Pamë të premten një version të Nëntëdhjeteshtatës të transplantuar plot katërmbëdhjetë vjet më vonë në Shqipëri.
Organizatorët e ngjarjes ishin betuar e stërbetuar se ngjarja do të ishte paqësore, ndonëse kishin paralajmëruar se ngjarja mund t’iu dilte nga kontrolli. Miqtë amerikanë me kohë ua kishin tërhequr atyre vëmendjen që ngjarja të mos dilte nga caqet paqësore. Edhe shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishte e përgatitur për të qenë e pranishme në një episod paqësor.
Ngjarja e së premtes ishte një dështim fatal për opozitën shqiptare. Me precedentin e krijuar ajo nuk mund të ketë përballë vetëm kundërshtarin politik, por gjithë pjesën pozitive të kombit shqiptar, të etur për përparim të vendit, të prirur për përmirësim të jetës dhe të statusit individual e kolektiv nëpërmjet rrugëve paqësore, me sjellje dhe veprime qytetëruese perëndimore, të etur për të qenë edhe zyrtarisht, ashtu si janë në mënyrë natyrale, pjesë e kombit të madh evropian.
I takon opozitës t’i marrë nën kontroll të gjithë faktorët nostalgjikë të Nëntëdhjeteshtatës dhe t’ua tregojë atyre vendin. Vetëm kështu ajo mund t’ia hapë rrugën vetes për rikthim evropian në pushtet. Përndryshe asaj do t’i mbeten vetëm versionet fondamentaliste arabe ose mafioze amerikanolatine për të ardhur në pushtet. Dhe do të shndërrohet në një pengesë të urryer në rrugën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për në Evropë.
Vërtet Nëntëdhjeteshtata është e papërsëritshme, është e patransplantueshne në kohë apo hapësira të mëvonshme shqiptare. Por ne të premten pamë një përpjekje të rikthimit të Nëntëdhjeteshtatës në konteksitn e një Shqipërie anëtare të NATO-s, të një Shqipërie me jo pak të meta dhe jo me pak probleme, por të një Shqipërie me shpresa më të nxehta se kurrë për t’ua arritur qëllimeve të saj. Një Shqipëri e tillë do t’ua bënte hi e pluhur dëshirat donkishoteske të gjithë transplantuesve të revolucioneve të huaja barbare në këtë vend evropian.
I takon drejtësisë ta marrë sa më shpejt çështjen në dorë, duke mos mbetur më në periferi të problemeve si deri më sot, por duke shkuar në thelbin e kësaj çështjeje, në autorësinë e drejtpërdrejtë, në shfrytëzimin e menjëhershëm të të gjitha të dhënave dhe të të gjitha fakteve sa kohë që ato janë të freskëta. Institucionet e tjera të pavarura, të rendit dhe të rregullit, si policia dhe shërbimet inteligjente të jenë absolutisht bashkëpunuese dhe të hapura, në mënyrë që hetimet të futen në rrugë menjëherë, pa pritur përshkallëzimet e reja.
Nëse drejtësia nuk e bën këtë, atëherë ky do të ishte një dështim fatal edhe për drejtësinë e Shqipërisë. Ajo kësaj here do ta humbiste përfundimisht edhe prestigjin e fundit të mbetur, edhe besueshmërinë e fundit të mbetur. Ajo ka shansin ta kuptojë se ky është shansi i fundit që shteti ligjor të triumfojë në Shqipëri. Ajo ka shansin t’ua bëjë të qartë këtë të vërtetë të gjithë faktorëve të jetës së vendit: politikës, biznesit, shoqërisë, shtetit.
Një destabilizim i Shqipërisë së stadit të sotëm përbën destabilizim të pandalshëm edhe të vendeve të tjera fqinje, një pjesë sosh edhe ato anëtare të NATO-s, një pjesë anëtare të BE-së, një pjesë kandidate për në NATO apo për në BE, një pjesë tjetër me aspirata evropiane apo evroatlantike. Një destabilizim i Shqipërisë së stadit të sotëm ndihet urgjentisht në të gjitha shtetet fqinje dhe rajonale ku ka prani të popullsisë shqiptare.
Parë me këtë sy, nga faktorët stabilizues ndërkombëtarë, miq e aleatë, nga të gjithë faktorët pozitivë e konstruktivë kërkohet të ushtrojnë ndikimin e tyre në favor të zhvillimeve paqësore, në mënyrë që të mos iu dalë nga dora Shqipëria dhe pjesa tjetër e rajonit ballkanik. Me asnjë qëndrim ekuivok të mos i krijohet përshtypja e dritës jeshile për veprime të papërgjegjshme segmentit të papërgjegjshëm të opozitës në Shqipëri. Përndryshe përgjegjësia do të jetë e shpërndarë dhe do të mbetet pa autorësi, si më 1997. Dhe, vetvetiu çdo version i Nëntëdhjeteshtatës do të ketë version të Nëntëdhjetetës, version të Nëntëdhjetenëntës, versione të pafundme të njëpasnjëshme prapakthyese zinxhir në kohë e hapësirë.
I takon, ndërkaq, shumicës qeveritare, ta rishikojë veten në masën e duhur dhe në thellësinë e duhur, ta rishikojë mundësinë e zgjerimit të bazës së saj, ta rishikojë mundësinë e dialogut me faktorët konstruktivë e pozitivë të reformuar të opozitës, sado të pakët të jenë ata, mundësisht me sa më shumë prej tyre. Nga ana tjetër, për mbarështrimin e lëvizjeve të ardhshme të segmentit opozitar të së premtes, do të ishte tejet e këshillueshme që Shqipëria të marrë ndihmë të madhe teknike eksperte nga disa vende perëndimore apo nga një vend i caktuar perëndimor, i cili ka përvojë të përkryer në kontrollimin e situatave të tilla, që ato të mos përsëriten, që taktikat e ardhshme të organizatorëve të ngjarjeve të tilla të kapen në kohë dhe të merren nën kontroll në faza sa më të hershme.
Përndryshe do të përballemi me dështim fatal të shtetit në Shqipëri, me dështim fatal të çështjes shqiptare në tërësi, çka do të prishte në mënyrë fatale ekuilibret e domosdoshme – po të shprehemi burokratikisht – në këtë pjesë të rajonit, kontinentit dhe botës.
(Botuar në Bota Sot më 23 janar 2011)