Kjo intervistë është marrë më 2020.
KOSOVË– Nikola Sanduloviç, Kryetar i Partisë Republikane të Serbisë ka pranuar se video-përgjimi i publikuar në media ku thuhej se Presidenti Hashim Thaçi ka financuar partinë e Vuçiç është e vërtetë. Në një intervistë për Lirim Gashin, Sanduloviç shprehet se ai përgjim është i vërtetë dhe se duhej të ishte publikuar gjatë kohës së zgjedhjeve, në mënyrë që të pentente rrëzimin e Albin Kurtit.
Interviste nga Lirim Gashi
Sandulović, unë jam jashtëzakonisht mirënjohës që ju pranuat kërkesën time për një intervistë me shkrim. Publiku i Kosovës ju kujton kryesisht për shkak të intervistës që e bëtë për Radiotelevizionin e Kosovës para disa vitesh.
Në këtë intervistë, ju prezantuat një seri pikëpamjesh interesante, moderne, njerëzore dhe humane për të gjitha temat e mundshme në lidhje me aktivitetet tuaja politike. Por ajo që befasoi më shumë publikun e Kosovës në një kuptim pozitiv, ishin pikëpamjet tuaja moderne, humane, konstruktive dhe mbi të gjitha pragmatike për atë se si duhet të duken jo vetëm marrëdhëniet midis popullit serb dhe shqiptar, por edhe midis vendeve të tyre. Ju lutem që t’ia përshkruani shkurtimisht publikut të Kosovës se çfarë e dallon veprimtarinë tuaj politike, dhe madje edhe çfarë i dallon pikëpamjet tuaja politike, kulturore dhe arsimore nga pikëpamjet e politikanëve të tjerë serbë?
— I nderuar Z. Lirim, është kënaqësi e veçantë për mua që t’ju përgjigjem këtyre pyetjeve interesante, si dhe t’i prezantoj publikut të Kosovës detajet dhe zgjidhjet e pozitës time kryesisht njerëzore dhe politike, të cilat do të kontribuonin një zgjidhjeje të qëndrueshme, paqësore dhe stabile të problemeve midis popullit shqiptar dhe serb dhe vendeve të tyre. Siç mund ta shihni nga aktivitetet e mia politike, disa vite me radhë, ju mund të konkludoni se politika ime është shumë më e ndryshme dhe konstruktive për sa i përket zgjidhjeve të shpejta, sesa ajo e politikanëve të tjerë në Serbi. Ne të gjithë mund të bindeshim se qëndrimi i të gjithë politikanëve serbë ndaj popullit shqiptar për dekada të tëra ka qenë i pandryshueshëm, dhe kohët e fundit veçanërisht i pasinqertë. Askush prej tyre nuk kishte një motiv të sinqertë që do t’i çonte serbët drejt pajtimit të përhershëm me shqiptarët, por përkundrazi, me fjalimet dhe frazat e tyre të rreme patriotike, ata thelluan mosbesimin midis popullit serb dhe atij shqiptar që jetonte dhe jeton në Kosovë.
Vendosmëria për të mos ndryshuar asgjë për të mirën reciproke është produkt i urrejtjes së thellë, e cila i ka rrënjët në ideologjinë e rreme komuniste. Kjo është njëherësh edhe një nyje themelore Gordiane që frenon çdo ide për një zgjidhje të mundshme paqësore. Anasjelltas, politika ime është avangardë, vizionare dhe e bazuar në parime të vërteta demokratike me një drejtësi dhe të vërtetë të theksuar, që drejtojnë të gjitha vendimet e mia politike. Unë jam sinqerisht dhe thellësisht i vetëdijshëm për politikën e gabuar serbe, e cila është zhvilluar për dekada në Kosovë ndaj popullit shqiptarë, dhe unë jam i gatshëm të pranoj ato gabime, t’i korrigjoj ato, dhe të jap zgjidhje konkrete dhe të shpejta për jetën e përbashkët të ardhshme të popullit serb dhe shqiptar në këtë zonë. Krahasimi i pikëpamjeve të mia politike, edukimit, kulturës dhe arsimit me kulturën, arsimin dhe pikëpamjet politike të serbëve të tjerë, është e njëjtë me krahasimin e së vërtetës dhe gënjeshtrës, drejtësisë dhe krimit, të kaluarën dhe të ardhmen.
