Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim vëllimin me poezi “Mirëmëngjes, Shqipëri” të poetit të njohur Vehbi Skënderi. Të dhëna teknike: Titulli: Mirëmëngjes, Shqipëri. Autori: Vehbi Skënderi. Redaktor: Skënder Buçpapaj. Shtëpia Botuese: OMSCA-1. Faqe: 320. Çmimi: 800 lekë.
Kanë thënë:
Emri i poetit Vehbi Skënderi, atyre që e duan dhe e lexojnë poezinë, u risjell përjetuesin e bëmave, sa individuale dhe kolektive, nyjet ku lidhet jeta me realitetin dhe historinë e re, të atij që u përpoq me vështirësitë dhe kompllotet e heshtjeve, luftëtarin dhe të përvuajturin dhe të dashuruarin me njerëzit dhe natyrën, të rrëzuarin dhe të ngriturin me fatin e përbashkët, të zhgënjyerin shpesh dhe të përtëriturin, autorin e shumë librave poetikë, tani të ikurin, pra,
të përmalluarin për gjithçka që ka lënë. Se pikërisht poeti, aq sa merr me vete, nuk merr dot asgjë, por i lë, të paktën në një psherëtimë të shkruar. Kudo që shkoj marr me vete atdheun tim, thotë një poet fqinjë ballkanas, i njohur në botë.
Atdheun e ribën dhe një njeri i vetëm, edhe kur e prishin të gjithë, e ribën brenda vetes, kudo qofsh, thamë, e mbart me vete, dhe kështu është, je copëz e tij, ngado që shkon, në çdo vend, pranë qiejve parajsorë apo në nëntokën hadiane.
Vehbi Skënderi është poeti që gjithë jetën ka ndjekur poezinë dhe ajo atë, duke i dhënë rinisë së vet urtësi plaku e tani rimerr rini. Në harmoni me kohën, me lexuesin dhe veten, me fuqinë që i dha Zoti, Ai i këndoi luftës dhe punës, idealeve të reja dhe shpresës, luftëtarit dhe punëtorit, djersës dhe baltës, digave, stinëve, yjeve, dashurisë dhe plagëve,
dëshpërimeve, zhgënjimit, dashurisë sërish, ndryshe dhe po ashtu dhe tani na sjell emocione nga Zvicra e bukur si një grua e bukur, me vështrime gjithë dinakërira të mira, copa jete, pamje, vetveten tjetërlloj dhe gjithmonë të njëjtë, etj, etj.
SKËNDER BUÇPAPAJ
Parathënie: NGA ZANAFILLAT E PËRDITSHMËRISË DERI TE THELLËSITË E UNIVERSIT
Poeti i shquar Vehbi Skënderi, i njohur si Sharl Bodleri i poezisë moderne shqipe, vjen tek lexuesi me një libër të ri poezish, me një metaforë gjithnjë e më befasuese dhe më këmbëngulëse për ta përhapur universin e bukurisë nga gjërat më të rëndomta të përditshmërisë, nga prozat më të vrazhda të jetës, deri tek dramat dhe gjëmat e së dikurshmes dhe të sotmes duke lëshuar jehonat në ardhmëri të paskajme. Në një pikël shiu, në një fletë bari, në një rënkim të heshtur të pikuar nga shpirti, në një pafajësi fëminore, në një pakujdesi dashurore, kudo metafora e poezisë së Vehbi Skënderit gjen pikënisje universesh, gjen hapësira për Big Bange, nga të cilat zënë fill universe në përbërje të të cilave edhe oqeanet ndjehen të hajthme si zogj të uritur metropolesh industriale që janë mësuar të kërkojnë thërrime në një dorë bujare njerëzore përpara se ta kenë filluar këngën e tyre të përditshme të mëngjeseve. Edhe në këtë cikël ligjin mbi historinë, shoqërinë, natyrën, mbinatyrën, të prekshmen dhe të përfytyruarën e përcakton plotpushteti i bukurisë femërore, e cila është privilegj i pashmangshëm gati i barabartë në secilën të dashur, në secilën grua, në secilën nënë apo gjyshe, në secilin shpirt femëror të tronditur nga travajet e panumërta të jetës. Ato janë burim i bukurisë përballë shëmtisë, burim i haresë përballë mërzisë, burim i dlirësisë përballë ligësisë, burim i besës përballë pabesisë. Kundër tyre luhen dramat, tragjeditë, pabesitë, dobësitë dhe prapësitë njerëzore autorësinë e të cilave më lehtë se kujtdo tjetër ua lënë pikërisht atyre me një arbitraritet që vjen prej kohës së Homerit deri tek ne dhe deri përtej nesh. Bota do të ketë gjetur rrjedhën e saj të natyrshme vetëm kur të ketë njohur triumfin e bukurisë femërore në zanafillën, në dejet dhe në pakufirin e jetës.
