Ai është cilësuar si “Mandela i Ballkanit”, pasi kaloi mbi 28 vite të jetës së tij në burgjet komuniste. Pjetër Arbnori është ndarë nga jeta prej korrikut të vitit 2006-të. Ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 2005. U zgjodh kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 1992 si dhe pas atyre të vitit 1996.
Më 19 Korrik 2018, u përurua në ambientet e parlamentit busti i Pjetër Arbnorit në nderim të figurës dhe veprës së tij në një cermoni përkujtimore që bëri bashkë të majtët dhe të djathtët e politikës shqiptare. Arbnori u zgjodh të drejtonte seancën e parë të Kuvendit më 4 Prill të vitit 1992 dhe qëndroi në detyrën e kryetarit të Kuvendit deri në vitin 1997.
Në vitin 1998 Arbnori ka folur “pa doreza” në një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu ku rrëfen detaje rreth jetës së tij.
INTERVISTA E PLOTË E PJETËR ARBNORIT
Blendi Fevziu: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma. Ju flas nga studio e Televizionit Klan në këtë intervistë të drejtpërdrejtë me Zotin Pjetër Arbnori, ish-kryetar i Parlamentit shqiptar në vitin 1992-1997. Aktualisht sekretar i Marrëdhënieve Publike i Partisë Demokratike dhe sekretar i komisionit Parlamentar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Zoti Arbnori mirmbrëma dhe mirë se keni ardhur.
Pjetër Arbnori: Mirëmbrëma.
Blendi Fevziu: Ashtu siç edhe e keni ndjekur nga spoti i transmetuar sot pasdite, intervista me Zotin Arbnori nuk do të jetë një intervistë që i takon vetëm zhvillimeve politike të momentit, nisur nga fakti që ai është Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun dhe një nga drejtuesit e lartë të kësaj partie. Do të jetë një intervistë në të cilën do të përqëndrohemi në gjithë karrierën e Zotit Arbnori, duke nisur që nga vitet e para të studimeve e deri tek zhvillimet e sotme politike. Pra, do të jetë një intervistë e cila do të përfshijë edhe ngjarje të dhimbshme për jetën tuaj Zoti Arbnori, duke përfshirë vitet e burgut, arsyen për të cilën u burgosët dhe më pas daljen nga burgu. Sidoqoftë, kjo do të jetë një nga intervistat e para ku ju flisni direkt për teleshikuesit për një problem të tillë.
Pjetër Arbnori: Unë ju flas me kënaqësi. Zakonisht unë nuk kam dhimbje për të kaluarën, i mar me qetësi ngjarjet, qofshin të mira apo të këqija. Do të them që në shkollë kam patur fat. Kam patur mësues të shquar. Klasën e parë e kam bërë në mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës. Kam shkuar edhe më vonë e kam vizituar këtë shkollë, klasën ku kam qenë. Kam patur një mësuese të dobët, që quhej Erifili mos gabohem.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori ç’kërkonit ju në Korçë, ju jeni nga Shkodra mos gaboj dhe keni jetuar në Shkodër.
Pjetër Arbnori: Babai im ka qenë oficer, ka qenë me shërbim në Korçë dhe unë e kam bërë klasën e parë në Korçë dhe pastaj kam bërë klasën e dytë, të tretë dhe të katërt në Shkodër. Më vonë unë kam qenë në shkollën Jezuite ku kam patur drejtor Anton Lulin, një mësues i shquar që ka bërë 40 vite burgje dhe internime. Kam patur fatin ta përcjell edhe në banesën e fundit. Veç kësaj kam patur mësues të shquar si Zef Harapin, Kardinalin Mikel Koliqi, Tonin Harapin, kompozitor me të cilin kam qenë më vonë në orkestër, ai i binte pianos unë i bija violinës, ai i binte shumë mirë, unë i bija shumë keq.
Blendi Fevziu: I keni rënë shumë vite violinës Zoti Arbnori?
Pjetër Arbnori: I kam rënë disa vite. Do t’iu tregoj edhe një herë për historinë e violinës. Unë u futa të mësoj violinë me shpresën që do të marr triskën 900 gramëshe për bukë dhe triskën A të ushqimit dhe ky ishte një favor i madh.
Blendi Fevziu: Pse ata që merreshin me art kishin favore në triskë?
Pjetër Arbnori: Po, mernin 900 gramë bukë.
Blendi Fevziu: Po të tjerët sa merrnin?
Pjetër Arbnori: Dikush merrte 600, dikush tjetër 700. Unë kam patur dirigjent kompozitorin e famshëm Prenk Jakova, i cili ka qenë njeri i shkëlqyer. Pastaj kam patur mësues, Tefik Gjylin dhe Qamil Golemin të dy shokë të Migjenit dhe kjo ka rëndësi të madhe. Ata sa herë bënin mësim na flisnin për Migjenin. Kam patur fat sepse mësuesit i kam patur të mirë.
Blendi Fevziu: Meqë pak më parë thatë se kishit hyrë në orkestrën e Shkodrës për të marrë triskën 900 gramëshe, e fituat realisht?
Pjetër Arbnori: E fitova për dy vjet, por fitova edhe një përvojë muzikore. Unë nuk isha violinist i shkëlqyer, megjithatë një herë më ka ndodhur diçka që mund të quhet si anekdodë me Prenk Jakovën. Më tha: “Pjetër si është puna? Unë nuk të di për violinist të mirë ty, si nuk të kam zënë asnjëherë në gabim?”
Ai ishte i shkëlqyer, të zinte menjëherë në gabim. I thash: Kur është pjesa e lëhtë unë i bie, kur është pjesa e rëndë unë e ngre harkun lart, i bien të tjerët dhe kështu ti nuk më zë.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori ju thatë pak më parë që babai juaj ka qenë oficer në Shkodër. Ka patur shumë akuza për origjinën.
Pjetër Arbnori: Unë krenohem me origjinën e familjes. Babai im ka qenë oficer i Zogut, ka kryer shkolla në Itali dhe Austri. Ka qenë njeri i ndershëm dhe kur ka vdekur nuk na ka lënë as shtëpi, as pasuri. Ne kemi jetuar vetëm me rrogën e tij. Unë do të doja që njerëzit në detyrë të ishin kaq të ndershëm sa ai.
Blendi Fevziu: Ju përmendët vitet e para të shkollës, ku natyrisht keni patur mësues që më pas kanë qenë personalitete të njohura të jetës kulturore, por edhe didaktike shqiptare. Po shkollimin e mesëm ku e keni bërë?
