– 21 VJET PAS RRËZIMIT TË SHTATORES SË DIKTATORIT –
Në vend se të trokasin gotat e shampanjës kryeministri dhe lideri i opozitës qerasen me sharje bombastike si “rafale kallashësh”
Më kujtohet si sot rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit Hoxha. Ishim dy dekada më të rinj, ishim të rinj fare, gjithë shpresa dhe ëndërra për të nesërmen.
Sot kanë kaluar 21 vjet nga ajo ditë. Në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Më i dhimbshmi dhe më rrënqethësi është se rreth 3 milionë shqiptarë si në një eksodus biblik e kanë braktisur atdheun, më mirë të themi janë të braktisur nga atdheu, e sot jetojnë në Europë, SHBA, Kanada e nëpër botën e madhe e cila sado demokratike që të jetë nuk mund të jetë kurrë si atdheu yt, atje ku balta është të gjitha herët më e ëmbël se mjalta.
Ky është fakti më dramatik, pastaj vjen edhe pjesa pozitive, Shqipëria nuk është më si një bunker i izoluar, është anëtare e NATO-s. Shqiptarët prej gati një vit e ca me një pasaportë biometrike udhëtojnë në Europë, e cila ishte destinacioni i tyre atë ditë kur rrëzuan shtatoren e diktatorit më mizor të Europës komuniste, regjimi i të cilit përmes diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave i kishte masakruar shqiptarët.
Më 20 shkurt 1991, 21 vjet më parë, populli i Tiranës si një uragan madhështor e rrëzoi shtatoren e diktatorit Enver Hoxha, por mjerisht prej asaj dite deri më sot Shqipëria ende nuk i ka dënuar krimet e komunizmit. Vendi që ka përjetuar regjimin stalinist më të egër në të gjithë Evropën Lindore dhe Ballkan – edhe pas 21 vitesh të përmbysjes së komunizmit – përjeton anormalitetin më të papranueshëm duke vazhduar të mos kërkohet falje për viktimat e sistemit komunist.
20 shkurti do të duhej të kishte hyrë menjëherë në kushtetutën e Shqipërisë dhe në kujtesën e kombit si dita e rrëzimit së shtatores së diktatorit dhe e ringjalljes kombëtare; dhe të përbënte një ngjarje madhore për të cilën duhet të flitet në librat e historisë që nga klasat fillore.
Distancimi nga e kaluara e zezë diktatoriale është alfa dhe beta e një shteti që kërkon të rifillojë jetën si një demokraci Perëndimore. Distancimi nga bëmat e diktatorit është i detyrueshëm për çdo politikan dhe për lidërshipin e Shqipërisë, pavarësisht spektrit politik.
Por sot, 21 vjet pas rrëzimit të shtatores të diktatorit, kjo datë dhe kjo ditë kujtohet në mënyrë rutinë me retorikë të konsumuar deri në asht tash dy dekada për sa i përket PD, ndërsa pasi sa i përket PS, Edi Rama në zhargonin e tij të përditshëm e etiketon Sali Berishën si «antikombëtar» ose «diktator» , çka duket vetëm demagogji, kur dihet se Edi Rama e ka pranuar në heshtje popullimin e PS-së me trashëgimtarët biologjikë nga trungu i nomenklaturës së kuqe, ku asnjëri prej të cilëve nuk është distancuar nga veprimtaria kriminale e paraardhësve të tyre.
Nëse do ta kisha parafytyruar se si do të ishte Shqipëria sot, më tepër se dy dekada pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, kur kam parasysh 20 shkurtin e vitit 1991, kur kam parasysh tytat dhe shënjestrat e kallashnikovëve nga taracat e Muzeut Kombëtar, Hotel Tiranës dhe Bibliotekës Kombëtare kundër uraganit të turmës atë 20 shkurt; kur kam parasysh forcat e ushtrisë dhe policisë me qentë e policisë nëpër Sheshin Skënderbe prapa demonstruesve, sot këtë datë historike për kombin, do ta përfytyroja si një kremtim mbarëkombëtar, si një shprehje të pluralizmit partiak dhe lirisë e jetëve tona, që na i kishte marrë peng një regjim monstruoz, kriminal, i cili ka ekzekutuar genocid kundër popullit, duke i shfarosur elitën, duke ia shfarosur korifejtë e kulturës duke e mbështetur sundimin apokaliptik në vëllavrasjen.
Por imagjinata ime nuk pi ujë. Sot 21 vjet pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, që shënoi ditën e trimërisë kombëtare, ditën kur ne shqiptarët e vramë frikën dhe guxuam të luftonim të paarmatosur me një regjim të armatosur gjer në dhëmbë, sepse ishim të armatosur me dëshirën për liri, ishim të dashuruar pas lirisë, e cila ishte dhe mbetet arma më e fuqishme për të rrëzuar e përmbysur diktatorë.
Imagjinata ime për ta parë sot bashkë klasën politike shqiptare duke kremtuar ditën e bashkimit kombëtar, nuk pi ujë sepse nëpër gazeta lexoj titujt bombastikë që të kujtojnë kohën makabre të luftës të klasave. Në vend se të trokasin gotat e shampanjës kryeministri dhe lideri i opozitës qerasen me sharje bombastike si “rafale kallashësh” me njëri-tjetrin. Dhe në Shqipëri ky është një mision i pamundur, pasi as e majta, por as qendra e djathtë, pra klasa politike nuk është konfrontuar me të shkuarën dhe ndriçimi i të shkuarës tragjike, i tragjedisë kombëtare që përjetuam si komb, ka mbetur për dy dekada rresht në nivelin e superretorikës dhe plotësisht një temë tabu. Dhe “kur së vërtetës nuk i jepet liria e plotë, liria nuk është e plotë”, thotë Vaclav Havel, ndërsa kur e vërteta manipulohet, liria është kështjellë prej rëre.