Miku i vjetër i Vehbiut, poeti, kritiku, intelektuali i shquar dhe një nga mendjet më të ndritura të kombit, vleshtari Agim Vinca, (pra nga e njëjta trevë poetike me Vehbi Skënderin) në një nga letrat miqësore të këmbyera midis tyre, kohët e fundit i shkruante se nuk i pëlqente krahasimi që Vehbiut ia bëjnë me Bodlerin, “sepse ti për mua më shumë se Bodler je Uitman. Bodleri është tepër cinik dhe strikt, kurse ti ke një ndjeshmëri të lartë për gjërat e vogla e të mëdha, që jetën njerëzore e bëjnë më të bukur, ndërsa vargun e ke të shlirë e pa kufizime.” Ndoshta tundimi për të mos iu shkëputur asnjëherë krijimeve, për t’iu kthyer e rikthyer me të njëjtën dashuri e frymëzim atyre, për t’i çuar sa më shumë drejt së përkryerës, e cila nuk ekziston, për çka duhet të ketë qenë i vetëdijshëm edhe francezi i madh, e bëjnë Vehbi Skënderin të krahasueshëm me Bodlerin. Ndjesia e së përkryerës e ka bërë ndoshta më parë se Vehbiun, Lasgush Poradecin, të cilësohej si pasuesi i drejtpërdrejtë i Bodlerit në poezinë shqipe. Dhe nuk do të ishte e rastit për dy poetë të mëdhenj të rritur të dy si dy male paralel me Malin e Thatë, për dy poetë të mëdhenj që e kanë mësuar të dy fluturimin, si dy Nositë, nëpër tallazitjet e Liqenit të Pogradecit.
Bashkëkohës i Bodlerit, prej përtej oqeanit, Uollt Uitmani, bardi vigan i modernitetit poetik, me një vetëdijë absolute, e barazonte veten me kozmosin. Por, kur vinte puna, ai të gjitha poemat e tij i quante një pjesë të vogël të asaj poeme të madhe që ishte Amerika. Të gjithë poetët e mëdhenj, varësisht nga koha kur jetojnë dhe nga mënyra si e jetojnë kohën e tyre, pavarësisht përkimeve, pavarësisht pikave takuese apo bashkuese, janë të ndryshëm. Nisur nga kjo, edhe poezia e Vehbi Skënderit, në librat e botuar pas viteve 1990 në Tiranë, në Tetovë e në Prishtinë, tenton gjithnjë të matë veten me Universin, aq sa ngulmon të zhytet në qelizat më të mistershme të indeve të jetës njerëzore. Në opusin e këtyre viteve, pjesë e një krijimtarie që shtrihet në gjashtëdhjetë e sa vjet, Vehbi Skënderi aq sa nuk e lë për asnjë çast nga dora daltën e mjeshtërisë poetike, po aq i jep flatra asaj që Uitmani do ta kishte quajtur demokraci të fjalës, demokraci të përfytyrimeve, në kuptimin më të pakufishëm të asaj që ne po e quajmë demokracisë uitmaniane, e shprehur kjo në marrëdhëniet midis poetit dhe krijimit, midis lexuesit dhe poetit, midis poezisë dhe realitetit. Aq sa është strikt në poezi si «Ti shkrin si shiu mes reve”, sa njeriu thotë mos ia ka diktuar vetë Lasgush Poradeci, (Pastaj si kot Veriu të fryn drejt meje./ Pastaj në çast akujt më kall ndër deje./ Pastaj s’di pse: Prap unë rend pas teje./ Por sa të kap, si reja shkrin mes reve./ Pastaj s’di si: rrëzohet Mali i Thatë.
Pastaj s’kuptoj: shkel gurë a shkel baltë./ Pastaj si popel thërmohet shpella natë./ Pastaj Ti vjen! Shkon, vjen e ikën prapë!) apo në “Lirikë për Vaçe Zelën”, aq është frelëshuar në ato që ai i quan “Tetë poema të shkurtëra”. Aq sa është tokësore në poezinë “O çaj, çaj i malit”, një nga poezitë më antologjike të letërsisë shqipe, së cilës i rikthehet pas dhjetëra vjetësh për ta ripunuar, po aq është kozmik në lirikat kushtuar stjuardesës së bukur me të cilën poeti nuk lë qiell, nuk lë yllësi, nuk lë aeroport të vërtetë apo të trilluar pa shëtitur e pa bërë dashuri.