Pjetër Arbnori: Shkollimin e mesëm e kam bërë në Shkodër. Kam marrë maturën me medaljen e argjendë, ishte shkalla më e lartë, kam patur të gjitha notat 5-sa, por kam patur një 4-ër në fiskulturë. Nuk kam shkëlqyer në fiskulturë. Por megjithatë, edhe pse dola i pari nuk më dhanë bursë dhe të drejtë studimi për shkak të biografisë. Biografia e familjes sime nuk përputhej me rregullat e komunizmit. Një motër e imja ka qenë tre herë në burg politik. Nëna është pushuar disa herë nga puna edhe pse ka qenë punëtore krahu. Në këto rrethana nuk m’u dha bursa dhe as e drejta e studimit.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori me sa di unë nga shënimet biografike, ju keni vazhduar studimet për Gjuhë-Letërsi ose e keni mbaruar këtë Fakultet?
Pjetër Arbnori: Unë e kam mbaruar me motivacionin shkëlqyeshëm.
Blendi Fevziu: Por si? Nuk ka një paradoks këtu, që edhe nuk iu jepnin të drejtë studimi, edhe keni mbaruar?
Pjetër Arbnori: Unë u futa mësues në fillim, më pushuan për arsye politike. Më sollën një letër që pret marrëdhëniet me këtë komitet që donte të thoshte se nuk gjeje më punë në Shkodër. Pasi ndenja disa kohë pa punë, kam shkuar në Dukagjin në një shkollë ku nuk shkonte asnjeri. Bëja 16 orë rrugë në këmbë, sepse nuk kishte rrugë makine. Në Dukagjin kam qenë sëbashku me dëshmorin e demokracisë Arben Broci dhe Beqir Broci. Pas kësaj kam qenë ushtar. Kur u ktheva nga ushtria kërkova punë dhe më thanë: Kur të vijnë anglezët dhe amerikanët të japin ata. Kështu unë ika nga Shkodra në Durrës. Shkova për ndihmës traktorist, por nuk gjeta dhe u futa punëtor krahu në Xhafzotaj. Nga aty kalova në magazinën e SMT së Shijakut. Në një kohë me zbutjen e luftës së klasave unë bëra disa dokumente false dhe u futa në universitet.
Blendi Fevziu: Çfarë ishin këto dokumente false?
Pjetër Arbnori: Ishin garanci që duheshin nga anëtarë partie. Dokument fals ishte edhe biografia.
Blendi Fevziu: Në çfarë viti ju kanë arrestuar dhe cili ka qenë motivacioni?
Pjetër Arbnori: Më parë unë iu kam thënë se edhe në universitet kam patur fat, kam patur mësues Eqerem Çabejn, të cilin e kam dashur shumë dhe më ka dashur shumë. Kam patur mësues Shaban Demirajn, të cilin e kam patur frikë, por jo aq shumë, sepse i kam bërë ballë.
Blendi Fevziu: Ka qenë edhe pedagogu im.
Pjetër Arbnori: Po. Unë gjithashtu bëja edhe njëfarë ndërlidhje letrare mes gjuhëtarit Justin Rrota në Shkodër dhe Eqerem Çabejt, sepse kjo nuk ishte fort e ligjshme të bëhej haptas. Për 2 vite e gjysmë kam dhënë 5 vite të universitetit dhe kam dalë shkëlqyeshëm.
Blendi Fevziu: Që të dalim edhe një herë tek pyetja që iu bëra pak më parë. Në çfarë viti u arrestuat? Cila ishte akuza?
Pjetër Arbnori: Unë jam arrestuar në Pranverën e vitit 1961. Unë që në moshën 14 vjeç isha futur në grupe antikomuniste. Ishte iluzioni për të bërë diçka të madhe. Më 1956 kemi grisur flamuj sovietikë. Kemi prishur një ekspozitë të sukseseve të socializmit dhe Bashkimit Sovjetik.
Blendi Fevziu: Megjithatë kur ju arrestuan, cili ishte motivacioni?
Pjetër Arbnori: Motivacioni ishte tentativë për krijimin e partisë Social-Demokrate në ilegalitet.
Blendi Fevziu: Ishte akuzë kot apo reale?
Pjetër Arbnori: Jo, nuk ka qenë kot. Unë kam hartuar edhe programin e kësaj partie Social Demokrate. Ishin një grup i Tiranës, një grup i Shkodrës, një i Durrësit dhe një grup i vogël nga Mirdita dhe kishim vendosur të bashkëpunonim.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori për çfarë do të vlente kjo parti në një moment që në Shqipëri nuk njihej pluripartitizmi dhe kur një tentativë e tillë ndërshkohej rëndë? Çfarë mund të bënte një parti ilegale?
Pjetër Arbnori: Ishte koha kur përgatitej prishja me Bashkimin Sovjetik. Të gjithë mendonin se diçka mund të ndodhte në Shqipëri. Disa mendonin dhe dëshironin. Të gjithë i kishin sytë nga perëndimi, për një devijim të kësaj rruge, sepse nuk mund të ndodhte që Shqipëria të qëndronte e vetme. Ne ishim djem të rinj dhe menduam se mund të përgatiteshim për një kohë kur do të krijoheshin edhe parti në Shqipëri. Përgjithësisht kanë qenë mësues, teknikë e inxhinierë që merrnin pjesë.
Blendi Fevziu: Sa vite u dënuat?
Pjetër Arbnori: Unë u dënova me vdekje, me pushkatim dhe dënimi me vdekje m’u kthye në 25 vjet burg.
Blendi Fevziu: Cili ishte shkaku i ndryshimit të vendimit?
Pjetër Arbnori: Ka një politikë në komunizëm që quhet politika e goditjes dhe kur vihet re që qukaniset shpata, ata e mbajnë në dorë. Në atë kohë kishte shumë pushkatime, kishte grupe të rrezikshme dhe duket se nuk erdhi radha që të pushkatoheshim. Ishte edhe një arsye tjetër që mua ma thanë, rezultonte që nuk kishte dalë që ekzistonte një grup në Shkodër. Nuk është trimëri, por as mungesë trimërie që unë nuk i nxorra shokët që kisha vepruar me ta.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori ku e keni kryer burgun?
Pjetër Arbnori: Dy vjet i kam bërë në hetuesi, në birucë. Dy të tjera izolim, në një birucë pak më të madhe, në flotën 6 dhe 7-të. Aty ishin të izoluar njerëz që donin të nxjerrnin diçka që nuk e kishin nxjerrë. Më vonë kur u prish kjo dhomë, mua më çuan në dhomën 7 ku ishte edhe Bedri Spahiu, ish-sekretar i Komitetit Qendror dhe Ministri i Arsimit i kohës së Komunizmit.