– Nga vjen nevoja juaj njerëzore dhe humane për paqe, drejtësi dhe barazi midis të gjithë individëve, kombeve dhe shteteve, pavarësisht nga origjina etnike, ngjyra e lëkurës dhe feja, dhe sidomos nga vjen nevoja juaj për barazi midis të gjitha kombeve fqinjë që janë të detyruar për të jetuar pranë njëri tjetrit.
– Nevoja ime, në radhë të parë njerëzore, dhe më vonë politike, për të ndjekur rrugën e së vërtetës dhe drejtësisë, dhe për të përfunduar gjithçka me zgjidhjen përfundimtare njerëzore, vjen nga rrënjët e mia politike dhe edukimi im familjar, ku çdo jetë njerëzore është njësoj e vlefshme, pavarësisht nga feja dhe etnia. Unë u mësova nga shembuj konkretë, nga rrethi i familjes sime dhe e kuptova se si funksionon mënyra për të arritur deri të e vërteta dhe drejtësia për të gjithë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave. Unë qysh si fëmijë e kam kuptuar kënaqësinë që ia dhurojnë njeriut veprat e mira, dhe respekti për veprat e mira të njerëzve të tjerë. Nevoja ime për barazi midis të gjitha kombeve fqinje rezulton nga obligimi moral për të ardhmen më të mirë që duhet t’ua mundësojmë fëmijëve tanë. Përgjegjësia dhe detyrimet ndaj brezave të ardhshëm janë një akt human historik këtë herë, duke pasur parasysh atë që kemi kaluar. Uria, sëmundja, vdekja dhe frika nuk e njohin fenë dhe ngjyrën e lëkurës. Nuk besojë se kemi nevojë për arsye më të mëdha për të kuptuar që në aktin përfundimtar të gjithë jemi të barabartë para Zotit dhe njerëzimit.
– Çfarë i pengoi serbët dhe shqiptarët të arrijnë të njëjtin pozicion si individë, kombe dhe shtete në Gadishullin Ballkanik, dhe çfarë roli luajti politika serbe në tërë këtë proces historik?
– Pengesa kryesore dhe shkaku i pozitës së pabarabartë midis serbëve dhe shqiptarëve është politika kriminale e regjimit të kaluar dhe sotëm komunist, e cila bazohet në një nacionalizëm mizor i cili rezulton me mosrespektim të etnive, feve dhe zakoneve të njerëzve të tjerë, si dhe një ndërthurje e rrethanave fatkeqe, në mënyrë që njerëzit e gabuar, pra politikanët e gabuar, të gjenden në vendin e gabuar. Politika komuniste serbe, tani mund të konstatoj lirisht, ka bërë aq shumë zullum në Ballkan në 25 vitet e fundit, duke provokuar dhe zhvilluar luftëra vëllavrasëse, nacionaliste dhe pushtuese, sa që do të duhen po kaq vite për të shëruar plagët dhe për të kërkuar falje të sinqertë për padrejtësinë. , në ish-Jugosllavi. Unë besoj dhe pretendoj se i gjithë ky kaos dhe luftë që kaloi nëpër Ballkan mund të ishte shmangur me siguri, sikur asokohe të mos ishte në pushtet një parti kriminale komuniste, e fshehur nën petkun e Partisë Socialiste të Serbisë dhe e kryesuar nga krimineli Sllobodan Millosheviç.
– Çfarë pengesash duhet të heqin serbët dhe shqiptarët, si individë dhe si kombe, për të arritur marrëdhënie të mira fqinjësore?
– Besoj se pengesa kryesore për paqen përfundimtare dhe zgjidhjen e problemit serbo-kosovar është struktura aktuale politike në Serbi, e cila ishte shkak i konflikteve të së kaluarës midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, sepse doktrina e tyre politike është shoviniste, gjë që ndikon negativisht në qëndrimim e tyre politik ndaj çështjes së Kosovës.
Prandaj për sa kohë që njerëzit që ishin shkaku i problemit, luftës dhe vdekjes, janë zëdhënësit dhe garantuesit e pajtimit dhe paqes në të ardhmen, ne do të jemi larg një zgjidhje të drejtë dhe qëndrueshme përfundimtare. Duart e përgjakura komuniste dhe radikale nuk mund të ofrojnë një dorë të sinqertë pajtimi dhe t’u kërkojnë falje njerëzve, të cilëve u kanë shkaktuar dhimbje të paimagjinueshme me pasoja të përhershme negative.
