Masakra e 26 shkurtit, ku u ndërprenë në mënyrën më çnjerëzore 22 jetët e pafajshme, ka anën tjetër të saj: Burgimin, internimin, dhunën, diskriminimin e familjarëve të tyre, të cilat vazhduan për 40 vjet me radhë, deri ditën që u shemb regjimi komunist. Unë jam një nga dëshmitarët e këtij persekutimi, ashtu si shumë të tjerë në këtë sallë, në familjen time kam njohur pushkatimin, burgosjen, internimin dhe diskriminimin. Medalja në gjoksin e Skënder Brecës ka peshë po aq sa plumbi që S. Breca i ka dhënë babait tim, por është shumëfish më i rëndë sot në gjoksin e tij.
Deportimi: 3 mars 1951
Atë ditë të ftohtë, në kamionin që na mori ishin tri familje: Tri plaka, tri gra të reja dhe një tufë fëmijësh që shoqëroheshin nga një polic me automatik. Oficeri i Sigurimit Ali. K. mori pallton e gjyshes time, ia hodhi mënjanë në korridor dhe i tha: “Mjaft e ke mbajtur, o borgjeze!”. Gjyshja filloi të dridhej nga të ftohtit. Mamën nuk e lanë të merrte as teshat nga teli i oborrit. Gruaja e guximshme Hanko Omari, vrapoi në shtëpinë aty pranë dhe solli një batanije të gjelbër. Polici ia hoqi nga duart gjyshes dhe ia ktheu batanijen me inat. Mirëpo sapo u nis kamioni, ajo grua kurajoze na i hodhi sërish batanijen e çmuar, e cila na ndoqi mbrapa gjatë gjithë kohës së internimit. Me atë batanije gjyshja na mbuloi ne fëmijët që ishim strukur si trumcakë të trembur nga grabitqari që na kishte marrë baballarët, pa na lënë t’i përqafonim për herë të fundit.
Kur ndaluam diku afër Rrogozhinës, zbritëm nga makina për të kryer nevojat, fëmijët. Banorët e zonës shikonin me habi policin e armatosur që kishte drejtuar armën nga fëmijët e hapur pas ferrave. Nën shikimet e njerëzve rrotull, polici e uli armën i turpëruar dhe e vari në sup.
Veç policit na shoqëronte dhe një shkresë për Komitetin Ekzekutiv, të Beratit e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Kiço Kasapi me këtë përmbajtje: “Po ju dërgojmë familjet e dëbuara nga Tirana të disa reaksionarëve të pushkatuar kohët e fundit… Interesohuni për sistemimin e tyre në ndonjë ndërtesë, gjithashtu edhe t’u gjendet ndonjë punë, sa për të siguruar bukën e gojës”. Një trajtim i tillë të sillte ndërmend deportimet e çifutëve prej nazistëve në Gjermani.
Punët ishin të rënda. Në dimër kujtoj nënën time dhe Lemçe Zogollin, të motrën e Fadil Dizdarit, që mblidhnin ullinj dhe ngarkoheshin me kosha në kurriz për t’i çuar në majën e kodrës në Kishën e Shëndëllisë, ku ishte pika e grumbullimit. I paguanin 500-600 lekë në 15 ditësh.
Sekretari Kasapi kishte dhënë urdhër të prerë… Mamaja u gëzohej triskave të bukës. Në verë nga tabiet e Kalasë shikonim nënat tona se si zvogëloheshin, derisa zhdukeshin, duke ikur drejt Osumit, ku punonin në seleksionimin e inerteve. Më vonë punuan te hasrat. Nëna mësoi të thurte litarë, zuke e hasra. Të dielën i merrnin në punë “vullnetare” për të prerë kashtë në kënetë. Megjithëse me çizme, uji futej brenda e bashkë me to dhe shushunjat, të cilat i hiqte në darkë me dhimbje, duke i lyer me hi.