Blendi Fevziu: Kush kanë qenë miqtë tuaj në burg? Ju keni bërë burg deri më 1989 mos gaboj.
Pjetër Arbnori: Deri në Gusht të vitit 1989.
Blendi Fevziu: Pra keni bërë 28 vjet burg?
Pjetër Arbnori: E ca.
Blendi Fevziu: Dhe gjatë gjithë kësaj kohe keni qëndruar vetëm në Burrel?
Pjetër Arbnori: Kam qenë dy vjet në izolim, dy vjet në dhomë izolimi pas birucës, dy vjet në kampe pune si në kampin e Laçit, të Fushë-Krujës dhe të Elbasanit. Pastaj më morën si njeri të parehabilitueshëm dhe më çuan në Burrel, ku ndenja afro 23 vjet.
Blendi Fevziu: Gjatë kohës që keni qëndruar në burg, a keni patur presion nga Sigurimi i Shtetit apo nga struktura të tjera për të bashkëpunuar me Sigurimin.
Pjetër Arbnori: Mua më duket se të pakët kanë qenë ata njerëz që nuk iu kanë bërë presion për të bashkëpunuar. Dhe mua më kanë bërë jo një herë, por disa herë presion për të bashkëpunuar dhe Zoti më ka shpëtuar.
Blendi Fevziu: Pse thoni Zoti ju ka shpëtuar?
Pjetër Arbnori: Them Zoti, sepse unë gjithnjë kam besuar. Gjithashtu edhe edukata familjare. Kam patur një nënë të fortë, dy motra shumë të forta, të cilat më kanë rritur me ndershmëri dhe unë nuk do t’i turpëroja ato që më kishin rritur.
Blendi Fevziu: Ç’do të thotë të ishe i fortë në burg?
Pjetër Arbnori: Ka një kuptim disi ndryshe.
Blendi Fevziu: Për këtë po iu pyes edhe unë.
Pjetër Arbnori: Ka disa që mendojnë se të jesh i fortë duhet të bësh trimëri. Edhe këto kanë pjesën e vet, por është edhe një trimëri tjetër. Është një trimëri e qetë, një durim shumë vjeçar, një qëndresë që nuk të bën të fluturosh, por nuk të bën as të futesh në dhe. Këtë qëndresë mua ma ka edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut, të cilët më kanë thënë se tre janë rrugët që të bashkojnë me të keqen.
E para, frika nga torturat.
E dyta, frika për familjen.
E treta, dëshira për të patur privilegj.
Blendi Fevziu: Ju i rezistuat të treja këtyre torturave?
Pjetër Arbnori: Unë kurrë nuk e kam quajtur veten trim, por kurrë nuk e kam quajtur e as se quaj veten frikacak. Të mos shesësh trimëri, por edhe të qëndrosh atëherë kur duhet të qëndrosh, kjo është detyrë dhe jo ndonjë zotësi e veçantë. Më duket që 28 vjet e disa muaj të burgut e tregojnë. Edhe dënimi i dytë e tregon. Unë jam dënuar për herë të dytë 10 vjet, sepse kam shkruar një roman “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Ata që e kanë lexuar apo edhe ata që do ta lexojnë do të thonë pse duhet të dënohej edhe 10 vjet të tjera një njeri që ka shkruar një roman të tillë. Sot njeriu mund të thotë çfarë të dojë për vete dhe për të tjerët. Puna është çfarë ke thënë atëherë dhe çfarë ke bërë atëherë? Unë kam këtu një letër që ia kam çuar më 1964 katër personaliteteve, kryeministrit Mehmet Shehu, Haxhi Lleshit, kryetar i Podiumit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë. Kjo për fat është gjetur në Arkivin e Shtetit. Unë nuk e kisha kërkuar, por ma sollën një ditë. Po lexoj paksa: Sikurse kam deklaruar në gjyq, pjesa më e madhe e proceseve të mia është falsifikuar hapur nga major Llambi Titani. Për më tepër firmat janë marë duke përdorur dhunën fizike, psikologjike dhe kërcënimet. Gjithashtu pas dënimit tim me vdekje, presioni i paligjshëm ka vazhduar. Thuajse të gjithë pesonat që më kanë shoqëruar gjatë izolimeve më kanë thënë se janë të porositur që të më bëjnë presion dhe kërcënime që të gënjej. Më është thënë gjithashtu se do të hakmerreshin tek familja nëse refuzoja një gjë të tillë. Edhe pas dënimit tim tortura më është shtuar, në vend që të pakësohej. Tortura me hekura, djegie me cigare, shpime me gjilpërë, ndalimi i takimeve, futja në birucë, ndalimi i ushqimeve apo korrespondencës, për muaj me radhë, futja e të burgosurve që t’më bëjnë presion. Për të gjitha këto jam ankuar, por më ka ardhur duke u shtuar intensifikimi i mundimeve. Prandaj duke i marë parasysh këto të gjitha, si dhe ato që mund të vijnë më pas deklaroj qartë dhe hapur se çdo dëshmi e marrë me dhunë nuk ka asnjë vlerë dhe është e gënjeshtërt. Çdo akuzë e bërë në emrin tim është false. Unë nuk kam qëndruar kurrë në anën e gënjeshtrës dhe nuk e kam mbrojtur atë asnjëherë, këtë e kanë provuar edhe organet përkatëse. Këtë letër nuk i’ua shkruaj për t’u ankuar dhe as për të kërkuar gjë, por për t’iu vënë në dukje se në çdo rrethanë nuk do të mbroj kurrë gënjeshtrën e as do të jem në anën e saj. I burgosuri Pjetër Arbnori.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori si ka mundësi që ju shkruanit në burg? Nuk është puna vetëm e letrës, ju keni botuar disa libra në të cilat thuhet se i keni shkruajtur në burgun e Burrelit. Si ka mundësi një i burgosur në kushtete e komunizmit, në kushtet e një izolimi total, në kushtet e një dhune që njihet dhe s’po iu pyes më tutje për këtë, të arrish të shkruash romane dhe aq më tepër t’i nxjerrësh ato nga burgu? Duket pak paradoksale.
Pjetër Arbnori: Sipas rregullores kishe të drejtë të mbaje një libër, një fletore dhe një laps.
Blendi Fevziu: Por fletorja dhe lapsi kontrolloheshin.
