„President historik? Kjo është histerike…“, kështu titullohej shkrimi i botuar sot tek MAPO i Berat Buzhalës, deputet i PD-së në Parlamentin e Kosovës. Hashim Thaçi në fillim e emëroi kryeredaktor të gazetës Express dhe pastaj, për shërbime shembullore, e përfshiu në listën e deputetëve të PD në zgjedhjet e nëntorit 2007. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky është folklori shqiptar, më jep të jap, që në zhargonin e politikës quhet klientelizëm. Unë po e zhdramatizoj dhe po i them loyal.Sapo mori pushtetin, Hashim Thaçi gjënë e parë i pastroi gazetat e Kosovës nga çdo zë kritik. Në trevat shqiptare ku demokracia është vetëm fjalë goje, nuk është ndonjë habi që politika të mbajë mediat nën kontroll. Tani duan të mbajnë nën kontroll dhe historinë. Siç pretendon edhe Berat Buzhala, që i quan histerikë të gjithë ata që e konsiderojnë lider historik Ibrahim Rugovën!Kur Rugova ishte gjallë, grafomanët e tipit të Berat Buzhalës, që ngrysen gazetarë dhe gdhihen deputetë, kanë harxhuar tonelata bojë e letër për të nxirë imazhin e liderit indipendentist. Pasi mendonin diabolikisht se duke nxirë imazhin e Rugovës do të lartonin imazhin e kundërshtarit të tij politik.E vërteta është se, sa më tepër ata shpenzonin e shpenzojnë bojë e letër dhe sa më tepër shfaqen nëpër televizionet shqiptare duke anatemuar Rugovën, aq më tepër rrënojnë imazhin e tyre.
Ibrahim Rugova ka formatin e mendimtarit europian, shkencëtarit iluminist dhe liderit indipendentist që, sa qëndroi në politikë, asnjëherë nuk u prononcua publikisht kundër Hashim Thaçit, megjithëse e dinte mirë se të gjitha fushatat propagandistike kundër tij ishin të orkestruara politikisht nga rivali i tij që nuk i fitoi kurrë zgjedhjet sa Rugova ishte gjallë.
Gjatë procesit të pavarësisë, kur të dy bashkë ishin pjesëtarë në Ekipin e Unitetit dhe kur Hashim Thaçi pranoi të shtrëngonte duart me Ibrahim Rugovën, kam shkruar se ky duarshtrëngim ishte historik, sepse kam menduar se, më në fund, lideri i krahut të luftës hap një kapitull të ri për fatin e Kosovës, duke hequr dorë nga ndasitë për arsye ideologjike për hir të idealeve kombëtare dhe europiane-atlantike.
Pas vdekjes së Rugovës, Hashim Thaçi është njëri nga ata që e ka vizituar varrin e Rugovës, që, sipas Beratit, vizitohet nga karvanë të politikanëve hipokritë.
Unë jam dakord në këtë pikë me Berat Buzhalën, por nuk besoj se Berati e fut edhe Hashim Thaçin në rradhët e këtij karvani. Them kështu sepse Hashim Thaçi është prononcuar qartas për Ibrahim Rugovën me tone vlerësuese.
Por lider historik Ibrahim Rugovën nuk e ka cilësuar politika. Këtë cilësor ia dha populli i Kosovës dhe Perëndimi që e ka patur aleat loyal Ibrahim Rugovën.
Berat Buzhala për të definuar histerikë ata që e konsiderojnë Ibrahim Rugovën lider historik, citon Çu En Lain, numrin dy të Kinës komuniste. Sipas Buzhalës, kur presidenti Richard Nixon, gjatë takimit të tij më 1972, e kishte pyetur se çfarë mendimi kishte për Revolucionin Francez, Çu En Lai është përgjigjur, se “është shumë herët të japim për këtë ngjarje mendim”. “Edhe 200 vjet pas revolucionit francez”, magjepset Berat Buzhala,
“Çu En Lai thotë se duhet të presim”. Prandaj,konkludon Buzhala,kush e quan Rugovën lider historik,është histerik.Sepse sipas Berat Buzhalës çfarë thotë Çu En Lai qenka ashtu, dhe pikë!