Diskriminimi
Gjatë regjimit nazist në Gjermani, çifutëve u vendosej në xhaketë një yll që i bënte ata të dallueshëm nga qytetarët gjermanë, për t’i diskriminuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me mua. Kur mbarova shkollën 7-vjeçare nëndrejtori Miftar Vigani, lexoi emrat e nxënësve që do të vazhdonin shkollën e mesme. Unë nuk e dëgjova emrin. Në fund, ai shtoi: “Gëzim Peshkëpia dhe Halit Bakalli nuk mund ta vazhdojnë shkollën e mesme, sepse kanë biografinë e keqe”. Ndërkohë, unë ndjeja shikimin e shokëve dhe fshihesha pas kurrizit të tyre, sikur të kisha bërë ndonjë faj. Kisha fituar yllin e hebrejve. Ky yll diskriminimi më ndoqi deri në vitin 1975 kur më arrestuan.
Kjo lloj përndjekje është e paprecedent në gjithë Europën komuniste. Mjafton shembulli i Hysen Shehut persekutimi i të cilit filloi qëkur ishte në barkun e nënës. Nënës së tij Sevdijes 21-vjeçare i mohuan dhe asistencën mjekësore elementare për lindjen e fëmijës. Dega e Brendshme e Vlorës nuk e lejoi të lindte në maternitetin e qytetit si gjithë gratë e tjera. Ajo lindi në shkallët e maternitetit, duke rrezikuar jetën e saj dhe të foshnjës. Kishte filluar persekutimi i Hysenit. A gjendet vallë në analet e historisë njerëzore një rast i ngjashëm? Besoj se jo. Komunistët shqiptarë kanë meritë të veçantë për këto lloj persekutimi unikal.
Vajzat e Jonuz Kacelit, 16 dhe 18 vjeç, detyroheshin të punonin shkrepave të Skraparit, në punët më çnjerëzore. Po ashtu, e njomë, punoi si skllave bashkëmoshatarja e tyre, Jeta Delhysa. Shyrete Jegeni, me dy fëmijë të vegjël, gëzohej që kishte një punë në ndërtim, me të cilën siguronte bukën e fëmijëve jetimë, pavarësisht se puna ishte shumë e rëndë. Anica Troka, lehonë me foshnjën 40 ditëshe dhe një vajzë 2 vjeçe, e internuar së bashku me ne në Kalanë e Beratit, i linte fëmijët te Marija Rashkoviçi, e shoqja e Lluka Rashkoviçit, që të shkonte në punë për të siguruar ushqimin e tyre. Të shkretat gra të reja u deformuan nga puna e rëndë, morën pamjen e burrave. Ky shpërfytyrim i gruas kishte filluar vite më parë e vazhdoi deri ditën e fundit që regjimi komunist qëndroi në këmbë.
Nëpër rrathët e ferrit komunist
Ferri shqiptar i komunizmit, ashtu si Ferri i Dantes, kishte disa rrathë ku shkalla e vuajtjes vinte duke u shtuar. Të tjera vuajtje na pritnin përpara. Të gjitha perspektivat tona ishin të errëta. Na ishin privuar të gjitha të drejtat, e drejta e shkollimit, e drejta e punësimit, e drejta e një jete me dinjitet. Ndërsa e shoqja e diktatorit Nexhmije Hoxha në 5 qershor 1979 deklaronte në Kongresin e Frontit Demokratik në Vlorë: “Fëmijët e armiqve të partisë dhe popullit do t’i persekutojmë shtatë breza, madje do t’i lëmë pa martuar”. Përmasat kriminale të regjimit ishin të pakufijshme, por falë Zotit, ata nuk ia arritën dot t’i realizonin të gjitha ëndrrat e tyre monstruoze. Ne, jo vetëm që u martuam, por lindëm dhe fëmijë që i trashëguan të gjitha vlerat fisnike, të cilat ne vetë i kishim në genet tona dhe për to u persekutuam.
Është e vërtetë që ne u vramë, u burgosëm, u internuam, u diskriminuam në mënyrën më të pashoqe, por gjatë të gjithë kalvarit të gjatë të vuajtjeve kemi qenë të vendosur në anën e drejtë të historisë. Ata që deshën ta kthejnë në të kundërt rrotën e historisë, ata që deshën të na zhduknin gjenetikisht, duke na mohuar dhe të drejtën e krijimit të familjes, përfunduan në koshin e plehrave të historisë. Të humburit janë ata që nuk e kanë kuptuar akoma se rrota e historisë nuk mund të kthehet në të kundërt, as me bomba molotov, as me zjarr dhe as me ndonjë formë tjetër dhune. Ne do ta kujtojmë gjithmonë persekutimin, por do t’i themi: Kurrë më!