Pjetër Arbnori: Po. Ne fletoren e bënim të trashë. Unë kam shkruar ditarin tim në burg të titulluar “Folklor” mbledhur nga botime të ndryshme dhe aty shënoja gjëegjëza, grimca historie, fjalë të rralla, diaktologji, etj. Aty shkruaja vërtet folklore, por shënoja edhe ngjarjet e ditës të koduara, shënoja edhe gjëra të tjera që më interesonin nga burgu. Vëreja karakteret e njerëzve dhe bëja shënime vërtet historike. Këtë fletore të trashë ma kanë marrë disa herë për kontroll, disa edhe mi kanë grisur, disa të tjera i kanë mbajtur aty sepse shikonin që nuk kishte gjë, vetëm këngë popullore dhe m’i kthenin. Në vitin 1972 pati një farë zbutje në burgun e Burrelit, sikurse në të gjitha burgjet e tjera. Deri atëherë ne bënim takimin në një sportel 20 me 30, e gjithë dera ishte e hekurt dhe unë shihja vetëm një pjesë të fytyrës së nënës time. Dorën nuk mund t’ia shtrija, sepse nuk më lejonin. Në 72-shin bënë një dhomë me dy karrige me çimento dhe një tryezë mes tyre. Aty vinte familja dhe takimi mund të zgjaste 2 minuta, 3 minuta apo 10 minuta, sipas dëshirës së rojes. Unë atëherë mendova që të rrezikoj për të nxjerrë dorëshkrimet e mia dhe përgatita një çantë prej mushamaje dhe futa një fletore të trashë dhe nisa të gjykoj se me cilin roje duhet ta nxjerr dhe zgjodha rojen më të rrezikshëm, më të pamëshirshëm, që ishte një bishë e vërtetë, por ishte mendjemadh. Rojet e tjerë nuk lejonin t’i jepje enë apo trasje për të marrë ushqimin, por i mernin vetë dhe i zbraznin. Ndërsa ky roje, pasi shtroje një gazetë dhe vendosje ushqimin përpara thoshte: Ç’më rri këmbë mbi këmbë. Më sill një tas apo një trastë dhe unë ia çoja menjëherë. Ai përtonte t’i bënte vetë. Dhe pasi kaluan 7-8 takime unë gjeta rastin dhe ia shtyva çantën e zezë nënës time, teksa po i jepja sahanin rojes. Nëna e pa që nuk është çanta e saj dhe ma shtyu mbrapsht, kaluan 2 minuta dhe unë përsëri ia shty çantën nënës. Aty nëna e kuptoi dhe e mori bashkë me trastat e tjera. Tre ditë kam ndenjur me zemër të ngrirë sepse nuk ishte puna që mund të më shtoheshin 10 vite të tjera mua, por mund t’i shtoheshin 10 vjet nënës apo motrës, sepse komunizmi ishte i pamëshirshëm. Ashtu doli libri i parë dhe ashtu ka dalë edhe i dyti dhe i treti. Unë kam marrë tani në dosjet hetimore të miat edhe dorëshkrimet e romanit “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, që ishte futur në dosjen time si provë materiale.
Blendi Fevziu: Ju bëtë 28 vjet burg, pra dolët në Gusht të vitit 1989. Pa dashur t’ju pyes më gjatë për vitet e burgut sepse janë edhe kujtime të rënda. Dua t’ju pyes për impresionin e parë që keni patur pas 28 vitesh izolimi, kur u kthyet në qytetin tuaj të lindjes? Një njeri i cili ka qenë i izoluar dhe ka parë vetëm një copë qiell nga oborri i burgut, ku shëtiste.
Pjetër Arbnori: Unë isha përgatitur që të dënohesha për herën e tretë dhe fakti që dola, mua më la të ftohtë. Sigurisht unë i doja nënën dhe motrat, i përqafova ato, por nuk bëra shumë sikurse bëjnë njerëzit e dëshiruar. Kur kam shkuar në Shkodër kam parë po ato rrugë, po ato rrugica, po ato shtëpi të vogla, madje më dukeshin edhe më të vogla. Gjëja e parë që kam vënë re ishte se ishin zhdukur lulet dhe ishin mbjellë hardhijat. Shtëpitë e vjetra nuk ishin shumë të bukura, por secila kishte lule, por në këtë kohë shiheshin vetëm hardhi. Më vonë e kuptova se një shtet që ka ndaluar çdo pronë private dhe s’të lejon të dalësh nga korniza, ndaj këtij shteti njerëzit kishin marrë masa dhe kishin mbjellë hardhia dhe secili bënte rrush dhe kishte një kazan të vogël për të pjekur raki. Kjo ishte përshtypja ime e parë.
Blendi Fevziu: Nga Gushti i vitit 1989 kur ju dolët nga burgu e deri në Dhjetor të viti 1990 ishte pothuajse një vit që është i nevojshëm për një ambientim. Ju thatë pak më parë se keni tentuar të formoni Partinë Social Demokrate në fillim të viteve 60-të sëbashku me miqtë tuaj. Si u lidhët me Partinë Demokratike dhe pse nuk u lidhët me Partinë Social Demokrate apo me një parti më pranë këtij programi?
Pjetër Arbnori: Unë dola, kërkova punë. Disa muaj nuk gjeta punë. Shkova tek Komiteti i Partisë se mora vesh që kishte një vend si përkthyes në institutin e misrit e orizit dhe më thanë që duhet të marrësh leje tek Komiteti i Partisë. Atje ishte sekretar i parë i partisë Xhemal Dymylja, të cilin e kam patur shok klase. Ai nuk më priti. Unë nuk dua të them që nuk deshi të më priste, por më mirë që nuk guxoi të më priste. Pastaj më futën nxënës marangoz në moshën 55 apo 56 vjeç. Në këtë kohë fati deshi që unë të gjendesha në një kohë ndryshimesh të mëdha. Ndryshimi i parë i madh ka qenë demostrata e 14 Janarit të 1990-ës për rrëzimin e bustit të Stalinit. Mua më erdhën dy vetë dhe më lajmëruan, njëri prej tyre më tha: Do përgatitësh një fjalim nëse bëhet demostrata?
