Më 2 Shtator 1987 – Filloi në Moskë procesi kundër pilotit Mathias Rust, që aterroi me Cesnën e tij në Sheshin e Kuq në maj të vitit 1987
“Isha 19 vjeç, lufta e ftohtë ndante botën. Me avionin tim të vogël Cessna vendosa ta përjetoj e ta realizoj ëndërrën time: një fluturim nga Perëndimi në Sheshin e Kuq. Si shenjë e paqes: një fluturim si një urë simbolike midis dy botëve. Ja ku jam: quhem Mathias Rust (Matias Rust), jam ai që në vitin 1987 zbriti me avion njëmotorësh një hap larg Kremlinit. Do ta bëja prapë: nganjëherë edhe paksa pafajësi rinore shërben për ta zgjuar nga gjumi botën, për të parë realitetin me sy.” Njëzet vjet janë boll, por ai ka mbetur i njëjti: sytë hetues, buzëqeshja miqësore e adoleshentit që dëshiron të thellohet në romanet me aventura. Ai flet në taracën e një kafeje prej nga shikohet pjesa më e zhvilluar e Hamburgut, dhe bota e djeshme sjell jehonën e saj në rrëfimin e tij. Ndodhi më 1987: duke pilotuar një avion turizmi, Mathias Rust arriti të shkelë hapësirën ajrore sovjetike, vrojtoi me dhjetëra baza ajrore e raketore supersekrete, dhe zbriti në Sheshin e Kuq. Gorbaçovi përballte atëherë një moment të vështirë
të dialogut me Reagan e në përplasjen e brendshme ortodoksët e komunizmit, por dëshironte çarmatimin dhe reformat. Dhe ja që pavetëdija rinore e atij adoleshenti të pasionuar nga tregimet aventurore të Karl May, bën që realiteti të shikohet me sy të kthjellët. Më mirë se çdo statistikë e Pentagonit mbi katastrofën ekonomike të BRSS, më mirë se çdo denoncim që bënin disidentët apo më mirë se çdo dështim i planeve pesëvjeçare socialiste të sovjetikëve, fotografitë dhe filmimet e avionit të vogël Cessna me flamurin gjerman në timon, rrethuar nga turma festive një hap larg Kremlinit, ia shpalosën botës pafuqinë dhe sëmundjen vdekjeprurëse që kishte përfshirë Perandorinë e krijuar nga Stalini.
INTERVISTA
PYETJE: Zotëri Rust, dikush sheh tek ju një pacifist të marrë, të tjerët shohin një njeri të pavetëdijshëm. Si dhe pse vendosët të bënit atë fluturim?
MATHIAS RUST: “Kur e mendoj sot, përjetoj një ndjesi lehtësimi. Atëbotë në shpirtrat tanë vepronin të tjera ndjenja. Takimi Reagan-Gorbaciov i Rejkyavik-ut, nga njëra anë, kishte dështuar, nga ana tjetër ishte droja për një ngrirje të re. Unë mendova për një gjest simbolik. Një fluturim si një urë ideale. Për t’ju thënë liderëve të të dy blloqeve se njerëzit, nga të dyja anët e Perdes së Hekurt, dëshironin të jetonin në paqe. Ju kujtohet “Russians”, kënga e Sting? Shpirti i asaj kohe ishte pakashumë: Russians love their children too (edhe rusët i duan fëmijët e tyre), siç këndonte ai.i besoja atij.”
PYETJE: Ishte veprim i çastit apo u përgatitur me kujdes?
MATHIAS RUST: “Isha përgatitur me këmbëngulje. Me avionin Cessna bëja fluturime mbi Atlantik. Doja t’i vija në provë nervat e mia: të fluturosh mbi detë me orë të tëra është një provë psikologjike tejet e ashpër. Më 25 maj, tri ditë para fluturimit, arrita në Helsinki. I vendosur ose pothuajse i vendosur që të mos kthehem mbrapsht.”
PYETJE: Një fluturim nga Helsinki në Moskë duke vrojtuar dhjetëra instalime ushtarake sekrete…a nuk kishe frikë, e cila është ndjenja më njerëzore?