Historia do ta kujtojë atë si një politikë kriminale komuniste serbe, të cilën ata e ndoqën në shekullin e njëzetë në ish-Jugosllavi. Ajo rrymë politike do të mbahet mend si më e keqja dhe më e dëmshmja ndonjëherë, dhe ajo epokë do të mbahet mend si një nga më monstruozet, sepse prodhoi kaq shumë ngjarje dhe pasoja dramatike dhe tragjike, sa më vjen turp që duhet të jetoj me këta njerëz nën të njëjtin qiell.
Dhe kjo do të lërë një gjurmë të turpshme në historinë e popullit serb, të cilën ne mund dhe duhet ta kishim shmangur me çdo kusht. Por duke pasur parasysh pasojat e tmerrshme dhe mizoritë e kryera nga individë në emër të popullit serb, unë dua t’i them popullit shqiptar se më vjen keq sinqerisht si burrë dhe politikan dhe se do të bëj gjithçka për të treguar që shumica dërrmuese e serbëve mendojnë njësoj si unë. Ne do ta dëshmojmë këtë në periudhën e ardhshme. Populli shqiptar dhe serb kanë jetuar së bashku në këtë zonë për shekuj me radhë, dhe një tragjedi e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë tonë të lashtë dhe të përbashkët. Kjo është arsyeja pse unë i bëj thirrje popullit serb dhe atij shqiptar që të gjejnë forcën për të kapërcyer ngjarjet e tmerrshme dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur dhe pamundur që paqja të mbizotërojë në këtë zonë, në mënyrë që brezat pas nesh të vazhdojnë të jetojnë së bashku dhe të sigurt.
Shqiptarët jo vetëm që e respektojnë por edhe e duan Cedomir Jovanoviçin, Natasa Kandiçin, Sonja Biserkon, Zarko Koraçin, Nenad Çanakun, etj … dhe ata kurrë nuk e kanë harruar Dimitrije Tucoviçin. Pse është kështu, sipas mendimit tuaj?
– Duhet të jem mizorisht i sinqertë dhe t’i them popullit shqiptar se këta njerëz janë larg miqve të sinqertë të popullit shqiptar, sepse vetëm interesat personale ekonomike janë dado të veprimeve, pikëpamjeve, bindjeve, botkuptimeve dhe besimeve të tyre. Prandaj, pikëpamjet e tyre për çështje të caktuara në lidhje me Kosovën dhe qytetarët e saj janë vetëm rezultat i përfitimit personal. Dihet përgjithësisht se Çedomir Jovanoviç tradhtoi Zoran Gjingjiçin dhe se ai tani është një nga zëdhënësit kryesorë të Vuçiqit, i cili e shantazhoi për shkak të veprave të shumta kriminale në të kaluarën, të cilat i mundësuan atij një jetë luksoze për shumë vite.
Në anën tjetër politika e Nenad Çanak për çështjen e pavarësisë së Kosovës i shërben atij vetëm si model për mënyrën se si ai mund ta ndajë Vojvodinën nga Serbia. Motivet e tij për një Kosovë të pavarur nuk janë të rrënjosura në të vërtetën dhe drejtësinë dhe çmimin e përgjakshëm të cilin e paguar populli shqiptar, por katastrofa e Kosovës shërben atij si një justifikim dhe model për ndarjen e Vojvodinës nga Serbia, pa pasoja dhe viktima njerëzore.
Unë madje nuk do të komentoja për personat e tjerë të përmendur në këtë çështje, sepse ata janë aq të vegjël në sytë e publut serb, sa që vendimet dhe propozimet e tyre përveç që janë të padobishme dhe të pasinqerta, është edhe humbje kohe për t’u marrë me ta. Ata nuk janë figura të rëndësishme politike, madje as fragmente minimale të shoqërisë, prandaj sigurisht që nuk mund të ndryshonin asgjë me idetë dhe qëndrimet e tyre të pasinqerta, e lëre më të vendosnin dhe të përfundonin një paqe të qëndrueshme midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të ishte përfundimtare, e njohur dhe e respektuar reciprokisht. .