Unë atij nuk i thashë që do ta përgatis, e përgatita fjalimin, por nuk u mbajt. Përgatita edhe një flamur që nuk u ngrit. Megjithatë unë nuk them që isha më frikacaku, por ndër të fundit që mora pjesë. Unë shkoja dhe vija me një biçikletë. Aty erdhi sigurimi, arrestoi njerëz, kontrolloi shtëpi dhe dënoi njerëz. Pagëzimi i dytë i zjarrit qe pjesëmarrja më 14 Janar të ‘90 për rrëzimin e bustit. Pas kësaj filloi lëvizja studentore. Ajo më dha zemër. Në Shkodër qarkullonin trakte çdo ditë dhe qarkullonin edhe trakte që thonin se do të përsëritej ajo që ndodhi në Rumani, por kishte edhe vjersha të bukura që ftonin popullin të ngrihej. Zemra m’u ngroh kur u ngritën studentët dhe bashkë me ta u ngritën edhe intelektualët. Nuk vija dot çdo ditë në Tiranë, por i hipja makinës kur kisha para dhe vija. Vija tek një piktor i njohur këtu bashkë me një kushëri timin dhe atje i merrja kontaktet për lëvizjen studentore. Unë i kam ndjekur takimet indirekt dhe në datën 12 Dhjetor kam qenë në tribunën për shpalljen e Partisë Demokratike. Jam takuar së pari me Tefalin Malshytin që ishte djalë i shkëlqyer dhe një ndër nismëtarët. Jam takuar me Sali Berishën, me Azem Hajdarin. Të gjithë ishin të pasigurtë. Unë i kam dhënë një mesazh nga Shkodra Berishës dhe aty i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit. Më 12 Dhjetor u kthyem në Shkodër dhe organizuam demostratën e 13 Dhjetorit, që ka qenë demostrata më e madhe antikomuniste në Shqipëri. Ne atje hodhëm në erë bustin e Enver Hoxhës për herë të parë, dogjëm librat e tij dhe thyem edhe pllakën që quhej rruga Enver Hoxha.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, gjatë kohës që ju keni qenë kryetar i Parisë Demokratike për Rrethin e Shkodrës, ka ndodhur një nga ngjarjet që vazhdon të mbetet një nga misteret e mëdha të historisë së këtyre 10 viteve në Shqipëri.
Pjetër Arbnori: Më parë unë do t’ju them se përse u vonua demostrata në Shkodër, demostrata e krijimit të partisë. Në fakt PD për ne ishte krijuar më 13 Dhjetor, por ishte pasiguria që na bëri të vonohemi. Erdhi gjithë komisioni nismëtar i Tiranës në Shkodër dhe aty u takuam të gjithë. Mua më ka thirrur Edmond Bushati, Kolec Ndou dhe Alfons Grishaj. Atje jam takuar me Sali Berishën dhe nismëtarë të tjerë dhe aty kam folur me të dhe jemi marrë vesh. Unë krenohem që Shkodra i ka dhënë shtysë demokracisë në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Megjithatë, ç’ka ndodhur realisht në 2 Prill në Shkodër?
Pjetër Arbnori: Më 31 Mars u bënë votimet dhe ne ishim përgatitur mirë, edhe qyteti edhe fshati ishte me PD. Në 19 deputetë ne fituam 16. Radio nuk jepte rezultatet, ndërsa në mesnatë krisën pushkë e mitrolozë në degën e brendshme dhe në komitetin e Partisë së Punës, që ishte shenjë që në Shqipëri kishte fituar komunizmi edhe një herë. Në mëngjes të gjithë njerëzit kishin dalë si të çmendur, qanin, takonin njëri-tjetrin dhe më pyesnin: Është e vërtetë që kemi humbur? U bë një demostratë spontane. Më 1 Prill filloi një demostratë në shenjë proteste që s’kishin dalë rezultatet. Më 1 Prill nuk është thyer as edhe një xham në Komitetin e Partisë. Ne u mblodhëm në ish-muzeun ateist, ku ishte qendra e PD dhe vendosëm të shkojmë 3 nga 3 pranë demostruesve në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë gjë e papëlqyeshme. Të nesërmen, më 2 Prill, nxënësit e shkollës së mesme “Jordan Misja” u ngritën si bllok në demostratë dhe vërshuan drejt Komitetit të Partisë. Rrugës u ndalën tek nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe i ftuan edhe ata. Nxënësit dolën dhe shkuan demostruan para Komitetit të Partisë. Atje i rrahën. Një natë më parë, kur ne i ruanim demostruesit që të mos ndodhte gjë, Shapajev Taçi na sjell një shkresë në selinë e PD, ku thuhej që PD të mos bëj demostarta sepse ne do t’i shtypim. Letra ishte kërcënuese dhe unë e kam akoma. Herët në mëngjes na ftuan të shkonim tek Tereze Marubi, ku ishte edhe shefi i policisë dhe ne i thamë që protesta ishte paqësore për mosdaljen e rezultateve. Në këtë kohë ai komunikonte me radio dhe diçka i thanë me radio dhe ky i tha veproni. Aty plasën pushkët dhe mitrolozët.
Blendi Fevziu: Ju në atë kohë ishit në krye të PD për rrethin e Shkodrës. Ka patur shumë komente që ju nuk ishit në krye të demostruesve.
Pjetër Arbnori: Në atë kohë unë isha në Komitetin Ekzekutiv me Tereze Marubin, më përpara kam qenë në komisionin nismëtar te muzeu ateist. Pasi kam dalë nga aty kam shkuar para komitetit të partisë dhe më shoqëronte Stravoini, i cili tashmë ka shkuar në Belgjikë sepse ndiqet. Dhe më ruanin edhe 3-4 shokë të tjerë sepse ata kishin nisur të vrasin edhe me snajper. Përsëri jam kthyer për të ndaluar ndërhyrjen e shtetit. Në këtë kohë u futën tanket dhe djemtë dhe vajzat e reja i dogjën si të ishin prej kartoni. Pasi na vranë 4 veta dhe janë plagosur 80 të tjerë, atëherë është sulmuar Komiteti i Partisë dhe i është vënë flaka.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, në ndonjë ngjarje të 2 Prillit ju vetë ndjeni përgjegjësi?
Pjetër Arbnori: Në asnjë mënyrë, s’kam pse të ndjej përgjegjësi. Unë ndjej krenari sepse kam qenë me popullin e Shkodrës për gjithë atë demostratë paqësore ndaj manipuluesve të votave. Sepse u manipuluan vota, bile unë mund t’ju them një fakt. Futen tek Komiteti i Partisë dhe nisën të hedhin letrat dhe spiunlliqet dhe hodhën edhe disa kuti votimi. Ata ishin përgatitur për manipulim të madh, por në Shkodër nuk mundën ta bëjnë, por besoj e kanë bërë në disa rrethe të tjera.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, në fillim të bisedës kur kërkonit punë ju thoshin se punë do të marësh kur të vijnë anglo-amerikanët. Në të vërtetë folëm për shumë zhvillime dhe realisht anglo-amerikanët erdhën në Shqipëri. U hap Ambasada Amerikane dhe ju u punësuat. Dhe jo një punë dosido, por brenda një viti u bëtë deputet dhe kryetar i Parlamentit shqiptar. E thash këtë për të bërë një shaka, por edhe për të treguar se edhe ato që duken si ëndrrat më të mëdha, bëhen realitet shumë shpejt. Cili ishte motivacioni që ju u zgjodhët kryetar i Parlamentit? Kishte shumë njerëz në PD që kishin dhënë kontribut ose kanë patur prezencë më intensive gjatë viteve 91-92.
