakord, por nuk duhet të lejoni të bëhen shpifje ndaj meje, – tha Dritëroi.
U çua dhe një tjetër. Nuk duhet ta mohosh pakënaqësinë, sepse të iku rusja dhe djali i saj, tha një tjetër.
Dritëroi nuk duroi. U çua sërish dhe tha:
-E kuptoj që përgjegjësia është e imja. Gabimi është fakt, na ka rrëshqitur, por jo për shkak të pijes. Ne e kthejmë ndonjë gotë. Të gjithë e dinë. Por dje s’na ka shkuar mendja as për ujë, jo për pije. Arsyeja duhet parë te lodhja. Është pakujdesi gjatë përgatitjes përfundimtare të faqeve për shtyp. Ju e dini që kemi shkruar, gati çdo ditë. Nuk dua të justifikohem. Përgjegjësia është përgjegjësi, por kurrsesi e qëllimtë. Kjo ka rëndësi për mua. Vendimi u takon juve ta merrni dhe unë jam dakord. Ndërsa ai shoku, është mirë t’i lërë sovjetikët, sepse po të kishte ndonjë test për dashurinë ndaj atdheut, apo sinqeritetit në punë, nuk dihet çfarë dilte. Sa për djalin, unë nuk e mohoj. Nuk është djali i saj, por djali im.
Kërkohej që Dritëroi të bënte autokritikë, të “zbërthehej” dhe të tregonte se ku ishin shkaqet që e çonin në këto gabime, të thellohej në autokritikën e tij, se nuk dukej bindëse etj. Todi Lubonja dëshironte ta ndihmonte, por nuk qe e lehtë. Problemi ishte atje lart. Diskutimet vazhduan gjatë. Marrëzia ishte kthyer në sistem dhe çdo tentativë arsyetimi për të kërkuar sqarime zhvlerësohej menjëherë. Realiteti shqiptar në atë kohë kishte hyrë në fazën e ngurtësimit të ndërgjegjes. Asgjëkundi nuk dukej ndonjë shenjë shprese. Ndarja me Bashkimin Sovjetik, ndihej ende.
Todi Lubonja nuk dëshironte të kishte pasoja gazetari e poeti Dritëro Agolli. Hidheshin mendime të ndryshme. Edhe ka gabim, edhe s’ka. Pakujdesi është. Ndonjë propozoi që ta linin atë çështje, se nuk qe me shumë rëndësi. Në thelb, sulmi ndaj të talentuarve qe kthyer në strategji. Ata goditeshin verbërisht nga shteti, për gabime të parëndësishme apo të tjera që s’i kishin kryer kurrë. Kjo shënjestër e verbër e paralajmëronte Agollin, që të bënte më shumë kujdes në punën e tij. Tregonte njëkohësisht që shteti arrogant nuk i donte poetët, kishte alergji ndaj intelektualëve. Përse bëhej e gjithë kjo zhurmë kundër një gazetari? Kujt i interesonte ky terror? Përgjigja ndodhet brenda rrjetës së merimangës, së thurur nga diktatura e asaj kohe.
Pas 4 orë mbledhje, organizata e partisë dhe kolegjiumi i Redaksisë së Gazetës “Zëri i Popullit”, pritej të merrte vendimin. U bë pushim. Telefonuan diku lart. Përsëri në mbledhje. Në fytyrat e të deleguarëve ishte fashitur hija e zezë që u rëndonte. Duket se ata, atje lart, kishin pranuar që dënimi të mos ishte i ashpër, por… Sekretari i organizatës tha hijerëndë, se partia mendoi t’i jepte dorën Dritëro Agollit, duke i dhënë “vërejtje me shënim në biografi”. Motivacioni i masës është se, duke qenë në detyrën e dezhurnit, për shkak të pakujdesisë së tij, lejoi gabimin në numrin e gazetës së datës 28 Nëntor 1964. Në faqet 4-5, ishte shkruar “Zëri i Pgpullit” në vend të “Zëri i Popullit”.
Dritëroi e pranoi masën dhe premtoi të ishte më i kujdesshëm në të ardhmen. Ky ndëshkim u duk sikur do ta ndryshonte disi mënyrën e komunikimit të tij, sepse tanimë duhej të qe më i matur. Por nuk ndodhi ashtu. Dritëroi mbeti i njëjti person, dinamik në punë, i dashur me shokët, plot humor dhe realist.
Në atë numër gazete, Vangjush Gambeta dhe Dritëro Agolli, patën publikuar një reportazh të gjatë, që zinte faqet 4 dhe 5. Bëhej fjalë për fitoren e pavarësisë dhe, në mënyrë të veçantë, për ekspozitën që hapej me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të atdheut. Të nesërmen ekspozitën e vizitoi Enver Hoxha. Ai e shihte shtypin rregullisht, por në ditët festive, aq më tepër, pasi ishte vet protagonist. Kur kishte ngjarje politike, e shihte me lente zmadhuese. Në atë reportazh, midis të tjerave ata shkruanin: “Parakalojnë 20 vjet. Ne mburremi me atdheun tonë që është bërë më i bukur, më i pasur, më i fortë se kurrë. Hidhni një vështrim maleve, luginave, fushave, liqeneve e deteve të tij. Shihni hapin e tij të fuqishëm, pulsin e tij të fortë, këngën e tij gazmore. Në grykat e maleve oshëtijnë turbinat e hidrocentraleve, në lugina çajnë qiellin oxhakët e fabrikave dhe uzinave, në fushë bleron drithi e buçasin traktorët, në det lundrojnë vaporët tanë…”.
Ndërkaq, në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, ishte krijuar një tkurrje dhe frikë për fatin e secilit prej gazetarëve. Gjithkush e ndjente qartë rrezikun e flakjes në rrugë, në rast të ndonjë gabimi, qoftë edhe të vogël. Gjithçka varej nga aparatçikët e lartë. Ata mund ta konsideronin gabim edhe përmbajtjen guximtare të një fjalie të vetme. Disa prej tyre filluan të shtojnë dozën e autocensurës në artikujt e përditshëm, duke u kujdesur, që jo vetëm në fjalitë e para të artikullit, por në çdo segment të tij, të përmendnin shprehjet, “sipas mësimeve të partisë e shokut Enver”.
Komentet