Mao Ce Duni dhe Çu En Lai,dy figurat kryesore të Partisë Komuniste të Kinës që udhëhoqën revolucionin kinez dhe lejfenizuan shoqërinë.Megjithatë, Çu En Lai kujtohet për dy veprime të mira: Veprimi i parë, lidhet me periudhën e Revolucionit Kulturor, kur Mao Ce Duni urdhëroi prishjen e tempujve dhe veprave të artit, Çu En Lai ndali shkatërrimin e Pallatit Imperial në Pekin dhe të disa qendrave të lashta arkeologjike. Veprimi i dytë është se arriti që të ndikojë tek Mao Ce Duni për takimin historik midis SHBA dhe Kinës. Çu En Lai e dinte sa e rëndësishme ishte për Kinën hapja e vendit dhe vendosja e marrëdhënieve me SHBA. Pikërisht me këtë rast, një stalinist faqezi në zemër të Europës, siç ishte Enver Hoxha, pas takimit Nixon-Mao Ce Dun, do të ndërpriste marrëdhëniet me Kinën Komuniste.
Berat Buzhala shfaqet si fans i Çu En Lait, por mbetet rob i një «sentence» të liderit komunist, pa marrë në analizë veprimin historik të Çu En Lait, si ndërmjetësues për të afruar Kinën me SHBA. Sepse ky veprim e ka bërë Çu En Lain të hyjë në histori.Por të mos harrojmë se çfarë regjimi udhëhoqi Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, të cilin Berat Buzhala e mban si mentor për të rrëzuar rolin historik të Ibrahim Rugovës!
Ndërkohë, sulmi më i fundit i Beratit kundër Rugovës është në vazhdën e një fushate, e cila u evidentua me deklarimet e padenja të Adem Demaçit se Ibrahim Rugova ka qenë “frikacak”! Duket se Demaçi, Berat Buzhala dhe ata që vijnë pas tyre po ndërmarrin një Revolucion Kulturor alla Mao Ce Dun, për të rrëzuar të gjitha monumentet e kultures dhe historisë moderne shqiptare të Kosovës, ku Ibrahim Rugova padyshim që është një nga majat e saj.
Ku po shkon kështu Kosova?!
Duhet të presë Kosova 200 vjet sipas teorive të Çu En Lait, mentorit të Berat Buzhalës për të shkruar historinë!
A mos Amerika priti 200 vjet për të nderuar Etërit e saj. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për t’i konsideruar baballarë të Kombit Jeffersonin, Washingtonin, Lincolinin. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për ta nderuar Martin Luther King Jr. si lider historik i lëvizjes civile të të drejtave të njeriut!
Ibrahim Rugova është lider historik i pavarësisë së Kosovës, sepse kauzës së tij iu bashkangjit gjithë populli i Kosovës. Ibrahim Rugova, siç ka nënvizuar me të drejtë Jusuf Buxhovi, sendërtoi në Perëndim imazhin e civilizuar të popullit të Kosovës, të cilin pushtuesi e kishte nxirë. Ibrahim Rugova respektoi deri në frymën e fundit orientimin Amerikan, sepse e diti mirë se asnjë lëvizje çlirimtare e popullit të Kosovës nuk do të triumfonte pa mbështetjen e SHBA, Europës dhe NATO-s. Dhe kishte shumë të drejtë Rugova, prandaj është lider historik.
Hashim Thaçi e ka ndjekur kursin e Rugovës në raport me SHBA, dhe ka bërë shumë mirë, por është shumë larg formatit të Ibrahim Rugovës. Hashim Thaçi nuk është lider historik. Sepse gjatë mandateve të tij, ka ruajtur një farë sigurie dhe stabiliteti të vendit, por me profilin e një autoritaristi.
Sipas Berat Buzhalës, kush e konsideron Ibrahim Rugovën „lider historik“, nuk po bën gjë tjetër veç po e mitizon figurën e tij! Andaj Berati po merret me çmitizimin e Rugovës! Berat Buzhala vazhdon me avazin e Çu En Lait dhe thotë se Rugova nuk i ka mbushur ende 10 vjet që ka vdekur, dhe se populli i Kosovës e historianët duhet të presin të paktën edhe 190 vjet të tjerë për ta gjykuar se kush ishte!