I tillë vjen edhe në vëllimin e tij më të ri “Mirëmëngjes, Shqipëri Lirika të një tetëdhjetëvjeçari” poeti Vehbi Skënderi. Në zanafillë të jetës, shumë më tepër e shumë më herët se Adamin, ai gjen Evën. Pa iu kthyer në vend nderi Evës, pa iu dhënë qytetaria Evës, pa e shkarkuar Evën nga barrët e anatemave, pa iu bërë rehabilitimi i plotë Evës në çdo hapësirë të globit, në çdo nivel të mendësive, në çdo lartësi të qytetërimeve, në çdo sferë të ndjesisë njerëzore nuk mund të ketë drejtësi, nuk mund të ketë njësi matëse për drejtësinë, prej këndej, duke mos e pasur drejtësinë as njësinë matëse të saj, planeti, në asnjë atom të tij, nuk mund ta ketë as lirinë. “Zotërinj! Boll keni lehur/ e keni ulurirë. Ka mijëra vjet që i shqeva veshët e mi dhe i çapëleva/ nga anatemat: “Eva është Martirja e Parë! Kryengritësja e parë e Qiellit./ Rroftë Eva! Bija e vërtetë e Tokës dhe e Diellit./ (Ngjizur prej ciflave të baltës e rrezeve të Agimit.)/ Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Hyjnorja Eva!/ Martirja e Parë e Njerëzimit./Rroftë Eva! Rroftë Eva! Rroftë Eva!” Këto janë vargje nga poezia me titull “Eva” që hap ciklin “Odisea e Evës”, cikli i tetë i këtij vëllimi të ri. Por Eva është e pranishme në tërësinë e këtij vëllimi, qoftë me emrin e Anamaries (cikli që ia kushton kësaj përmban 21 poezi), qoftë me emrin e Kristinës, qoftë me emrin e Sonjës, qoftë edhe në personazhe konkretë siç është cikli “Duart e gruas sime”, qoftë në ciklin “Tri receta për vetminë” kushtuar së madhes Vaçe Zela. Po aq e dlirë dhe e pamëkate është Eva edhe në trajtën e saj më të rëndomtë, në trajtën e gruas: “Kur ligështohet e linçohet gruaja, qajnë qielli e dheu./Sa të rrënqethet trupi!/Fshihet Hëna si vjedhëse./Skuqet Dielli nga turpi.” Kështu shkruan Vehbi Skënderi në njërën nga poezitë e këtij cikli, me titull “Kur ligështohet gruaja”.
Eva është edhe në Helenën e Trojës, edhe në Anat, Dianat, Mona Lizat, Semiramidat, Andromakat, Desdemonat, Shrehrezadet, Venerat e Atenat, Merilin Monrotë. Eva është edhe te Kleopatrat, te Madam Pompidutë, Margaret Theçerët, Angela Merkelët. Eva është edhe nä Kasandrat, edhe në magjistaret, edhe në shtrigat. Eva është edhe në ujvarën e Niagarës, Eva është në Hënën, Eva është në shiun, Eva është në erën, Eva është në detin, Eva është në lulet, sidomos në mimozat, Eva është në shpezët, sidomos në mjelmat, Eva është në pemët, sidomos në Arrën e Madhe, në oborr të shtëpisë ku ka lindur e është rritur poeti, Eva është në Statujën e Dëborës, Eva është në gjininë femërore natyrore e jonatyrore, Eva është në të bukurën dhe në të shëmtuarën, në të bukurën që është e tillë për hir të të shëmtuarës dhe në të shëmtuarën që është e tillë për hir të të bukurës. “Kërkoj të bukurën dhe në shëmtinë pafund” është titulli i një poezie të shkruar në Reinach më 7 korrik 2007. Dhe këtu, do të thoshte Vinca, Vehbiu është më Uitman se çdo Uitman. Ai e kërkon të bukurën edhe në tejskajin e antitezës së vet, e kërkon edhe në ekstremin e së shëmtuarës, e kërkon “edhe në Ferr të BUKURËN”: “Siç po e vëreni: fajkojtë e lartësive janë kthyer në zvarranikë e në brejtës./ Po unë prap mes kësaj Mërie e Shëmtie kërkoj të BUKURËN./ Dhe pranë kësaj Babëzie të panginjur. Nën këtë qiell plot smog të stërkëllinjur./ Kërruset nga dhembja, tkurret: Hriplotja DREJTËZ./ “Zotëri,” thërret dikush. “Mos u mundo të matesh e përplasesh me të keqen./ Mos tento që të gjesh një DREJTËZ të vërtetë në gjithë këto mishmashe gjeometrike!”/ Po unë midis kësaj Xhungle të shtrembër e heretike/ Kërkoj me ngulm të BUKURËN./ A s’e ka gdhendur/ dhe Hyjnori Mikelanxhelo Buonaroti Davidin (kryeveprën e vet)/ nga një copë shkemb i shtrembër e i pagdhendur./ Unë e kërkoj edhe në Ferr të BUKURËN.”