MATHIAS RUST: “Po, e kisha pyetur veten një kohë të gjatë a isha duke bërë një gjë të drejtë apo jo. Por isha individualist dhe isha gati të rrezikohesha, ashtu siç mund të jetë një njeri në moshën 19-vjeçare: e konsideroj pavetëdijë të kulluar, në atë moshë njeriu mendon më pak për rreziqet dhe për frikën. Mendoja vetëm për largësinë midis Helsinkit dhe Moskës, dhe si të arrija me karburant të mjaftueshëm.”
PYETJE:Përgatitët dokumente falso?
MATHIAS RUST: „Ua paraqita autoriteteve aeronautike finlandeze një plan fluturimi për në Suedi. U nisa nga Helsinki duke marrë drejtimin e Perëndimit.Lartësi mesatare fluturimi, gjashtëqind metra. Pastaj, sapo dola mbi detin e hapur, ndërrova drejtim. Mora drejtimin Juglindje. Dhe pas nja një ore pash bregdetin e Estonisë. Ndjva brenda meje një përzierje ankthi dërmues dhe të një lehtësimi. Isha i lumtur: po shkoja drejt gjysmës së rrugës. Por çdo minutë që kalonte e dija se ishte e kotë të mendoja përsëri, ishte e kotë të kthehesha. Pothuaj pesë orë fluturimi më duheshin deri në Moskë; sapo të arrija do të më duhej një furnizim me karburant për jo më shumë se dy orë të tjera.”
PYETJE: A është e vërtetë se fluturonit tejet ulët që të mos kapeshe nga radarët?
MATHIAS RUST: “Gjithnjë lartësi mesatare gjashtëqind metra, jo aq ulët. Natyrisht jo pesëmbëdhjetë apo tridhjetë metra mbi tokë siç bëjnë avionët ushtarakë. Nuk doja të fshihesha. Një gjest paqeje duhej të ishte i dukshëm. Nja dy herë zbrita fare poshtë, por vetëm ngaqë akulli m’i rëndonte helikat dhe krahët e avionit. Isha shumë i përqëndruar duke parë busullën, kisha ushqime me vete, por nuk haja as pija asgjë. Pastaj pa pritur e pa kujtuar më kapi frika.”
PYETJE: Si ndodhi?
MATHIAS RUST: “Fluturoja mes reve, shikoja pak ose thuajse asgjë poshtë meje. Përpara, në largësi disa kilometrash, m’u shfaq rrufeshëm dhe ndritshëm një objekt i argjentë që vinte drejt meje. Ishte një MIG i Mbrojtjes Ajrore Sovjetike. Ja, ky ishte takimi im i parë me “ata”. Gati sa nuk më pushoi zemra. Ishte vështirë t’i mbaje nevat nën kontroll. Ishin pak minuta, por të lllahtarshme. Kujtimi i avionit korean Jumbo goditur mbi Sakhalin në kohën e Andropovishte ende i freskët. MIG-u më arriti, më qëndroi shumë pranë, ishte prapa meje, pastaj përbri meje. Ishte shumë më i shpejtë se unë. I shikoja deri edhe sytë e pilotit poshtë kaskës. Më ndoqi për pak kohë, pastaj e rriti edhe më shumë shpejtësinë dhe u zhduk fare. Ishin pak minuta, por mua m’u dukën një përjetësi. Dhe mbeta i pushtuar nga ndjesi gjithfarëshe. Isha lehtësuar, sepse ai nuk më kishte qëlluar. Kish dyshim e ankth, ngaqë e kisha të qartë se ata më kishin zbuluar.”
PYETJE: Ndërkaq ju arritët i qetë në Moskë?
MATHIAS RUST: “Po. MIG-u nuk u rishfaq më, as kundërajrorët nun bëzanë, asnjë sinjal nga toka. Ai qytet i pakufishëm, nën krahët e avionit të vogël Cessna, ma mori frymën. Për t’u orientuar fillova ta dalloja nga larg hotelin Rossija, e mbai mend atë gjigant monolit të bardhë një hap larg Sheshit të Kuq? E dallova para se të dalloja Kremlinin. E brita lartësinëe fluturimit.”
PYETJE: E pastaj?