Pjetër Arbnori: Unë them një herë që Shkodra pati sukses, sigurisht jo në sajën time, por kur u bënë zgjedhjet në Shkodër ishte pothuajse i gjithë komisioni nismëtar nga Tirana dhe po ai që doli në televizion dhe tha distancohemi nga huliganët tha: “Unë nuk kam asgjë me Pjetër Arbnorin, por mos është e dëmshme të zgjidhet një i burgosur politik kryetar partie”.
Blendi Fevziu: Cili ishte ky person meqë po e përmendni?
Pjetër Arbnori: Ka qenë Arben Imami. Ai tha se nuk është e përshtatshme të vendosim një burgaxhi në krye të partisë. Deri atëherë unë nuk kisha folur, por kur më ngacmojnë edhe flas. I thashë: Pikërisht vënia e një të burgosuri politik në krye të PD është besim për Shkodrën, se e gjithë Shkodra është e burgosur. Së dyti unë kisha shokë e miq, të cilët më kishin përkrahur mua dhe PD dhe në PD gjetën shpresën. U bë një mbledhje në kryesi dhe u thanë që janë projektuar 4 shtylla dhe 4 personalitetet që do i përfaqësojnë, President Sali Berisha, kryeministër Aleksandër Meksi, kryetar i Parlamentit Arben Imami dhe kryetar partie Eduart Selami. Atëherë disa shokë në PD u ngritën dhe thanë që nuk e quajnë të përshtatshme të jetë në krye të parlamentit sepse është i ri dhe kishte patur probleme me PD e Tiranës dhe propozuan Pjetër Arbnorin. Unë nuk mora pjesë në diskutim, por kur e pashë se po nxehej disi puna thashë: “Po qe se Imami e ka të domosdoshme të jetë kryetar, ndoshta e bën punën edhe më mirë se unë”. Me një fjalë pa e mohuar të drejtën time, unë ia lashë rrugën e hapur. Kur u bë mbledhja e Këshillit Kombëtar, përsëri lindën diskutimet dhe lindi propozimi për të qenë unë kryetar. Unë nuk diskutova fare, as që kisha ndër mend të diskutoja. Mirëpo befas u ngrit një zonjë dhe tha: “Unë nuk e di përse e përkrahin figurën e Pjetër Arbnorit si kryetar Parlamenti sepse ai vetë ka thënë që nuk e bëj dot këtë punë”. Atëherë dhe unë kam sedër dhe u ngrita dhe thashë: “Unë nuk kam thënë kurrë nuk e bëj dot, por për hir të unitetit në PD e lë vendin të lirë”. U bë votimi i parë dhe unë kisha pranë një shok të njohur që i numëronte votat si në volejboll me viza dhe kur mbaroi tha: “Fitove”.
Atje në tribunë po vonoheshin, u vonuan ca dhe folën ca pësh-pësh dhe dikush tha që dolën të barabarta. Atëherë u bë rivotim dhe secili tha emrin e vet dhe unë fitova.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, brenda tre vjetësh u bë një ndryshim shumë i madh, nga i burgosur në qelitë e Burrelit në kryetar të Parlamentit. Gjatë kohës që ju keni qenë kryetar i Parlamentit dhe keni patur një nga detyrat më të larta në shtetin shqiptar, ju ka qëlluar të shihni njerëz të cilët kanë marë pjesë në dënimin tuaj apo që mund t’ju kenë keqtrajtuar? Kam parasysh, kam lexuar një artikull për takimin tuaj me Nexhmije Hoxhën në burgun e Tiranës. A ka qëlluar gjatë atyre viteve të takoni personazhe të tillë?
Pjetër Arbnori: Kur ju bëni pyetje mua më kujtohet gjithnjë edhe ndonjë gjë tjetër dhe unë do të them që kam një natyrë të tillë si kur jam poshtë fare punëtor krahu, si kur jam mësues apo kryetar Parlamenti, unë i njëjti njeri jam. Dhe të jesh i sigurt se të njëjtën marrëdhënie kam me njerëzit. Unë kam parë shumë edhe prej atyre që më kanë denoncuar, edhe prej atyre që më kanë arrestuar, apo prej atyre që më kanë torturuar, apo prej atyre që më kanë gjykuar, por unë kam ndjekur vetëm parimin e përbuzjes. Kam kthyer kokën në anën tjetër për të mos i parë. Ishte më dinjitoze për mua që të mos i shihja dhe të mos hakmerresha. Nuk i them të tjerëve të veprojnë si unë, por cilido që ka probleme me drejtësinë t’i drejtohet opinionit publik sepse drejtësinë unë tani për tani nuk e vlerësoj.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, po moralisht a u kënaqët kur u takuat në një nga qelitë e burgut të Tiranës me Nexhmije Hoxhën, ndërkohë që ajo ishte e burgosur dhe ju deputet dhe kryetar i Parlamentit shqiptar?
Pjetër Arbnori: Unë nuk kam shkuar për ta sfiduar, por unë isha nënkryetar i Parlamentit shqiptar për të drejtat e njeriut dhe më kishin ardhur 3-4 veta që thonin që të burgosurit po trajtohen ndryshe njëri e ndryshe tjetri. Kishte edhe fjalë që thoshin që anëtarët e byrosë politike ose Nexhmije Hoxha trajtohej ndryshe dhe të dënuarit e tjerë ndryshe. Dhe unë shkova tek burgu. Në atë burg unë isha futur me një thes mielli në kokë për të mos më parë njerëzit dhe kërkova drejtorin e burgut. Erdhi roja, më çoi lart dhe kur hyra qe një befasi e madhe. Drejtor burgu ishte ai që kisha pasur drejtor në burgun e Burrelit, i cili më kishte futur në birucë sa e sa herë, më kishte zhveshur sa e sa herë, kishte urdhëruar të më lidhnin me hekura, ose të më rrihnin me çomake dhe kishte urdhëruar edhe të më hiqnin batanijen natën në mes të dimrit. Ai u ngri.
Blendi Fevziu: Ia thatë këto?
Pjetër Arbnori: Absolutisht, unë bëra sikur s’e njoha.
