22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri të plotë.Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë.Demokratët e kanë përjashtuar. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.
Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor.Por klasa politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë.
Në kalendarin e Shqipërisë 22 marsi është një festë fetare zyrtare.
Më 22 Mars, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, që duhej të qe një festë kombëtare mbarëshqiptare, për ta kremtuar të gjithë, nuk flitet për gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.
Si ditë e bektashizmit që kudërmon nga era e kanellës mbi hashure, është rasti për fryemëzim dhe kujtesë ndaj vëllezërve të Rilindjes Frashëri.
A nuk do të shkonte shumë bukur sikur tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!”
Por klasa politike shqiptare e ka kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri të vëllezërve Frashëri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vend, as gjuhë as farë e kulturë.
Nuk kujtohet as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes.
Në memecërinë e surrealit shqiptar, askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”.
Shikoni sa bukur tingëllojnë, sikur i ka shkruar sot i madhi Naim Frashëri: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….”
Në Tiranën e fokusuar tek tasat me hashure me sa më tepër arra askujt nuk i shkon nëpër mend për të përkujtuar Sami Frashërin dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit.
Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!
Nuk i kujtojnë Rilindasit sepse tani kur thuhet Rilindje nënkuptohet Edi Rama. Tani Edi Rama ka zëvendësuar vëllezërit Frashëri! Me shpurën e ministrave të tij!
Sali Berisha që vetëidentifikohet me 22 marsin 1992 do të duhej ta kishte përfshirë këtë datë si një festë kombëtare. Pse i frikësohet kësaj date ?
Sot populli shqiptar duhej të kujtonte ditën e përmbysjes të diktaturës. Por klasa politike me në krye PD e kanë hequr këtë datë fare nga kalendari.
Në vend të kujtesës nëpër televizionet e Tiranës flitet Sulltan Novruzit dhe byrekun me dymbëdhjetë lloje barishtesh.
Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhej të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.
Unë isha atë 22 mars. Raportoja për Zërin e Amerikës.
Raportoja si gazetare dhe bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë.
Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija dhe flamujt blu të PD-së.
Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani çerek shekulli më pas janë kthyer në iluzione dhe deluzione.
Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 25 vjet rresht.
Me gjithë zhgënjimet dhe pësimet 22 mars 1992 është dita e kauzës të lirisë, dita kur Sovrani vendosi për fatin e vet.
22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.
22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.
Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 është në karantinë.
Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë dekulturuese, ndërsa nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.
Unë jam një dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishin bërë bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.
Po ku janë sot shqiptarët, çerek shekulli larg nga ajo dite e bekuar?
Diktatura i mbajti shqiptarët në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër.
Tiranozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve.
Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë që të çlirohemi nga kjo klasë politike.
22 marsi 1992, kjo datë e shenjtë nuk i takon partisë, asnjë partie shqiptare, sepse të gjitha e kanë mashtruar popullin.
Kjo ditë është dita e Sovranit!