Pavarësisht se sa u duket në shikim të parë individëve në qarqet shoqërore dhe politike shqiptare që ndonjë nga personat e mësipërm kishte bërë ndonjë gjë konstruktive dhe teatrale për shqiptarët e Kosovës, unë dua t’u them atyre se ata ishin dhe mbeten pjesë e sistemit komunist, i cili ishte, dhe mbeti një problem për të gjithë Ballkanin. Ndryshe nga unë, rrënjët e tyre familjare dhe politike ushqehen me këto pikërisht me këto vlera të dëmshme. Nga ana tjetër, rrënjët e mia familjare kanë qenë gjithmonë antikomuniste dhe të inspiruara prej doktrinave dhe ideologjive humane dhe demokratike. Kështu që mund të them me siguri të plotë, se asnjë nga personat e sipër përmendur nuk do dhe nuk mund të kontribuojë në asnjë segmentin për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm midis serbëve dhe shqiptarëve dhe për një përmirësim të përhershëm të marrëdhënieve serbo-kosovare.
–6. Kohët e fundit, një video u shfaq në YouTube ku mund të dëgjohej biseda juaj me një njeri të panjohur të paktën për një audiencë të gjerë. Përmbajtja e asaj bisede, sigurisht, nuk la askënd indiferent, sepse informacioni që rrodhi ishte mjaft tronditës për publikun e gjerë. Jini të mirë dhe më tregoni ju lutem, kur e keni zhvilluar atë bisedë dhe sa i besueshëm është informacioni që keni marrë nga bashkëbiseduesi juaj?
– Unë jam shumë i befasuar se si biseda ime private u bë publike, dhe pse u publikua pikërisht tani kur gjithçka përfundoi në dëm të Albin Kurtit dhe në dëm të popullit të Kosovës. Sepse rrëzimi i tij nga pushteti ia mundësoi të njëjtit konfigurim politik në Kosovë që ta vazhdoi bashkëpunimin e fshehtë dhe kriminal, me të njëjtin konfigurimi politik në Serbi. Nëse dikush e ka përgjuar biseden time me qëllimin për t’ia lëshuar atë publikut, dhe nëse ato synime ishin të motivuara nga drejtësia dhe e vërteta, ata do duhej të kishin lëshuar atë bisedë pikërisht në kohën e ngjarjeve aktuale në skenën politike të Kosovës, dmth në kohën e zgjedhjeve, sepse ajo bisedë e përgjuar do të ndryshonte pozitivisht panoramen e politikes kosovare, sepse do të ndikonte në parandalimin e largimit dhe rrëzimit të diskutueshëm të Albin Kurtit nga posti i Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës. Lidhur me bisedën time me një burrë të panjohur (për shumicën e dëgjuesve), i cili shkaktoi shumë vëmendje në Kosovë, mund të them se informacioni i paraqitur është absolutisht i saktë, sepse bashkëbiseduesi im ishte thellësisht i përfshirë në politikën kosovare, dhe ai dinte absolutisht gjithçka si atëherë ashtu edhe tani për zyrtarët politik, të cilët morën vendime të turpshme politike. Ai është i përfshirë absolutisht në detaje, në të gjitha marrëdhëniet politike midis zyrtarëve serbë dhe kosovarë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Biseda jonë u zhvillua gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë, sepse ne ishim të interesuar se kush dhe pse po e rrezikon fitoren e vërtetë, të drejtë dhe demokratike të Z. Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare. Tani është bërë e qartë për pothuajse të gjithë se disa politikanë të Kosovës ishin të lidhur ngushtë me struktura të caktuara politike dhe të sigurisë në Serbi, qëllimi i përbashkët i të cilave ishte të parandalonin me çdo kusht Albin Kurtin të pastronte politikën e Kosovës nga papastërtitë kriminale.
Pikërisht kjo është arsyeja pse ata e kuptuan ardhjen e tij në pushtet si fundin e aventurave të tyre politike dhe krimit të përbashkët që ata e kryen, dhe ende po kryejnë së bashku me politikanët kriminalë serbë, në dëm të popullit shqiptar dhe serb. Unë mendoj se tani është e qartë për të gjithë, se sa e vërtetë dhe e sinqertë ishte biseda që bëra, sepse rezultati përfundimtar ishte largimi i Albin Kurtit nga pushteti dhe posti i Kryeministrit, për ta shpëtuar kësisoj vetën e tyre nga përgjegjësia penale.
Për kujtesë, video-përgjimi
(f.m/dosja.al)
Kjo intervistë është e vitit 2020