Blendi Fevziu: Dhe ai bëri sikur s’ju njohu…
Pjetër Arbnori: Jo, ai bëri sikur më njohu dhe rrinte i shqetësuar. I thashë: Zotëri, kam ardhur pas disa ankesave nga qytetarë të ndryshëm që thonë se ju i trajtoni të burgosurit ndryshe nga njëri-tjetri. Kam ardhur në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut që t’i verifikoj këto dhe dua të vizitoj burgun. Në fakt unë nuk kisha asnjë autorizim në xhep, por shkova trimërisht dhe ai qoftë nga emocioni a qoftë nga hutimi, s’ju dha që të ma kërkonte autorizimin. Një herë më pyeti a e ke autorizimin dhe unë futa dorën në xhep dhe nxora partofolin, ai mori 3-4 herë telefonin dhe pyeti Ministrinë e Brendshme dhe ata i thonin thuaj Prokurorisë. Pyeti Prokurorinë dhe ata i thanë thuaj Gjykatës, pyeste Gjykatën, ata i thonin drejtojuni Prokurorisë dhe ai mbeti i hutuar. I thashë: Po të duash edhe më kthe, por ta dish që të gjithë këta që të thonë nëpër telefona thuaj këtij e thuaj atij, të gjithë të lënë në baltë e nesër përgjigjesh ti. Unë kthehem, por unë i botoj letrat e akuzave.
Blendi Fevziu: Dhe kësaj here e paskeni falsifikuar një autorizim, siç falsifikuat dokumentet e shkollës.
Pjetër Arbnori: Atëherë ai mori çelësat dhe kaluam nëpër qeli të ndryshme, takova shumë të burgosur ordinerë, pastaj nisa të takoj anëtarë të byrosë politike, ata nisën të ankohen për procesin dhe unë i thashë që nuk kisha ardhur për procesin, por për të parë nëse ju rreh kush, ju shan kush dhe a ju japin të drejtat që ju takojnë me ligj. Aty unë takova në një qeli Xhemal Dymylin, shokun tim të klasës, sekretar i parë i Partisë Komuniste. Ai s’më kishte pritur, por unë i fola, e pyeta për shëndetin dhe problemet që kishte. Takova Hekuran Isain, ish-ministrin e Brendshëm ,që kishte qenë ushtar me mua në një repart në Vlorë. E pyeta nëse kishte ndonjë ankesë për trajtimin. Ai më tha: “Unë dhe ti e dimë se si janë punët , ti i ke vuajtur unë kam qenë në krye të Ministrisë, prandaj nuk kam gojë për të hapur. Po deshe interesohu që të më nxjerrin në gjyq sa më parë”. Pastaj më çuan tek biruca e Nexhmije Hoxhës, hyra. Ishte kohë dimri, ajo kishte një dyshek, kishte batanije të mjaftueshme, kishte edhe një mushama, me të cilin kishte mbështjellë batanijet. Kishte edhe një mushama që kishte veshur mbi rroba. Kishte edhe një libër që po e lexonte. E pyeta në kishte ndonjë ankesë dhe ajo më tha se nuk e dinte se përse e kishin arrestuar. Unë i thashë që nuk kisha shkuar për procesin e saj, por nëse i jepnin ato që iu takojnë. Ajo tha: Mua s’më kanë dhënë furçën e dhëmbëve. Nuk lejohet, i tha drejtori i burgut, ti e di që bëhen thika me to. Jepja drejtor i thashë, nuk bën thika ajo. Ajo tha edhe që nuk i kishin dhënë makinën për tharjen e flokëve. Zonjë, i thashë, ajo është punë korenti, bëj si të bësh pa të. Më tha gjithashtu se kishte më tepër se 7-8 ditë që nuk e kishin lënë të takonte djalin dhe unë i thashë: “Zonjë unë kam ndenjur 2 vjet pa parë nënën time. Megjithatë unë nuk jam që ti të rrish pa parë djalin në kohën e rregullores”. Kaq qe takimi im me zonjën Nexhmije Hoxha.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori, gjatë kohës që keni qenë kryetar i Parlamentit, për rreth 5 vjet, cilat janë ngjarjet më të rëndësishme që mendoni se mund të mbeten në biografinë tuaj politike?
Pjetër Arbnori:– Miratimi i ligjit për të drejtat dhe liritë e njeriut. Ka qenë një ligj kushtetues ndër më të rëndësishmit që ka miratuar vendi ynë dhe unë jam gëzuar kur është miratuar një ligj i tillë. Megjithëse them që pati disa njerëz që gabuan dhe votuan kundër.
Pranimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës. Ka qenë një ngjarje vërtetë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për mua sepse më takoi mua nderi të nënshkruaja marrëveshjen. Gjithashtu më takoi nderi të mbaj një fjalim para delegatëve dhe deputetëve atje dhe socialistët e demokratët votuan pro.
Blendi Fevziu: Ky padyshim ka qenë një nga momentet më të rëndësishme politike të Shqipërisë.
Pjetër Arbnori: Edhe një gjë ishte shumë e rëndësishme, mirarimi i Kodeve Penale e Civile që janë modernë, madje më modernë se sa duhet për drejtësinë shqiptare.
Blendi Fevziu: Gjatë kohës që ju keni qenë kryetar parlamenti, muajt e fundit kur kishin filluar protestat në Vlorë, ju jeni shprehur se vlonjatët janë duke bërë thjeshtë një xhiro nga sheshi i Flamurit në Skelë. Kjo ishte një deklaratë që vinte nga mosnjohja e realitetit atje apo ishte një deklaratë për të nënvlerësuar situatën?
Pjetër Arbnori: Le ta dijë populli i gjithë Shqipërisë dhe ai i Vlorës se unë kam biseduar deri në mesnatë me të gjithë grevistët e urisë, kam biseduar shtruar, jam marrë vesh për shumicën e problemeve që kishin, mirëpo fatkeqësisht unë morra vesh që shumica e atyre grevistëve, të cilët ishin në prag të grevës, asnjëri prej tyre nuk kishte futur para me fajde dhe e dyta, më vjen keq ta them, ata kishin sjellë dy peticione.
Në të parën kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Meksi dhe po të pranoja peticionin e parë, ata kishin rezervë një peticion të dytë që kërkonin dorëheqjen e presidentit dhe shpërndarjen e parlamentit. Me një fjalë ishin kundra gjithë institucioneve. Këtë ma dha njëri prej grevistëve. Ata më kërkuan që unë t’i takoja me Sali Berishën, ai nuk ishte aty, por erdhi dhe i priti. Unë nuk kam thënë që ata po bënin xhiro varra-vingo, por kam thënë që demostrata paqësore, ku ata mund të shkojnë tek sheshi i Flamurit, të shkojnë në Skelë apo kudo, është një gjë krejtësisht e natyrshme. Por dhuna nuk duhet përdorur sepse prej saj nuk fiton askush. Këto janë fjalët që kam thënë dhe janë të regjistruara. Ai ishte një mashtrim i një njeriu që donte të nxiste popullin e Vlorës kundër qeverisë demokratike.