Sot kremtimi i rrëzimit të shtatores të diktatorit bëhet i gjymtuar, sepse klasa politike e Shqipërisë i ka konsumuar denoncimet ndaj krimeve të diktaturës nëpër sloganë dhe fjalime, por jo konkretisht. Jo me ligj. Ligji vetë dhe drejtësia janë më të kompromentuara se kurrë, dhe për ironi të fatit edhe disa eksponentë të diktaturës të cilët u gjykuan gjatë viteve 1992-1996 pas ngjarjeve dramatike të 1997-s u rehabilituan dhe u dëmshpërblyen, ndërsa bijtë e nipat e tyre sot janë ricikluar në politikë, të freskët e të rinj, të cilët e shohin Sali Berishën si „diktator”, ndërsa Sali Berisha i sheh ata vetëm si fiksione për t’i konsumuar nëpër fjalime gjaknxehta, të cilat posa kryeministri i shqipton, bëhen fjalë që i merr era. Tragjikomedi e vërtetë.
Në shkurt të vitit 2006 parlamenti Evropian votoi Rezolutën 1481, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij në Shqipëri” e cila kërkonte dokumentimin e krimeve komuniste dhe demaskimin e tyre, por Shqipëria vazhdon të mbetet rasti unik në Evropën Lindore që nuk e ka përmbushur detyrimin e saj ndaj shoqërisë shqiptare.
Pjesë e klikës së Enver Hoxhës ishte Ramiz Alia, diktatori i fundit i Shqipërisë, i cili asnjëherë nuk e pranoi fajin dhe nuk iu ka kërkuar falje shqiptarëve për monstruozitetin e regjimit, pjesë e të cilit ishte edhe ai vetë. Mund të thuhet me plotë gojë se Shqipëria është vendi i vetëm në Evropën Lindore që tregon përkujdesje ndaj udhëheqësve të diktaturës dhe klikës komuniste. Ramiz Alia ishte personazh kryesor për mediat e majta, ashtu si Nexhmije Hoxha e cila vazhdon të na bëjë moral ne viktimave të diktaturës, ndërsa krimet e komunizmit të harruara me kast nga klasa politika rrezikojnë harresën kolektive.
Me vdekjen e Ramiz Alisë ne pamë se lideri i opozitës mbeti i distancuar, ndërsa Ilir Meta, i cili kryeson koalicionin qeverisës në krah të PD-së i blatoi nderime dhe respekt diktatorit të fundit, ndërsa „djemtë ilegjitimë” të Ramiz Alisë kanë mbajtur peng të ardhmen e vendit, pasi Dosjet, ku shfaqen emrat e tyre si figura pa integritet mbahen të mbyllura. Quo vadis kështu klasa politike dhe Shqipëria!
Në asnjë televizion të Europës, në asnjë media evropiane, askund dhe askurrë nuk mund të japin leksione për demokracinë eksponentët e ish-klikave të diktaturave, siç ndodh mjerisht shpesh në Shqipëri. Në asnjë vend të Europës Lindore nuk mund të ndodhë që në nivelet më të larta të drejtësisë, të polititkës dhe të diplomacisë të qëndrojnë zyrtarë të lartë të nomenklaturës, njerëz të ish-Sigurmit apo figura të komprometuara siç ndodh në Shqipëri.
Fakti që në PS janë ricikluar bijtë dhe nipat e nomenklaturës më të lartë të regjimit komunist, të cilët nuk janë distancuar nga etërit dhe gjyshërit e tyre, fakti që në PD vazhdojnë të bëjnë karrierë njerëz me skeletë në dollapë dhe me hipoteka, tregon shkakun real se përse deri më tani nuk është bërë as distancimi dhe as dënimi i krimeve të komunizmit çka domosdoshmërisht përbën një akt të detyrueshëm moral, kushtetues dhe kombëtar.
Pra kjo histori nuk mund të zgjasë më. Në një vend anëtar të NATO-s, klasa politike e ka për obligim kushtetues edhe t’i dënojë krimet e diktaturës, edhe të pastrohet nga mbetjet e diktaturës, edhe të pastrohet nga hipotekat e së djeshmes, sepse e ardhmja nuk mund të mbetet peng i së djeshmes, që kur të kujtohet 21 vjetori i rrëzimit të shtatores së Dullës, klasa politike dhe kombi shqiptar të jenë bashkë; që 20 shkurti të jetë një datë dhe ditë e sanksionuar në kushtetutën e Shqipërisë, për të qenë në shërbim të kujtesës, të konsolidimit të shtetit të së drejtës, të forcimit të demokracisë dhe unitetit kombëtar e të mos harrohet kurrë e të mos shqitet kurrë nga kujtesa.
E botuar tek voal-online.ch më 22 Shkurt 2012 dhe tek Zemra Shqiptare më 27 shkurt 2012
http://www.zemrashqiptare.net/news/26609/rp-0/act-print/rf-1/printo.html