Duke qenë me profesion gazetar, Berat Buzhala nuk i shmag dot faktet. Duke i nxjerrë vetë ai në pah, ato janë të vërteta të pakundërshtueshme që e bëjnë Buzhalën të duket qesharak. Berat Buzhala thotë se “ në zgjedhjet e vitit 2000, LDK e Ibrahim Rugovës kishte fituar rreth 80 për qind të votave në nivel vendi…”..Ndërsa më poshtë përmend se gjatë kohës së luftës, Rugova votohej 95%!” Berat Buzhala nuk bën gjë tjetër veçse me fakte tregon se Ibrahim Rugova gëzonte kredibilitetin dhe besimin e mbarë popullit të Kosovës që nuk merrte aspak parasysh makinerinë propagandistike që harxhonte tonelata bojë e letër për të rrëzuar imazhin e liderit historik.
Pastaj për t’i bërë shoqëri Adem Demaçit, Berat Buzhala përsërit se Rugova na paska qenë “frikacak”! Të fitosh 80 % të votave dhe qenke frikacak! Adem Demaçi humbi në votime sepse ishte trim!
Shumë të turpëshme këto sulme kundër Rugovës,tetë vjet pasi i është larguar skenës politike të Kosovës.
Por diku më në fund Berat Buzhala thotë me gojën e tij se “pa fijen e dyshimit kontributi i Rugovës në vitet e para pas shpërbërjes së Jugosllavisë, 1989 – 1995, ka qenë jetik”.
Le të ndalemi këtu, tek ky deduksion i Berat Buzhalës. Nëse roli i një politikani është jetik për fatin e popullit e tij, ashtu si ishte roli i Rugovës që e shpëtoi Kosovën nga skenari i një Bosnje të dytë, që do të ishte një kasphanë e vërtetë, a nuk meriton që ky lider të quhet historik.
Por roli i Rugovës nuk pushoi më 1995, përkundrazi ai edhe në vitet që do të vinin më pas deri në frymën e fundit do të ishte figura më identifikuese e liderit europianist.
Por bllofi më eklatant i Berat Buzhalës tek “President historik?Kjo është histerike…” vjen kur e akuzon Ibrahim Rugovën si “indoktrinues i popullit të Kosovës, me bindjen se shpëtimi i Kosovës i vjen nga Perëndimi”! Në fakt Ibrahim Rugova besonte se shpëtimi i Kosovës vjen nga SHBA! Dhe kishte shumë të drejtë!
Përse Buzhala e konsideron indoktrinim një të vërtetë të pakundërshtueshme. A nuk i erdhi Kosovës shpëtimi nga NATO dhe Perëndimi, bash ashtu si i kishte thënë popullit të vet Ibrahim Rugova? Prandaj quhet lider historik,sepse në momentet më dramatike dhe vendimtare për fatin e Kosovës, Rugova zgjodhi rrugën e duhur.
A nuk do të ishte SHBA dhe Europa që e vendosën në qendër të vemendjes Hashim Thaçin krahas Ibrahim Rugovës e faktorëve të tjerë të politikës. A nuk ishte SHBA dhe Perëndimi që i bashkoi Rugovën me liderët e UÇK-së, të gjithë bashkë në Rambuje?
Po pastaj çfarë u bë, në vend që të mos ndaheshin kurrë më, i gjithë faktori politik, pikërisht pas Rambujesë nisi lufta për pushtet politik me një nonsens gjigand. Në vend që të përdorej si model shembulli i Rugovës, nisi lufta për njollosjen e figurës së tij. Dhe sa më tepër bojë harxhohej, aq më tepër figura e tij lartësohet! Dhe sa më tepër bojë do të harxhohet, Rugova do të skalitet në ndërgjegjen e popullit të vet dhe Perëndimit si lideri historik i pavarësisë të Kosovës.
Kot e ka Berat Buzhala që lodhet me Çu En Lain.
Ky opinion është botuar më 23 janar 2014