Ky op është botuar më 29 Janar 2015 –
Kosova një Geto në zemër të Europës. Titulli i këtij shkrimi është tmerrues, por ky është realiteti në Kosovë. Për t’i shpëtuar kësaj getoje, qytetarët e Kosovës, kryesisht të rinjtë kanë marrë ikën përmes Serbisë. Duket sikur dialogu Kosovë-Serbi i ka shërbyer vetëm këtij eksodusi absurd. Stastistikat tregojnë se vetëm vitin që shkoi Kosovën e kanë lënë rreth 50 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, por këto shifra janë zyrtare që do të thotë se realisht ky numër duhet të jetë shumë më i madh.
Sot Kosova përballet me dy rreziqe: I pari nga një qeverisje dhe koalicion si në Republikat e Bananeve; i dyti nga pretendimet territoriale të Serbisë.
Reagimi i qytetarëve ndaj këtyre dy rreziqeve është braktisja e vendit dhe protestat.
Kosova zbrazet pasi nga brenda qytetarët e saj ndeshen me keqqeverisje, korrupsion, papunësi dhe varfëri, ndërsa sinjalet që vinë nga Europa janë indiferencë ndaj popullsisë dhe mbështetje ndaj Hashim Thaçit, i cili shihet si një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje katastrofike që mbizotëron në Kosovë.
“Ne vimë, raportojmë, fotografojmë, e xhirojmë dhimbjen e tyre dhe asgjë nuk ndryshon”. Këto janë fjalët e gazetarit të luftës Anthony Loyd mbi situatën në Siri, por që pasqyrojnë një konkluzion therës dhe të hidhur për të gjitha zonat e krizave. Zona krizash janë ato që kanë luftë ose papunësi. Sepse papunësia gjithmonë prodhon trazira. Gazetarët tregojnë të vërtetën, por lodhen kot, duke rrezikuar jetën.
Konkluzioni i Loyd, që e ka pasë mbuluar edhe luftën në ish-Jugosllavi, vlen edhe për situatën kritike që mbizotëron në Kosovë tash 16 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s. Kosova ishte tragjedia e fundit në zinxhirin e tragjedive gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila u shoqërua me krime kundër popullsisë civile shqiptare dhe spastrim etnik, por duke mos mjaftuar kjo, Kosova vazhdon të ketë mbetur një Geto në zemër të Europës.
Në 1 qershorin e vitit 1999, i Mbijetuari i Holokaustit dhe Nobelisti i Paqes Elie Wiesel do të shoqëronte Presidentin Clinton në kampet e refugjatëve nga Kosova në Cegrane të Maqedonisë. Ai duke evokuar eksperiencat e tij të hidhura do të thoshte: “Unë kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i shumë ngjarjeve, dhe kur djalli apo e keqja e tregon fytyrën e tij, ju mos prisni, mos e lejoni atë të forcohet, ju duhet të intervenoni, të ndërhyni menjëherë”. Ndërsa gazeta The New York Times e citonte Z. Wiesel të ketë thënë në Washington D.C. “se nëse Perëndimi do të kishte reaguar ndaj Milosheviçit dhjetë vite më parë, tragjedia e Kosovës do të ishte parandaluar”. Por Perëndimi nuk reagon. Ose reagon shumë vonë. Ashtu si reagoi shumë vonë në Bosnje.
Disa ditë më parë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin “L’angelo di Sarajevo” – “Ëngjëlli i Sarajevës”– me skenar të mbështetur në librin e gazetarit të luftës Franco Di Mare “Non chiedere perché”- “Mos pyet përse”, botim i Rizzoli, 2011, ku gazetari italian dëshmon se ajo kasaphanë ndaj boshnjakëve myslimanë që ngjau në Sarajevë e Bosnje, në praninë e Kaskave Blu, krahasohet vetëm me atë që ngjau në Auschwitz.
Dhe ndërsa Gjermania më 27 janar kujtonte 70 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Auschwitzit, me një ceremoni në Bundestagun gjerman, në Prishtinë populli i Kosovës protestonte për largimin e Jabllanoviçit, ministrit serb të pakicave në qeverinë e Kosovës dhe në mbrojtje të Trepçes si pasuri kombëtare e Kosovës.
Presidenti gjerman Joachim Gauck, nga të paktat figura me të cilat mund të përfaqësohet sot Europa, tha në parlament se „nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin”. “Kujtimi i Holokaustit është një shqetësim i të gjithë gjermanëve, i të gjithë atyre që jetojnë në Gjermani.”
Kështu do të duhej të thoshte edhe presidenti i Serbisë për atë që ngjau në ish-Jugosllavi. Kështu do të duhej të thoshte edhe Ministri i pakicës serbe në Kosovë i cili pretendon të mos dijë asgjë nga tragjedia e Kosovës për të cilën flet Nobelisti i Paqes Elie Wiesel. Ky ministër që i quan Nënat zemërdjegura të Kosovës „egërsira“ pretendon të mos dijë asgjë as nga masakra në Mejë të Gjakovës, ku forcat kriminale serbe kanë ekzekutuar në prillin e 1999 rreth 500 burra e djem shqiptarë, nga mosha 14 vjeç deri 60 vjeç. Ai justifikohet me pretendimin se ka qenë adoleshent, ndërkohë që ka futur në fjalorin e tij arkaizma që tashmë nuk ekzistojnë më dhe kanë dalë nga fjalori si „Kosovë e Metohi“. Adoleshent ka qenë edhe Elie Wiesel kur e dërguan në kapin e përqëndrimit në Buchenwald dhe e ka të memorizuar në kujtesën e tij Holokaustin, ndërsa presidenti aktual i Gjermanisë ka lindur në vitin 1940 dhe prapë kërkon ndjesë për Auschwitzin. Dhe jam e bindur se Gjermani edhe pas një shekulli apo një milenari do të vijojë të mbajë përgjegjshmërinë për Shoah sepse vetëm duke kërkuar ndjesë do të çlirohet nga pesha e rëndë e fajit dhe nga ajo e shkuar turpi.