MATHIAS RUST: “Sheshi më ngjalli frikë. Nga lart më duke shumë më i vogël se e kisha përfytyruar. Por për të zbritur me avionin Cessna mjaftonin dyqind metra katrorë… tentova tri herë e të tria herët u ktheva në lartësinë e mëparshme: turma grumbullohej me shpejtësi për të parë avionin time të vogël, ngjasonte si në ndonjë film të Federico Fellini-it… unë isha i terrorizuar nga ideja se mund të lëndoja apo të vrisja ndonjërin… më në fund pashë Bol’shoj Kamennyj Most, urën e madhe me gjashtë korsi, zbrita atje. Duke ecur me rrota, arrita deri në Sheshin e Kuq, midis katedrales, monumentit në Minin e Pozharskij, rrafshit që shkon drejt hyrjes në kullën Spasskaja. E fika motorin, qëndrova atje gjatë, një çerek ore sa përjetësia në kabinën e pilotit.”
PYETJE: Pse?
MATHIAS RUST: “Sepse ia bëra vetes për të fundit herë pyetjen nëse ia vlente që ngrihesha prapë në fluturim dhe të kthehesha. Tepër vonë, Mathias, iu përgjigja vetes. Karburanti nuk do të mjaftonte. Vendosa, hapa derën e kabinës, zbrita. I rrethuar nga turma e dendur.”
PYETJE: Kishit frikë?
MATHIAS RUST: “Jo, nuk dukeshin armiqësorë. Ishin kuriozë, qeshnin.Nga vjen? – më pyesnin anglisht. Nga Helsinki, iu përgjigjesha me inat. Po ju në timon keni një flamur gjerman, nuk jeni të paktën as një shok gjermanolindor? Jo, o miq, jo. Vij nga Republika Federale Gjermane, për një gjest paqeje, iu përgjigjesha i turbullt, i paqartë. Oooh? – përgjigjeshin ata njëzëri dhe me habitje. Mosbesues, jo kërcënues. Një grua e re e theu akullin: erdhi buzëqeshur, më solli bukë e kripë, mirseardhja e tyre. »
PYETJE: Po policia, KGB-ja, ushtria ?
MATHIAS RUST: “Kaloi të paktën një orë. Arriti një Tschajka e zezë, ju kujtohen ata Cadillac të vjetër rus? Zbriti një oficer i shoqëruar me disa milicë të rinj. Flisnin anglisht. Ishin të qetë, të njerëzishëm. M’i kërkuan dokumentet, e kontrolluan avionin.Pastaj ma kthyen pasaportën. Oficeri plak më tha: Djalosh, jam kryepolici i Moskës. Po ku në djall është viza jote e hyrjes? Mirsevjen, po ku është viza e hyrjes? E kupton, kemi një problem.”
PYETJE: Kur ju arrestuan?
MATHIAS RUST:« Kaloi shumë kohë, nuk e shikoja më orën. Arriti me shpejtësi një Volga e zezë. Pastaj një kamion i milicisë: Vunë kordonë, e larguan turmën, njerëzit nuk donin të ndaheshin nga unë. “Djalosh, na vjen keq, por duhet të vijsh me ne,” thanë sjellshëm. “Hypni, ju lutem. E sqarojmë në komisariat këtë çështjen e vizës.” Hypa në Volga, arritëm në stacionin e parë të policisë. Njëri përkthente në gjermanisht. Tha qartë në gjuhën time, “jemi nga Komiteti për Sigurimin e Shtetit”. Për fat nuk pashë gërmat KGB. Po ta dija, ndoshta do të bija pa shpirt.”
PYETJE: Si vazhduan hetimet?
MATHIAS RUST: “Me orë të tëra. Iu shpjegoja se duke zbritur në Sheshin e Kuq doja të bëja një gjest paqeje. Gjithsesi, si nuk kishit armë me vete, më pyesnin. Nuk donin të më besonin, por nuk dinin si të mendonin. Stacioni i policisë ishte si rrënojë. Eja, vazhdojmë pyetjet në një vend tjetër, nëLefortovo, më thanë. Nuk e dija, por ishte burgu qendror. Filluan pyetje më të ashpëra. Po ta fshehësh të vërtetën, do ta zbulojmë dhe do të jetë më keq. Rrëfehu: imperialistët të kanë paguar për një provokacion. Jo, këmbëngulja, e kam bërë gjithçka vetë. Nuk besonin, vazhduan pyetjet deri në 4 të mëngjesit. Kisha dhimbje koke, rrënim fizik, kërkova të ndërpriten pyetjet. Mirë, djalosh, m’u përgjigjën. Ha diçka, pastaj fli. Por jo në hotel.”