Eva është në harmoninë e gjithçkaje, si dhe në hasmërinë e gjithçkaje, edhe këto të tilla pikërisht për hir të njëra tjetrës. Kësisoj, i vetmi mëkat i Evës, për të cilin ia ka gjithkush fajin, para të gjithëve Adami, (edhe sot e kësaj dite i nemitur e i shastisur) është se ajo, kur zbuloi bukurinë e vetvetes, nuk u ndihmua sa duhet që të mësohej përballë kësaj mrekullie të Zotit, siç ishte dhe është, por u detyrua të mbulohej, u detyrua ta zhyste njeriun dhe njerëzimin në tundimin e joshjeve të pafundme, të cilat, pa përjashtim, degëzohen të gjitha që andej. Eva, pra është muza e muzave, është kryemuza, pra të gjitha muzat, pa përjashtim janë eufemizma të asaj, Evës. Prandaj më Omar Khajam se çdo Omar Khajam është Vehbi Skënderi në poezinë “Zezakja e Bernës”, këtë “Venerë të Fidias prej mermeri të zi”: “Katran e zezë, më tepër se kafja e pjekur! Nën hije…/ Çdokush e ndjen praninë e saj pa e prekur./ Sytë i xixëllojnë shpuzë./ Përhap gëzim e afsh si e dehur/ Prej pijes që të deh, pa e vënë verën në buzë…”
Eva është mbi të gjitha në lirinë dhe dashurinë, dy sinonime të plota të njëra tjetrës. Eva është në mallin për Strelcën, për Korçën, Tetovën, Strugën, në adhurimin për Shqipërinë dhe Kosovën, në përsiatjet për metropolet botërore, të lashtat dhe modernet. Eva është në përmasën e çastit dhe në përmasën e përjetësisë me të cilat lind çdo krijesë, veçanërisht çdo njeri, për çka më të privilegjuarit e të gjithëve janë poetët, sidomos poetët e dërguar në mërgim, të privuar ashtu prej shumëçkaje e shpesh gjithçkaje, por gjithnjë e gjithherë të pandarë prej muzave të tyre.
Në këtë frymë, më i rinuar e më rinor se kurrë, Vehbi Skënderi e ka arkitekturuar vëllimin e tij “Mirëmëngjes, Shqipëri Lirika të një tetëdhjetëvjeçari” si një metropol kozmik, sajuar prej yllësish tokësore e qiellore, nga më të populluarit dhe nga më magjiplotët, nëpër të cilën mund të shëtisim njëherësh në të gjitha kohërat dhe në të gjitha hapësirat, duke na e bërë të lejuar gjithçka që na është ndaluar. Ai nuk është një metropol i vendosur në lagje të shpërndara nëpër ishuj si Nju Jorku. Ai nuk është një metropol i shtrirë në anë kontinentesh e detesh si Stambolli. Ai është një metropol me lagje të pafundme, nënlagje të pafundme, ura të pafundme, të cilat nuk ka teleskop Habëll që t’i kapë yllësive të Universit, me ura hedhura nëpër shpirtërat e njerëzve. Nuk ka mision më fisnik dhe më njerëzor se ky për poetin ndaj njeriut dhe njerëzimit. Dhe këtë mision Vehbi Skënderi, veçanërisht me këtë libër të ri, e përmbush më së miri. Prandaj, me këtë libër të ri të Vehbi Skënderit poezia shqipe dhe letërsia shqipe në tërësi është shumë më e pasur, është më e pasur se kurrë ndonjëherë, është më e plotë dhe më e lartë se kurrë përballë çdo poezie dhe letërsie tjetër.
SKËNDER BUÇPAPAJ
https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=LAJMIIF&article=24105&fbclid=IwAR2ZSpYIwlA6BZQS6gh8n27WaOZVbiF2mAgYsiuDBqlOfV0CQOt5y2NJXFs