Blendi Fevziu: Tre pyetjet e fundit që unë do doja t’ju bëja kanë të bëjnë me vjedhjen e thesarit në Krrabë, që u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike.
Mbi rikthimin e mundshëm të Selamit në Shqipëri, mbi të cilin ju keni dhënë edhe një deklaratë në gazetën Albania.
Në mos gaboj dhe për zgjedhjet lokale.
Duke nisur nga e para, Zoti Arbnori si e gjetët informacionin mbi vjedhjen e thesarit në Krrabë dhe ku e bazoni shifrën tuaj sipas të cilës është 10 herë më e madhe sesa ajo që është deklaruar, pra rreth 28 milionë dollar.
Pjetër Arbnori: Njerëz që i dhimbset Shqipëria ka akoma dhe unë mendoj se ata njerëz që kanë lajmëruar vjedhjen e shekullit kanë bërë mirë. Nuk ka rëndësi se ku e kemi marë vesh ne, por ne ngulnim këmbë që kjo është e vërtetë dhe i thonim qeverisë që të bëjë hetimet. Ndërsa Zëri i Popullit na përgjigjej: Në qymyrin e Krrabës zbuloi Berisha florin. Unë do të thosha që të mos meret me alibi as qeveria e as Prokuroria. Alibitë e shumta tregojnë fajësi. Thelbi i gjithë këtyre punëve është që në një Shqipëri plot me banda, plot me hajdutë, plot me njerëz kokëçorapegrisur a justifikohet që qeveria Nanao t’i thotë ministrit të Financave apo kujtdo tjetër që të pakësojë ruajtjen e thesarit të Krrabës.
Blendi Fevziu: Qeveria e ka mohuar këtë fakt.
Pjetër Arbnori: Janë shkresat aty dhe qeveria duhet t’i nxjerrë shkresat.
Blendi Fevziu: Edhe ata duke I’u bazuar shkresave kanë thënë që kjo nuk është e vërtetë.
Pjetër Arbnori: Është plotësisht e vërtetë dhe qeveria do t’i nxjerrë shkresat. Është dobësuar ruajtja e thesarit të Krrabës në kohën kur shtohej kërcënimi për të gjitha pasuritë e shqiptarëve dhe jetët e tyre.
Blendi Fevziu: Kur ka ndodhur kjo sipas informatave që keni ju Zoti Arbnori.
Pjetër Arbnori: Qeveria mundohet që ta shtyjë sa më tepër. Kjo do të thotë që ka ndodhur shumë më vonë se sa thotë qeveria.
Blendi Fevziu: Dhe sa është shifra e vjedhur sipas informatave që keni ju?
Pjetër Arbnori: Shifra e vjedhur është shumë e madhe, ajo është një pasuri kombëtare që nuk mund të meret me mend. Janë pasuri që nuk kanë vlerën reale të floririt, por kanë vlerë të shumëfishuar si pasuri e relikeve.
Blendi Fevziu: Ju thoni se vjedhja ka ndodhur në vitin 1997, pse u bë deklarimi kaq vonë? Dhe ju vetë përse e keni hapur këtë problem kaq vonë.
Pjetër Arbnori: Kur e morëm vesh ne e thamë, qeveria s’kishte pse vonohej edhe 4 muaj të tjerë për të thënë atë që kemi thënë ne. Dhe për ta thënë në mënyra të stëholluara për ta dredhuar. Le të hapen letrat dhe të gjendet pse nuk ka bërë ruajtjen dhe kush ka bërë numërimin dhe kush do të përfitojë nga numërimi. Kjo pasuri është vjedhur për arsye të caktuara. Së pari për pasurimin e personave përgjegjës. Së dyti paratë mund të përdoren për fushatë apo për gjëra të tjera, paraja shpon detin.
Blendi Fevziu: Me këtë doni të thoni që i kanë vjedhur vetë qeveritarët? Nuk ju duket pak akuzë.
Pjetër Arbnori: Qeveritarët e kanë shumë kollaj, le të gjejnë fajtorët dhe jo se shpëtojnë vetë se ata nuk shpëtojnë, duhet të japin dorëheqjen. Unë dje isha për Pashkë dhe pashë kryeministrin dhe ministrin e Financave. U përshëndeta me ta siç përshëndetet njeriu për Pashkë. Ata po buzëqeshnin me një lehtësi të tillë sikur kishin humbur 10 lekë apo 5 lekë nga partofoli dhe jo të flitej për miliona dollarë.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori ditët e fundit është folur shumë në shtyp për një rikthim të mundshëm të Eduart Selamit në postin e nënkryetarit të PD. Ju keni dhënë edhe një prononcim për gazetën Albania. Ky është një lajm i vërtetë apo janë komente të shtypit?
Pjetër Arbnori: Unë kam një gjë që kur më kërkojnë njerëzit për t’u prononcuar, unë prononcohem. Por në fakt me Selamin është abuzuar disa herë. Po t’i marësh koleksionet e gazetave sa e sa herë është thënë Selami po vjen sot, Selami po vjen nesër, po vjen në krye të kësaj partia apo asaj partie. Selami ka gjetur një vend, një punë të ndershme, jeton në Shtetet e Bashkuara, sigurisht vjen kur të dëshirojë. Mban atë qëndrim që dëshiron, por unë nuk i bësoj shumë fakseve të shkëmbyera. Di vetëm një gjë që ia kam thënë dhe ia them përsëri që gjatë këtyre tre vjetëve Selami ka qenë tepër serioz dhe sa më serioz të jetë njeriu që ka qenë në një pozitë të shquar aq më mirë është. Sepse po humbi pozitën atij i bie vlera, Selami duke qenë serioz nuk i ka rënë vlera. Sigurisht për zgjidhje të tilla që thotë gazeta unë nuk di gjë, forumet mund të vendosin.
Blendi Fevziu: Zoti Arbnori pak më parë ju thatë që kur më pyesin unë i jap deklaratat. Tani edhe unë po I’u bëj pyetjen e fundit. A e keni vendosur cili do të jetë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.
Pjetër Arbnori: Të them të drejtën unë nuk e di që është vendosur, por di që të gjithë seksionet e partisë mendojnë çdo ditë që të venë një njeri që jo vetëm ta meritojë, por të ketë besimin e popullit, të jetë edhe njeri i zoti dhe të jetë një njeri që ta nderojë Tiranën sepse kush fiton Tiranën, fiton Shqipërinë.
Blendi Fevziu: Atëherë mbetet t’ju falenderoj që ishit sot i pranishëm në studion e Tv Klan dhe shpresoj të jeni sërish i pranishëm gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale në vjeshtën e këtij viti. Ju uroj dhe i’u falenderoj në emër të teleshikuesve.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al
Komentet