PYETJE: Kështu filloi jeta juaj në Lefortovo…
MATHIAS RUST: “Po. Kisha frikë dhe besoja se nuk do të dilja më. Humba dhjetë kilogramë peshë në pak javë. Isha në birucë me izolim të dyfishtë. Aleksandr, shoku i birucës, ishte në burg për treg të zi në hotel hotel Astoria.Ma lexonte gazetën Pravda. Jashtë nuk shikonim asgjë. Dritarja e vogël ishte jo e tejdukshme. Pastaj procesi. Pa dhunë. Takime të rregullta me konsullatën gjermabe. Dënimi i ashpër: 4 vjet në kamp pune. Besoja se do të vdisja. Një plak me uniformë erdhie e më takoi në birucë.”
PYETJE:Kush ishte ?
MATHIAS RUST: “Petrenko, drejtori i burgut. Më foli me ton atëror: Djalosh, dëgjomë pak. Unë në moshën tënde në majin e 1945, isha me repartet e Zhukov që pushtuan Berlinin. Hyra në Reichstag me ata, me mitraloz e flamur të kuq në dor… a nuk të duket se ju gjermanët nuk kini lënë gjë pa bërë? Po, kini të drejtë – iu përgjigja, por unë kam lindur shumë më vonë. Ndoshta kam gabuar, por mendoja vetëm një gjest paqeje. Vinte shpesh. Bisedonim. Ishte në prag të pensionit. Kishte kërkuar shtyrjen derisa rasti im të zgjidhej. Erdhi e më tha: Djalosh je dënuar me punë, por do të qëndrosh këtu në Lefortovo: me ne je i sigurtë. Po të shkosh në Siberi, nuk i dihet.”
PYETJE: Katërmbëdhjetë muaj në Lefortove. Si i kujtoni?
MATHIAS RUST: “Të rëndë. Nuk kam ankime. Por jetoja me dhimbjen e brendshme më therëse: pyesja veten pse e kisha bërë atë gjes? Pse nuk kisha zgjedhur një jetë normale dhe studimet? Prindërit e mi mund të më shikonin vetëm një herë në tre muaj, vinin gjithsesi njerëz nga konsullata. Nuk më hahej, kisha të vjella. Shoku i birucës lexonte Pravdën dhe më thoshte se bota po ndërron.
PYETJE: Po amnistia?
MATHIAS RUST: “Arriti papritur, 14 muaj pas dënimit. E kujtoj mirë atë ditë. Trokitën rojat. M’i sollën veshjet. Aleksandr më ndihmoi të kuptij: Djalosh, je me fat. Mendon se po të çojnë në Siberia me veshje të bukura? Më dërguan në një dhomë bisedash. Ishte drejtori i ri, Rastvorov, gjyqtarët Dubravolskij e Komkov, si dhe Vera Petrovna, përkthyese në procesin tim. Komkov nxori një zarfë të kuqe, e hapi. Lexoi një dekret: isha amnistuar, duhej të largohesha nga terriotri sovjetik. Firmato: Andreij Gromyko, kryetar i Presidiumit. Dukej se kisha rilindur. Mister nyet firmoste lirimin tim!”
PYETJE: Dhe kthimi në Gjermani si hero?
MATHIAS RUST: “Jo. Filluan problemet. Vërshimi i mediave. Shkrimet armiqësore që më paraqitnin si të çmendur, si të papërgjegjshëm që kisha vënë në rrezik paqen. Ma hoqën patentën e pilotimi, hapën çështje kundër meje si kërcënues paqeje apo tradhtar, pastaj e arkivuan.Por nuk më vjen keq për asgjë, je ne regrette rien. Qe aventurë e një djaloshi të pavëtëdijshëm? Ndoshta, por këmbëngul: nganjëherë edhe pavetëdija rinore është pjesë e botës. Një fluturim përmes frikës, terrorit, tundimit për t’u kthyer prapa? Po. Megjithatë ishte e drejtë ta jetoja, duke fluturuar, ëndërrën time. Edhe në ato minuta të llahatarshme teksa MIG-u me yll të kuq më rrinte ngjitur, në qiejt e ftohtë të Rusisë.»/Elida BUÇPAPAJ
(http://www.repubblica.it/2007/05/sezioni/esteri/rust-piazza-rossa/rust-piazza-rossa/rust-piazza-rossa.html)
Komentet