Ndërsa Serbia jo vetëm që nuk kërkon ndjesë tash e 16 vjet pas çlirimit të Kosovës, jo vetëm ka katapultuar në qeverinë e Kosovës një ministër që hiqet të paktën injorant, por më e madhja është se Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet ndaj sovranitetit territorial dhe pasurive kombëtare të Kosovës, siç është Trepçja apo Brezovica.
Ndërsa Bashkimi Europian hesht. Pasi ka dirigjuar një dialog të dështuar prej katër vitesh midis Kosovës dhe Serbisë, i cili, në vend t’iu ketë shërbyer urave lidhëse të bashkekzistencës paqsore midis dy vendeve fqinj, sipas interesave bilaterale, i ka shtuar orekset e Beogradit, të cilat dihet që e kallën në zjarr e flakë ish-Jugosllavinë dhe aktualisht kanë ndezur protestat popullore në Prishtinë.
Kosova ishte viktimë e një konflikti. Po përse trajtohen sot qytetarët e saj të pafajshëm si të kenë qenë një ushtri agresore që ka shkaktuar tragjedi? Përse Kosova nuk integrohet në asnjë institucion Euro-Atlantik? Përse Kosova nuk ka të drejtë të jetë anëtare e NATO-s? Përse shqiptarët e Kosovës janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk gëzojnë të drejtën të përfitojnë nga liberalizimi i vizave? Përse shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë të dorës të fundit të Europës? Përse Bashkimi Europian toleron një qeverisje e cila sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare rradhitet si një nga më të korruptuarat në rajon? Përse shqiptarët e Kosovës duke qenë kombi më tolerant në Europë për bashkëjetesën fetare vazhdojnë të ndëshkohen nga Bashkimi Europian sepse janë me shumicë myslimane?
A ka shpresa për rininë e Kosovës, ku papunësia këtu arrin 70 %, kur varfëria këtu është e frikëshme, ndërsa është vendi me mesatare moshe më të re në Europë?
Dihet se konvertimi i shqiptarëve në myslimanë ka qenë tepër i vonët. Ai ka ndodhur në kuadrin e sundimit otoman. Por shqiptarët janë Evropianë doc, ashtu si gjermanët, francezët apo italianët. Po si e harron Europa Skënderbeun, i cili ia ndali hovin Sulltan Muratit III dhe birit të tij Sulltan Mehmetit për të pushtuar të gjithë Europën deri në Atlantik.
Më 7 janarin e këtij viti në mes të Parisit dy të rinj francezë me origjinë nga vendet ish-koloni të Francës dhe të besimit myliman kryen një akt terrorist dhe vranë 12 francezë të tjerë, artistë dhe gazetarë, duke shokuar dhe shkaktuar indinjatë të thellë në gjithë Perëndimin.
Pas këtij akti terrorist, elita franceze i bëri pyetjen vetes nëse ka gabuar diku Franca, që të prodhojë një urrejtje të tillë, ku francezët të shndërrohen në kriminelë xhihadistë dhe të vrasin francezë të pafajshëm. Dhe nuk do të vononte kur kryeministri i Francës Manuel Valls do të deklaronte se „në Francë ekziston një aparteid territorial, social, etnik” “Nuk bëhet fjalë të justifikojmë asgjë, por kemi nevojë edhe ta shikojmë realitetin e Atdheut tonë në sy” ka thënë ai.
Por në Kosovë është një realitet shumë më tronditës se në Francë. Sepse Kosova është një Geto në zemër të Europës, Geto e krijuar prej vetë Europës, për faktin e vetëm se popullsia e Kosovës është me shumicë myslimane. Nuk ka arsye tjetër. Shqiptarët e Kosovës paragjykohen, izolohen, ekskomunikohen lihen në mëshirën e fatit dhe atyre nuk u mbetet asgjë për të bërë veç të ikin, dhe ata që mbeten të protestojnë dhe rebelohen.
DUHET NDËRHYRJA E SHBA
Që Kosova të dalë nga Getoja dhe populli të fitojë besimin e humbur tek të gjithë, duhet ndërhyrja e SHBA. S’ka ilaç tjetër. Kështu u ndal spastrimi etnik dhe vrasja e civilëve të pafajshëm në konfliktin e 1999. Me ndërhyrjen e SHBA u ndal edhe kasaphana në Bosnje e cila zgjati pothuaj katër vjet. Po i referohem rishtas Elie Wiesel, dëshmitarit të Holokaustit, si një Ndërgjegje e Pastër e Vlerave të Perëndimit, i cili ndërhyrjen në Kosovë të amerikanëve e ka quajtur me të drejtë si një „luftë morale“. Por morali i asaj lufte ishte që Kosovës t’i hiqej konotacioni shekullor si “Fuçi Baruti”, çka e përjashton absolutisht kthimin e Kosovës në një Geto. Sepse transformimi në Geto ia kthen Kosovës prapë konotacionin e vjetër dhe rajonit ia kthen rishtaz pasigurinë. Po përse NATO bëri luftë atëherë?!
Ky op është botuar më 29 Janar 2015 –
©